O Zot na jep nga të mirat e Tua
Dy burra të verbër, qëndronin ulur pranë shtëpisë së Zubejde Abasije, e cila ishte e njohur për bujari dhe zemërgjerësi. Njëri prej tyre, lutej herë pas here:”O Zot! Më jep nga të mirat e Tua!”
Kurse tjetri lutej me zë të lartë:”O Zot! Më jep nga të mirat e Zubejde Abasije!”
Zubejde i dëgjonte çdo ditë lutjet e dy të verbërve dhe po çdo ditë, atij që kërkonte mirësitë e Zotit i jepte dy dërhemë, kurse tjetrit i jepte një pulë të pjekur, brenda së cilës fshihte dhjetë dinarë floriri.
Kjo vazhdoi për dhjetë ditë rresht. Ditën e dhjetë, Zubejde Abasije, e mërzitur shkon tek i verbëri të cilit i jepte pulën me dhjetë dinarë floriri brenda dhe i thotë:”A nuk të kanë mjaftuar të mirat tona që kërkon të tjera?!”
I verbëri ia ktheu i habitur:”Pse çfarë më keni dhënë?!”
Zubejde iu përgjigj:”Njëqind dinarë floriri, çdo ditë nga dhjetë dinarë.”
I verbëri tha:”Jo, s’kam marrë asnjë dyshkë. Kam marrë vetëm një pulë të pjekur, të cilën ia shisja bashkëvuajtësit tim për dy dërhemë.”
Pasi u mendua pak, Zubejde shtoi:”Ky kërkoi të mirat tona dhe Zoti e privoi prej tyre, kurse ky tjetri kërkoi të mirat e Zotit, e Ai e furnizoi me të mirat e Tij.”
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.
