By: Rushit Musallari

Nata e Kadrit


Allahu i Madhëruar thotë: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit Mëshirplotit. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”. [Kadr: 1-5].

 

Shpjegimi i sures Kadr

 

Allahu i Madhëruar na lajmëron, se e ka zbritur Kuranin në natën e Kadrit. Ajo është nata e madhe, për të cilën Zoti thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar…”. [Duhan: 3]. Kjo natë është nga netët e muajit të Ramazanit, për të cilën Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani…”. [Bekare: 185]. Ibn Abasi (r.a) thotë: “Allahu e ka zbritur përnjëherësh Kuranin nga “Pllaka e Ruajtur” në qiellin e Krenarisë, që është qielli i kësaj bote, më pas i ka zbritur të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) sipas ndodhive që kanë ndodhur për një periudhë 23 vjeçare”.([1]) Allahu i Madhëruar, duke e lartësuar natën e Kadrit, në të cilën u shpall Kurani, thotë: “E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj”. [Kadr: 2-3]. Muxhahidi thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se 1000 muaj. Puna, agjërimi dhe falja në këtë natë është më e mirë, sesa të punosh, të agjërosh dhe të falesh për 1000 muaj rresht, pa e përfshirë këtë natë në llogari”.([2]) Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “Kur erdhi muaji i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ju erdhi muaji i begatë i Ramazanit. Allahu e ka obliguar agjërimin e ditëve të tij. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, ndërsa shejtanët lidhen me zinxhirë. Në këtë muaj është një natë, e cila ka vlerë më shumë sesa 1000 muaj. Kush nuk përfiton prej saj ka humbur të gjitha mirësitë”.([3])

 

Fjala e Allahut të Madhëruar: “Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet” [Kadr: 4] nënkupton, se zbresin shumë engjëj. Ata zbresin me begatinë dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar, ashtu siç zbresin kur lexohet Kurani apo kur marrin pjesë në tubimet e dhikrit. Ata rrethojnë kërkuesin e diturisë me flatrat e tyre nga kënaqësia që kanë për punën e tij. Fjala “Shpirti” i përmendur në ajet, nënkupton Xhibrilin (Paqja qoftë mbi të), ose një grup engjëjsh. Për fjalën e Allahut të Madhëruar: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit” [Kadr: 5], Muxhahidi thotë: “Kjo është nata e paqes, në të cilën shejtani nuk ka mundësi të bëjë keq dhe as të dëmtojë”.([4]) Shabiu thotë: “Engjëjt u japin selam atyre që janë në xhami, derisa të lindë agimi”.([5])

 

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë për natën e Kadrit: “Ajo është në natën e 27 ose 29. Numri i engjëjve në këtë natë është më i madh sesa numri i guralecëve”.([6]) Po, kjo orë është vërtet paqe. Në këtë orë engjëjt përshëndesin besimtarët me selam dhe zbatojnë urdhërat e Zotit, që janë shpëtim për besimtarët. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) thotë: “Kush e kalon natën e Kadrit në adhurim, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë”.([7]) Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit  në netët teke të 10 ditëshit të fundit të Ramazanit”.([8])

Ubadeh ibn Samit (r.a) tregon, se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) për natën e Kadrit. Ai (Paqja qoftë mbi të) është përgjigjur: “Është në dhjetë ditëshin e fundit të muajt të  Ramazanit”. Me të vërtetë nata e Kadrit është në netët teke. 21të, 23të, 25të, 27të, 29të ose në natën e fundit të muajit Ramazan. Kush e kalon Ramazanin në adhurim, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu i Madhëruar, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë. Nga shenjat e saj janë: natë e qetë, e shndritshme, as e ftohtë as e ngrohtë, pa re, hëna është e pastër, nuk bien yjet (kundër shejtanëve) këtë natë deri në agim dhe lindja e diellit pa rreze, sikur të ishte hënë 14-she. Në këtë ditë shejtanët nuk ngrihen me lindjen e diellit’’.([9])

Aishja (r.a) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të): “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e gjej këtë natë, çfarë duhet të them?” I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) më tha: “Thuaj:

"اللَّهُمَّ إِنَّكَ عُفُوٌّ كَرِيمٌ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّي".

“ALL’LLAHUME IN’NEKE AFU’UN TUHIBUL AFUE FA’FU ANI -O Allah! Ti je Falës i Madh, e do faljen, prandaj më fal mua”.([10])

Said ibn Mensuri, në çdo rast lutej me këto fjalë:

 "عَفْوَكَ يَا عَفُوُّ عَفْوَكَ، فِي الْمَحْيَا عَفْوَكَ، وَفِي الْمَمَاتِ عَفْوَكَ، وَفِي الْقُبُورِ عَفْوَكَ، وَعِنْدَ النُّشُورِ عَفْوَكَ، وَعِنْدَ تَطَايُرِ الصُّحُفِ عَفْوَكَ، وَفِي الْقِيَامَةِ عَفْوَكَ، وَفِي مُنَاقَشَةِ الْحِسَابِ عَفْوَكَ، وَعِنْدَ مَمَرِّ الصِّرَاطِ عَفْوَكَ، وَعِنْدَ الْمِيزَانِ عَفْوَكَ، وَفِي جَمِيعِ الأَحْوَالِ عَفْوَكَ يَا عَفُوُّ عَفْوَكَ".

“AF`UEKE, AF`UEKE JA AFU`U FIL MAHJA AFUEKE, UE FIL MEMATI AFUEKE, UE FIL KUBURI AFUEKE, UE INDEN`NUSHURI AFUEKE, UE INDE TETAJURIS`SUHUFI AFUEKE, UE FIL KIJAMI AFUEKE, UE FI MUNAKASHETIL HISABI AFUEKE, UE INDE MEMARR`RRIS`SIRATI AFUEKE, UE INDEL MIZANI AFUEKE, UE FI XHEMI`IL AHUALI AFUEKE. JA AFU`U AFUEKE – Faljen (shpëtimin, ruajtjen) Tënde, faljen Tënde kërkoj o Falës. Faljen Tënde kërkoj o Falës në këtë jetë; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të ndërroj jetë; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të jem në varr; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të dal prej varrit; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të fluturojnë fletët e librave; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të qëndroj në këmbë para Teje; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të më kërkohet llogari; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të kaloj Siratin; faljen Tënde kërkoj o Falës kur të më peshohen veprat; faljen Tënde kërkoj o Falës për çdo lloj situate dhe vështirësie. Faljen Tënde kërkoj o Falës”. Ebu Amri thotë: “Disa ditë pasi ndërroi jetë Ebu Uthmani, dikush e pa në ëndërr dhe e pyeti: “Cilat nga punët e kësaj jete të kanë bërë dobi? Ai u përgjigj: “Fjalët: “Afueke Afueke”.([11])

 


([1]) - Thënie e vërtetë. Taberiu (2/154), Nesâiu në Kubrâ (7935), Hâkimi (3959), Bejhakiu në Kubrâ (4/306) dhe Ibn Ebi Hatimi (19425). Dhehebiu thotë: “Vargu është i vërtetë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit”.

([2]) – Vargu i thënies është i vërtetë, por është i ndërperë. Abdurrazâku  në Tefsir (2/386) dhe Muhamed ibn Nasr në Kijam Ramadan (241).

([3]) - Hadith i vërtetë. Ahmedi (2/385), Abd ibn Humejdi (1429) dhe Bejhakiu në Shuabul Iman (3328).

([4]) - Thënie e pranuar. Muhamed ibn Nasr (fq 105), Bejhakiu në Shuabul iman (3425) dhe Ibn Ebi Hatim (19429)

([5]) - Thënie e pranuar. Bejhakiu në Shuabul Iman (3424).

([6]) - Hadith i pranuar në dashtë Allahu. Ibn Khuzejmeh (2194), Tajâlisi (2668) dhe Ahmedi (2/519).

([7]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (35, 1901), Muslimi (760) dhe Bejhakiu në Kubrâ (4/306).

([8]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (2017), Muslimi (1169), Tirmidhiu (792) dhe Ahmedi (6/50).

([9]) - Hadith i pranuar. Bejhakiu në Kubrâ (4/311) dhe Ahmedi (5/318).

([10]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (3513), Nesâiu në Kubrâ (10642), Ibn Mâ‎xheh (3850) dhe Ahmedi (6/171).

([11]) - Thënie e vërtetë. Bejhakiu në Shuabul iman (3429).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/09/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:4106:1512:4316:1218:5920:22

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook