By: Hani Hilmi

Mirësia dhe mëshira e Allahut


Me emrin e Allahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.

 

Të nderuar miq!

Sonte dëshirojmë që të karikojmë zemrën me lëndën e besimit, do të flasim për mëshirën. Nëse besimtarin e përfshin mëshira e Allahut të Lartësuar, ai do të ecë përpara, duke qenë më i sigurtë për hapat që hedh.

 

O ti njeri që ankohesh për ashpërsinë e zemrës dhe dëshiron që Allahu i Lartësuar të të largojë prej saj, dëgjoje fjalën e Tij në Kuranin Fisnik: “E sikur mos të ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë. Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.”[1] O Zot, na dhuro devotshmëri dhe pastroji zemrat tona, sepse vetëm Ti je ai që i pastron ato!

 

O ti njeri që thua "Shejtani më ka zaptuar dhe nuk mund t’i bëj ballë", a nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Sikur mos të ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, ju të gjithë do të ndiqnit shejtanin, përveç një numri të vogël.”[2]

O ti njeri që je mbushur plot e përplot me gjynahe e mëkate dhe ke frikën nga ndëshkimi hyjnor, dije se askush nuk të shpëton prej kësaj gjendjeje, përveç mëshirës së Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: “Sikur mos të ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë.”[3]

 

Të nderuar miq!

Le të meditojmë së bashku rreth ajeteve kuranore: “I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij) ka krijuar njeriun dhe ia ka mësuar atij të folurit e qartë.”[4], me qëllim që të ç’kyçim drynin e zemrave tona. Krijimi dhe dituria janë shenjë treguese e mëshirës së Allahut të Lartësuar. Duke medituar rreth të gjitha ajeteve të sures “Rrahman”, do të vëresh se të gjitha ajetet e kësaj sureje lidhen me mëshirën e Allahut të Lartësuar. Çdo krijesë ka nevojë për mëshirën e Allahut të Lartësuar, prandaj edhe i Lartësuari thotë: “Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!”[5] Çdo mirësi që ti e posedon apo e kërkon, është prej mëshirës së Allahut të Lartësuar ndaj teje, madje edhe në Xhenet do të hysh vetëm me mëshirën e Tij, sepse Xheneti është bota (shtëpia) e mëshirës. Lexo me vëmendje ajetin e fundit të kësaj sureje: “Qoftë i lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim!”[6] Ky ajet kuranor ka lidhje me ajetin e parë, sepse Ai, i Cili me mëshirën e Tij i ka dhënë njerëzve dhe xhindeve mirësi të pafundme, është i Lartësuar plot Madhëri dhe Nderim.

 

Të nderuar miq!

Lexojeni suren “Rrahman”, por me një ndjenjë tjetër. Unë kërkoj prej jush, që ta ndjeni mëshirën e Allahut të Lartësuar ndaj jush për çdo ajet që lexoni nga kjo sure. Vazhdimisht ta lusim Allahun e Lartësuar, që të na mëshirojë e të na dhurojë nga mirësitë e Tij të pafundme. Profeti (a.s) lutej me këto fjalë: “O Zot, unë kërkoj të më dhurosh prej mirësisë dhe mëshirës Tënde, sepse vetëm Ti i posedon ato (të dyja)!”[7]

Lexojeni Kuranin me nijetin e zbritjes së mëshirës së Zotit ndaj jush, i Cili thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.”[8]

 

Rrini në xhami dhe merruni me ibadet, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Engjëjt kërkojnë falje për secilin prej jush, i cili qëndron në vendin ku është falur, përderisa ai (që është falur) nuk e ka prish abdesin, apo nuk çohet nga vendi i faljes. Ata (engjëjt) thonë: O Zot fale atë, o Zot mëshiroje atë.”[9]

O Allah! Na i lehtëso vështirësitë e hallet e na mëshiro me mëshirën Tënde të pakufishme.


[1] Sure Nur: 21.

[2] Sure Nisa; 83.

[3] Sure Nur: 14.

[4] Sure Rrahman: 1-4.

[5] Sure Rrahman: 14.

[6] Sure Rrahman: 78

[7] - Transmeton Tabaraniu. Shejh Albani e vlerëson hadithin të saktë.

[8] - Sure Isra: 82.

[9] - Transmeton Ahmedi. Shejh Albani e vlerëson hadithin të saktë.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook