By: Rezart Beka

Mikpritja në fetë abrahamike: një analizë ndërtekstuale


Në këtë artikull do të shqyrtojmë tre tekste, të marra përkatësisht një nga Dhiata e Vjetër, një nga Dhiata e Re dhe një nga Kurani. Këto tekste rrëfejnë respektivisht historinë e mikpritjes së Abrahamit për mysafirët e panjohur (engjëjt), mikpritjen e centurionit për Jezusin dhe mikpritjen e të moshuarit për Moisiun pas arratisjes së këtij të fundit nga qyteti ku ai jetonte. Në pikëpamjen tonë këto tekste përbëjnë tre paradigma të mikpritjes në fetë abrahamike dhe tregojnë rëndësinë e saj për botëvështrimin etik dhe fetar të ithtarëve të këtyre feve. Në vijim do të ofrojmë disa reflektime në lidhje me këto tekste.

Abrahami dhe engjëjt

(Zanafilla 18:1-19a)

Historia qe kemi marrë në shqyrtim gjendet jo vetëm në tekstin biblik, por edhe në atë kuranor. Në të dyja këto tekste tregohet se Abrahami priti në tendën e tij tre të huaj. Ai tregon hapje ndaj këtyre vizitorëve pa i kushtuar vëmendje ose pa qenë i shqetësuar për origjinën apo besimin e tyre. Si në tekstin Kuranor, ashtu edhe në atë biblik, Abrahami i solli të huajt brenda tendës së tij, i përfshiu në një rreth mëshire dhe preokupimi njerëzor dhe i ushqeu me ushqim e mirësi. Ai gjithnjë i priste të huajt në tendën e tij në mënyrë të padiskriminuar dhe kjo ishte një pjesë përbërëse e jetës së tij. Në fakt në librin e Zanafillës lexojmë se «po rrinte në derë të tendës» teksa «ishte pika e zhegut» (18:1). Sipas disa midrashimeve (komenteve hebraike) Abrahami po rrinte në hyrje të tendës për të pritur të huajt. Tenda ishte e hapur nga të dyja anët, në mënyrë që ai të shihte vizitorët nga çdo drejtim që ata mund të vinin, dhe fakti që ai ishte duke pritur në pikun e zhegut ndonjë të huaj që mund të kalonte rastësisht, e jo në freskinë e tendës së tij, është një provë për qendërsinë e mikpritjes në jetën e Abrahamit.

Zakonisht priremi të mendojmë se duke pritur një të huaj në të vërtetë jemi duke i bërë një nder atij, por fjalët e Abrahamit në 18:3, «Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt», tregojnë se mysafirët e huaj përfaqësojnë «vizitën e Zotit» në shtëpinë e tij dhe se ata po i bënin një nder Abrahamit duke pranuar mikpritjen e tij dhe jo e kundërta. Kjo është një perspektivë radikale që tregon rëndësinë e mikpritjes si një virtyt abrahamik.

Ndryshe nga Kurani, në historinë e Abrahamit të rrëfyer në librin e Zanafillës ka një ndërthurje ose ndërveprim ndërmjet të huajve (engjëjve) dhe Zotit. Në versetin nr. 1 lexojmë se «Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres» dhe menjëherë, tek verseti nr. 2, «Si i çoi sytë përpjetë, i pa tre burra në këmbë pranë tij».  Në këtë tekst është e vështirë të dallosh ndërmjet Zotit dhe miqve. Në njëfarë mënyre mysafirët e huaj përfaqësojnë Zotin; miqtë (engjëjt) dhe prania hyjnore janë sinonime. Mund të themi se duke u ofruar mikpritje të huajve, Abrahami ishte duke i ofruar “mikpritje” Zotit; tek i huaji ne mund të shquajmë gjurmën hyjnore. Duke i ofruar shoqëri të huajit ne jemi duke i ofruar “shoqëri” Zotit, ndonëse pa e diktuar këtë. Hapja, mirësia dhe dashuria që Abrahami tregoi ndaj të tjerëve mund të kuptohet pikërisht në këtë kontekst. Mikpritja është një mundësi për të dalë jashtë vetes sonë dhe për të hyrë në një marrëdhënie me të tjerët, duke i pranuar ata ashtu siç janë në tendën tonë. Në këtë mënyrë ne do të evitojmë prirjet egoiste të vetes sonë dhe do të hyjmë në një marrëdhënie miqësie dhe mikpritjeje me të tjerët – në këtë mënyrë ne do të hyjmë në marrëdhënie me vetë Zotin. Kësisoj, në fytyrën e tjetrit, të huajit, përmes mikpritjes ne mund të shquajmë “fytyrën” e Zotit.  Kjo është arsyeja përse mikpritja është një virtyt i rëndësishëm në fetë abrahamike.

Rasti i Lutit e tregon këtë më mirë se çdo histori tjetër. Ajo është e ngjashme me atë të Abrahamit: njësoj si ky i fundit edhe Loti, pasi ishte në kërkim të të huajve, i gjeti ata dhe i priti në shtëpinë e tij, por rasti i tij ka një tjetër element shtesë, atë të mbrojtjes së miqve me çdo kusht. Kur populli i tij u mblodh për të abuzuar seksualisht me miqtë e tij, Loti u tregua i gatshëm të jepte gjithçka, madje edhe dy vajzat e tij, në mënyrë që të shpëtonte miqtë e tij prej të keqes. Historia e Lotit (Zanafilla 19:4-9) tregon rëndësinë e mikpritjes, ajo nuk është thjesht një akt mirësjelljeje që mund të braktiset me shfaqjen e vështirësisë së parë. Siç e shpjeguam edhe për rastin e Abrahamit, mikpritja është një virtyt themelor i natyrës njerëzore, të presësh të huajt dhe t’i mbrosh ata do të thotë të mbrosh dashurinë për të tjerët dhe rrjedhimisht edhe dashurinë për Zotin.

Jezusi dhe Centurioni

(Mateu 8:5-13)

Ky tekst i Dhiatës së Re nuk flet për Abrahamin dhe, më shumë sesa një tekst rreth virtytit të mikpritjes, ai është një tekst që flet për shërimet e mrekullueshme të kryera nga Jezusi. Megjithëkëtë, jemi të mendimit se në të mund të pikasim disa elementë të mikpritjes të cilat nuk mund t’i ndeshim tek historia e Abrahamit apo Lotit. Në paragrafët në vijim do të japim leximin tonë personal të kësaj historie dhe do të përpiqemi të sqarojmë mënyrën se si kjo histori mund të hedhë dritë mbi temën e mikpritjes.

Historia e treguar nga Mateu në Ungjillin e tij është një dialog ndërmjet Jezusit (hebreut) dhe një centurioni (pagani romak). Centurioni është përfaqësuesi i të huajve ose mysafirëve dhe Jezusi i mikpritësve. Ndërsa në historinë e Abrahamit, Zoti është identifikuar deri diku në figurën e vizitorëve, të mysafirëve, këtu Zoti identifikohet në figurën e Jezusit i cili konsiderohet hyjni nga ungjillori. Ndërsa në historinë e Abrahamit ky i fundit tregoi hapje ndaj të huajve, këtu është i huaji që tregon hapje karshi Jezusit, duke e ftuar atë në shtëpinë e tij dhe duke e pranuar atë dhe misionin e tij, ndonëse ai nuk ishte pjesë e besimit që Jezusi predikonte. Në këtë histori centurioni mbështetet tek tjetri, i huaji, dhe i kërkon Jezusit që ta ndihmojë atë në lidhje me sëmundjen e shërbëtorit të tij. Centurioni pagan tregon mikpritje ndaj Jezusit, jo vetëm një mikpritje materiale, por edhe mikpritje zemreje (besimi).

Pasi vërejti këtë veprim Jezusi pohoi se «shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit» (v.11). Këtu kemi një përmendje të qartë të Abrahamit. Jezusi është duke thënë që centurioni do të jetë pjesë e Mbretërisë së qiellit, së bashku me Abrahamin dhe pasardhësit e tij. Ai do të jetë pjesë e mbretërisë sepse njësoj si Abrahami edhe ai kërkoi për të huaj, tregoi hapje ndaj tjetrit, e pranoi atë (Jezusin) siç ishte në vetvete dhe falë marrëdhënies me të gjeti Zotin. Për këtë arsye ai do të jetë pjesë e Mbretërisë së qiellit, i ulur në të njëjtën tryezë me Abrahamin. Kjo ulje në tryezë me Abrahamin të sjell ndërmend uljen e engjëjve me Abrahamin në tryezën e tij. Në të njëjtën mënyrë edhe centurioni do të lejohet të ulet me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në Mbretërinë e qiellit, sepse njësoj si ata ai ka përmbushur virtytin e mikpritjes që e dërgoi atë drejt besimit dhe së fundmi drejt Zotit. Por për ata që pretendojnë se janë pjesë e familjes së Abrahamit, por nuk ndjekin shembullin e tij, Jezusi thotë: «ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh» (v. 12).  Ata nuk do të jenë pjesë e Mbretërisë sepse nuk e kanë përjetuar mikpritjen, për këtë arsye ata nuk mund të përmbushin dy urdhërësat kryesore: ato të dashurisë së Zotit dhe fqinjit. Kjo sepse, siç e kemi thënë më lart, mikpritja është një element i rëndësishëm i urdhëresës për të dashur të tjerët dhe se përmes të tjerëve mund të dalim jashtë egoizmit vetjak dhe të zgjerojmë horizontet tona. Tek të tjerët mund të pikasim dhe vlerësojmë “gjurmën” e Zotit, tek fytyra e tjetrit mund të shohim “fytyrën” e Zotit dhe të përmbushim dashurinë për Të. Kësisoj, ai që nuk realizon mikpritjen e ka të pamundur të përmbushë urdhëresat për të dashur Zotin dhe fqinjin dhe rrjedhimisht ai “do të hidhet jashtë në errësirë”.

Në fund të kësaj historie na thuhet se ndodh një shërim i mrekullueshëm dhe skllavi i centurionit shërohet si shkak i qëndrimit mikpritës dhe besimit të shfaqur nga centurioni pagan. Kjo na shtyn të reflektojmë disi. Edhe në historinë kuranore dhe biblike të Abrahamit në fund të saj ndodh një mrekulli: Sarës e cila ishte në moshë të thyer dhe shterpë i premtohet një djalë, ndërsa në historinë e Lutit ndodh mrekullia e shpëtimit të tij dhe atyre që besuan tek ai nga ndëshkimi hyjnor. Të gjitha këto ndodhi të mrekullueshme janë të lidhura me mikpritjen. Skllavi rifiton shëndetin, Sara pjellorinë, dhe Luti shpëtimin e familjes së tij (me përjashtim të gruas jobesimtare) nga ndëshkimi që kaploi popullin e tij.

Në ofrimin e mikpritjes ndodh një përmbysje e çuditshme. Mikpritësi, i cili fillimisht i bën një nder dhe dhuratë mysafirit, përfundon duke qene i bekuar nga ky i fundit. Mikpritja është një hapje ndaj tjetrit, një akt vetëdhurimi që nuk merr parasysh ngjyrën, origjinën apo besimin e tjetrit. Përkundrazi, është një pranim i tjetrit ashtu siç është në vetvete, një ndërlidhje e sinqertë me tjetrin. Për këtë arsye ajo është universale dhe pjellore. Në kultivimin e mikpritjes ne kultivojmë dashurinë për fqinjin dhe rrjedhimisht edhe për Zotin, kjo është arsyeja përse historitë e marra në shqyrtim përfundojnë me mrekulli që flasin rreth rikthimit të shëndetit (skllavi), dhënies jetë pas shterpësisë (Sara) dhe shpëtimit prej gjëmës (Lotit). Këto janë frytet e mikpritjes. Tekstet duket se thonë se në vetëdhurim (përmes mikpritjes) ka jetë dhe shpëtim.

Moisiu dhe i moshuari

(28:21-30)

Ndryshe nga të gjitha tekstet e marra në shqyrtim deri më tani, në këtë pasazh kuranor ne gjendemi përballë historisë së një profeti (Moisiu) i cili, pasi arratiset nga vendi i tij (Egjipti), sepse kishte vrarë gabimisht një banor të vendit, gjen mikpritje te një burrë i moshuar. Ndërsa në historinë e Abrahamit kemi një profet që pret në shtëpinë e tij miq të huaj, këtu jemi përballë historisë së një Profeti që pritet mik nga një i huaj. Nëse do ta vërejmë me vëmendje këtë histori, ashtu siç paraqitet në Kuran, do të shohim se ajo përmban elementë shumë të rëndësishëm për temën tonë.

Në pasazhin kuranor pohohet se, pasi Moisiu vrau pa dashje një njeri dhe kryetarët e qytetit po mbanin këshill për ta vrarë atë, ai e braktisi qytetin duke qenë në një gjendje frike dhe vigjilence dhe e luti Zotin e tij që ta shpëtonte atë nga populli zullumqar (v. 21). Kështu, këtu gjendemi përballë një situate turbullimi, vuajtjeje dhe mundimi si dhe një kërkese për shpëtim. Pas braktisjes së vendit të tij dhe endjes nëpër shkretëtirën e Medjenit, Moisiu i kërkoi Zotit që ta orientonte atë drejt rrugë së drejtë (v. 22). Këtu Moisiu është i huaji që mbështetet tek Zoti për shpëtimin e tij. Pasi ndihmoi pa pagesë dy vashat për t’u dhënë ujë kafshëve të tyre, Moisiu iu lut Zotit duke thënë «o Zoti im, unë kam nevojë për çdo gjë që të më japësh» (v. 24) dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tij duke i bërë të mundur mikpritjen në shtëpinë e një burri të moshuar, babai i dy vajzave. I moshuari i besoi Mosiut (të huajit), ai e mirëpriti atë me zemër të bardhë, ndonëse ai nuk dinte asgjë për të. I moshuari është trupëzimi i virtytit të mikpritjes pavarësisht nga origjina, ngjyra apo besimi, një mikpritje që e pranon tjetrin ashtu siç është.

Pas kësaj mikpritjeje të ngrohtë, Moisiu i tregoi të moshuarit tërë historinë e tij dhe ai i tha «mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës» (v. 25). Kjo është përgjigja e lutjes së Moisiut i cili iu lut Zotit që ta shpëtonte prej popullit zullumqar (v. 21). Vetëm pasi përjetoi mikpritjen, Moisiu u konsiderua i sigurt dhe i shpëtuar. Këtu mikëpritja merr një tjetër element shtesë, jo vetëm atë të pranimit të tjetrit ashtu siç është në vetvete, por edhe atë të dhënies strehim dhe mbrojtje të huajve, duke u ofruar atyre një vend për të shpëtuar prej armiqve. Versetet 26-28 na rrëfejnë se i moshuari i ofroi për martesë Moisiut një prej vajzave të tij, si edhe i ofroi punësim. Të gjitha këto kishin si synim që Moisiu të qëndronte në shtëpinë e tyre. Në këtë rast mikpritësi jo vetëm që pret dhe pranon një të huaj, por ai shkon edhe më tej, duke i ofruar atij mundësinë që të jetë pjesë e përhershme e jetës së mikpritësit. Këtu mikpritja arrin kulmin e saj. Ashtu siç Loti ishte i gatshëm t’i jepte dy vajzat e tij turmës së zemëruar, me kusht që ata t’i linin të qetë miqtë e tij, këtu i moshuari i ofron Moisiut një prej vajzave të tij në mënyrë që ta bëjë Moisiun pjesë së jetës së tij. Këtu mikpritja është transformuar në një bashkëjetesë të përhershme. Ajo është një virtyt që i dërgon njerëzit drejt mirëbesimit ndaj të tjerëve, dhe dëshirës për t’i integruar ata në jetët e tyre.

Verseti nr. 30 tregon se si Zoti iu shfaq Moisiut pas një peme duke i thënë: «O Moisi, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve». Kjo ngjarje është një nga ndodhitë më të rëndësishme në historinë e shenjtë dhe në tekstin kuranor ajo është e lidhur qenësisht me historinë e mikpritjes që i moshuari i ofroi Moisiut. Nëse do t’i hedhim një vështrim të shkurtër historisë, do të shohim se në të ekziston një dinamikë e brendshme. Në fillim të saj ne kemi një profet që është i frikësuar dhe i çorientuar (v. 21). Ai i kërkon Zotit shpëtim dhe orientim (v. 22) dhe Zoti e përmbush dëshirën e tij përmes mikpritjes që i moshuari nga Medjeni i ofron atij. Butësia, mirëbesimi, mirësia dhe bujaria e të moshuarit e siguruan Moisiun nga çdo e keqe. Në këtë mënyrë ai shpëtoi nga populli zullumqar (v. 25). Ky ishte një hap i domosdoshëm për Moisiun në mënyrë që të merrte shpalljen madhështore të vetë Zotit në mal. Përmes pranimit dhe hyrjes në jetën e mikpritjes, Moisiut iu bë e mundur të merrte shpalljen e Zotit e cila është jetë dhe dritë. Njësoj si në historitë e tjera ku realizimi i mikpritjes solli si rezultat rikthimin e shëndetit, dhënien jetë të një fëmije, një jete të re, këtu përvoja e mikpritjes solli si rezultat shfaqjen e Zotit dhe shpalljen e Tij.

Të gjithë këta elementë të shqyrtuar deri tani tregojnë rëndësinë e virtytit të mikpritjes në fetë abrahamike. Të gjitha fetë monoteiste e shohin mikpritjen si një pjesë përbërëse të botëvështrimit të tyre dhe si një kusht për të përmbushur urdhëresën për të dashur fqinjët tanë. Të gjitha ato njohin tek Abrahami modelin dhe paradigmën që mishëron më mirë se kushdo tjetër virtytin e mikpritjes. Në një interpretim personal mund të themi se tre figurat engjëllore të ulura në tryezën e Abrahamit (siç rrëfehet në historinë e lartpërmendur) mund të shihen si përfaqësuese të Hebraizmit, Krishterimit dhe Islamit. Për sa i përket mikpritjes të tre ato janë nën tendën e Abrahamit duke bashkëndarë virtytin e mikpritjes. Tre figurat engjëllore mbeten ende personalitete të ndara, por falë mikpritjes ato ndajnë të njëjtën tryezë të kryesuar nga patriarku Abraham. Kështu, mikpritja mund të shihet si një mënyrë e të shprehurit të dashurisë që gjendet në traditën hebraike, të krishterë dhe islame. Ajo mund të ofrojë një pikë kyçe nga e cila mund të dalë në pah një etikë e përbashkët reciprociteti. Praktika e mikpritjes ofron mundësinë e të qëndruarit besnik ndaj urdhëresës së dashurisë dhe respektit ndaj fqinjit, e cila është kaq e rëndësishme në të tre fetë abrahamike.

 

 

Marre nga: e-zani.com

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/11/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:45 06:2011:3214:0716:3017:57

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook