By: Dr Selman Aude

Lavdia


 

Teksa sheh shenjat që kanë lënë kolosë të ndryshëm në lashtësi, mbetesh i pa fjalë dhe të duket vetja shumë i dobët. Trashëgimia faraonike në Egjipt, trashëgimia romake në Evropë, Marok, Levant, Libi, Asirianët në veri të Irakut, Babilonasit në jug... objekte madhështore, një pjesë e madhe e të cilave është shuar me kalimin e kohës.

Kur qëndron para një kolone madhështore, para një amfiteatri gjigand, para një varreze mbretërore, para një statuje të madhe... ndjen paaftësinë tënde, por në të njëjtën kohë ndjen edhe paaftësinë e atyre që e kanë ndërtuar e që ishin të paaftë për tu mbrojtur nga sëmundja, mposhtja, vdekja dhe shuarja!

Kam studiuar dhe jetëshkrimin e gjenialëve të letërsisë, gjuhës, teknologjisë, filozofisë, artit, shkencës... përgjatë historisë dhe kam parë që emrat e tyre shkëlqenin në kohën që jetuan. Lavdia e tyre kishte mbushur çdo cep të jetës falë veprave, mendimeve, ideve, teorive dhe arritjeve. Megjithatë, ata u larguan dhe u shuan sikur të mos ekzistonin. Ata morën vendin që u takon në listën e gjatë dhe të pafund që përmban emra nga më të ndryshëm, të fushave nga më të ndryshmet dhe me arritje nga më të ndryshmet.

Kam studiuar edhe jetën e pasanikëve, politikanëve, njerëzve të mediave etj..., të atyre që janë akoma gjallë dhe që emri u përmendet kudo, atyre të cilët hapin debate dhe shkaktojnë tërmete.

Kam vënë re se jeta bashkëkohore është peng  dhe i është borxhli  një sërë arritjeve shkencore, shpikjeve teknologjike, informacioneve, letërsisë.... të cilat kanë lënë gjurmët e tyre tek individi, familja, komuniteti, fshati, qyteti, lëvizjet dhe marrëdhëniet sociale.

Megjithatë, shumë pak prej njerëzve i dinë emrat e personave të cilët i kanë shpikur dhe prodhuar, emra të cilët kanë humbur në turmën e madhe, ose janë gati të humbin.

Gjatë jetës së tij njeriu mund të shihet si një kolos madhështor, por që me kalimin në botën tjetër ai zhbëhet pak e nga pak, duke mos u përmendur vetëm se në enciklopedi dhe dokumentarë.

Kam kuptuar se lavdia që korrën në këtë botë, ishte një shpërblim që ua përshpejtoi Zoti, pasi Ai i shpërblen punëmirët me emër të mirë, famë, shëndet, pasuri dhe gjithçka që ata kanë dashur nga kjo botë.

Hisja e besimtarit në këtë kontekst duhet të jetë e bollshme, pasi në fund të fundit është diçka që i takon. Vetë profetët janë njerëzit më të famshëm në mënyrë absolute, janë ata që përmenden më së shumti dhe nuk kujtohen veçse për vlerat e tyre dhe plot lëvdata, përveçse nga njerëzit e sëmurë dhe të pavlerë.

Besimi tek Zoti dhe tek bota tjetër, nuk është pengesë në rrugën e kreativitetit, superioritetit, lavdisë dhe kontributit në këtë botë, përderisa nuk bazohet në persekutim të njerëzve të tjerë, cenim të ligjeve të Zotit dhe shkatërrim të vlerave e virtyteve.

Kam kuptuar se lavdia e madhe dhe e lehtë, i mundësohet disa individëve, atyre që kanë besuar në Zotin e tyre dhe që janë udhëzuar në udhën e Tij. Këta i përulen Krijuesit të tyre me ballin në tokë, u gëlon gjuha nga përkujtimi i Tij, u mbushen zemrat me dashuri, e kujtojnë, lavdërojnë, adhurojnë dhe besojnë në takimin me Zotin. Lavdia më e madhe është ajo e Zotit, Atij që ka në dorë gjithçka që ekziston në qiej dhe në tokë.

“Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! “ (Bekare, 255)

Sipas Buhariut dhe Muslimit, profeti Muhamed a.s ka thënë:”Dy fjalë, të lehta për tu shqiptuar, të rënda në peshore dhe të dashura për të Gjithëmëshirshmin: Subhanallahi ve bihamdihi, Subhanallahil adhim.”

Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre, se profeti Muhamed a.s ka thënë:”Thotë Zoti i lartësuar:”Kam përgatitur për robërit e Mi të mirë, gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as në mendje nuk i ka vajtur kujt.” Mandej Profeti a.s citoi:” Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 17)

Po sipas Buhariut dhe Muslimit, Profeti a.s ka thënë:”Banorët e xhenetit e shohin njëri-tjetrin në dhomat e xhenetit, ashtu siç shihni yjet në qiell, për shkak se disa gëzojnë privilegje që nuk i gëzojnë të tjerët.” Dikush i tha:”O i dërguar i Zotit! Ato janë gradët e profetëve të Zotit, gradë të cilat nuk i arrin kush tjetër përveç tyre.” Profeti a.s u përgjigj:”Përkundrazi, betohem në Atë që ka jetën time në dorë, janë për njerëz të cilët kanë besuar tek Zoti dhe kanë beSuar të dërguarit.”

Kjo lavdi e madhe të cilën mund ta arrijë kushdo dhe që nuk ka nevojë për gjenialitet, mendje të thekur, përsosmëri fizike, pasuri, pushtet etj... të bën shumë të pasur, sikur të kishe në pronësi galaktikat.

Krahasuar me pasuritë e besimtarit në xhenet, civilizimet dhe lavditë e kësaj bote, ngjajnë si lodrat e fëmijëve.

Kam kuptuar se lavdia e paktë e kësaj bote, vlen që të shërbejë si shkallë drejt jetës së amshuar, sigurisht, për atë që di ti bashkojë të mirat e të dy botëve dhe thotë:”Zot na jep të mira në këtë botë, në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!” (Bekare, 201)

 

Përktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

06/04/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:3406:1112:5016:2519:1720:42

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook