By: Tarik Suvejdan

Përhapja e Krishterimit në Gadishullin Arabik


Gjatë sundimit të Dhu Nuvas, në Nexhran ndodh diçka e papërfillshme, por që më pas bëhet shkak për një kalavar zhvillimesh në të gjithë Gadishullin Arabik. Në Nexhran,  gjendej një murg i krishterë monoteist, me emrin Femion. - Jo vetëm asokohe, por edhe në ditët tona, ekzistojnë përkrahës së monoteizmit mes të krishterëve, siç janë uniterianët.- Murgu në fjalë, ishte nisur për në Afrikë, për të përhapur monoteizmin. Gjatë rrugës, sulmohet nga një bandë kusarësh, të cilët e marrin dhe e shesin si skllav tek një burrë nga Nexhrani. Ai e merr dhe e dërgon në Gadishullin Arabik. Kështu, murgu Femion u shndërrua në një skllav. Përveç angazhimeve të përditshme si skllav, ai manifestonte përkushtim dhe adhurim të madh karshi Zotit. Nga ky përkushtim dhe adhurim, i ndodhnin dhe mrekulli dhe gjëra të pazakonta. Një ditë, padroni i tij shkoi ta thërrasë tek dhoma ku jetonte dhe e gjeti vendin përreth gjithë dritë. I habitur nga kjo, e pyeti se kush ishte dhe në çfarë besonte. Menjëherë murgu Femion filloi t’i flasë mbi krishterimin. Edhe pse i dukej diçka logjike, padroni u luhat.

Banorët e Nexhranit, asokohe adhuronin një pemë, të cilës i kishin atribuuar cilësi hyjnore. Duke e ditur besimin e verbër të njerëzve tek kjo pemë, Femioni e pyeti padronin:”Nëse Zoti im e shkatërron zotin tënd, a do e adhurosh Atë?”

Padroni iu përgjigj:”Nëse ndodh kjo, padyshim që Zoti yt është i vërtetë dhe do e adhuroj Atë.” Atëherë murgu Femion i kërkoi të mbledhë të gjithë njerëzit pranë pemës. Pasi ishin grumbulluar banorët nga të katër anët, murgu Femion filloi të lusë Zotin me përkushtim dhe përgjërim. Zoti ia pranoi lutjet dhe në një moment një rrufe e djeg të gjithë pemën, që adhuronin banorët e Nexhranit. Meqë zoti i tyre u dogj, të gjithë banorët e Nexhranit përqafuan Krishterimin.

 

Si depërtoi Krishterimi në Jemen

Një nga banorët e Nexhran, Abdullah ibnu Thamir, bashkë me disa miq dhe murgjër të krishterë, e lënë Nexhranin dhe vendosen në Jemen. Atje, ata ndiqnin fenë e krishterë, por në fshehtësi, pasi u frikësoheshin hebrenjve.

Mbreti Dhu Nuvas, kishte një duzinë magjistarësh dhe fallxhorësh të cilët i përdorte për qëllimet e tij. Ai zgjodhi magjistarin më të madh, që banonte në një majë mali dhe i kërkoi që magjinë t’ia mësojë dhe lërë si trashëgimi një të riu të zgjedhur prej tij.

Një nga murgjërit e ardhur nga Nexhrani, banonte pranë rrugës që djali i ri përshkonte për tek mjeshtri i tij magjistar në majë të malit. Gjatë rrugës, i riu dëgjonte pëshpëritjet dhe lutjet e murgut, gjë e cila i pëlqente dhe herë pas herë qëndronte duke e dëgjuar më kërshëri. Me kalimin e kohës, i kërkoi murgut që t’i mësojë mbi fenë e tij. Duke dëgjuar mbi fenë e murgut, i riu filloi ta urrejë magjistarin dhe shpesh herë qëndronte tek murgu, duke mos vajtur fare tek magjistari. Duke vërejtur mungesat e shumta, magjistari vë në dijeni mbretin, i cili menjëherë filloi hetimet dhe zbuloi se djali qëndronte me murgun në shpellë. Ai e mori murgun filloi hetimet mbi ideologjinë dhe fenë e tij, por murgu nuk tregoi asgjë. Atëherë mbreti e vrau. Mandej merr djalin e ri në pyetje, por edhe ai refuzoi t’i tregojë. I zemëruar urdhëron që djali të mbytej në det. Ushtarët e mbretit e marrin në një varkë dhe nisen në thellësi për ta mbytur në det. Në gjysmë të rrugës vjen një dallgë e madhe, e mbyt varkën bashkë me ushtarët, kurse vetë djali shpëton. Mbreti urdhëron që djali të vritet duke e hedhur nga një mal i thepisur. Kur mbërritën tek gremina, fillon të dridhet toka. Si rrjedhojë të gjithë ushtarët bien në greminë, kurse djali shpëton sërish. Mbreti bëhet si i xhindosur nga këto ndodhi. Duke ndjerë se koha ishte e volitshme, djali i thotë mbretit:”Ti nuk mund të vrasësh mua, vetëm se nëse vepron ashtu siç të them. Të grumbullosh të gjithë njerëzit, të më lidhësh mbi një pemë, të marrësh harkun dhe kur ta lëshosh shigjetën të thuash me zë të lartë:”Me emrin e Zotit të djaloshit!” Nëse shigjeta më godet, do të më vrasë.

Menjëherë mbreti Dhu Nuvas grumbulloi të gjithë njerëzit, e lidhi djalin tek një pemë, mori harkun, tendosi shigjetën dhe me zë të lartë thirri:”Me emrin e Zotit të këtij djaloshi” dhe e lëshoi. Shigjeta e qëlloi djaloshin, të cilin e la të vdekur në vend.

Një ndodhi e tillë, padyshim la mbresa tek njerëzit prezentë. Mbreti me gjithë pushtetin dhe ushtrinë e tij, kishte dështuar në vrasjen e këtij djaloshi. Me të thënë ato fjalë magjike, fjalë ku pranohej ekzistenca e një Zoti të vetëm dhe ndryshe nga ai që besonin, djali kishte mbetur i vdekur. Brenda asaj dite, përqafuan Krishterimin njëzet mijë frymë. Kjo, për shkak se një djalosh i përkushtuar në rrugën e Zotit, pranoi të vetësakrifikohej, me qëllim që njerëzit të prezantoheshin me fenë e vërtetë.

Fakti që njëzet mijë njerëz përqafuan Krishterimin, e tërboi mbretin Dhu Nuvas. Diçka e tillë ishte fyese për të, pasi nuk i kishin marrë leje dhe nuk e kishin pyetur. Si ndëshkim, ai urdhëroi të hapeshin hendeqe, në të cilat duhej ndezur zjarr i madh. Njerëzit që nuk pranonin të braktisnin Krishterimin, do të hidheshin në zjarr. Të gjithë të krishterët e rinj, refuzuan t’i ktheheshin, kështu u dogjën në zjarr njëri pas tjetrit.

Këtë ndodhi, e ka përjetësuar Zoti në Kuran dhe profeti Muhamed a.s në një hadith të gjatë. Profeti a.s cek dhe rastin e një nëne me foshnjën e sa për gjiri. Kur erdhi momenti për ta hedhur në zjarr, ajo hezitoi. Si mund të pranonte që foshnja e saj e pafajshme, në atë moshë të njomë të hidhej në zjarr?! Në atë çast, foshnja e saj, me një mrekulli hyjnore, flet dhe i jep asaj kurajo, duke i thënë:”O nënë! Hidhu në zjarr bashkë me mua, pasi je shumë pranë xhenetit!”

Kjo ndodhi, përmendet në Kuranin fisnik, në suren Buruxh.

“Për qiellin me yjësi, për Ditën e premtuar, për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet! Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij – mbreti Dhu Nuvas, oborrtarët dhe ushtarët e tij qëndronin të ulur duke bërë sehir -  duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,  - nuk ishte konflikt interesash, pushteti apo pasurie. Ishte konflikt dhe ndëshkim thjesht sepse kishin ndjekur fenë e vërtetë - të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje..” (Buruxh, 1-9)

Nga njëzet mijë frymë njerëz që u hodhën në zjarr dhe u sakrifikuan, shpëton një burrë i vetëm, me emrin Deus ibnu Thaleban. Ai arriti t’u shpëtojë ushtarëve dhe mori arratinë drejt dunave me rërë të shkretëtirës. Për shkak të terrenit të vështirë, ushtarët jemenas e lanë.

I gjendur krejtësisht i vetmuar dhe i tmerruar për atë që i kishin parë sytë, Deus fillon të mendojë për dikë që mund t’i vijë në ndihmë. Duke qenë se Cezari romak ishte i krishterë dhe i plotfuqishëm territoret e tij, mendoi se ai mund t’i gjendej. Kështu, vazhdoi të udhëtojë derisa më në fund mbërriti tek Cezari, të cilit i qau hallin dhe i rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur me të krishterët në Jemen. Kjo ngjarje e zemëroi dhe nevrikosi shumë Cezarin, por ngaqë Jemeni ishte shumë larg, nuk e ndihmoi drejtpërdrejt. Megjithatë, Cezari i dha një letër që t’ia dërgojë mbretit abisinas Nexhashi, i cili ishte gjithashtu i krishterë dhe ndodhej pranë Jemenit. Bashkë me letrën, Cezari i dha dhe disa ushtarë shoqërues. Me të marrë letrën në dorë, Nexhashiu u zemërua shumë nga ajo që u kishte ndodhur të krishterëve në Jemen. Menjëherë ai urdhëron të mblidhej ushtria me shtatëdhjetë mijë luftëtarë. Kurrë më parë Gadishulli Arabik nuk kishte parë një ushtri aq të madhe. Komandanti kryesor i ushtrisë ishte një burrë me emrin Urjat. Sakaq, një komandant tjetër i nivelit të ulët, ishte një burrë me emrin Ebreha, protagonist i shumjeve të mëpasme. Ushtria kaloi në Jemen me anë të anijeve në detin e Kuq. Mes ushtrisë jemenase me në krye mbretin Dhu Nuvas ibnu Tubba dhe ushtrisë abisinase, u zhvillua një betejë e përgjakshme.  Abisinasit e thyen ushtrinë e Jemenit duke e fituar betejën. Vetë mbreti Dhu Nuvas nuk pranoi të dorëzohej, por u hodh në det. Abisinasit iu qepën pas ta kapin të  gjallë, por duke ndjerë se po i afrohen, mbreti u vetëvra. Arabët e kishin për turp të vriteshin nga armiqtë.

 

Pershtati: Elmaz Fida

 

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/10/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:12 06:4412:3415:3918:1119:33

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook