By: Romeo Ismahilaj

Mbi sundimin e frikës


Qenia njerëzore për aq kohë sa frymon mbi rruzullin tokësor e ka të domosdoshme të krijojë një raport me botën. Raporti i njeriut me botën kryhet nëpërmjet praktikimit të aftësive të njeriut. Këto aftësi përbëjnë thelbin e funksionit njerëzor, ato janë mekanizmi që i mundëson qenies përmbushjen e qëllimit të jetës. Këto cilësi apo aftësi ndahen në disa kategori të përgjithshme: aftësitë e të kuptuarit ose të menduarit; aftësitë emocionale ose shpirtërore; edhe aftësitë fizike apo të gjymtyrëve.

Bota edhe të gjithë komponentët e saj nuk e kanë të nevojshme kontaktin me qeniet njerëzore për me qenë. Njeriu e ka të domosdoshme kontaktin me komponentë të caktuar të botës për të siguruar ekzistencën e vet. Marrëdhënia e njeriut me botën nuk nënkupton liri për të zgjedhur këtë raport. Kjo marrëdhënie nënkupton më së pari aplikimin e cilësive të zotëruara në jetën konkrete. Çështja njerëzore qëndron në kuptimin e mënyrës se ‘si’ të veprohet me këto cilësi apo aftësi në këtë pjesëz të ekzistencës së botës. Mësimi i saktë i kësaj mënyre ‘si’, kushtëzohet prej njohjes së qëllimit, ‘pse’.

Një qenie njerëzore e ndërgjegjshme e ndjen se këto cilësi duhet t’i përdorë në një mënyrë të caktuar duke shmangur disa keqpërdorime të tyre. Ndërsa kur qenia, tashmë e ndërgjegjshme, përvetëson edhe një nivel të caktuar inteligjence, arrin edhe të kuptojë këtë dallim. Përjetimi i kësaj ndjenje dhe kuptimi i imperativit (urdhrit) i cili dikton përdorimin e cilësive njerëzore në një mënyrë të caktuar, e ka burimin në aspektin e brendshëm të njeriut. Ky imperativ është i pandashëm prej tij. Prania e përhershme e imperativit tek njerëzorja shoqërohet nga një ndjenjë skepticizmi. Ky skepticizëm lëvron të përqasë rezultatet joadekuate për t’i argumentuar vetëdijes cenimin e arritjes së objektivave. Çdo njeri është skeptik në njëfarë mase e mënyre. Ndonëse njeriu dëshiron ta shmangë këtë ndjenjë frenuese të veprimtarive të tij, porse ajo është për natyrë pjesë e karakterit të tij.

Karakteri i njeriut përcaktohet nga qëndrimi moral, i cili mbahet në proceset e sfidave, të cilat natyrshëm, në çdo rast shfaqin dy kahe drejtimi. Nga një anë qëndron pozitiviteti, vizioni optimist dhe sfidues, ndërsa nga ana tjetër është prirja skeptike, mungesa e interesit dhe iniciativës, mosperceptimi i thellë dhe i qartë deri në fund të ndodhive. Çdo njeri ndikohet prej këtyre aspekteve. Ka njerëz tek të cilët dominon aspekti i shpresës, porse ka të tjerë tek të cilët dominon skepticizmi, rrjedhimisht qëndrimet e tyre kanë tendenca pesimizmi.

Qenia njerëzore, pavarësisht prirjeve pozitive dhe negative, në momente të caktuara të ekzistencës ndodhet në situata të frikës. Ajo i frikësohet fundit të ngjarjeve, ndodhive dhe proceseve në të cilat është e përfshirë. Sinjale apo nuanca të frikës ndodhen tek njeriu që në periudhën e fëmijërisë, por në këto përjetime forca vepruese e ndikuese e saj është e zbehtë. Në një fazë vendimtare të adoleshencës elementi i frikës forcohet dhe shpërndahet në truallin e ndërgjegjes për ta pushtuar dhe për të vendosur ndikimin e vet frenues. Kjo periudhë është njëkohësisht periudha e tronditjeve të mëdha të vetëdijes. Në këto kohë uni njerëzor përballet me pyetje ekzistenciale fondamentale që kërkojnë seriozitet dhe siguri për t’iu përgjigjur.

Fenomeni i frikës bashkësundon në territorin e ndërgjegjes sonë në partneritet me shpresën. Këto dy udhëheqëse i diktojnë qëllimet dhe veprimet nën ndikimin e afektimeve të vetëdijes dhe të ideve që iu formohen për vizionin e përfundimit të vendim-marrjeve. Mirëpo natyrshëm lind një problem: Herë pas here shpresës dhe frikës i çekuilibrohen forcat ndërvepruese në ndërgjegje. Këto forca, të cilat vënë në lëvizje botën e brendshme të ndjenjave dhe e gjallërojnë temperamentin njerëzor, janë cilësi shpirtërore. Njohja jonë mbi shpirtin pothuajse është e paarritshme. Ne mund të njohim vetëm disa prej tipareve të shpirtit. Ai është fluid. Ndikohet lehtësisht prej ngjarjeve të jashtme dhe i përjeton domosdoshmërisht fenomenet që i konstaton prej botës reale, siç ndikohet edhe nga qëndrimet e tij.

Jeta përgjithësisht zhvillohet në proporcion të zhdrejtë me dëshirat dhe pritshmëritë ideale të njerëzve. Ky çproporcion është i natyrshëm sepse raportet mes idealeve të gjithsecilit janë relative. Në këtë mënyrë fenomenet e jetës i thërrmojnë shumë prej dëshirave tona pasi jeta ndërton standarde realiteti. Përfshirja e paekuilibruar në botën ideale sjell momente të përhumbjes së subjektit njeri dhe e zbeh një prej forcave sunduese të ndërgjegjes: shpresën.

frikaFokusimi i energjive dhe potencialeve njerëzore në analizën e kaoseve të panumërta të cilët karakterizojnë marrëdhëniet shoqërore fuqizon aspektet e frikës dhe prodhon letargji në elementët e shpresës. Reflektimet mbi çekuilibrin social trazojnë idetë dhe emocionet e mendjeve të zakonshme. Ndërsa tek mendjet e njerëzve të mëdhenj tensionet e konflikteve të shumanshme të jetës i shtyjnë ata të meditojnë mbi urtësitë, të fshehtat e jetës. Së këndejmi filozofët kanë kërkuar një shpjegim për jetën se pse mendja e shpirti i tyre trazohej nga dilemat mbi përfundimet e jetës.

Fëmija niset që herët për të shkuar në shkollë. Përpara se të motivohet nga dobishmëria e dijeve që do mësojë, ai frikësohet prej idesë se nuk do mund të mësojë përmasën e çështjeve që i janë përcaktuar. Një i ri idealist – si rezultat i edukimit apo prej librave që la lexuar – në një situatë shthurjeje të grupit social ku bën pjesë, stepet dhe frikësohet prej etiketimit apo paragjykimit që mund t’i ndodhë nëse mban qëndrim të drejtë moral. Pothuajse kudo dominon atmosfera e frikës. Ajo ndodhet aty ku duhej të ishte shqetësimi intelektual. Jo rrallëherë kjo frikë prodhon gjendje ankthi iluzionare.

Siç u cek edhe në fillim: çështja ose përgjegjësia e njeriut qëndron në kuptimin e mënyrës se si të bashkëveprojë me botën në mënyrë që të mos arrijmë këto nivele çekuilibrimi të shpirtit, si ta menaxhojë fenomenin emocional të frikës në mënyrë të tillë që ajo të kthehet në udhërrëfyese të ndërgjegjes dhe jo në një penguese. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje do analizojmë vetëm disa orientime filozofike. Pikëpamja niçeane sugjeron të mohohet i gjithë sistemi moral dhe ideologjik prej të cilit njeriu është çoroditur dhe ka frikë të hedhë qoftë edhe një hap. Niçja kritikon bindjet e njerëzve ndaj krishterimit sepse mendon se me këto doktrina është abuzuar e prej këtij abuzimi njerëzit kanë humbur thelbin e qëllimeve të tyre. Ai sugjeron që të shkatërrohet çdo gjë e vjetër që ka pushtuar zemrat e njerëzve dhe ka mbjellë frikë tek to. Qëllimi për të krijuar Mbinjeriun i hedh tutje vargonjtë e frikës e paralizimit vleror. “Filozofi me çekiç” është kritikuar nga mendimtarët për shkak se ai propozon dekonstruktimin e të gjithë elementëve që qëndrojnë në strukturën e jetës dhe kulturës duke ironizuar nivelet e ulëta të mendimit dhe bindjeve, porse ai nuk propozon diçka konkrete për të ndërtuar sistemin e vlerave dhe ideve. Kështu vepra e Niçes e orienton individin të çlirohet nga frika në mënyrë të frikshme. Ai u interpretua prej shumë faktorëve ideologjike sepse idetë e tij shumë thjeshtë demontonin bindjet ndaj autoritetit të atëhershëm, madje edhe nazizmi e përdor si referencë bazë me plot të drejtë pasi Niçe mëson si të shkatërrohet çdo antivlerë. Por ai nuk mëson se si të ndërtohen vlerat.

Konceptimi i Zotit me të cilin u manipulua në Europën mesjetare për të rrjedhur, sipas Niçes, në ngjarje çnjerëzore, filozofi e zëvendëson me një koncept për Mbinjeriun, të cilin e jep të gatshëm te çdo pasionant për ta instrumentalizuar në funksion të qëllimeve të tij. Duke deklaruar shuarjen e sistemit fetar të jetesës me tezën “Zoti vdiq”, ai propozon krijimin e një feje të re që tashmë nuk do kishte më subjekt hyjnor Zotin por Mbinjeriun. Sipas V. Descombes “ateizmi klasik hidhte poshtë atributet hyjnore, duke i quajtur të pakonceptueshëm (si të pafundmë) dhe të papajtueshëm mes tyre”, ndërsa “ateizmi humanist i kërkon këto atribute për subjektin njerëzor që bëhet kështu Zoti i vërtetë”, dhe, vijon autori, “pikërisht ky zëvendësim, në bazë të të cilit shkruhet “njeri” kudo ku më parë shkruhej “Zot”, përkufizon humanizmin”.

Ndërsa pikëpamja kantiane sugjeron qëndrueshmëri të vazhdueshme morale te parimet e drejta, jo për hir të dobisë apo dëmit që mund ta pasojë, por për hir të vetë parimit moral si i tillë. Kanti shpjegon në këtë mënyrë se çlirimi i njeriut prej frikës nga dëmet në situatat e jetës, edhe nga frika prej humbjes së gjërave të dobishme arrihet vetëm duke synuar moralin e vërtetë njerëzor. Nëse njeriu arrin të jetë vërtetë i moralshëm për hir të vetë moralit, tek ai nuk do ketë më vend për frikë. Mirëpo trajtimi horizontal i moralit nuk mund t’i përgjigjet qëllimit të tij. Frika është e pazhdukshme nëse moralin e raportojmë vetëm karshi shoqërisë apo vetëdijes sonë.

Pikëpamjet e mendimtarëve të tjerë kanë orientime të ngjashme. E përbashkëta e tyre qëndron në burimin e artikulimit të mendimeve. Ky burim është paraprakisht shqetësimi mbi koordinimin përfundimtar të fateve njerëzore. Prandaj idetë e tyre kanë karakter universal, sepse ky shqetësim është i kudondodhur në trajtat e subjekteve tona. Ndërsa autenticiteti i secilës ide të tyre tregon për kufizimin që i karakterizon në aspektin e krijimit të bindjeve dhe shtrimit të udhë-zgjidhjeve. Ky kufizim argumentohet prej mangësisë njerëzore në intelekt dhe konteksteve të ndryshme ku formohet mendimtari.

Të shmangësh pasojat negative të frikës së keqmenaxhuar nuk është çështje lehtësisht e arritshme, madje nuk përkon me të kuptuarit dhe të vepruarit njerëzor. Pa udhëzim të një rendi mbinjerëzor barrierat e frikës janë të pakalueshme. M. Hajdeger, një prej filozofëve më të mëdhenj bashkëkohor, i cili me veprimtarinë e jashtëzakonshme intelektuale u orvat t’i jepte përgjigje pyetjes themelore “përse njeriu (Dazein sipas tij) është hedhur në tokë?”, kur e pyetën në vitet e fundit të jetës se “si mund ta gjejë bota shpëtimin dhe si mund t’i iket gjendjes së frikës?”, ai iu përgjigj se “vetëm Zoti mund të sjellë zgjidhje”.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

21/07/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:20 05:2012:5416:5020:1622:02

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook