Lindja e diellit nga perendimi, kufiri maksimal i pranimit te pendimit


Ebu Hurejra thotë se I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush pendohet përpara se të lindë dielli nga perëndimi, Allahu ia pranon pendesën.”[1]

Shpjegimi i Hadithit:

Njeriu gjithmonë është në konflikt mes dëshirave dhe detyrimeve. Ai e gjen veten mes sjelljes sipas parimeve fetare dhe mes dëshirës së zjarrtë për të arritur qëllimet që ka në këtë botë. Në të vërtetë kjo është natyra e njeriut, i cili është shumë i dhënë pas kurive të kësaj bote. Megjithatë zgjidhje gjen vetëm ai njeri i cili ka vullnet të çeliktë dhe prirje tek besimi. Në suren Esh-Shems manifestohet ky realitet që proklamon fitoren e besimtarit që e ka mundur veten e tij. Ndërsa ai i cili dorëzohet përpara dëshirave shfrenuese ka humbur. Allahu i Lartësuar thotë: “Betohem për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen dhe të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë. Ndërsa kushdo që e ndrydh atë me vepra të këqija, do të dështojë.”[2]

Pendesa është obligim që duhet të bëhet për çdo mëkat, i vogël apo i madh qoftë ai. Pendesa e sinqertë është argumenti më i madh i triumfit ndaj nefsit. Ajo ngjall shpresën e mëkatarit që është mbushur me mëkate. Kështu që ai nuk e humb shpresën nga mëshira e Allahut e kjo shpresë nuk e humb dritën dhe shkëlqimin e saj.

Le të meditojmë pak, në retorikën e përdorur në këtë hadith profetik. Pjesë e këtij hadithi janë me miliona apo miliarda njerëz të cilët pendohen deri në Ditën e Gjykimit. Fjala “men” që do të thotë “kush” zë një hapësirë të gjerë kohore dhe gjeografike. Kap të gjithë brezat njëri pas tjetrit. Çdokush që kthehet tek Allahu duke u penduar përpara se të mbyllet porta e pendesës, në kohën kur dielli lind nga perëndimi, Allahu ia pranon pendimin.

Që pendesa të jetë e pranuar ajo duhet të plotësojë disa kushte në varësi të mëkatit. Nëse mëkati është karshi Allahut, duhet të plotësohen tre kushte:

1 – Braktisja e mëkatit.

2 – Pendimi.

3 – Vendosmëria për mos t’u kthyer më tek ai mëkat.

Që haku i njerëzve mos të humbasë ka dhe një kusht të katërt, nëse mëkati bëhet ndaj njerëzve: 

4 – të marrë faljen nga personi të cilit i ka hyrë në hak.

Nëse njeriu i ka bërë padrejtësi dikujt, apo i ka rrëmbyer dikujt padrejtësisht pasurinë, e ka për detyrë që t’ia kthejë hakun dhe as që duhet t’i shkojë në mend që t’i kthehet të njëjtit veprim. Këto kushte njeriu duhet t’i plotësojë medoemos, në mënyrë të atillë që pendesa t’i pranohet.

Përveç këtyre kushteve që janë të domosdoshme, duhet të kihen parasysh edhe disa kritere të tjera, si:

  1. Braktisja e mëkatit duhet të jetë vetëm për hir të Allahut, e jo për shkak të pamundësisë së kryerjes së tij, apo nga frika e njerëzve. Njeriu nuk është penduar nëse ai e lë mëkatin ngase (kryerja e mëkatit)  ia prish pozitën tek njerëzit, apo e lë atë sa për sy e faqe të njerëzve. Nuk konsiderohet i vlefshëm pendimi i atij njeriu i cili e lë mëkatin për t’u ruajtur nga shëndeti. Si shembulli i atij njeriu që e lë pirjen e rakisë për shkak se i dëmtohet mëlçia. Nuk konsiderohet i vlefshëm pendimi i atij njeriu që nuk merr ryshfet nga frika se mos del demaskohet në TV.
  2. Njeriu që pendohet duhet ta ndiejë fëlliqësinë e mëkatit dhe dëmet që shkakton ai. Kjo do të thotë se njeriu që është penduar kur kujton mëkatin që ka kryer më parë nuk duhet të ndjehet i lumtur që e ka kryer atë. Dijetari i shquar Ibnul Kajm El Xheuzije (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Sëmundja dhe Ilaçi” ka përmendur një sërë dëmesh që vijnë si rezultat i mëkatit, siç janë: Privimi nga nxënia e dijes, privimi nga adhurimi, vrazhdësia në zemër, largimi i bereqetit, dobësimi fizik, mossuksesi, ngushtimi i kraharorit, poshtërimin e njerëzve, vulosja e zemrës, frika, nuk i pranohet lutja, pre e vargonjve të shejtanit, përfundimi jo i mirë dhe ndëshkimi në Zjarrin e Xhehenemit. Njohja e dëmeve që shkakton mëkati e shtyn njeriun që përfundimisht të largohet prej tij.
  3. Njeriu duhet të pendohet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse vonesa në vetvete konsiderohet mëkat dhe si rrjedhojë njeriut i bie që të pendohet edhe për vonesën.
  4. Njeriu duhet të largohet nga vendi ku e ka kryer mëkatin, sepse të qëndruarit në vendin e mëkatit, e shtyn njeriun që t’i kthehet përsëri të njëjtit mëkat.
  5. Njeriu duhet të shmanget nga ai njeri që e ka shtyrë për të kryer mëkatin. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë Ditë, miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve që e kishin frikë Allahun.”[3] Pra, në Ditën e Gjykimit, ata shokë të këqij do të jenë armiq të njëri-tjetrit. Prandaj ai i cili pendohet nëse nuk ka mundësi që t’i kthejë ata nga rruga e drejtë, atëherë medoemos duhet që të shmanget nga ajo shoqëri e keqe.
  6. Përzgjedhja e shoqërisë së mirë, miq e shokë që të ndihmojnë për të adhuruar Allahun.
  7. Njeriu duhet të bëjë sa më shumë vepra të mira, sepse ato i fshijnë veprat e këqija. Nëse njeriu pendohet sinqerisht tek Allahu, atëherë të gjitha veprat e këqija shndërrohen në vepra të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët që përveç Allahut nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë të cilën Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto merr gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Gjykimit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija me të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”[4]

Nga plotësimi i këtyre kushteve nuk përfiton vetëm ai që pendohet në aspektin personal. Por më tepër se kaq, sjellja e shoqërisë shkon drejt përmirësimit, marrëdhëniet mes individëve të shoqërisë rregullohen ndjeshëm dhe ndërtesa e ymetit mysliman bëhet më solide në të gjitha shtresat e saj. Sepse të gjithë njerëzit gabojnë, por gabuesi më i mirë është ai që pendohet. Nëse çdo njeri pendohet me sinqeritet të plotë, atëherë ndjenja e miqësisë dhe dashurisë do të mbizotërojë tek të gjithë individët e ymetit mysliman. Peshorja do të ketë njerëz të moralshëm në fjalët, veprat dhe aspiratat e tyre. Duke qenë kështu, të pajisur me moralin e besimit  i drejtohen  Allahut të Lartësuar me përgjërim dhe lutje të sinqertë: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me të mirët! O Zoti ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të Dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Gjykimit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë.”[5]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Nxitja për t’u penduar sa më shpejt tek Allahu.

2 – Mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij.

3 – Motivimi

4 – Orientimi i njerëzve për nga e mira dhe sqarimi i të vërtetës.

1 – Nxitja për t’u penduar sa më shpejt tek Allahu:

Feja islame e nxit njeriun që të pendohet e të kthehet tek Allahu sa më shpejt të jetë e mundur, sepse njeriu nuk e di se kur do të vdesë. Prandaj pendimi nga mëkati është obligim që të bëhet sa më shpejt. Këtë e dëshmon edhe ky hadith profetik. Imam El Kurtubiu thotë: “Pendesa është e vlefshme dhe është gjithmonë e pranueshme derisa dielli të lindë nga perëndimi. E kur të ndodhë kjo, atëherë çdo zemër vuloset sipas besimit që ka pasur dhe askujt nuk i vlen më pendesa. Këtë fakt e dëshmon Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë ku thotë: “Në atë Ditë do të shfaqen disa shenja të Zotit tënd. Kur ato të shfaqen besimi nuk do të vlejë dhe po ashtu as veprat që burojnë nga ky besim.”[6] Sekreti i kësaj qëndron në faktin se lindja e diellit nga perëndimi është shenja e parë e fillimit të Ditës së Gjykimit”

Imam En Neueui thotë: “Hadithi tregon kufirin e pranimit të pendesës. Plus kësaj shtohet edhe një kusht tjetër: njeriu duhet të pendohet përpara se t’i vijë shpirti në fyt. Kur shpirti të mbërrijë në fyt, nuk pranohet jo vetëm pendesa por asgjë tjetër, nuk merret për bazë porosia që lë e asgjë tjetër.”

Pikërisht për këtë arsye, njeriu duhet të pendohet sa më shpejt tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk i pranohet pendesa atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vijë vdekja thotë: Unë tani pendohem. E as atyre që vdesin jobesimtarë. Ndaj atyre kemi përgatitur dënim të ashpër.”[7] Ky ajet kuranor flet qartë për mospranimin e pendesës në momentin që njeriu e humb shpresën për të jetuar.

2 – Mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij:

Hapja e portës së pendesës është një mirësi e Allahut ndaj robërve të Tij. Ajo nuk mbyllet derisa dielli të lindë nga perëndimi. Pikërisht për këtë arsye, njeriu duhet të pendohet sa më shpejt. Allahu i Lartësuar thotë: “Nxitoni për tek falja e Zotit tuaj dhe për tek Xheneti madhësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe tokës. Ai është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë kur janë në mirëqenie, por edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë. Pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore gjynahesh nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë vepra të mira.”[8]

3 – Motivimi:

Në këtë hadith, profeti a.s. na motivon duke sqaruar se Allahu e pranon pendesën e njeriut deri në kohën kur dielli të lindë nga perëndimi. Motivimi konsiderohet një prej instrumenteve të rëndësishëm të thirrjes. Ajo lë gjurmë të thellë tek njerëzit, sepse njeriu është gatuar që ta dojë të mirën dhe ka dëshirë të zjarrtë që ta përvetësojë atë për vete. Kjo natyrë e tij, e shtyn atë që t’ia arrijë këtij qëllimi në këtë botë apo në botën tjetër. Prandaj, në Kuranin Famëlartë lexojmë se Ai na nxit të bëjmë punë të mira, na flet për shpërblimin e veprave të mira, na qorton nga kryerja e veprave të këqija dhe po ashtu flet për ndëshkimin e pabesimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë:“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh. Ndërsa atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, Ne  u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.”[9]

4 – Orientimi i njerëzve për nga e mira dhe sqarimi i të vërtetës:

Detyra e rëndësishme e thirrësit është që t’i orientojë njerëzit për nga e mira, t’i sqarojë atyre gjërat ashtu siç janë që ata të njohin të vërtetën, të marrin masat e duhura për t’u mbrojtur e të mos shkatërrohen. Në këtë hadith, profeti a.s. i orienton dhe i këshillon njerëzit që ata të pendohen, po ashtu i sqaron ata se ajo është e pranueshme, por jo gjithmonë është e tillë. Pendesa është e pranueshme deri në një afat kohor, e ai është lindja e diellit nga perëndimi. Kurani Famëlartë ka dhënë plot shembuj të thirrësve që kanë mbartur mbi supet e tyre amanetin e këshillimit dhe sqarimit të së vërtetës. Në Kuranin Famëlartë, Allahu i Lartësuar ka folur për ndodhinë e besimtarit që ishte nga familja e Faraonit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që ishte besimtar tha: O populli im, ndiqini fjalët e mia, sepse unë ju udhëzoj nga rruga e drejtë.”[10]

Epilog:

Kënaqësi  e pafund

Ka kënaqësi e kënaqësi. Ndërmjet dy kënaqësive ka një diferencë mjaft të madhe.

Kënaqësia e parë: Është kënaqësia e kryerjes së mëkatit. Kushdo që e kryen mëkatin për një moment kënaqet dhe është i lumtur. Por me ta përfunduar atë, shenjat e dëshpërimit dhe të shkatërrimit shfaqen menjëherë. Duke e ditur përfundim e mëkatit, atëherë pse ti o njeri kthehesh tek ai përsëri?! Njeriu asnjëherë nuk duhet ta harrojë dhimbjen që mëkati shkakton në këtë botë dhe veçanërisht në botën tjetër.

Kënaqësia e Dytë: Ajo është kënaqësia e përhershme që nuk hiqet si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Ajo është:

-          Kënaqësia e pendesës së sinqertë,

-          Kënaqësia e sakrificës,

-          Kënaqësia e adhurimit të pastër,

-          Kënaqësia e përuljes, bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut,

-          Kënaqësia e lutjeve drejtuar Allahut,

-          Kënaqësia e leximit të Kuranit,

-          Kënaqësia e çdo fjale dhe vepre të mirë

-          Kënaqësia për të nxituar tek falja e Allahut që është sa hapësira e qiejve dhe Tokës.

E lusim Allahun që të na bëjë prej besimtarëve të devotshëm që dinë të përjetojnë kënaqësinë e vërtetë.

 



[1] Transmeton imam Muslimi.

[2] Sure Esh Shems: 7-10.

[3] Sure Ez Zuhruf: 67.

[4] Sure El Furkan: 68 – 70.

[5] Sure Ali Imran: 193 – 194.

[6] Sure El En’amë: 158.

[7] Sure En Nisa: 18.

[8] Sure Ali Imran: 133-136.

[9] Sure El Isra: 9-10.

[10] Sure El Gafir: 38.


Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/12/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:13 06:5311:4213:5816:1817:47

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook