Marrja e borxhit për të therrur kurban
Pyejte: Selamu alejkum! Kam dëshirë të therr kurban, por nuk kam para. A më lejohet që të marr borxh?
Përgjigja: Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin (a.s), dhe për të gjithë ata që e pasuan dhe do ta pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ue alejkum selam.
Gjykimi fetar i therrjes së kurbanit është Sunet tek pjesa dërmuese e juristëve (xhumhuri) për atë që ka mundësi. Imam Neueuij (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: [Në medh’hebin tonë (Shafi’ij) therrja e kurbanit është Sunet Muekedeh (i fortë) për atë që ka mundësi, por therrja e kurbanit nuk është farz. Këtë mendim e mbështetet shumica e juristëve. Prej atyre që e mbështesin këtë mendim janë Ebu Bekri, Omer ibn Hatabi, Bilali, Ebu Mes’ud el Bedri, Seid ibn Musejbi, Ata’, Alkameh, Es’uedi, Maliku, Ahmedi, Ebu Jusufi, Is’haku, Ebu Theuri, Muzeni dhe Daud ibn Mundhir.][1]
Ai i cili nuk ka aq para sa për të mbuluar shpenzimet (mujore) për veten dhe familjen e tij nuk konsiderohet nga ata njerëz që ka mundësi të therrë kurban. Prandaj më mirë është që ai mos të marrë borxh për të therrë kurban, për shkak se ai i obligon vetes së tij gjëra të cilat nuk ka mundësi që t’i përballojë. Dhe ndoshta më pas ai nuk ka mundësi që të shlyejë borxhin e gjëra të ngjashme. Selemeh ibn Ek’ueh (r.a) transmeton se: “Tek Profeti (a.s) erdhi një xhenaze për t’i falë namazin. Profeti (a.s) pyeti: (I ndjeri) a ka pasë borxhe? Jo – u përgjigjën. Ai (a.s) u çua dhe u fal. Pastaj tek ai sollën një xhenaze tjetër. Ai (a.s) pyeti: A ka pasë borxhe? Po – u përgjigjën. Atëherë ai (a.s) tha: Faljani ju atij xhenazen! Ebu Katadeh tha: O Profet, e marr unë përsipër shlyerjen e borxhit të tij. Ai (a.s) u çua dhe u fal.”[2]
Sido që të jetë, nëse therr kurban edhe duke marrrë borxh, duke ia obliguar vetes një barrë të rëndë, por që më vonë do ta shlyesh borxhin, therrja e kurbanit me lejen e Alalhut është e pranuar.
Allahu e di më mirë.
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.