Nijeti në agjërim


Hafsa, nëna e besimtareve, transmeton se profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili nuk bën nijet për të agjëruar përpara agimit, atëherë nuk ka agjërim për të”.[1]

           

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith dëshmon, se nijeti është i domosdoshëm në agjërim, ashtu siç është i domosdoshëm në të gjitha adhurimet e tjera. Të gjithë juristët myslimanë dëshmojnë njëzëri për një gjë të tillë. Dijetari i shquar i Islamit Ibnu Tejmije thotë: “Juristët kanë rënë dakord, se adhurimet si: namazi, agjërimi dhe haxhi nuk vlejnë pa bërjen e nijetit”. Agjërimi ka nevojë për bërjen e nijetit, sepse agjërimi është privim nga disa gjëra në një kohë të caktuar. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ishin të urdhëruar që ta adhuronin Allahun me sinqeritet të plotë në fenë e Tij.”[2] Po ashtu profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë veprat varen nga qëllimi dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim.”[3]

Vendndodhja e nijetit është në zemër. Ai i cili vendos që nesër do të agjërojë, nijeti i tij është i vlefshëm. Nijeti konsiderohet i vlefshëm në çdo pjesë të natës, pasi profeti (a.s) thotë: “përpara agimit”. Argument për nijetin është edhe fakti, se agjëruesi çohet në kohën e syfyrit për të ngrënë, por edhe nëse ai nuk ngrihet, nijeti është prezent për çdo mysliman, që e ka bërë zakon që të agjërojë. Ai i cili ha dhe pi me nijetin për të agjëruar, nijeti i tij është i vlefshëm.

Bërja e nijetit përpara agimit ka të bëjë me agjërimin farz[4], sepse Aishja (r.a) thotë: “Njëherë profeti (a.s) hyri në shtëpi dhe tha: A keni gjë për të ngrënë? Jo – u përgjigjëm ne. Atëherë unë po agjëroj – tha ai.”[5] Kërkesa e profetit (a.s) për të ngrënë tregon se ai akoma nuk e kishte bërë nijet për të agjëruar. Ndërsa thënia e profetit (a.s): “Atëherë unë po agjëroj” tregon se ai (a.s) e filloi nijetin gjatë ditës. Një veprim të tillë e kanë vepruar edhe sahabët e nderuar si: Ebu Hurejra, Ibnu Abasi, Hudhejfe ibnu Jeman, Ebu Talha dhe Ebu Darda.

Dijetari i shquar i Islamit Ibnu Tejmije thotë: “Përsa i përket agjërimeve vullnetare, nijeti mund të bëhet edhe gjatë ditës. Për shembull: namazet farze kanë rregulla më strikte se namazet vullnetare[6]. Gjithmonë veprat vullnetare kanë më hapësirë se farzet. Ky është mendimi më i mesëm, që mund të thuhet në këtë çështje”.

Ai i cili bën nijet gjatë ditës që të agjërojë agjërim vullnetar, agjërimi i tij është i vlefshëm. Megjithatë në këtë rast, kemi të bëjmë me agjërim sipas gjuhës së sheriatit vetëm në kohën kur agjëruesi e bën nijetin, ndërsa përpara se të bënte nijetin, agjëruesi nuk ka pasur për qëllim që të kryejë një adhurim, prandaj ai nuk shpërblehet përpara kësaj kohe. Gjithsesi, kusht në nijetin që bëhet gjatë ditës është, që ai që dëshiron të agjërojë, nuk duhet që të ketë ngrënë ose pirë pas daljes së agimit, përndryshe nëse ai ka ngrënë ose pirë pas agimit, nuk i lejohet që të agjërojë.

Gjithashtu edhe personi i cili është i justifikuar (i sëmuri apo udhëtari) ka nevojë të bëjë nijet për agjërim, sepse ai herë agjëron dhe herë të tjera jo. Nëse personi i justifikuar nuk ka agjëruar disa ditë dhe dëshiron të agjërojë, atëherë ai ka nevojë për nijet të ri.

Po ashtu edhe personi që dëshiron të kryejë agjërim kaza, agjërim zotimi apo dëmshpërblimi, duhet të bëjë nijet për të.

Allahu e di më së miri.           


[1] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Ebu Daudi, Ibnu Huzejme, El Bejhaki, En Nesai dhe Et Tirmidhi. Imam Neveviu këtë hadith e ka vlerësuar si të saktë.

[2] Sure El Bejine: 5.

[3]  Transmetojnë imam Buhariu dhe ima Muslimi.

[4]  Në lidhje me këtë çështje, juristët kanë dhënë dy mendime: 1 – përpara agimit; 2 – lejohet edhe pas agimit. Autori me këtë hadith dëshiron të tregojë, se hadithi i sipërpërmendur ka të bëjë me agjërimet vullnetare dhe jo agjërimet farz. (sh. i përkthyesit)

[5]  Transmeton imam Muslimi.

[6] Si për shembull: namazi farz nuk mund ta falësh sipër kafshës e cila është duke ecur gjatë udhëtimit, ndërsa namazin vullnetar lejohet me e falë sipër kafshës që është duke ecur gjatë udhëtimit. Pikërsiht ky është qëllimi i dijetarit të shquar nga kjo fjalë. (sh i pk)

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/12/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:13 06:5311:4213:5816:1817:47

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook