Pendimi pranohet deri para vdekjes


Ebu Abdurrahman Abdullah ibnu Umer ibnul Hatab përcjell nga profeti a.s. se ai ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar ia pranon pendesën robit përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt.”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith profetik çel dyert e shpresës për të gjithë njerëzit të cilët kanë devijuar nga rruga e drejtë. Të cilët kanë rendur pas epsheve shtazarake, kanë përqafuar ideologjitë shkatërrimtare dhe që veprimet dhe sjelljet e tyre lënë për të dëshiruar.

Për të gjithë këta njerëz të cilët kanë humbur rrugën e drejtë, porta e pendesës nuk mbyllet. Me një fjalë të shqiptuar nga profeti a.s. bashkohen të gjithë këta njerëz megjithëse i përkasin kulturave, ideologjive, racave dhe kombësive të ndryshme. Fjala “abd” do të thotë“rob”, që nënkupton të gjithë njerëzit që kanë humbur nga rruga e drejtë.

Medito bukurinë e fjalëve të profetit a.s. i cili shprehet me pak fjalë, por që ato kanë një peshë shumë të madhe. Hadithi fillon në mënyrën dëftore për të konfirmuar se Allahu ia pranon pendesën njeriut përderisa nuk i ka ardhur shpirti deri në fyt. Profeti a.s. konfirmon duke thënë: “Me të vërtetë” Ky konfirmim i dhuron qetësi shpirtërore çdokujt që dëshiron të pendohet dhe të kthehet tek Allahu. Folja “jekbelu” që do të thotë “pranon” vjen në kohën e tashme që nënkupton vazhdimësi. Ajo nuk mund të kufizohet në hapësirën kohore dhe as atë gjeografike. Pranimi i pendesës nga ana e Allahut është gjithëpërfshirës nëse njeriu i plotëson kushtet e pendesës së sinqertë. Megjithatë njeriu duhet të pendohet përpara se t’i vijë shpirti në fyt.

Kurani Famëlartë e përcakton mjaft qartë se kur duhet të pendohet njeriu, për të konfirmuar atë ç’ka ka thënë profeti a.s. në këtë hadith. Allahu i Lartësuar thotë: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije e pastaj shpejt pendohen. Të tillëve Allahu ua pranon pendesën. Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti. Nuk është pendim i pranuar i atyre që vazhdimisht bëjnë vepra të këqija. Kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja thotë: Unë tani pendohem. Nuk i pranohet pendesa as atyre që vdesin jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.”[2]

Allahu i Lartësuar i do ata të cilët pendohen dhe ata të cilët pastrohen. Profeti a.s. na nxit që të pendohemi dhe të kërkojmë falje tek Allahu. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra profeti a.s. thotë: “Betohem në emrin e Allahut nëse ju nuk do mëkatonit, Allahu do t’ju largonte dhe në vendin tuaj do të sillte të tjerë të cilët do të mëkatonin dhe pastaj ata do të kërkonin falje tek Allahu, e Allahu do t’i falte.”[3]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Pendesa përpara mbylljes së derës

2 – Parapërgatitja e njeriut për vdekjen

3 – Kujdes nga shprehja: “Kam kohë për t’u penduar”

1 – Pendesa përpara mbylljes së derës:

Ky hadith profetik dëshmon se Allahu i Lartësuar ia pranon pendesën robit të Tij përderisa shpirti nuk i ka mbërritur akoma në grykë. Një gjë të tillë dëshmon edhe Kurani Famëlartë: “Allahu është Pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”[4] “Bëjnë ndonjë të keqe”nënkupton të gjitha mëkatet të voglat dhe të mëdhatë. “Nga padituria” që do të thotë se nga padituria ata mëkatojnë dhe bëjnë vepra të këqija edhe nëse personi që bën një të keqe është në dijeni se ajo është e tillë, sepse çdokush që mëkaton është i paditur dhe çdokush që i bindet Allahut është i dijshëm. Ai i cili e njeh madhështinë dhe fuqinë e Allahut të Lartësuar e ka frikë Atë dhe nuk mëkaton. Disa njerëz të devotshëm kanë thënë: “Nëse njerëzit do të meditonin në madhështinë e Allahut të Lartësuar nuk do të mëkatonin.” Ai i cili bën një mëkat në vend që të kryejë një vepër të mirë, duke kujtuar se më pas ai do të pendohet, quhet i paditur sepse ai në radhë të parë nuk e di në do të ketë kohë që të pendohet sepse vdekja mund t’i vijë në çdo çast. Dhe së dyti, ai ka humbur kënaqësinë që të dhuron kryerja e veprës së mirë. Në këtë rast, ai i ngjan personit që është i uritur dhe ha ushqim të helmuar për të larguar urinë. Kështu, nuk vepron askush përveç atij që është i paditur.

Në komentin e fjalëve të Allahut “Pendohen shpejt” Ibnu Abasi ka thënë: “Pendohen përpara se të sëmuren dhe para se të vdesin.” Kjo do të thotë se koha më e mirë që njeriu të pendohet është kur gëzon shëndet të plotë përpara se të sëmuret, sepse kur është i shëndetshëm ka mundësi të bëjë vepra të mira. Prandaj në shumë ajete kuranore lexojmë që kur është përmendur pendesa, ajo është shoqëruar edhe me punën e mirë.

Gjuetia e mendimeve:

Imam Ibnul Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) thotë:

Mëkatet e mbulojnë zemrën. Nëse pasqyra e zemrës errësohet, drita e udhëzimit nuk ka se si të shfaqet. Ai i cili e di dëmin e mëkatit, realisht pendohet.

O ti mëkatar! A të janë tharë lotët?! O ti i burgosur i mëkateve! Qaj për mëkatet që ke kryer. Mjerë për ty që vdekja po të vjen dhe ti akoma nuk je penduar. Dëshpërim për ty që je ftuar për t’u penduar, por ti nuk i je përgjigjur ftesës. Çfarë do të bësh kur të largohesh nga kjo botë, ndërkohë që ti nuk je përgatitur? A nuk ishe ti që ke bërë mëkate të mëdha dhe nuk kishe frikë?!

Mjerë për atë njeri që sa më shumë mëkaton aq më pak kërkon falje dhe sa më shumë i afrohet varrit aq më shumë plogështohet për të kryer vepra të mira.

2 – Parapërgatitja e njeriut për vdekjen:

Përderisa njeriu jeton, ai asnjëherë nuk i humbet shpresat nga kjo botë. Ai e ka shumë të vështirë, madje nuk dëshiron që të shkëputet nga kënaqësitë dhe dëshirat shfrenuese të kësaj bote. Ndërkohë që shejtani i mallkuar i pëshpërit atij në vesh duke i thënë që ka mundësi të pendohet në fund të jetës. Mirëpo në çastin kur i vjen vdekja dhe i ka humbur shpresat nga kjo botë, pendohet nga ai gaflet që e kishte kapluar. Dëshiron të kthehet përsëri në këtë botë e të bëjë vepra të mira, por nuk ka kthim mbrapa. Agonia e vdekjes dhe dëshpërimi janë dy shoqëruesit e tij të rinj. Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë u ka tërhequr vëmendjen robërve të Tij, që të kenë shumë kujdes e të mos bëhen pre e kurtheve të shejtanit dhe mashtrimeve të kësaj bote, kur të mos të kenë mundësi kthimi mos të dëshpërohen. Allahu i Lartësuar thotë: “Kthehuni tek Zoti juaj dhe dorëzojuni Atij përpara se t’ju vijë dënimi dhe ju nuk ka kush t’ju ndihmojë. Ndiqni atë që më të mirën që ju ka zbritur nga Zoti juaj përpara se t’ju vijë dënimi krejt papritur dhe ju nuk e ndjeni. Kur njeriu të thotë: O mjerë unë që nuk e adhurova Allahun, ndërkohë që unë tallesha.”[5] “Derisa t’u vijë vdekja dhe të thotë: O Zot, më kthe që të bëj punë të mira. Jo kurrë (ai nuk do të kthehet).”[6] “Jepni nga ajo që ju kemi furnizuar përpara se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja e të thotë: O Zot, nëse më jep afat të jetoj edhe pak që të jap sadaka dhe të jem prej njerëzve të mirë. Mirëpo Allahu nuk ia vonon askujt exhelin kur të vijë. Allahu është i Gjithdijshëm për atë që veproni.”[7] Në një hadith të transmetuar nga Ebu Seid El Hudri, profeti a.s. shprehet: “Shejtani thotë: O Zot, do të vazhdoj t’i mashtroj robërit e Tu përderisa shpirtrat janë akoma në trupat e tyre. Zoti thotë: Betohem në Madhështinë Time se Unë do t’i fal ata përderisa kërkojnë falje.”[8]

Tregohet njëherë se një njeri i pasur nga qyteti i Basrës kishte hipur në anije. Një ditë ai po pinte alkool dhe po dëgjonte me ëndje muzikën e një skllaveje. Në anije ishte edhe një njeri i varfër por i devotshëm. I pasuri i drejtohet atij me këto fjalë: Sa bukur?! Mirëpo i varfri i tha: Ka më bukur se kaq dhe i lexoi ajetin kuranor: “Thuaj: kënaqësia e kësaj bote është e pakët. Ndërsa bota tjetër është më e mirë për atë që ka frikë. Ju nuk do t’ju bëhet fare padrejtësi. Kudo që të jeni do t’ju vijë vdekja edhe nëse do të jeni në kulla të fortifikuara”. [9] I pasuri tha: Dëshmoj se kjo është gjëja më e mirë që kam dëgjuar. Më thuaj diçka tjetër! Po – tha i varfëri, pastaj lexoi ajetin kuranor: “Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj. Kush dëshiron të besojë e kush të dojë të mohojë. Për zullumqarët kemi përgatitur një zjarr të madh që i përfshin”[10] Kur i pasuri dëgjoi këtë fjalë e hodhi alkoolin dhe i bëri me shenjë skllaves që të largohej. Pastaj iu drejtua të varfrit: a ka shpëtim? Po – tha ai, dhe lexoi ajetin kuranor: “Thuaj: O robërit e Mi që e keni mbushur veten plot me mëkate, mos i humbisni shpresat nga mëshira e Allahut. Me të vërtetë Allahu i fal të gjitha mëkatet. Me të vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues.”[11] Kur i pasuri dëgjoi këto fjalë i ra të fikët e më pas vdiq. Allahu e mëshiroftë.

Njeriu duhet të pendohet sa më parë që të jetë e mundur dhe po ashtu të përkushtohet sa më shumë në adhurim para se të sëmuret në shtratin e vdekjes. Megjithatë ai i cili sëmuret në shtratin e vdekjes nuk duhet të reshtë së kërkuari falje dhe të pendohet tek Allahu. Nuk ka gjë më të mirë për njeriun se ai të ndërrojë jetë duke qenë i penduar dhe duke kërkuar falje. Nëse ka qenë mëkatar, atëherë me pendesën e tij, mëkatet i falen. Dhe nëse ka qenë i devotshëm, mirësia i shtohet më tepër. Duke qenë njeriu në këtë gjendje, duhet ta përmendë sa më shumë Allahun sidomos Dëshminë. Sepse ai njeri fjala e fundit e të cilit është shehadeti hyn në Xhenet. Të parët tanë (Selef es Salih) kur shikonin që një njeri vdiste pasi kishte kryer një vepër të mirë si p.sh: pasi ishte falur, apo një dite agjërimi..etj, shpresonin që ky njeri të ishte prej banorëve të Xhenetit. Vetë ata e mbyllnin këtë jetë duke bërë shumë istigfar dhe duke thënë shehadetin.

3 – Kujdes nga shprehja: “Kam kohë për t’u penduar”:

Fatkeqësia më e madhe për njeriun është kur ai thotë: kam kohë për t’u penduar, do t’i lë mëkatet dhe do të pendohem. Kjo është barrikada e vendosur ndërmjet njeriut dhe kthimit për tek Allahu i Lartësuar.

O njeri!

Deri kur do të vazhdosh të jesh i zhytur në mëkate?

Deri kur do të vazhdosh t’i kthesh shpinën rrugës së shpëtimit?

Deri kur do të vazhdosh të adhurosh shejtanin?

Deri kur ...

Sa e sa mëkatarë kanë thënë do të pendohem, mirëpo vdekja u  ka ardhur papritur dhe ata nuk e kanë ndjerë?! Ata janë penduar, mirëpo jo në kohën e duhur sepse pendimi nuk vlen më pasi njeriut i ka ardhur shpirti në fyt. Pas këtij momenti ata i ka kapur dëshpërimi dhe pendimi mirëpo ky nuk vlen. Një njeri i mençur ka thënë: “Avashllëku është i mirë në çdo rast përveç në tre momente: kur vjen koha e faljes së namazit, kur varroset i vdekuri dhe pendesa pas kryerjes së mëkatit.”

O njeri!

A je i sigurt nga vdekja?

A e di se kur do të vdesësh?

A ka paralajmëruar vdekja ndokënd?

A ka pritur vdekja ndokënd?

Sa mëkatarë, të cilët kur i pyet se përse nuk pendohen, thonë: më lini të qetë të shijoj rininë time, kur të plakem do të pendohem dhe do të bëhem një adhurues i mirë. Një njeri i tillë dhe sa të tjerë si puna e tij janë të mashtruar, përderisa gëzojnë shëndet të plotë. Mirëpo, harrojnë se vdekja nuk bën dallimin ndërmjet të voglit dhe të madhit. Sa e sa fëmijë të vegjël e të rinj kanë vdekur?! Dhe sa e sa pleq kanë jetuar në një moshë relativisht të madhe?! Të tillë njerëz kanë krijuar iluzione të kota, ata janë zgjuar kur ju ka ardhur vdekja mirëpo a vlen më pendimi pas saj?

Kjo nuk do të thotë që myslimani të braktisë jetën e kësaj bote dhe vetëm të falet e të kryejë adhurimet, e pastaj të vdesë i uritur me argumentin se ai ka qenë duke adhuruar Allahun. Jo, myslimani duhet të jetë krenar në këtë botë dhe nuk duhet t’i shtrijë dorën askujt. Përkundrazi, Allahu dëshiron që myslimani të jetë i tillë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kërko atë që të ka dhënë Allahu nga bota tjetër, por mos harro hisen që ke në këtë botë dhe sillu mirë, ashtu siç është Allahu Bamirës ndaj teje.”

Koha e rinisë është shumë e shkurtër. Ajo është koha e punës dhe aktivitetit në vepra të dobishme për të përfituar në të dy botët. Myslimani duhet ta shfrytëzojë rininë e tij në kënaqësinë e Allahut përpara se t’i vijë vdekja.

O njeri!

Bëj kujdes nga shprehja: “do të pendohem” sepse “do të” është arma më e fortë e armikut tënd të përbetuar, shejtanit të mallkuar. Ai vazhdon të të ftojë që të pendohesh më vonë derisa krejt papritur të të vijë vdekja dhe ti akoma nuk je penduar.

Ruaju nga shkujdesja që të ka kapluar përpara se të vijë engjëlli i vdekjes e të zgjojë! E pastaj të thuash: “O Zot, më kthe pas që të bëj punë të mira!” mirëpo përgjigja do të jetë: “Jo kurrë, kjo është fjala që thotë ai. Pas tyre është Berzehu (bota e varrit) deri në Ditën kur do të ringjallen.”

Kur të vijë vdekja hiqet perdja nga sytë dhe mëkatarët do ta dinë se i pret ndëshkimi i ashpër. Momenti i vdekjes është momenti që disa njerëz do të lumturohen dhe shumë të tjerë do të dëshpërohen.

Le të meditojmë pak në jetën tonë të përditshme. Detyra jonë është që të pendohemi sa më shpejt e mos të bazohemi fare tek shprehja “kam kohë të pendohem”, sepse kjo shprehje e bën zemrën të zezë si pasojë e mëkateve të shumta.

Detyra jonë është të bëjmë punë të mira, të gjykojmë vetet tona përpara se të gjykohemi, të peshojmë veprat tona me peshojën e Islamit, të pendohemi sa më shpejt nga mëkatet dhe të ruhemi nga shprehja: “kam kohë për t’u penduar”

O Zot, kërkojmë mbrojtje prej Teje nga veprat e këqija që kemi vepruar.

Epilog:

Njëherë, imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) po ecte në rrugë kur shikon një njeri që i ndalte njerëzit në rrugë dhe me forcë u merrte paratë. Kur imami u fut në xhami për t’u falur, u habit kur brenda pa të njëjtin njeri që po falej. I afrohet dhe i thotë: O njeri! Sjellja jote është shumë e urryer tek Allahu. Allahu nuk ta pranon namazin. Hajduti i tha: O imam! Ndërmjet meje dhe Allahut ka shumë dyer të mbyllura, por unë dëshiroj që një derë të jetë e hapur.

Pas disa muajsh imam Ahmedi shkon në Meke për të kryer Haxhin. Gjatë tavafit, ai pa një njeri që ishte kapur pas mureve të Qabes duke thënë: O Zot, jam penduar, më mëshiro, nuk do t’i kthehem më mëkatit që kam bërë.

Imami pasi e vështroi atë me kujdes, u kujtua se ai ishte hajduti që u kishte prerë rrugën njerëzve. Imami tha me vete: “la një derë të hapur, e Allahu ia hapi të gjitha dyert.”

Bëj kujdes nga mbyllja e të gjithë dyerve ndërmjet teje dhe Allahut të Lartësuar edhe nëse ke kryer shumë mëkate. Ndoshta një derë që e ke lënë hapur mund të jetë shkak që të hapen edhe dyert e tjera.

 

 

 

 

 


[1] Transmeton imam Et Tirmidhi. Hadithi është Hasen. I këtij mendimi është edhe dijetari i shquar i hadithit Albani.

[2] Sure En Nisa: 18-19.

[3] Transmeton imam Muslimi.

[4] Sure En Nisa: 17.

[5] Sure Ez Zumer: 54-56.

[6] Sure El Mu’minun: 99-100

[7] Sure El Munafikun: 10-11.

[8] Këtë hadith imam Albani e ka vlerësuar si të saktë.

[9] Sure En Nisa: 77-78.

[10] Sure El Kehf: 29.

[11] Sure Ez Zumer: 53.

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/12/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:13 06:5311:4213:5816:1817:47

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook