Me të vërtetë, durimi është në goditjen e parë


Enesi (r.a) transmeton, se Profeti (a.s.) kaloi pranë një gruaje, e cila vajtonte mbi një varr dhe i tha: “Ki frikë Allahun dhe bëj durim”! Ajo tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka rënë ajo që më ka rënë mua”. Mirëpo, ajo nuk e njohu kush ishte. Dikush i tha: “Ai është i Dërguari i Allahut”. Ajo menjëherë shkoi tek shtëpia e Profetit (a.s), tek e cila nuk gjeti roje dhe i tha: “Nuk të njoha”. Ai ia ktheu: “Me të vërtetë, durimi është në goditjen e parë.”[1]

Tek transemtimi i imam Muslimit lexojmë: “Ajo po vajtonte për foshnjen e saj”.

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith profetik konsiderohet si një oaz i lulëzuar. Durimi simbolizon frytet e saj, devotshmëria pemët, ndërsa fjalët e Profetit (a.s) janë dhurata më e bukur e saj. Profeti (a.s) na jep një mësim të mirë në lidhje me durimin. Nëpërmjet dialogut me gruan që i kishte rënë një fatkeqësi, ai (a.s) dëshiron që të ngulisë në mendjen e myslimanëve disa prej parimeve themelore të fesë, t’ia bëjë të qartë ymetit të tij të vërtetat e programit hyjnor, si dhe këndvështrimin e Islamit rreth këtyre të vërtetave.

Duke analizuar këtë hadith, qysh në fillim vërejmë se Profeti (a.s) po kalonte rrugës, kur pa një grua e cila po vajtonte për foshnjen që i kishte vdekur. Ajo e donte shumë foshnjen e saj, prandaj edhe kishte shkuar tek varri i saj duke vajtuar. Kjo do të thotë, se Profeti (a.s) kujdesohej rreth gjendjes së ymetit të tij. Emri i kësaj gruaje nuk është përmendur, po ashtu as edhe i fëmijës, sepse emri nuk është aq i rëndësishëm, sa vetë mesazhi që përcjell kjo ngjarje.

Kur Profeti (a.s) e pa këtë grua duke vajtuar, e këshilloi. Ndërmjet Profetit (a.s) dhe gruas zhvillohet një dialog. Ajo që vërejmë është, se Profeti (a.s) nuk sillet ashpër ndaj saj, por me butësi e urdhëron dhe i thotë: “Ki frikë Allahun dhe bëj durim!  që do të thotë: ki frikë nga zemërimi i Allahut, nëse nuk bën durim dhe nëse bën durim do të shpërblehesh.

Por gruaja nuk e merr për bazë këtë këshillë të Profetit (a.s), sepse ajo nuk e njihte atë. Ajo nuk e njihte Profetin (a.s), ngaqë ai ishte një njeri shumë i thjeshtë, vishej si gjithë të tjerët dhe nuk vishte rroba të veçanta, ashtu siç bëjnë zakonisht mbretërit dhe njerëzit me pozitë.

Reagimi i gruas ndaj këshillës së Profetit (a.s) do të ishte mjaft i ashpër: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka rënë ajo që më ka rënë mua”. Ajo reagon kaq ashpër, ngaqë nuk e njihte Profetin (a.s), por edhe për faktin se fatkeqësia që i kishte rënë, ishte shumë e rëndë për gjendjen e saj emocionale. Por në momentin që ajo e merr vesh, se ai ishte Profeti (a.s), ndihet shumë keq se përse reagoi kaq ashpër ndaj Profetit (a.s), saqë në një transmetim tjetër thuhet, se asaj nga dëshpërimi gati sa nuk i ra vdekja[2]. Prandaj duke kërkuar që Profeti (a.s) ta falë, ajo niset menjëherë për tek shtëpia e tij, që të kërkojë ndjesë. Kur mbërrin tek shtëpia e Profetit (a.s), nuk gjen roje që ta ruanin atë, ndoshta ngaqë ajo kujtonte se Profeti (a.s) i ngjante mbretërve. Këtu vërejmë përsëri thjeshtësinë dhe modestinë e Profetit (a.s). Kur gruaja e takoi Profetin (a.s), i kërkoi falje, duke u justifikuar me faktin se nuk e njihte atë. Pasi Profeti (a.s) dëgjon justifikimin e saj, nuk e qorton dhe as nuk e ndëshkon, por i jep një këshillë të urtë: “Me të vërtetë, durimi është në goditjen e parë”, që do të thotë se njeriu në momentin e parë që i bie një fatkeqësi, duhet të bëjë durim dhe të thotë: “Me të vërtetë, ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”.

Rregulla dhe dispozita fetare:

Dispozita fetare në lidhje me vizitën e varrezave:

Juristët muslimanë kanë rënë dakord, se vizita e varrezave për burrat konsiderohet vepër e pëlqyeshme, sepse duke vizituar ato, njeriu kujton botën tjetër. Mirëpo ata nuk ndajnë të njëjtin mendim për vizitën e varrezave për gratë. Pjesa më e madhe e juristëve janë të mendimit, se vizita e varrezave për gratë është e papëlqyeshme, sepse Profeti (a.s) thotë: “Allahu i mallkoftë ato që vizitojnë varrezat.”[3] Gjithashtu gratë kanë zemër më të butë dhe janë më të papërmbajtshme në rast fatkeqësie. Si rrrjedhojë ato qajnë dhe e ngrenë zërin. Ndërsa juristët e medh’hebit Hanefi janë të mendimit, se vizita e varrezave si për burrat ashtu edhe për gratë është e pëlqyeshme, duke u bazuar tek fjala e Profetit (a.s): “Më parë ju pata ndaluar që të vizitonit varrezat. Tashmë Muhamedit i është lejuar që të vizitojë varrin e të jëmës. Prandaj edhe ju vizitojini varrezat,  sepse ato ju kujtojnë botën tjetër”[4].

Er Remli ka thënë: “Nëse vizita e varrezave për gratë shoqërohet me pikëllim, vajtim e gjëra të ngjashme si këto, atëherë ajo nuk lejohet. Kështu që në këtë rast, hadithi “Allahu i mallkoftë ato që vizitojnë varrezat.”[5] interpretohet në këtë formë. Por, nëse vizita e varrezave bëhet për të marrë mësim apo për të kërkuar falje për të vdekurit, pa vajtime, atëherë vizita lejohet nëse janë gra të moshuara dhe është e papëlqyeshme nëse janë të reja”[6].

Dispozita fetare në lidhje me të qarët gjatë vizitës së të vdekurit në varr:

Pjesa më e madhe e juristëve myslimanë janë të mendimit, se të qarët gjatë vizitës së të vdekurit në varr është e lejueshme, nëse e qara nuk shoqërohet me vajtim dhe fjalë që shprehin zemërim.

Ndërsa Imam Ibnu Tejmije është i mendimit, se e qara pas vdekjes apo në varr është e papëlqyeshme, sepse e qara e dëmton të vdekurin, ashtu siç thuhet në disa hadithe të Profetit (a.s).

Megjithatë, e qara e të afërmëve për të vdekurin nuk i shkakton dëm të vdekurit, vetëm nëse shoqërohet me vajtimin e ndaluar, apo të qarat e tepruara, ose nëse vetë i vdekuri ka lënë porosi më parë, që njerëzit të mos qajnë për të në varr.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Urdhëresa për devotshmëri dhe durim.

2 – Marrja në konsideratë e ndjenjave të njerëzve.

3 – Modestia dhe thjeshtësia.

4 – Dialogu.

5 – Sjellja e mirë.

 

 

1 – Urdhëresa për devotshmëri dhe durim:

Urdhëresa për devotshmëri dhe durim vërehet qartë tek fjalët e Profetit (a.s) drejtuar gruas, e cila po qante për foshnjen e saj. Profeti (a.s) e urdhëron gruan që të ketë frikë Allahun dhe të bëjë durim ndaj fatkeqësisë që i ka rënë, sepse për durimtarët, të cilët durojnë dhe janë të kënaqur me caktimin e Allahut, Allahu i Lartësuar ka përgatitur shpërblim të pakufishëm. Allahu i Lartësuar thotë: Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”[7]

Nuk ka gjë më të rëndë, se kur njeriu humbet të dashurin e zemrës, veçanërisht fëmijën. Në raste të tilla, njeriu humbet kontrollin dhe mund të bjerë edhe në depresion të thellë. Por besimtari, i cili beson në caktimin e Allahut, e di mjaft mirë se çdo e mirë dhe e keqe vjen nga Allahu, prandaj ai është i kënaqur me caktimin e Allahut, bën durim dhe kërkon të fitojë kënaqësinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: S’ka fatkeqësi që godet Tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtetë e lehtë. (Këtë përcaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë.”[8]

Vlera e besimit tek caktimi i Allahut konsiston në faktin, se nëpërmjet tij fatkeqësia bëhet më e lehtë, sepse besimtari është i bindur, se çdo gjë që ndodh në këtë botë, ndodh me Dëshirën dhe Vullnetin e Allahut. Ndryshe ndodh me jobesimtarin, i cili nuk bën durim, e humbet toruan, dëshiron ta largojë stresin nëpërmjet alkolit e duhanit dhe ndoshta nga depresioni i thellë mund të tentojë që të vrasë edhe veten. Kjo ndodh, sepse ai ka një boshllëk shpirtëror dhe nuk ka se ku të gjejë ngushëllim.

Kështu pra, Profeti (a.s.) e këshillon gruan, të cilës i kishte vdekur fëmija, që të ketë frikë Allahun dhe të bëjë durim, mirëpo reagimi i saj ishte i ashpër. Kur ajo shkon për të kërkuar falje tek Profeti (a.s), ai e fal atë dhe i jep një këshillë me shumë vlerë Me të vërtetë, durimi është në goditjen e parë”.

Myslimani duhet të rritet dhe të edukohet me frymën e durimit qysh në çastin e parë: Nëse i thonë se i ka vdekur ndonjë i afërt, atëherë ai duhet të bëjë durim qysh në çastin e parë. Nëse i digjet shtëpia apo pronat që zotëron, ai duhet të bëjë durim qysh në çastin e parë. Nëse dështon në tregti, duhet të bëjë durim qysh në çastin e parë. Nëse shkarkohet nga vendi i punës, duhet të bëjë durim qysh në çastin e parë. Nëse shëndeti i përkeqësohet, duhet të bëjë durim qysh në çastin e parë. E kështu pra, sa herë që i zbret ndonjë fatkeqësi e ai bën durim qysh në momentin e parë, Allahu i Lartësuar ka për ta shpërblyer pa masë.

 

2 – Marrja në konsideratë e ndjenjave të njerëzve:

Duke parë mënyrën se si sillet Profeti (a.s) me gruan, që po vajtonte për fëmijën e saj, vërejmë se ai (a.s) i merr parasysh ndjenjat, dëshpërimin dhe pikëllimin e saj. Prandaj edhe e këshillon në formën më të bukur, që të ketë frikë dhe të bëjë durim. Madje edhe pasi ajo reagon ashpër ndaj tij, ai (a.s) nuk reagon në të njëjtën mënyrë dhe nuk ia kthen gruas me të njëjtën monedhë. Kjo do të thotë, se me të vërtetë profeti (a.s) e vlerëson gjendjen, në të cilën ndodhet kjo grua, por nuk harron që ta këshillojë.

Si rrjedhojë e kësaj, thirrësi duhet që t’i marrë në konsideratë ndjenjat, emocionet dhe rrethanat në cilat ndodhen njerëzit. Shembulli më i mirë për këtë ka qenë Profeti (a.s), i cili i kushtonte mjaft rëndësi gjendjes dhe rrethanave, në të cilat njerëzit ndodheshin. Allahu i Lartësuar thotë: Thuaj: Kjo është rruga ime; të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.”[9] Profeti (a.s) ndryshe u fliste burrave, ndryshe u fliste grave, ndryshe fëmijëve dhe ndryshe pleqve. Gjithsekujt i fliste sipas mënyrës  që i shkonte më për shtat.

Ka patur raste, kur Profetit (a.s) i është bërë e njëjta pyetje: “Cila është puna më e mirë tek Allahu?” Por, përgjigjet e tij nuk ka qenë të njëllojta. Dikujt i ka thënë se puna më e mirë tek Allahu është falja e namazit në kohën e vet, dikujt tjetër i ka thënë se puna më e mirë është përkujdesja ndaj prindërve, dikujt tjetër i ka thënë se është t`i ushqesh njerëzit, përhapja e selamit dhe falja e namazit natën kur njerëzit janë në gjumë. Dikush tjetër i tha: “Më këshillo” dhe prifeti (a.s) i tha: “Mos u zemëro”!

Me të drejtë këtu lind një pyetje: “Përse gjithë këto përgjigje të ndryshme, kur pyetja është e njëjtë?” Sepse marrdhënia e Profetit (a.s) me njerëzit i ngjan marrdhënies së mjekut me pacientët, i cili për të njëjtën sëmundje e jep dozën e ilaçit në varësi të pacientit. Tregohet se një person vjen tek Abdullah ibnu Abasi dhe e pyet: “A i pranohet pendesa atij që ka vrarë një njeri”. Duke vështruar njeriun, të cilin ia drejtoi këtë pyetje, ai tha: “Po”. Më vonë erdhi një njeri dhe i drejtoi të njëjtën pyetje, por këtij njeriu i dha një përgjigje negative. Të parit i dha përgjigje pozitive, sepse ai e kishte kryer vrasjen, ndërsa të dytit i dha përgjigje negative, sepse ai akoma nuk e kishte kryer vrasjen.

Jo vetëm kaq, por edhe zbritja e Kuranit është e ndarë në dy etapa; Etapa e zbritjes në Meke dhe etapa e zbritjes në Medine. Ajetet dhe suret që janë zbritur në Meke, kanë një natyrë krejt të ndryshme me ajetet dhe suret që janë zbritur në Medine. Kjo ka ndodhur për faktin, sepse shoqëria e Mekes ndryshonte nga shoqëria e Medines. Meka ishte e rrethuar me jobesimtarë, prandaj edhe natyra e mesazhit hyjnor do të ishte e karakterit të besimit tek Allahut, profetësia e Profetit Muhamed, besimi tek Dita e Gjykmit..etj. Ndërsa në Medine, njerëzit ishin bërë myslimanë dhe kishin nevojë për njohjen e dispozitave dhe rregullave të fesë, prandaj edhe natyra e mesazhit hyjnor do të ishte e karakterit të zbritjes së rregullave dhe dispozitave fetare.

 

3 – Modestia dhe thjeshtësia:

Në këtë hadith, morali i mirë i modestisë vërehet mjaft qartë tek thjeshtësia e Profetit (a.s), që nuk ka vendosur barriera dhe pengesa ndërmjet vetes dhe njerëzve. Argument i thjeshtësisë dhe modestisë së Profetit (a.s) është fakti, se shtëpia e tij nuk kishte roje që duhet ta ruanin atë. Morali i modestisë është një moral, që duhet të jetë pjesë e karakterit të thirrësit në rrugë të Allahut. Modestia është çelësi i suksesit për thirrjen islame, sepse në të vërtetë njerëzit i duan modestët dhe i urrejnë mendjemëdhenjtë. Thirrësi në rrugë të Allahut e ka tepër të domosdoshme që të depërtojë tek zemrat e njerëzve sa më lehtë dhe më thjeshtë. Nëpërmjet modestisë dhe thjeshtësisë, ai ka shumë mundësi dhe hapësira që të depërtojë brenda zemrave të tyre.

Jeta e Profetit (a.s) ka qenë shembulli praktik i moralit të modestisë. Hadithet që flasin për modestinë dhe thjeshtësinë e Profetit (a.s) janë aq shumë, saqë edhe nuk mund të numërohen. Enes ibnu Malik tregon: “Profeti (a.s) ka pasë një deve që quhej “Adba’u” dhe asnjë deve nuk mund të garonte me të. Njëherë erdhi një beduin me një deve, e cila ia kaloi devesë së Profetit (a.s). Myslimanët që nuk mund ta duronin këtë gjë, të inatosur thanë: A ia kaloi “Adbasë”?! Mirërpo Profeti (a.s) u tha: “Çdo gjë që ngrihet në këtë botë, do të rrëzohet. Ky është ligji i Allahut.”[10] Sahabët nuk mund ta përtypnin shumë kollaj humbjen e devesë “Adba” për shkak të kryelartësisë së tyre, ndërsa tek fjalët e  Profetit (a.s) vërejmë shumë qartë thjeshtësinë e tij, që përkthehej në realitet me faktin se ai (a.s) ishte i kënaqur për fitoren e devesë së bedunit.

Myslimani duhet të jetë modest me të gjithë njerëzit; me të mëdhenjtë dhe me të vegjëlit, me elitën dhe masën e gjerë, me të pasurit dhe me të varfërit, me të fortin dhe me të dobëtin, me intelektualin dhe injorantin, pra modest me të gjitha shtresat e shoqërisë. Fjala e ëmbël, buzëqeshja, butësia, toleranca përbëjnë moralin e modestisë.

Duke përmbledhur atë ç’ka thamë më sipër, themi se modestia lë gjurmë të thella tek njerëzit, ndryshe nga mëndjemadhësia që vendos një barrierë të pakapërcyeshme ndërmjet thirrësit dhe njerëzve, duke e lënë atë të veçuar dhe të izoluar prej tyre.

 

4 – Dialogu:

Tek ky hadith vërejmë dialogun që zhvillohet ndërmjet Profetit (a.s) dhe gruas. Qëllimi i vërtetë i dialogut është orientimi i njerëzve për tek rruga e drejtë. Dialogu nuk duhet të jetë imponues apo për të kundërshtuar bashkëbiseduesin. Përkundrazi nëpërmjet tij, thirrësi duhet t’u tregojë njerëzve të vërtetën ashtu siç është.

Gjatë dialogut, thirrësi duhet të ketë parasysh disa rregulla:

1 – Thirrësi duhet të jetë i pajisur me imformacion dhe të ketë një kulturë të përgjithshme. Në Kuranin Famëlartë, Allahu i Lartësuar i ka qortuar ithtarët e Librit të cilët kanë polemizuar rreth çështjes së Ibrahimit (a.s.). Allahu i Lartësuar thotë: O e ithtarët e Librit! Pse polemizoni për Ibrahimin, kur Teurati dhe Ungjilli janë zbritur vetëm pas tij? A nuk kuptoni? Ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain dhe Isain) por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë.”[11]

2 – Thirrësi duhet të përdorë metodën më efikase gjatë thirrjes së tij. Allahu i Lartësuar thotë: Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë[12].

3 – Thirrësi duhet të gjykojë me drejtësi dhe ndershmëri. Allahu i Lartësuar thotë: Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njëri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut. O e ithtarët e Librit! Pse polemizoni për Ibrahimin, kur Teurati dhe Ungjilli janë zbritur vetëm pas tij? A nuk kuptoni? Ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain dhe Isain) por pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë. Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë (monoteist) i përulur ndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët. Pa dyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata që e pasuan atë dhe ky Profet me besimtarët e tij. Allahu është mbrojtës i besimtarëve[13].

4 – Thirrësi duhet të përdorë forma nga më të ndryshmet për të bindur njerëzit. Ka njerëz, të cilët binden lehtësisht, por ka njerëz të cilët nuk binden kollaj. Thirrësi me të dy llojet e njerëzve duhet që të gjejë forma dhe mënyra nga më të ndryshme për të dialoguar me ta, në varësi të perceptimit të tyre. Përderisa njerëzit janë të ndryshëm, atëherë edhe format që duhet të përdorë thirrësi janë nga më të ndryshmet.

 

5 – Sjellja e mirë:

Duke qenë se gruaja reagoi ashpër ndaj Profetit (a.s), por duke mos e ditur që ai ishte i Dërguari i Allahut, kur e mori vesh se kush ishte, menjëherë shkoi që t’i kërkonte falje. Të gabosh nuk është faj, por faj është të mos kërkosh falje, prandaj kërkimi i faljes është një prej moraleve të mira. Feja Islame na ka nxitur që të kërkojmë falje. Myslimani duhet që të edukohet me moralet më të mira të Islamit. Njeriu, ashtu siç ka nevojë që të hajë dhe të pijë, po ashtu ka shumë nevojë që të jetë i edukuar dhe të ketë sjellje të mirë.

 

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Durimi i vërtetë, për të cilin njeriu shpërblehet është në goditjen e parë.

2 – Durimi është shenjë treguese e devotshmërisë së njeriut, ndërsa mosdurimi tregon, se njeriut i mungon devotshmëria.

3 – Modestia dhe thjeshtësia e Profetit (a.s)

4 – Morali i mirë i Profetit (a.s) dhe thirrja e tij për të vërtetën dhe të mirën.

5 – Njeriu duhet ta pranojë që ka bërë gabim, prandaj ai duhet të rendë sa më shpejt që të kërkojë falje, sidomos ndaj atyre njerëzve, që gëzojnë respekt në shoqëri.

6- Njeriu duhet ta pranojë këshillën ndaj kujtdo që ia jep atë, edhe sikur mos ta njohë atë që e këshillon, sepse e vërteta mbetet gjithmonë e vërtetë dhe ajo duhet pasuar, pavarësisht personit që na fton për tek ajo.

7 – Butësia, toleranca dhe falja e Profetit (a.s)

8 – Domosdoshmëria e urdhëresës për mirë dhe ndalimit nga e keqja.

9- Kryetari i shtetit, apo drejtuesi i një komuniteti duhet që të kujdeset për popullin e tij dhe të urdhërojë njerëzit  për mirë dhe t’i ndalojë ata nga e keqja

10 – Njeriu mund të justifikohet, për shkak të mosdijes që mund të ketë rreth një dispozite fetare, apo diçkaje tjetër.

11 – Lejimi i vizitës së varrezave për gratë, sepse në rast të kundërt Profeti (a.s) do ta kishte ndaluar gruan.

12 – Vajtimi dhe të qarët me dënesë për të vdekurin është një veprim i ndaluar.

13 – Nuk është mirë që njeriu që është përgjegjës për nevojat e myslimanëve, të vendosë roje tek dera e shtëpisë, që t’i ndalojë njerëzit që ta takojnë atë, kur kanë nevojë. Përjashtohen ato raste, kur i frikësohet grumbullimit të tyre.

14 – Myslimani duhet të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut.

15- Njeriu nuk shpërblehet në sajë të fatkeqësisë që i ka rënë, por shpërblehet në sajë të nijetit të mirë, qëndrueshmërisë, durimit dhe faktin se ai është i kënaqur me caktimin e Allahut.

 

Epilog:

Kur zbret ndonjë fatkeqësi, kemi të bëjmë me katër lloj njerëzish:

Lloji i Parë: Njeriu që zemërohet me zemër, pavarësisht faktit që zemërimin e tij e shpreh ose nuk e shpreh me gjuhë. Një njeri i tillë beson, se Allahu i Lartësuar i ka bërë padrejtësi, përderisa ia ka sjellë këtë fatkeqësi. Nuk ka dyshim se ky njeri ka mendim shumë të keq për Allahun. Gjëja më e keqe është, kur ky njeri e shpreh me gojë atë që e ka në zemër dhe akoma më keq është, kur ai gris rrobat, shkul flokët..etj.

Lloji i Dytë: Njeriu që duron, por që nuk i pëlqen që t’i bjerë ndonjë fatkeqësi. Kur këtij njeriu i bie ndonjë fatkeqësi, ai nuk është i hidhëruar, nuk nxjerr nga goja fjalë të këqija për Allahun dhe as nuk bën veprime që janë të ndaluara. Ai bën durim, por nuk i pëlqen fatkeqësia që i ka rënë.

Lloji i Tretë: Njeriu që është i kënaqur plotësisht me caktimin e Allahut, saqë nuk dallohet nëse i ka rënë fatkeqësi apo jo.

Lloji i Katërt: Njeriu i cili e falenderon Allahun e Lartësuar. Kur Profeti (a.s) shikonte ndonjë gjë, që nuk i pëlqente, thoshte: “Falenderimi i takon Allahut për çdo rrethanë”[14].

 

 

 

 

 

 

 

 


[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 1283. Ky transmetim është i tij. Transmeton imam Muslimi, nr: 926.

[2] Sipas transmetimit të imam Muslimit, nr: 926.

[3] Transmeton imam Et Tirmidhi, nr: 1056. Hadithi është Hasen.

[4] Transmeton imam Et Tirmidhi, nr: 1054. Hadithi është Sahih.

[5] Transmeton imam Et Tirmidhi, nr: 1056. Hadithi është Hasen.

[6] Marrë nga libri “Enciklopedia e Fik’hut Kuvajtjan”: 24/88.

[7] Sure El Bekare: 155-157.

[8] Sure El Hadid: 22-23.

[9] Sure Jusuf: 108.

[10] Transmeton imam Buhariu, nr: 6501.

[11] Sure Ali Imran: 65-66.

[12] Sure El Ankebut: 46.

[13] Sure Ali Imran: 64-68.

[14] Transmeton imam Ibnu Maxheh, nr: 3803. Hadithi është Hasen.

 

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/10/2021
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:21 06:5312:3315:2917:5919:21

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook