Lideri i ndjekësve të Sunetit (Traditës Profetike) 7/7
Imam Ahmedi dhe dijetarët e kohës së tij:
Dijetarët e kohës së imam Ahmedit ishin të shumtë dhe thuajse të gjithë e kontaktuan imam Ahmedin dhe nxunë dije prej tij. Por kishte edhe profesorë, tek të cilët ai u kualifikua.
Prej profesorëve të tij përmendim:
Së pari: imam Shafi’iu [Allahu e mëshiroftë]., Imam Ahmedi ka nxënë rreth njëzet hadithe[1] prej Imam Shafi`iut, megjithëse imam Ahmedi ishte më i shquar se ai në hadith, si dhe ishte me dituri më të gjera se ai për sa i përket transmetimit.
Në këtë kontekst tregohet se imam Ahmedi i thotë Is’hakut: “O Ebu Jeakub! Eja të të kallëzoj një burrë, që si s’të kanë parë sytë”. Is’haku i tha: “S’paskan parë sytë e mi si ai?!” I tha: Po. Kësisoj imam Ahmedi e solli Is’hakun tek Shafi’iu [Allahu e mëshiroftë].”[2]
Po kështu, imam Ahmedi përftoi një buqetë artikulimesh të arabishtes[3] nga Shafi’iu.
Kur Ahmedi vdiq, në sendet e tij u gjet libri “Er Risele” i imam Shafi’iu-t. Ahmedi lexonte dhe përfitonte prej këtij libri. Ai lutej për Shafi’iun dhe e lavdëronte atë[4].
Ahmedi ka transmetuar në adresë të Shafi’iu-t një thënie autentike nga një varg i liderëve fetarë. Këtë transmetim Ahmedi e transmeton nga Shafi’iu, nga Maliku (që përbëjnë një treshe të liderëve fetare të cilët kishin shumë ndjekës), nga Ibn Shiheb ez Zuhriu, nga Abdurahman ibn Keab ibn Malik, nga i ati i tij, nga i Dërguari i Allahut, se ai ka thënë: “Shpirti i besimtarit është një fluturak (zog), që është i varur në pemët e Xhenetit, derisa të kthehet tek trupi i tij”.[5]
Kur Shafi’iu e takoi imam Ahmedin në udhëtimin e tij të dytë në Bagdad, i tha: “O Ebu Abdullah! Nëse tek ju rezulton i saktë hadithi i të Dërguarit të Allahut, ma bëj me dije këtë, që të mbështetem tek ai, sidoqoftë hadithi, nga Hixhazi (Arabia), Shami, Iraku apo Jemeni”.[6] Vëreni se si imam Shafi’iu ia thotë këtë gjë imam Ahmedit, në një kohë që ai (Ahmedi) me moshë ishte disa vjet më i vogël.
Imam Ahmedi i thoshte djalit të Shafi’iu-t, Muhamed ibn Muhamedit: “Babai yt është një prej gjashtëshes, për të cilët unë bëj lutje në suhur (syfyr, kohën para agimit).[7]”
Që në rininë e tij të hershme, imam Ahmedi shkonte në kuvendet e ndryshme të dijetarëve të tjerë, sikurse për shembull tek Kadiu Ebu Jusufi. Imam Ahmedi i shkroi transmetimet e dijetarëve opinionistë si dhe transmetimet e të kualifikuarve të Irakut, kurse më tej ai u preokupua me Hadithin dhe Sunetin.
Së dyti: El Harith ibn Esed el Muhasebiu, që është i famshëm për asketizmin, devocionin dhe përkushtimin e tij.
Ismail ibn Is’hak es Siraxhi ka thënë: Ahmed ibn Hanbeli më tha: A mund të më tregosh, se kur vjen El Harith el Muhasebiu në shtëpinë tënde? I thashë: Po, - dhe u gëzova së tepërmi për këtë. Pastaj shkova tek Harithi dhe i thashë: “Dëshiroj që sonte ti dhe shokët e tu të vini tek unë”. Ai më tha: “Ata janë shumë, prandaj sill për ta hurma e sende”. Kur erdhi koha midis akshamit dhe jacisë, ata erdhën. Imam Ahmedi u kishte paraprirë dhe qe ulur në një dhomë, nga ku i shihte dhe i dëgjonte, teksa ata nuk mund ta shihnin. Falën jacinë dhe pas saj nuk falën gjë, por të heshtur dhe kokëvarur, si të qëndronin zogjtë mbi kokat e tyre, u paraqitën para Harithit. Rreth gjysmës së natës një person e pyeti Harithin për një çështje dhe ai bëri të fliste mbi të, mbi asketizmin, devocionin dhe këshillën që kishte të bënte me të. Nga kjo gjë dikush filloi të qajë, dikush u ngashërye dhe dikush rënkoi. (Seraxhi) thotë: U ngjita tek dhoma e imam Ahmedit, kur ja, ai po qante aq sa thuajse po i humbte ndjenjat. Më tej ata vijuan kështu deri në agim. Pasi u larguan, i thashë (imam Ahmedit): Si t’u dukën ata o Ebu Abdullah? (Imam Ahmedi) Më tha: Nuk kam parë dikë të flasë mbi asketizmin sikurse ky burrë dhe nuk kam parë si ata. Gjithsesi nuk jam i opinionit që të tubohesh me ta”.[8]
Shtrohet pyetja: “Përse imam Ahmedi nuk i sugjeroi Seraxhit që të tubohej me ta?”
Shkaku i parë: Është thënë se kjo qe për shkak se Harithi posedonte diç prej diturisë së skolastikës (logjikës).
Shkaku i dytë: Bejhakiu ka thënë: “Imam Ahmedi nuk preferoi për Seraxhin t’i shoqëronte ata, sepse Seraxhi nuk do mund ta duronte metodikën e sjelljes, asketizmit dhe përkushtimit të tyre”.
Shkaku i tretë: mendim të cilit Ibn Kethiri i jep epërsi në “El Bideja ue Niheje”, është se: “Ai (imam Ahmedi) nuk e preferoi diçka të tillë (për Seraxhin), pasi në fjalët e tyre gjeti një asketizëm dhe sjellje ekstreme, që nuk ka buruar nga Sheriati (Ligji Islam) si dhe gjeti një detajim e vetëllogaritje të mprehtë dhe kulminante, jo burimore”[9]; prandaj dhe i braktisi ata dhe e këshilloi Seraxhin të mos shoqërohet me ta, por të angazhohet me dituri, hadith dhe asketizëm të balancuar e të pa tepruar.
Ndaj dhe kur Ebu Zur’a er Razi u pozicionua lidhur me librin e El Harith-it, të titulluar “Er Ria’je” dhe u shpreh: “Ky (përpilim) është bidat (s’ka baza në Islam).” Pastaj personit që ia solli librin i tha: “Angazhohu me gjendjen e Malikut, Theuriut, El Euzaiut dhe Lejthit. Hiq dorë nga ky (përpilim), pasi ai është bidat”.[10]
Së treti: Ibn Ebi Daudi, që quhej kadiu i kadilerëve (gjykatësi i gjykatësve). Ai ishte dijetari referencë për kalifin, vetëm se ai u deklarua në favor të medhhebit (mendësisë) Xhehemije dhe fushatës së pushtetit për të sprovuar njerëzit në çështjet e “pretendimit se Kurani është i krijuar dhe se Allahu nuk shihet në Amshim”. Pikërisht ai u bë shkak për këtë sprovë, duke e polemizuar, iu krekosur, kanosur dhe duke e lënduar imam Ahmedin. Prej Ibn Ebi Daudit ndodhi ajo çfarë ndodhi dhe më pas çështja u rrotullua në dëm të tij, ashtu që ai u shkarkua nga pozita e tij, malli i tij iu shit në ankand, u dëbua nga Bagdadi, u persekutua, u vu në vështirësi dhe Allahu i Lartësuar e sprovoi atë katër vjet para se të vdiste me sëmundjen e hemiplegisë (paralizës). Kështu ai mbeti i shtrirë në shtratin e tij, duke mos mundur të lëvizte asgjë nga trupi i tij, duke u privuar nga kënaqësia e të ngrënit, të pirit, jetës bashkëshortore, etj; saqë kur ai vdiq, vetëm një numër fare i vogël njerëzish ia falën xhenazen.
Kur imam Ahmedi u pyet lidhur me Ibn Ebi Daudin, ai nuk u përgjigj. Gjithashtu, imam Ahmedi refuzoi të pozicionohej në çështjen e mallit të Ibn Ebi Daudit.
Ibrahim el Harbiu ka thënë: “Ahmed ibn Hanbeli ia bëri hallall çdokujt që pati dorë në rrahjen e tij, çdo personi që i doli kundra dhe u konfrontua me të”. Ai tha: “Nëse Ibn Ebi Daudi, nuk do qe propagandues (i trazirës së “pretendimit se Kurani është i krijuar”), do t’ia kisha bërë hallall edhe atij”.[11]
Këto ishin disa shembuj të pozicionimit të imam Ahmedit ndaj dijetarëve të kohës së tij.
Allahu e mëshiroftë imam Ahmedin, ia lartoftë gradat në mesin e të udhëzuarve dhe na bashkoftë me të, në rangjet e salihinëve (besimtarëve dinjitoz) në Xhenet; Allahu është i Aftë për çdo gjë.
[1] “El Bideje ue Niheje“ (326/10).
[2] Shiko: “Hiljetul Eulije“ (97/9) dhe “Mearifetu Suneni uel Ether“ (423/4).
[3] “El Bideje ue Niheje“ (326/10).
[4] “El Bideje ue Niheje“ (326/10) dhe “El Menekib“ me autor Bejhakiun (235/1).
[5] “Musned Ahmed“ (15759). Transmetuar nga Nisaiu (2073), Ibn Maxhe (4271) dhe Ibn Hibani, i cili e konfirmon këtë transmetim si të saktë (4657).
[6] Shiko: “Tabakatul Hanabile“ (51/2) dhe “El Bideje ue Niheje“ (327/10).
[7] Shiko: “El Ueefi bil Uefejeti“ (107/1) dhe “Es Sijer“ (227/11).
[8] “Es Sijer“ (326-327/11).
[9] Shiko: “El Bideje ue Niheje“ (329/10).
[10] “El Bideje ue Niheje“ (330/10).
[11] “Sifetu Safue“ (448/1).
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.
