Momentet e vdekjes se Profetit a.s


Enesi (r.a) ka thënë: “Pasi sëmundja e rëndoi profetin (a.s) dhe atij i binte të fikët nga mundimi i vdekjes, Fatimja (r.a) tha: Ah, babai im sa shumë po vuan! Profeti (a.s) tha: “Prej sot babai yt nuk do të vuajë më”. Pasi profeti (a.s) ndërroi jetë, ajo tha: “O babai im, që iu përgjigje thirrjes së Zotit tënd! O babai im që Xheneti Firdeus është vendbanimi yt! O babai im, edhe Xhibrilin e lajmërojmë për vdekjen tënde!” Kur profeti (a.s) u varros, Fatimja (r.a) tha: “A u kënaqët duke hedhur dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?!”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith na paraqet dëshpërimin e Fatimes në çastet e agonisë së vdekjes së profetit (a.s). Në të vërtetë nuk ka brengë më të madhe për njeriun, sesa ndarja nga njeriu më i dashur, veçanërisht kur ky njeri është i Dërguari i Allahut. Megjithëse çastet e agonisë së vdekjes janë të rënda, profeti (a.s), që është shembulli më i mirë për gjithë njerëzimin, i përballon këto çaste me shumë durim, sepse ai (a.s) ishte i gëzuar, pasi do të takohej me Allahun, Zotin e botëve.

Hadithi në fjalë na paraqet dialogun dhe situatën e tre personave, atë të Enesit, Fatimes dhe profetit (a.s) Herë flet Enesi, herë profeti (a.s) dhe një herë tjetër Fatimja. Atëherë le të meditojmë së bashku rreth fjalëve të secilit prej tyre.

Enesi (r.a) thotë: “i binte të fikët nga mundimi i vdekjes”. Kjo nënkupton, se mundimet e agonisë së vdekjes e kishin kapluar profetin (a.s). Dijetarët thonë se mundimet e agonisë e kishin kapluar profetin (a.s), ngaqë njerëzit që sprovohen më shumë janë profetët e Allahut, pastaj njerëzit e devotshëm, pastaj më të mirët e kështu çdonjëri sipas shkallës së besimit. Kështu pra, duke iu shtuar mundimet e vdekjes, profeti (a.s) arrin në gradën më të lartë të durimit, sepse durimi ka një pozitë të lartë dhe ai arrihet vetëm atëherë kur njeriu sprovohet. Prandaj profetit (a.s) iu shtuan dhimbjet, ndërkohë që kur ai sëmurej, ndiente dhimbje sa për dy njerëz.

Ndërsa Fatimja (r.a) shprehet me fjalët: “Ah, babai im sa shumë po vuan!”. Ajo vajtonte me këto fjalë, sepse ishte grua dhe në përgjithësi gratë e kanë të vështirë të jenë aq të durueshme sa burrat. Megjithatë ajo ka të drejtë të shprehet në këtë formë, kur shikon gjëndjen e rënduar të babait të saj. Është e mërzitur për të atin, i dhimbset dhe ndjen dashuri për të. Ajo vajtonte për të atin, por vajtimi i saj nuk ishte prej atyre vajtimeve, që e hidhërojnë Allahun e Lartësuar.

Këtë vajtim të Fatimes, profeti (a.s) e përballon me durim, i kënaqur me caktimin e Allahut dhe i lumtur ngaqë do të takohet me Të. Me fjalët e tij profeti (a.s) e qetëson vajzën e tij duke i thënë: “Prej sot babai yt nuk do të vuajë më”. Profeti (a.s) shprehet, duke thënë “babai yt” dhe nuk thotë “unë” ose “I dërguari i Allahut” sepse në këtë rast shprehja “babai yt” është shprehja më e goditur.

Kur profeti (a.s) ndërron jetë, Fatimja (r.a) e përjeton ndarjen dhe dhimbjen akoma më tepër, kështu që ajo përsëri thërret: “O babai im që iu përgjigje thirrjes së Zotit tënd! O babai im që Xheneti Firdeus është vendbanimi yt! O babai im, edhe Xhibrilin e lajmërojmë për vdekjen tënde!”

Ky hadith është një mësim i mirë për çdokënd, që dëshiron t’i nënshtrohet urdhrit të Allahut. Muslimani duke u frymëzuar nga ky hadith, çastin kur ndahet nga i dashuri i tij i zemrës i përjeton me besim dhe durim. Ai frymëzohet nga fjalët e Fatimes (r.a) e cila thotë: “O babai im që iu përgjigje thirrjes së Zotit tënd! O babai im që Xheneti Firdeus është vendbanimi yt! O babai im, edhe Xhibrilin e lajmërojmë për vdekjen tënde!” Allahu i Lartësuar ka në dorë çdo gjë, exheli i çdo krijese është në Dorën e Tij, çdo gjë ka për t’u kthyer tek Allahu, sepse përfundimi dhe kthimi janë tek Ai. Profeti (a.s) iu përgjigj thirrjes së Allahut, sepse kur vdiq me të ndodhi siç ndodhi me besimtarët e tjerë, shpirti i tij u ngrit lart, derisa qëndroi përpara Allahut të Lartësuar sipër shtatë qiejve. Fatimja thotë, se Xheneti Firdeus është vendbanimi i profetit (a.s), sepse profeti (a.s) është në gradën më të lartë të Xhenetit, që është Xheneti Firdeus. Në lidhje me këtë profeti (a.s) ka thënë: “Kërkoni prej Allahut për mua uesilen, sepse ajo është në një vend në Xhenet, që nuk i takon askujt përveç një robi prej robërve të Allahut. Shpresoj që ai të jem unë.”[2] Nuk ka dyshim se vendbanimi i profetit (a.s) është Xheneti Firdeus, që është grada më e lartë e Xhenetit, mbuloja e sipërme e të cilit është Arshi i Allahut të Lartësuar. Kështu që profeti (a.s) është në gradën më të lartë në të. Fatimja (r.a) thotë, “e lajmërojmë edhe Xhibrilin”, sepse Xhibrili ditën dhe natën i ka zbritur profetit (a.s) mesazhin hyjnor. Me humbjen (vdekjen) e profetit (a.s), Xhibrili nuk zbret më në Tokë me mesazhin hyjnor, sepse me vdekjen e profetit (a.s) zbritja e mesazhit hyjnor u ndërpre.

Skena e fundit që na paraqitet, është momenti kur sahabët varrosin të Dërguarin e Allahut. Fatimja (r.a) me sytë e saj, tashmë po shikonte se si dheu po e mbulonte trupin e babait të saj, prandaj me dashurinë që kishte për të atin dhe duke iu nënshtruar realitetit, i drejtohet Enesit (r.a) duke i thënë: “O Enes! A je i kënaqur që ke hedhur dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?!” Thuhet se Enesi duke respektuar gjendjen e saj, nuk i kthen përgjigje, por tha me vete: “Nuk na e bën zemra që ta bëjmë një gjë të tillë, por jemi të detyruar që të zbatojmë traditën e tij”.

Në të vërtetë, këto çaste nuk ishin të rënda vetëm për Fatimen, por për të gjithë sahabët e nderuar. Ndarja me të dashurin e zemrës ishte tejet e vështirë. Thuhet se kur Othman ibnu Afani e mori vesh që profeti (a.s) vdiq, nuk i foli askujt. Ndërsa kur imam Aliu e mori vesh, u rrëzua përdhe tamam si dikush, që është sëmurë me sëmundjen e Tokës. Ndërsa Omeri, në fillim e përgënjeshtroi lajmin e vdekjes së profetit (a.s), por kur dëgjoi fjalën e Ebu Bekrit: “Ti je i vdekur dhe ata janë të vdekur” tha: “Betohem në emër të Allahut, sikur unë nuk e kisha dëgjuar më parë këtë ajet tek Libri i Allahut”. Ndërsa Ebu Bekri hyri në dhomën e Aishes ku profeti (a.s) ishte mbështjellë në një cep. Iu afrua dhe i zbuloi kokën, u përkul mbi të e puthi dhe tha: “Për babanë dhe nënën time! Ti e shijove vdekjen, që Allahu kishte caktuar për ty. Tani kurrë nuk do të prekesh më nga vdekja pas kësaj”.

Rregulla dhe dispozita fetare:

Dispozita fetare në lidhje me vajtimin tek koka e atij që po vdes:

Juristët janë të mendimit, se lejojet vajtimi tek koka e atij që po vdes, ashtu si ka vepruar Fatimja (r.a) në këtë hadith. Edhe dijetarët e medh’hebit Shafi’i e lejojnë vajtimin tek koka e atij që vdes, megjithëse më mirë është që njeriu të mos vajtojë, por e ka për detyrë që të kërkojë falje për atë që po vdes. Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith është argument, se nuk përbën ndonjë problem që njeriu të vajtojë lehtë, nëse ky vajtim nuk të shpie që të zemërohesh me Allahun e Lartësuar, sepse edhe Fatimja vajtoi për profetin (a.s), por vajtimi i saj ishte lehtë dhe nuk e kundërshtonte caktimin e Allahut të Lartësuar.”[3] Muhamed ibnu Alan thotë: “Veprimi i Fatimes nuk e përdhos aspak vlerën e saj, sepse në hadithin e mëposhtëm lexojmë: “Syri loton dhe zemra është e brengosur, por ne themi vetëm atë gjë, me të cilën Zoti është i kënaqur”. Pastaj ky veprim i saj interpretohet me faktin, se ajo nuk e ka ngritur zërin, sepse nëse do ta kishte ngritur, profeti (a.s) do ta kishte ndaluar.”[4]

Dispozita fetare në lidhje me lajmërimin për vdekjen e dikujt:

Lajmërimi i njerëzve për vdekjen e dikujt është i lejuar, sepse këtë gjë ka vepruar edhe profeti (a.s) kur i ka lajmëruar shokët e tij për vdekjen e Nexhashiut, apo të Xha’fer ibnu Ebi Talibit.

Dispozita fetare në lidhje me përmendjen e cilësive të mira të të vdekurit:

Juristët janë të mendimit, se përmendja e cilësive të mira të të vdekurit është e lejueshme.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Vdekja dhe mundimet e saj.

2 – Çaste nga sëmundja dhe vdekja e profetit (a.s)

3 – Lutjet dhe kërkesa ndihmë, që i bëhet profetit (a.s), konsiderohet idhujtari.

4 -  Dashuria e Fatimes për profetin (a.s)

 

1 – Vdekja dhe mundimet e saj:

Profeti (a.s) është njeriu, i cili merret si model i mirë në të gjitha situatat e krijuara. Megjithëse ai është krijesa më e dashur tek Allahu i Lartësuar, vdekja e tij ishte me mundime dhe vështirësi. Pikërisht këtë gjë e thekson edhe teksti i këtij hadithi, në të cilin Enesi thotë: “Pasi sëmundja e rëndoi profetin (a.s) dhe i binte të fikët nga mundimi i vdekjes, Fatimja (r.a) tha: Ah, babai im sa shumë po vuan!”.

Vdekja është më e rëndë se goditja me shpatë, sepse ai që goditet me shpatë, bërtet nga dhimbja, ndërsa ai që është duke vdekur, nuk mund të bërtasë megjithëse dhimbja është shumë e madhe. Brenga e mundimeve ka arritur maksimumin, dhimbja ka përfshirë të gjithë trupin dhe njeriu nuk ka mundësi të bërtasë, megjithëse ai e dëshiron shumë një gjë të tillë. Çdo pjesë e trupit fillon të vdesë pak e nga pak. Në fillim ftohen këmbët, pastaj pulpat e këmbëve, kofshët e kështu me rradhë derisa shpirti të arrijë në fyt. Në këtë çast, njeriu i humbet kontaktet me këtë botë dhe dera e pendesës mbyllet përfundimisht për të. Allahu i Lartësuar thotë: Atëherë përse kur dikujt i vjen shpirti në grykë, para syve tuaj, ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re, përse pra, nëse nuk do të gjykoheni në botën e përtejme, ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën!”[5] Ndërsa në suren El Kijame, Allahu i Lartësuar thotë: Por, kur shpirti të vijë në grykë, e të thërrasin: A ka shërues, atëherë ai që po vdes do të bindet se ky është çasti i ndarjes dhe këmbët do të ngrijnë. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt. Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal, por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin, e pastaj shkoi te njerëzit e vet duke u krenuar. Mjerë për ty! Mjerë për ty! Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty!”[6] 

2 – Çaste nga sëmundja dhe vdekja e profetit (a.s):

I Dërguari i Allahut i ndjeu dhimbjet e sëmundjes, e cila e kishte kapur që në përfundim të muajit Safar të vitit të njëmbëdhjetë të hixhretit. Ajo filloi me dhimbjet therëse të kokës, të cilave ai u rezistoi me durim në shtëpinë e bashkëshortes së tij, Mejmunes, por dhimbja iu shtua aq shumë, saqë ai nuk mund të dilte jashtë. Atëherë bashkëshortet e tij e lejuan, që ta merrte veten në shtëpinë e Aishes, sepse e kuptuan, që ai do të ishte më i qetë nën përkujdesjen e saj.

Sëmundja sa vinte dhe bëhej më e ashpër, ndërsa temperatura i rritej vazhdimisht. Ai kërkoi ujë që të freskohej. Atë e vendosën në një vaskë, që ishte e Hafsës dhe derdhën ujë mbi të, derisa kërkoi që të ndalonin.

Kur ndjeu se nxehtësia e etheve kishte pushuar, thirri kushërinin e tij Fadl ibnu Abasin dhe i kërkoi ta mbante prej dore. Ai dridhej, ndërsa kokën e kishte akoma të fashuar. Së bashku shkuan në xhami, ku profeti (a.s) i këshilloi shokët e tij. Pastaj u ul nga minberi fali namazin e drekës dhe më pas u ngjit përsëri mbi minber dhe vazhdoi fjalimin e tij.

Profeti (a.s) u kthye në shtëpinë e tij ngjitur me xhaminë, për të pushuar në shtratin e sëmundjes, megjithëse kurrë nuk ishte mësuar të shtrihej ose të gjente prehje në të. Kishte shumë punë, që prisnin përkujdesin e tij, por pesha e sëmundjes e mbajti atë të izoluar në shtrat. Ndonjëherë, kur ndihej më mirë, shkonte në xhami për të parë kombin, që kishte themeluar dhe njerëzit të cilët i donte.

Gjatë periudhës së sëmundjes, kishte raste kur ndihej i lehtësuar dhe shokët mendonin, që dëshira e tyre ishte plotësuar dhe së shpejti ai do të ngrihej dhe do të ishte në gjendje të rifillonte luftën e tij për çështjen e Allahut.

Sëmundja sa vinte dhe përkeqësohej, ndërsa profeti (a.s) vuante nga dhimbje të rënda, aq të rënda, sa vajza e tij Fatimja u shqetësua shumë nga vuajtjet e tij të tmerrshme dhe tha: “Ah, babai im sa shumë po vuan!”  Por ai qetësoi duke i thënë: “Prej sot babai yt nuk do të vuajë më”.

Njëherë atij i ra të fikët dhe familja e tij i futi diçka në gojë. Kur erdhi në vete, bëri shenjë, që kjo nuk i pëlqeu.

Kur nuk ishte në gjendje të drejtonte njerëzit në namaz, thërriste Ebu Bekrin, që ta bënte këtë. Ebu Bekri drejtoi shtatëmbëdhjetë namaze me njerëzit. Ditët, në të cilat nuk ishte në gjendje t’i printe njerëzit në namaz, ishin ditët më të rënda për të.

Pavarësisht temperaturës së lartë dhe dobësisë së tij, ai qëndroi në gatishmëri të plotë dhe i interesuar për mësimet e tij si dhe tepër i kujdesshëm për t’ua kujtuar ato njerëzve. Përkushtimi i tij i vazhdueshëm ndaj teuhidit e bëri atë, që në grahmat e vdekjes të vazhdonte të paralajmëronte myslimanët për këtë të keqe, që mund të ndodhte.

Ndonjëherë ai pushtohej nga dëshira për të qenë i pranishëm gjatë faljeve me xhemat, që të shikonte shokët e tij në ditët e tij të fundit. Prandaj ai përpiqte trupin e tij të sfilitur dhe shkonte në xhami nga dhoma e Aishes dhe i ulur, drejtonte njerëzit në namaz. Kur profeti (a.s) u sëmur akoma më tepër, urdhëroi Ebu Bekrin që të drejtonte namazet. Më pas e mori veten dhe doli. Kur Ebu Bekri e vuri re, kërkoi që të bënte prapa, por profeti (a.s) i bëri shenjë atij që të qëndronte. U ul në krahun e majtë të Ebu Bekrit dhe filloi të recitonte aty ku e kishte lënë ai. Ebu Bekri e ndoqi profetin, ndërsa njerëzit ndiqnin Ebu Bekrin.

Ebu Bekri vazhdoi t’i drejtonte namazet deri në mëngjesin e vdekjes së profetit (a.s). Profeti (a.s) e ngriti perden, e cila varej mbi derën e Aishes dhe u shfaq përpara njerëzve. Ata pothuajse u shpërqendruan nga namazi, nga gëzimi që e panë atë dhe filluan t’i bënin vend. Por, ai bëri shenjë me dorë, që të vazhdonin namazin dhe buzëqeshi me kënaqësi, që i pa duke falur.

Ai u fut brenda dhe njerëzit u shpërndanë, duke menduar se e kishte marrë veten nga sëmundja. Ai u kthye nga xhamia dhe u shtri në prehërin e Aishes. Aishja i dha një misvak dhe ai (a.s) i fërkoi dhëmbët e tij më fort se ç’kishte bërë më parë dhe më pas e uli poshtë. Pastaj Aishja e ndjeu atë më të rëndë në prehrin e saj. Aty profeti (a.s) ndërroi jetë.

3 – T`i lutesh dhe t`i kërkosh ndihmë profetit (a.s), konsiderohet idhujtari:

Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith është argument kundër atyre njerëzve, që i bëjnë Allahut shirk nëpërmjet profetit (a.s), duke e lutur dhe duke kërkuar ndihmë tek varri i tij. Madje ka disa prej tyre (Allahu na ruajtë), që nuk kërkojnë gjë prej Allahut të Lartësuar, por kërkojnë nga profeti (a.s) duke menduar se ai i cili i përgjigjet lutjeve dhe kërkesave të tyre është profeti (a.s). Në të vërtetë këta njerëz e kanë humbur fenë e tyre dhe janë treguar mendjelehtë, sepse i Dërguari i Allahut, vetes së tij nuk i sjell as dëm e as dobi. E si do t’u sjellë të tjerëve dobi, kur as për vete nuk ka gjë në dorë? Allahu i Lartësuar e urdhëron profetin (a.s) duke thënë: Thuaj: Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam ëngjëll”, por është një rob prej robërve të Allahut, prandaj për këtë arsye thotë: “Unë ndjek vetëm atë që më shpallet.”[7] Gjithashtu Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër thotë: Thuaj: Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi. Thuaj: Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai. Unë kam për detyrë veç t’ju përcjell atë që më vjen nga Allahu dhe mesazhet e Tij. Kjo pra është detyra ime.”[8] Kur Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin kuranor: Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”.[9] profeti (a.s) i  thirri të afërmit e tij për në besim, derisa tha: Oj Fatime, bija e Muhamedit! Kërko çfarë të duash nga pasuria ime, por unë nuk mund të të ndihmoj tek Allahu.”[10] Deri në këtë gradë?! I flet vajzës së tij, e cila është pjesë e tij dhe brengosej për të, duke i thënë: “por unë nuk mund të ndihmoj tek Allahu”. Kjo thënie e profetit drejtuar asaj, dëshmon se për dikë tjetër është akoma më e vështirë, që profeti (a.s) ta ndihmojë. Ky hadith dëshmon për humbjen nga rruga e drejtë të atyre njerëzve, që i luten profetit (a.s), të cilët i shikon në xhaminë e profetit (a.s) që duke bërë lutje drejtohen nga varri i tij, madje qëndrojnë përpara varrit të tij të heshtur, ose më tepër të përkushtuar, sikur janë duke falur namazin përpara Allahut”.[11]

4 -  Dashuria e Fatimes për profetin (a.s):

Dashuria dhe dhembshuria e Fatimes për profetin (a.s) vërehen mjaft qartë tek fjalët e saj: “Ah, babai im sa shumë po vuan!” apo kur i drejtohet sahabëve, pasi e varrosën të Dërguarin e Allahut: “A u kënaqët duke hedhur dhe mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?!” Po ashtu dashuria e Fatimes për profetin (a.s) vërehet mjaft qartë tek fjalët e Aishes, e cila thotë: “Kur profeti (a.s) u sëmur, me sëmundjen nga e cila edhe vdiq, thirri Fatimen. Ai i tha diçka në vesh dhe ajo filloi të qante, pastaj e thirri dhe i tha diçka tjetër në vesh e ajo filloi të buzëqeshte. Ne e pyetëm për këtë gjë dhe ajo tha: “Profeti (a.s) më tha në vesh, se do të vdesë nga kjo sëmundje dhe prandaj fillova të qaj, pastaj më tha se unë do të jem e para nga familja e tij që do ta ndjek, prandaj buzëqesha”.[12] Vajtimi i Fatimes për vdekjen e të atit dhe buzëqeshja e saj pwr faktin se ajo do të ishte e para që do ta ndiqte atë, dëshmojnë për dashurinë e Fatimes për profetin (a.s) dhe lidhjen e ngushtë ndërmjet fëmijës dhe prindit.

Dashuria, që kishte Fatimja për profetin (a.s), zë fill qysh në fëmijërinë e saj. Tregohet njëherë, se kur profeti (a.s) ishte duke u falur në Qabe, Ukbe ibnu ebi Muit hodhi mbi shpinën e profetit (a.s) të përbrendshmet e devesë. I ndodhur në këtë situatë, profeti (a.s) nuk mund të ngrihej, sepse do të bëhej pis komplet. Më pas erdhi Fatimja, që asokohe ishte akoma një vajzë e vogël. Ajo filloi të pastronte papastërtitë nga shipna e babait të saj dhe qante. Jo rrallëherë ndodhte, që Profeti (a.s) i vinte i pluhurosur, pasi njerëzit i kishin hedhur dhé. Atëherë ajo do të nxitonte e para, që ta pastronte atë në dallim nga motrat e tjera të saj.

Kështu pra, dashuria që ajo kishte për babain e saj nuk rreshti kurrë, qysh në fëmijërinë e saj e derisa ai (a.s) ndërroi jetë.

Epilog:

Megjithëse profetin (a.s) e kishte rënduar jashtëzakonisht sëmundja, prej së cilës ndërroi jetë, ai (a.s) kurrsesi nuk harroi që t’i jepte Umetit të tij porositë e fundit. Në këtë epilog të këtij hadithi po paraqesim disa prej porosive të tij të fundit:

Mosmarrja e varrezave si objekt adhurimi:

“Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët. Nëse vdiste një njeri i mirë ata i bënin ikona  dhe statuja dhe varrin e tij e bënin objekt adhurimi dhe i ndiznin pishtarë. Prandaj ju mos e merrni varrin tim objekt adhurimi, sepse ata që e bëjnë një gjë të tillë janë krijesat më të këqija tek Allahu në Ditën e Gjykimit”.

 

Kujdesi për të falur namazin:

“Urdhërojini njerëzit që të falen, urdhëroni Ebu Bekrin që drejtojë njerëzit në namaz.” Kur vuajtjet i shtoheshin, e vendoste dorën në ujë të ftohtë dhe e lagte fytyrën dhe thoshte: “O Allah më ndihmo nga agonia e vdekjes dhe vuajtjeve të saj. Mos e braktini faljen e namazit, mos e braktisni faljen e namazit”.

 

Sjellja e mirë me gratë:

“Silluni mirë me gratë”

 

Jo dy fe në gadishullin arabik:

“Në gadishullin arabik nuk duhet të ketë dy fe!” Është për të ndjerë një keqardhje të madhe, se në ditët e sotme gjenden më tepër se dy fe. Allahu na ruajtë nga devijimi dhe humbja e rrugës së drejtë.


[1] Transmeton imam Buhariu.

[2] Transmeton imam Muslimi.

[3] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” të dijetarit të shquar Muhamed ibnu Uthejmin.

[4] Marrë nga libri “Delilul Falihin” i Muhmaed ibnu Alanit.

[5] Sure El Uakia: 83 – 87.

[6] Sure El Kijame: 26-35.

[7] Sure El En’amë: 50.

[8] Sure El Xhin: 21-23.

[9] Sure Esh Shuara: 214.

[10] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[11] Marrë nga “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i dijetarit të shquar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

[12] Transmeton imam Buhariu.


Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

25/05/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:09 05:0912:4516:4120:0721:53

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook