By: Dr. Selman Aude

Marrëdhëniet me jomyslimanët


Shpeshherë, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve bëhen objekt bisede dhe shumë njerëz i shohin këto marrëdhënie të kufizuara vetëm në tre opsione: E para, jomyslimanët duhet të pranojnë Islamin, e dyta, jomyslimanët duhet të paguajnë xhizjen (taksë vjetore) dhe në të kundërt, mbetet opsioni i luftës. Në fakt, ky është ndër gabimet dhe gafat, që duhen korrigjuar dhe rishikuar, sepse të tre opsionet e lartpërmendura janë të vlefshme për ushtritë, atë myslimane dhe ajo jomyslimane. Pra, këto tre opsione dhe alternativa, rregullojnë raportin mes dy ushtrive në sheshin e betejës. Për shkak të rezervave të shumta që Islami ka ndaj luftës, beteja fillon, vetëm pasi ushtria kundërshtare të ftohet për të pranuar Islamin. Nëse refuzojnë të konvertohen në myslimanë, atyre u kërkohet të paguajnë xhizjen, në këmbim të garancisë së jetës dhe pasurive. Nëse e refuzojnë edhe këtë alternativë, atëherë është sheshi i betejës, ai që vendos.

Por marrëdhëniet e myslimanëve civilë me jomyslimanët dhe popujt e tjerë janë shumë herë më të gjera. Kështu, ata i lidhin marrëdhëniet e ftesës, marrëdhëniet e miqësisë, marrëdhëniet e armëpushimit dhe marrëdhëniet e heshtura. Po t`i hedhim një sy marrdhënieve mes myslimanëve dhe popujve të tjerë, që nga koha e Profetit (a.s) gjer në ditët tona, do të gjejmë se një pjesë e mirë e popujve dhe shteteve nuk kanë pasur marrëdhënie dhe kontakte me myslimanët. Ato nuk përfshihen nga asnjë kategori marrëdhëniesh të lartpërmendura, pasi nuk kanë pasur asnjë kontakt me myslimanët.

Prandaj, e theksojmë dhe një herë, se vënia e tjetrit përballë tre opsioneve: Ose islamin, ose xhizjen, ose luftën, ka të bëjë vetëm me dy ushtritë. Sakaq, marrëdhëniet e individit me individin, shtetit me shtetin, popullit me popullin, janë më të gjera. Ato mund të jenë marrëdhënie të interesave të përbashkëta. Zoti i lartësuar thotë në Kuran rreth kësaj çështjeje: ”U mundën bizantinët, në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët...” (Rum, 2-4)

Ky ishte një ngazëllim i myslimanëve për fitoren e Bizantit ndaj persëve, sepse bizantinët ishin ithtarë Libri, kurse persët ishin idhujtarë dhe ithtarët e Librit janë më të afërt me myslimanët.

Lufta apo paqja?

Shpeshherë, kur bie fjala mbi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve, shtrohet dhe pyetja: Cila është origjina e marrëdhënieve mes dy palëve, lufta apo paqja?

Kjo është një pyetje, e cila është e pabazë dhe nuk ceket asgjëkundi, as në Kuran, as në traditën profetike dhe nuk gjendet as në ndonjë deklaratë të dijetarëve të parë. Ajo që vlen të themi me këtë rast, është se origjina dhe baza e marrëdhënieve mes myslimanit dhe jomyslimanit janë marrëdhëniet “për ta njohur njëri-tjetrin”, të cilat janë deklaruar qartë në Kuran: dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin”. (Huxhurat, 13)

Tek njohja hyn komunikimi mbi baza morale dhe etike, të cilat janë pjesë e natyrës njerëzore. Një komunikim dhe sjellje e tillë nga ana e myslimanit është e natyrshme, por mund të shihet edhe si përgatitje për përhapjen e udhëzimit hyjnor. Prandaj edhe në rast lufte, tjetri ftohet të prezantohet dhe të përqafojë Islamin, akoma pa nisur lufta. Nëse do të studiojmë qytetin, ku i dërguari i Zotit hodhi themelet e shtetit islam, do të gjejmë se ai u shndërrua në kryeqytetin e Islamit me bindje dhe ftesë, jo me luftë. Nevoja për luftë lindi atëherë, kur u cënua integriteti i myslimanëve dhe kufijtë e tyre, pasi shumica e banorëve të Medines ishin konvertuar në myslimanë. Në këtë rast, lindën komplotet e pakicave jomyslimane në aleancë me palë të jashtme, për të dëmtuar myslimanët. Vetëm atëherë lindi nevoja për luftë, e cila do të garantonte jetën dhe pasuritë e myslimanëve.

Në Mekë, i dërguari i Zotit i ftoi njerëzit në Islam, pa përdorur luftë. Në të njëjtën mënyrë, pa luftë, ai hyri në Medine dhe e mori Meken pas një dekade, përsëri pa luftë. Zoti i lartësuar e konsideroi marrëveshjen e Hudejbijes si një triumf të qartë, edhe pse nuk ndodhi asnjë konfrontim dhe luftë, gjë e cila vërteton rëndësinë e ftesës dhe se myslimanët duhet të fokusohen në përhapjen e fesë.

Shpeshherë më rastis të dëgjoj pyetje si: ”A është xhihadi obligim për çdo mysliman, apo vetëm për një pjesë?”

Përgjigja ime është e tillë: ”Le të shohim për një moment çështjen e ftesës në rrugë të Zotit, nëse është farz ajn (detyrim për çdo mysliman) apo farz kifaje (nëse e praktikojnë disa, bie obligimi për të tjerët). Nëse i referohemi periudhës profetike, mandej të dinastisë omejade, abasite dhe vijmë deri në ditët e sotme, a mund të thotë kush, se të gjithë myslimanët kanë qenë të përgjegjshëm për rëndësinë e ftesës dhe e kanë njohur Islamin me rrënjë? Padyshim që jo. Në çdo rajon islam kanë jetuar njerëz të shumtë në prapambetje dhe analfabetizëm ekstrem, duke përjashtuar ata, që ishin të ndërgjegjshëm dhe të ditur, të cilët neglizhonin e gabonin. A u është faktuar dhe argumentuar njerëzve vërtetësia e mesazhit islam, apo vazhdojmë të kemi shumë banorë të tokës, të cilët as që kanë dëgjuar për Islamin. Mos harrojmë, se kemi shumë njerëz, të cilët e njohin Islamin vetëm nëpërmjet asaj që dëgjojnë nga armiqtë dhe dashakeqët e tij. Prandaj, ftesa dhe përhapja e fesë është obligim për çdo individ mysliman (farz ajn), për shkakun e thjeshtë se nuk kemi njerëz të tillë, që mbajnë mbi supet e tyre të gjithë ftesën. Kështu, nëse supozojmë se ftesa është detyrë individuale (farz ajn), xhihadi detyrë individuale, mjekësia detyrë individuale, ekonomia detyrë individuale etj... do të thotë, se çdo mysliman duhet të mbajë mbi supe një sërë detyrash, të cilat i ka të pamundura t`i përmbushë. Që këtu, lind nevoja për një farë specializimi dhe disiplinimi.

Marrëdhënie lufte!

Ti konsiderosh marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve si marrëdhënie lufte, shkakton tensione, urrejtje të thellë, distancim nga njëri-tjetri dhe ftohje, të cilat nuk i lënë vend komunikimit, dialogut, partneritetit, interesave të përbashkëta, martesave të përziera, fqinjësisë, debatit konstruktiv etj... Marrëdhënie të tilla janë fryrë aq shumë nga disa “mendjendritur”, saqë e ndalojnë edhe të shikuarit në fytyrë të jomyslimanit. Po si kanë komunikuar të dërguarit e Zotit me popujt e tyre jobesimtarë? Një izolim i tillë i ka rrënjët tek injoranca e thellë, shpirtngushtësia dhe keqkuptimi i sheriatit. Si mundet dikush t`i ftojë të tjerët të përqafojnë Islamin, ndërkohë që ai beson se qëllimi përfundimtar është lufta dhe konfliktualiteti?

Myslimani i vërtetë dhe i devotshëm vë alarmin, kur sheh se shkelet shenjtëria e jetës, kur vritet i pafajshmi dhe kur ekzekutohet krijesa e krijuar me aq urtësi nga Krijuesi i gjithëfuqishëm. Një krim i tillë, është krimi i parë, që ndodhi mes fëmijëve të Ademit (a.s): “Ty gjithsesi do të të vras”. (Maide, 27)

Është pikërisht ky krim ai, që i frikësoi melekët, kur dëgjuan se Zoti do të sjellë një krijesë të re (njeriun) mbi faqen e tokës: “A do të vësh atje dikë, që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të”. (Bekare, 30)

Fryti i vërtetë i imanit (besimit) është, që shpata të nxirret dhe të futet në mill, vetëm konform dispozitave sheriatike dhe në respekt të tyre. Durimi i vërtetë është, kur njeriu të guxojë aty ku duhet dhe ta përmbajë veten, aty ku duhet përmbajtur.

Në raste të shumta vrasja shihet si e lejuar, megjithatë Profeti (a.s) ka preferuar faljen dhe kapërcimin e atij momenti, pa kërkuar gjë si shkëmbim. Si shembull per këtë rast mund të përmendim Gaureth ibnu Harith, i cili iu afrua Profetit (a.s), nxorri shpatën dhe u orvat ta vriste. Por Zoti e mbrojti të dërguarin e Tij dhe nuk Gaureth nuk ia arriti qëllimit. Pasi kishte rënë në duart e myslimanëve, Profeti (a.s) i kërkoi të konvertohej në mysliman, por ai refuzoi. Megjithatë, i premtoi diçka tjetër. Ai (a.s) i tha: ”Të jap besën se nuk do të luftoj kundër teje dhe nuk do bëj aleancë me ata që të luftojnë”. Pas kësaj profeti Muhamed (a.s) e la të lirë atë.

Sipas të gjithë ligjeve të drejtësisë, vrasja e një personi të tillë ishte brenda kushteve të vetëmbrojtjes dhe e justifikueshme. Por, pasi ishte siguruar jeta e Profetit (a.s) dhe pasi u garantua mospjesëmarrja e këtij njeriu në luftë kundër myslimanëve, Profeti (a.s) e la të lirë.

I njëjti reagim ka ndodhur edhe në rastin e mynafikëve, si Abdullah ibnu Ubej, të cilët u bënë palë me komplotistët dhe armiqtë e myslimanëve. Profeti (a.s) nuk e mohoi faktin, se ata meritonin dënimin me vdekje, por bazuar në disa konsiderata të tjera, si uniteti mes myslimanëve dhe shmangia e fushatave mediatike të kundërta, hoqi dorë nga ky dënim.

Islami aleat me jetën

Islami e nderon dhe respekton jetën e njeriut, saqë shpërblimi i martirëve është pikërisht jeta në botën tjetër. Zoti thotë në Kuran:”Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre”. (Al Imran, 169)

Gjatë një debati me një nga vëllezërit, e pyeta: ”Sipas teje, martirizimi është qëllim dhe objektiv, apo mjet?”

Padyshim që të vdesësh martir në rrugë të Zotit është mjet dhe jo qëllim në vetvete. Pasi e dimë shumë mirë, që Zoti e urren vdekjen, gjë e cila shprehet në një hadith kudsij, ku Allahu thotë: ”Njeriu e urren vdekjen, ndërsa Unë urrej t`i bëj keq”. (Buhari, 6502)

Zoti dëshiron, që besimtarët ta shijojnë jetën dhe me ta të kenë dobi dhe të kënaqen familjarët e tyre. Ai dëshiron, që ata ta adhurojnë dhe të mos i shoqërojnë rivalë, si dhe ta lusin me përgjërim. Por martirizimi është i nevojshëm në raste të caktuara. Lufta është pjesë e pandashme e jetës. Zoti flet për dënimin me vdekje dhe e konsideron atë si “jetë”. Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!” (Bekare, 179)

Arabët, para Islamit thoshin:”Vrasja largon vrasjen”. Kështu kjo thënie fillon me vrasje dhe përfundon me vrasje. Sakaq, Kurani fisnik e konsideron dënimin me vdekje si jetë. Islami është një fe. e cila i kushton një rëndësi tepër të madhe mbrojtjes së jetës dhe cilësisë së saj. Prandaj dhe ftesa islame është konsideruar si ngjallje dhe jetë: A barazohet i vdekuri, që Ne e ngjallëm”. (En’am, 122)

Në fund të këtij artikulli, më mbetet të them se: Kushtet kohore mund të prodhojnë tension në zemrat e njerëzve. Problemet e botës islame, agresioni i vazhdueshëm, presioni i mediave të cilat përcjellin imazhe të caktuara, paaftësia politike dhe popullore, disiplina e dobët, komunikimi dhe bashkëpunimi i ulët etj... kanë krijuar një situatë të hidhur, të trishtueshme dhe të tensionuar tek shumë të rinj myslimanë. Ajo i ka shtyrë drejt dhunës dhe metodave agresive të reagimit.

Islami është palë me jetën, kurse martirizimi në rrugë të Zotit është një rast, që duhet të përkojë me vendin dhe situatën. Sakaq, jeta në rrugë të Zotit është më e nevojshme sesa vdekja. Ai që nuk jeton siç duhet në rrugë të Zotit, nuk do të dijë të vdesë siç duhet në rrugë të Zotit. Pra, islami është fe e jetës, me kuptimin e plotë të saj.

Perktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Rating: 3.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:19 05:1912:5416:5020:1622:03

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook