By: Dr Hans Koechler

Marrëdhëniet mes Islamit dhe krishterimit në Evropë: në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen


(Dr. Hans Koechler është profesor dhe kryetar në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Innsbruck/Austri)

(I) Historia e marrëdhënieve islamike-të krishtera në Evropë: Ndërveprimi kulturor përballë konfrontimit politiko-ideologjik
(II) Konceptet metafizike në Islam dhe Krishterim dhe roli i tyre në formimin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve në Evropë.
(III) Gjendja aktuale dhe perspektiva e ardhshme e marrëdhënieve islamike-të krishtera në Evropë.

1. Historia e marrëdhënieve islamike-të krishtera në Evropë: Ndërveprimi kulturor përballë konfrontimit politiko-ideologjik


Nga perspektiva universale e historisë së qytetërimeve, Evropa shfaq një pabarazi të veçantë në lidhje me ndikimet kulturore të ndërsjella të botës myslimane dhe të krishterë. Ndikimi i mendimit evropian në botën myslimane daton në fillimin e shekullit të 19, ndërsa qytetërimi Islam e kishte dhënë ndikimin e tij të thellë në kulturën evropiane të krishterë – rrugës së saj të gjatë drejt zhvillimit dhe teknologjisë – gati një mijëvjeçar më parë dhe gjatë një periudhe prej disa qindra vjetësh. Me fjalë të tjera për më shumë se një mijë vjet kultura evropiane nuk pati ndikim të veçantë në botën myslimane, për më tepër përfitoi nga “iluminizmi” i hershëm islamik në të gjitha fushat e kulturës dhe shkencës.
Është fakt historik, që formimi i jetës intelektuale të vërtetë evropiane në mesjetë erdhi si rezultat i qytetërimit islamik lulëzues në Spanjë. Gjatë pesë shekujve, pikërisht nga shekulli i tetë deri në shekullin e 13, historia e qytetërimeve të botës ishte ajo e Islamit. Në krahasim me qytetërimin e krishterë të Evropës në atë kohë, qytetërimi islamik ishte më i rafinuar dhe i gjerë. Gjatë një periudhe afërsisht prej 200 vjetësh ndeshja e Evropës me qytetërimin islam i mundësoi asaj zhvillimin e aftësive në të gjitha fushat shkencore dhe të dijes, veçanërisht në filozofi, mjekësi, astronomi, kimi dhe matematikë. Një nga arritjet më të mëdha të dijetarëve myslimanë në mesjetë është ruajtja e thesareve të shkencës dhe filozofisë së lashtë greke për brezat e ardhshëm. Dijetarët e krishterë u njohën me konceptet e metafizikës aristoteliane nga filozofët arabë ne Spanjë dhe nga përkthimet dhe komentet e tyre. Filozofi arab ibn Rushd i lindur në Kordovë në vitin 1126 e.r, ushtroi ndikimin më të madh me anë të komentit të tij mbi Aristotelin. Shkollat arabe (universitetet) në Kordovë, Sevilje, Granadë, Valencia dhe Toledo tërhoqën një numër të madh dijetarësh të krishterë. Mendimtarët më të mëdhenj të krishterë të asaj kohe, si Albertus Magnus, Roger Bacon, Thomas Aquinas, Ëilliami i Ockham, Gerberti i Aurillac, që më vonë u bë papa Silvester i II, për të mos përmendur të tjerë, zhvilluan aftësitë e tyre intelektuale në ato qendra mësimi.
“Biblioteka e madhe e Evropës” në Toledo, ku në vitin 1130 e.r. u themelua një shkollë përkthimi, tërhoqi studentë dhe studiues nga e gjithë Evropa. Shkenca mjekësore arabo-islame pati një ndikim të madh në zhvillimin e disiplinës mjekësore në Evropë. Në shekullin e 12 profesorët e parë në universitetet e porsa themeluara të Evropës ishin të gjithë studentë të dijetarëve arabë. Për gjashtë shekuj, puna kryesore e dijetarit mjekësor më të famshëm, Ibn Sina (Avicenna), ‘Al-Kanun’ (canon medicinae), u mësua në të gjitha fakultetet e mjekësisë kryesore evropiane. Në vitin 1587 e.r. mbreti Henri III i Francës krijoi një katedër për gjuhën arabe në kolegjin Royal për t’i dhënë shtysë studimit mjekësor në Francë. Ndikime të ngjashme në zhvillimin e metodave shkencore mund të gjenden në fushën e matematikës, astronomisë, kimisë, arkitekturës, muzikës dhe teknikave industriale. Astronomi arab Al-Battani, (Albatenius 858-929) hodhi poshtë prerazi dogmën e Ptolemeut të heliocentrizmit, shumë kohë para se Koperniku të publikonte librin e tij të famshëm “De revolutionibus orbium coelestium” në shekullin e 16-të. Periudha romane e artit evropian i detyrohej mjaft arkitekturës islamike, veçanërisht në Spanjë. Pa hyrë në detaje të mëtejshme mund të deklarojmë me të drejtë se qytetërimi islam – që lulëzoi në jug të Evropës deri në fund të shekullit të 12-të dhe në arritjet e tij e tejkaloi kontributin e mëparshëm të perandorisë romake për zhvillimin e qytetërimit – zgjoi Evropën nga “gjumi dogmatik” në mesjetë dhe si rrjedhim përgatiti një rilindje evropiane të hershme në kuptimin e një vizioni botëror jodogmatik, racional dhe të gjerë.
Megjithatë në nivelin politik, ky ndikim i pasur kulturor nga i cili qytetërimi i krishterë në Evropë përfitoi në mënyrë të njëanshme –sepse nuk kishte asgjë të vetën për të ofruar për të zhvilluar qytetërimin islamik në atë kohë – shumë rrallë u ballafaqua me tolerancë dhe mungesë paragjykimesh. Karli i Madh (747-814 e.r.) kishte marrëdhënie të mira me Abasidët në Bagdat.
Harun Rashidi e respektonte atë si mbrojtësin e të krishterëve orientalë me disa të drejta zyrtare mbi Jeruzalemin. Në një periudhë më të vonshme historike, perandori Frederiku II (1194-1250 e.r.), “Mbreti i Siçilisë dhe Jeruzalemit”, pavarësisht nga pjesëmarrja e tij në kryqëzata, tregoi një çiltërsi të vërtetë ndaj qytetërimit islam dhe ishte i etur për të mësuar nga dijetarët myslimanë. Megjithatë duhet të theksohet, se interesi i dy sundimtarëve ishte drejtuar nga perandoria islame në lindje, jo në tokën evropiane të përqendruar në Kordova, ku pavarësisht nga ndikimi i madh kulturor, nuk u gjet asnjëherë një rivendosje politike e marrëdhënieve.
Historia politike e marrëdhënieve islame-të krishtera në Evropë dominohet nga lëvizja e kryqëzatave, që filloi në shekullin e 11, me anën e të cilave Papët u munduan të krijonin hegjemoninë e padiskutueshme të Selisë së Shenjtë (Vatikanit) veçanërisht ndaj vendeve të krishtera të perëndimit. Shumë shpejt kryqëzatat u kthyen në sipërmarrje kolonizuese imperialiste, me anë të të cilave shtetet evropiane donin të siguronin interesat e tyre jetike ekonomike dhe tregtare. Feja ishte thjesht një pretekst për planet kolonizuese të drejtuesve evropianë, jo vetëm ndaj myslimanëve në Tokën e Shenjtë (Palestinë) por edhe kundër perandorisë së krishterë bizantine, gjë që u tregua më qartë nga kryqëzata e katërt, gjatë së cilës doxhi i Venecias, Enriko Dandolo, pushtoi Konstandinopojën e plaçkitur në vitin 1204 e.r.. Ndërsa ripushtimi islam ishte i suksesshëm në marrjen e Jeruzalemit nga Salahudini, ripushtimi i krishterë, solli përfundimisht fundin e pranisë islame në Evropë me rënien e Granadës në vitin 1492 e.r.. Megjithatë në pjesën lindore të Evropës perandoria e re turke kishte pushtuar jo vetëm Konstandinopojën, qendrën e krishterimit lindor në 1453 e.r., por i kishte zgjeruar pushtimet e saj gradualisht deri tek portat e Vienës në vitin 1683 e.r.
Kjo histori e ndërlikuar konfrontimesh mes të krishterëve dhe myslimanëve në perëndim, jug dhe në lindje të Evropës dhe në Lindjen e Afërme e ka bërë praktikisht të pamundur një “dialog të vërtetë të qytetërimeve”, pavarësisht nga ndikimi i madh i kulturës Islame në zhvillimin e mendjes evropiane. Në kontekstin e konfrontimeve politiko-ushtarake, feja shërbeu si një mjet ideologjik nga ana e të krishterëve për të mbrojtur interesat e drejtuesve evropianë, përfshirë drejtuesin e Selisë së Shenjtë në Romë. Kjo shpjegon historinë e keqkuptimeve të paqëllimshme si dhe të paramenduara që shoqëron përplasjen islamike-të krishterë në Evropë gjatë shekujve.
Përplasja e hershme e qytetërimeve që nga mesjeta, ka krijuar një trashëgimi konfrontimesh, mosbesimi dhe keqkuptimi deri në ditët e sotme. Stereotipet anti-islamike në Evropë, herë pas here duke u bërë virulente nën një grup të ri politikash botërore, janë pasqyrimi i kësaj historie të hershme antagoniste të bashkëveprimit islamik-të krishterë gjatë zgjerimit të sundimit islam në Evropë, që nga shekulli i tetë dhe nga rezultati i ripushtimit të krishterë dhe kryqëzatave. Brenda këtij konteksti të përplasjes së dhunshme evropiane më islamin, siç thotë Eduard Said, doktrina evropiane ‘e ktheu Islamin në simbolin e vërtetë të një të huaji kundër të cilit u themelua gjithë qytetërimi evropian që nga mesjeta’ (1).
Me ardhjen e kolonizimit evropian, marrëdhëniet me Islamin morën një kthesë tjetër drejt dominimit politik dhe ‘tutelës kulturore’ nga ana e Evropës. Politika e pushtetit evropian ka krijuar hartën e Lindjes së Mesme deri në kohët e sotme. Dominimi politik dhe ushtarak u plotësua nga pretendimi i hegjemonisë ideologjike të Evropës së krishterë ndaj qytetërimit arabo-islamik. Paragjykimet e hershme, të ushqyera që nga koha e kryqëzatave, kanë rilindur madje janë forcuar si mjete në një konfrontim që ka qenë mjaft i lidhur me krijimin e një entiteti të ri politik në Palestinë me çmimin e pranisë islame historike veçanërisht në Jeruzalem.

2 Konceptet metafizike në Islam dhe Krishterim dhe roli i tyre në formimin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve në Evropë.
Për të kuptuar karakterin zëvendësues dhe natyrën ideologjike të shumë prej konfrontimeve të përshkruara më lart, ne duhet të reflektojmë shkurtimisht në ngjashmëritë e pamohueshme dogmatike-metafizike mes Islamit dhe krishterimit, që mund të jenë baza e një dialogu të shkolluar mes dy qytetërimeve në fushat teologjike, kulturore dhe politike. Është e zakonshme, që të dyja qytetërimet bazohen tek besimi në një Zot. Monoteizmi është thelbi i fesë së tyre kundrejt universit. Koncepti i njëshmërisë është më i qartë dhe me abstragim më të lartë i shprehur në Islam, ndërsa koncepti i krishterë mund të shihet sikur përmban relike të politeizmit në konceptimin e trinitetit të Zotit. Koncepti i fesë islame për Zotin mund t’i ndihmojë të krishterët, të sqarojnë konceptimin e tyre të monoteizmit dhe të vlerësojnë në mënyrë kritike elementet antropomorfë në dogmën e tyre të trinitetit të Zotit të vetëm.(2) Për më tepër, të dyja fetë kanë një natyrë universale dhe si rrjedhim janë të hapura për gjithë njerëzimin. Koncepti i tyre për Zotin nuk është ai i një zoti fisnor, ai përjashton çdo formë diskriminimi në lidhje me anëtarësimin në komunitetin e besimtarëve. Ky universalitet i mesazhit të tyre mund të përbëje një rivalitet mes dy feve, por në të njëjtën kohë nënvizon mungesën e tyre të paragjykimeve kundrejt të gjitha besimeve të njerëzimit. Një faktor tjetër lidhës në fushën e teologjisë është roli i shquar që Islami i jep Jezusit ndër të gjithë profetët. Besimet e krishtera në lindjen virgjerore të Maries dhe në pamëkatshmërinë e Jezusit përkrahen nga Islami. (Sidoqoftë ndryshimi kryesor mbetet tek konsiderimi i Jezusit si Biri i Zotit ose thjesht si profet, megjithëse si më fisniku i tyre). Konceptime të ngjashme ekzistojnë në të dyja fetë në lidhje më ringjalljen dhe gjykimin përfundimtarë.
Megjithatë këto ngjashmëri strukturore të dogmës metafizike, nuk janë bërë baza për një dialog mes dy feve. Për krishterimin në veçanti ndryshimet dogmatike kanë qenë më të rëndësishme dhe emërtimi i profetit Muhamed si “heretik” ka helmuar marrëdhëniet mes komuniteteve gjatë shekujve. Një mungesë besimi si dhe një mosbesim i thellë ka mbizotëruar mes dy komuniteteve, që pjesërisht mund të shihen si rezultat i qindra vjetëve konfrontimi të armatosur në Evropë dhe në Lindjen e Afërme. Një paragjykim armiqësor kundër Islamit karakterizon akoma metodat evropiane ndaj çështjeve të botës myslimane, dogma e tij fetare, rregullat shoqërore, mënyra e jetesës etj. Ashtu siç ka deklaruar me të drejtë mendimtari pakistanez i lindur në Austri, Muhamed Asad, Evropa i ka njëjtësuar kërcënimet ushtarake dhe politike të kohës, veçanërisht kërcënimin e perandorisë osmane, me Islamin si të tillë, domethënë me mesazhin fetar të profetit.(3)
Një pengesë tjetër e kuptimit dhe dialogut të vërtetë përbëhet nga fakti, se për një kohë të gjatë studimi për Islamin ishte në duart e misionarëve të krishterë, të cilët e trajtuan këtë çështje në një mënyrë apologjike dhe shumë polemizuese. Kjo krijoi një imazh të ndryshuar të Islamit në aspektet fetare, morale dhe sociale. Një pozicion i tillë doktrinar, ka pasur një ndikim shumë negativ në perceptimin evropian të Islamit deri në ditët e sotme. Ajo që sot njihet si orientalizëm, i ka rrënjët në këtë metodë apologjike të krishterë që e vendos doktrinën e krishterë në një pozicion superioriteti ndaj “herezisë” së pretenduar islamike. Ashtu siç është thënë me të drejtë nga Eduard Said: “Orientalizmi për strategjinë e tij varet në një superioritet pozicional, që e vendos perëndimorin në një sërë marrëdhëniesh të mundshme me lindjen pa ia hequr atij epërsinë relative” (4). Aktualisht kjo lloj metode është një nga pengesat kryesore të një mirëkuptimi mes myslimanëve dhe të krishterëve.
Kjo metodë nuk analizon aspak stereotipet ekzistuese si një trashëgimi e konfrontimeve të hershme, përkundrazi, ajo forcon këto stereotipe në strukturën e re të “përplasjes së qytetërimeve” sipas të cilës Islami përshkruhet si një kërcënim për sigurinë e Evropës dhe për ruajtjen e mënyrës liberale të jetesës si dhe sistemit të vlerave. Orientalizmi, shpallja e “Studimeve Islamike”, është në shumë aspekte pjesë e një ‘kryqëzatë’ të re nën kushtet eurocentrike të shekullit të 20-të.
Një nga stereotipet që ka ndikuar në marrëdhëniet islamike-të krishtera që nga koha e kryqëzatave dhe luftërave me perandorinë osmane, ka qenë steretipi i natyrës armiqësore të Islamit në mesazhin e tij fetar dhe politik. Ky stereotip vërtitet rreth interpretimit të krishterë të termit xhihad dhe mund të shërbejë si shembull i punës që duhet të bëhet për t’u përgatitur për një përfaqësim dhe interpretim të ekuilibruar dhe të drejtë të mesazhit islam në Evropë. Dijetarët e krishterë mësonin, se Islami justifikon në përgjithësi dhe hapur luftën kundër jobesimtarëve, domethënë ndaj vetë të krishterëve. Disa fjali të Kuranit merreshin dhe akoma merren jashtë kontekstit me qëllim për të “vërtetuar” një natyrë agresive të Islamit. Për këtë qëllim përdorin shpesh suren VIII, 39. Dispozitat e qarta të sures XXII, 39 nuk merren parasysh me qëllim. Në këtë sure thuhet se forca është e lejuar vetëm në rast vetëmbrojtjeje (“Atyre që po sulmohen me luftë u është dhënë leje të luftojnë për shkak se u është bërë e padrejtë…”),(5) dhe në suren II, 190 ku ky parim shprehet më saktësisht.
(“Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë”). Keqinterpretimi i përdorimit të forcës në mësimet e Kuranit është një shembull kryesor i keqkuptimit islamik-të krishterë, që ka krijuar një atmosferë mosbesimi të thellë, duke e rritur perceptimin e gabuar të Islamit si një kërcënim për qytetërimin e krishterë në Evropë dhe duke mohuar të drejtën e tij të ekzistencës. I lidhur me këtë paragjykim të natyrës “armiqësore” të Islamit është një stereotip tjetër, sipas të cilit Islami nuk e pranon lirinë fetare dhe si rrjedhim është i papajtueshëm me pikëpamjen botërore liberale të Evropës së laicizuar, që megjithatë e përcakton identitetin e saj në bazë të historisë së saj të krishterimit. Shumë orientalistë dhe ekspertë të Islamit duket se nuk e marrin parasysh me qëllim formulimin e qartë në suren II, 256.
(“Nuk ka dhunë në fe”.) Si rrjedhim xhihadi kurrsesi nuk mund të përdoret për të vërtetuar një natyrë armiqësore apo agresive të Islamit ndaj Krishterimit. Edhe në kohët e sotme stereotipe të këtij lloji propagandohen në leksionet akademike dhe me anë të teksteve shkollore. Shtrembërimi i qëllimshëm, mos shpjegimi i fjalive shtesë dhe veçimi i disa formulimeve nga konteksti i tyre në Kuran tregojnë nevojën e një metode të re hermeneutike në dialogun mes myslimanëve dhe të krishterëve në Evropë. Pjesëmarrësit në simpoziumin “Koncepti i monoteizmit në Islam dhe Krishterim” (i zhvilluar në Romë në vitin 1981) theksoi nevojën urgjentë për t’i korrigjuar këto stereotipe: “…një nga pengesat kryesore për një mirëkuptim dhe bashkëpunim kuptimplotë mes Islamit dhe Krishterimit është ekzistenca e vazhdueshme e stereotipeve të rreme në tekstet shkollore. Nevojitet krijimi i një programi konkret veprimi për të shqyrtuar dhe korrigjuar të gjitha tekstet shkollore në këtë pikë, në mënyrë që të krishterët që në një moshë të re të mësojnë nga kultura e vërtetë e Islamit dhe shkallën e afërsisë dhe ngjashmërisë me Krishterimin.”(6)

3 - Gjendja aktuale dhe perspektiva e ardhshme e marrëdhënieve islamike-të krishtera në Evropë.
Është e qartë, që edhe në situatën aktuale në Evropa një grup i caktuar interesash mbështet këto steretipe të vjetra. Që nga fundi i komunizmit dhe zhdukja e modelit shok-armik, Islami ka funksionuar si zëvendësues i stereotipit të mëparshëm armiqësor, me anën e të cilit perëndimi mundohet të shpallë ideologjikisht hegjemoninë e tij mbarëbotërore. Marrëdhëniet islamike-të krishtera në Evropë ndikohen nga ky grup i ri ndërkombëtar, ku Islami përshkruhet si një kërcënim ndaj identitetit dhe sigurisë evropiane. Teza e Samuel Huntingtonit e “Përplasjes së qytetërimeve” (7) shërben si një justifikim për zgjatjen e stereotipeve historike të përshkruara më parë. Ekzistenca e komuniteteve të konsiderueshme islame, kryesisht punëtorë emigrantë, në Evropë ka çuar në reagime armiqësore në rritje. Këto komunitete përshkruhen shpesh si kërcënim ndaj kohezionit social dhe kulturor të Evropës. Në këto rrethana është mjaft e vështirë ruajtja e një klime dialogu dhe bashkëpunimi në një kohë kur lëvizjet politike në Evropë përdorin me qëllim dhe madje nxisin paragjykimet tradicionale anti islamike. Klima po përgatitet për një lloj “lufte kulturore”, siç mund të shihet në lidhje me çështjen e Selman Rushdiut ose me fushatën e vitit të kaluar kundër ekspertes së njohur gjermane për qytetërimin islam, Annemarie Schimmel, e cila u nënvlerësua për shkak të përpjekjeve të saj të gjata për të përçuar një Islam objektiv dhe të ekuilibruar në Evropë.
Media ka luajtur një rol shumë negativ dhe pengues, duke qenë nën ndikimin e palëve të jashtme me interesa të veçanta. Ndikimi i industrisë amerikane të filmit në Evropë ka shtuar formimin e një stereotipi armiqësor në dëm të Islamit dhe komuniteteve myslimane në kontinentin tonë.
Lidhjet islamike-të krishtera në Evropë në grupin historik aktual përcaktohen kryesisht nga fati i myslimanëve në Bosnje-Hercegovinë. Mosbesimi i thellë historik i këtij komuniteti mysliman në Evropë ishte pa dyshim një nga arsyet e pasivitetit të plotë të Evropës në një fazë kritike menjëherë pas rënies së Federatës Jugosllave. Pasiviteti i Evropës ndaj akteve të genocidit në Bosnje ka ndikuar rëndë në marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve jo vetëm në këtë kontinent, por në shkallë të përgjithshme globale. Ky pasivitet mund të shpjegohet vetëm nga trashëgimia e konfrontimeve të hershme islamike-të krishtera të cilat i kemi përshkruar më lart. Ky është një shembull i trishtueshëm, që tregon sa pak ndikim ka pasur në këtë situatë afërsia teologjike dhe filozofike e dy feve dhe qytetërimeve.
Aktualisht një faktor tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve islamike-të krishtera është konflikti arabo-izraelit dhe polemika për statusin e Jeruzalemit. Një mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të krishterëve dhe myslimanëve nuk është në interes të një pale të tretë, të shtetit hebre në Palestinë dhe të mbështetësve të saj në Evropë e gjetiu (8). Nga ana tjetër, pushtimi i Jeruzalemit nga Izraeli nuk është i pranueshëm si nga myslimanët dhe nga të krishterët. Në fakt çështja e Jeruzalemit ofron një mundësi për veprim të përbashkët mes dy komuniteteve të besimit.
Megjithatë, në përgjithësi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve në Evropë në fund të mijëvjeçarit, janë në një fazë kritike ashtu siç e tregojnë kushtet e vështira të komuniteteve mërgimtare myslimane në Evropë dhe trajtimi i krizës boshnjake nga shtetet evropiane. Trashëgimia e ripushtimit dhe kryqëzatat mund të ndihen akoma veçanërisht që nga fundi i konfliktit lindje-perëndim, që largoi në mënyrë efektive një stereotip armiqësor që kishte përvetësuar ose errësuar për rreth gjysmë shekulli armiqësi të tjera historike.
Gjendja aktuale e marrëdhënieve islamike-të krishtera në Evropë karakterizohet nga skema të reja konfrontimi, që ushqehen nga paragjykimet e ruajtura nga shekujt e mëparshëm. Edhe anëtarët e elitës intelektuale të Evropës kanë filluar një ‘kultivim’ të tillë të stereotipit armiqësor islamik, siç mund të kuptohet nga deklaratat e tyre për çështjen e Selman Rushdiut ose nga trajtimi i dijetarëve të krishterë si Annemarie Schimmel, të cilët paraqesin një imazh të ekuilibruar të Islamit. Duket sikur Evropa në grupimin aktual, me vakumin ideologjik të krijuar nga rënia e bllokut sovjetik, nuk është akoma gati të largojë stereotipet e vjetra. Metoda apologjetike e teologjisë së krishterë të hershëm ndaj Islamit, ku Islami konsiderohej si një version i keqdrejtuar i Krishterimit: Arabia haeresium ferax, po mbijeton në formën e saj të laicizuar në një Evropë të laicizuar: qytetërimi islam shihet thjesht nga pikëpamja e sistemit tonë të vlerave evropiane. Zhvillimet e fundit politike në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe lëvizja e rigjallërimit islam në këto rajone shihen si kërcënim për interesat jetësore evropiane. Komunitetet mërgimtare myslimane në Evropë konsiderohen si aleatë potencialë të kësaj lëvizjeje të re, që si rrjedhim shihen si kërcënim ndaj identitetit kulturor evropian. Në këtë kontekst të veçantë ‘ka një konsensus për Islamin si një lloj kurbani—për gjithçka që nuk na pëlqen për strukturat e reja politike, sociale dhe ekonomike të botës’. (Eduard Said) (9)
Marrëdhëniet në të ardhmen mes myslimanëve dhe të krishterëve në Evropë duhet t’i përcaktojmë kundër kësaj të kaluare. Duke pasur parasysh tensionet e reja, direktiva nuk duhet të jetë modeli i Huntingtonit “Përplasje qytetërimesh”. Siç e kemi parë nga fjalimet e fundit politike, kjo teori u shërben kryesisht atyre që mundohen të justifikojnë një skemë të re dominuese ndaj Islamit në lidhje me konfliktet në Lindjen e Mesme, veçanërisht konflikti arabo-izraelit. Perspektivat e ardhshme duhet të bazohen në idenë e dialogut mes qytetërimeve në bazë të barazisë mes partnerëve në një sipërmarrje të tillë. Dogmat e vjetra eurocentrike te orientalizmit dhe ideologjisë së superioritetit duhet të hiqen efektivisht. Sipas këndvështrimit tonë, një dialog i sinqertë mund të bazohet në ngjashmërinë strukturore të mesazhit monoteist të krishterimit dhe Islamit. Kjo kërkon braktisjen e metodës së mëparshme të misionarëve. Prania e komuniteteve myslimane në Evropë, populli mysliman në Bosnje dhe komunitetet e myslimanëve në shtete të ndryshme evropiane, nuk duhet të shihen si kërcënim, por si një mundësi për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes Islamit dhe perëndimit. Realiteti i një shoqërie multikulturore në Evropë duhet të pranohet, nëse duam ta ndalojmë largimin mes dy besimeve dhe komuniteteve brenda dhe jashtë Evropës. Në këtë kontekst, duhet të mos përdoret më termi ‘fundamentalizëm’. Ky term është përdorur shpesh për të zhvlerësuar lëvizjen e rigjallërimit islamik si një i tërë. Ky term duhet të zëvendësohet nga një tjetër më i saktë, për të përshkruar siç duhet fenomenet e fanatizmit fetar në të gjitha fetë.
Zhvillimi i konfliktit për sovranitetin në Palestinë dhe Jeruzalem do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në marrëdhëniet e ardhshme mes myslimanëve dhe të krishterëve në Evropë. Vetëm nëse pozicioni evropian do të njihet si i drejtë dhe i ekuilibruar, dhe jo i drejtuar kundër të drejtave islame bazë në Jeruzalem ose në mbështetje të forcës pushtuese në Palestinë, mirëkuptimi mes myslimanëve dhe të krishterëve do të shkojë përpara. Ky mosbesim i rrënjosur në praninë koloniale të mëparshme të Evropës në rajon, duhet të hiqet nga një politikë e drejtë duke pasur parasysh të drejtat islame në Lindjen e Mesme.
Me këtë vlerësim të perspektivave të ardhshme duhet të theksojmë një mos barazi të caktuar kulturore, që mund të përbëjë një pengesë serioze për dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë: në fakt Evropa e laicizuar e ka humbur vetëdijen fetare (të krishterë), disa mund të thonë identitetin e saj të krishterë, ndërsa bota myslimane tani përjeton një rilindje të kësaj vetëdije. Të dyja komunitetet e shohin njëri-tjetrin në bazë të një strukture të ndryshme hermeneutike, sistemesh vlerash të ndryshme dhe supozimesh antropologjike.
Do të jetë e një rëndësie mjaft të madhe që të dyja palët, myslimanët dhe të krishterët, të mos lejojnë palë të treta që të ndërhyjnë në lidhjet e tyre në Evropë. Dialogjet e ardhshme duhet të jenë të drejtpërdrejta dhe nuk duhet të përcaktohen apo ndikohen nga interesat gjeopolitikë të palëve të jashtme. E ardhmja e marrëdhënieve mes myslimanëve dhe të krishterëve nuk duhet të errësohet nga një ringjallje e shpirtit të kryqëzatave, por duhet të drejtohet nga një vetëdije e ndërsjellë e të vërtetave bazë teologjike dhe vlerave morale që këto dy qytetërime kanë të përbashkëta. Ngjashmëria strukturore e mesazhit shpirtëror të dy feve, mund të shërbejë si bazë për një mirëkuptim më të mirë politik, shoqëror dhe kulturor.

Referenca
1- Orientalism. Reprint ed., New York: Vintage Books, 1979, p. 70.
2- Në lidhje me çështjen e monoteizmit shih Hans Koechler (ed.), The Concept of Monotheism in Islam and Christianity. Vienna: International Progress Organization/Braumüller, 1982.
3- Cf. Muhamad Asad and Hans Zbinden (eds.), Islam und Abendland. Begegnung zweier Welten. Olten/Freiburg i.Br.: Walter-Verlag, 1960, p. 193
4- Orientalism, p. 7.
5- Teksti në anglisht marrë nga përkthimi i Marmaduke Pickthall, The Meaning of the Glorious Qur'ân. Text and Explanatory Translation. Beirut: Dar al-Kitab Allubnani, 1971.
6- The Concept of Monotheism in Islam and Christianity, p. 133.
7- "The Clash of Civilizations?," in Foreign Affairs, vol. 72, no. 3, pp. 22-46. shih gjithashtu edhe librin e tij The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order. New York: Simon & Schuster, 1996. Termi fillimisht është artikuluar nga orientalisti Bernard Lewis. See "The Roots of Muslim Rage," in The Atlantic Monthly, vol. 266, September 1990, p. 60.
8- Shih gjithashtu edhe analizën e Edward Said-it në të cilin ai thekson "roli e Izraelit në mediatizimin në Perëndim…të të parit të botës Islame deri në luftën e dytë botërore" (Covering Islam. How the Media and the Experts Determine How We See the Rest of the World. London/Henley: Routledge & Kegan Paul, 1981, p. 31.)
9- Covering Islam, p. XV

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

17/10/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:17 06:4912:3315:3418:0519:27

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook