Porta e pendeses gjithmone hapur


Ebu Hurejra transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar qesh me dy persona, që luftojnë ndaj njëri-tjetrit. Njëri e vret tjetrin, mirëpo që të dy hyjnë në Xhenet. Njëri prej tyre lufton në rrugë të Allahut, vritet dhe hyn në Xhenet, kurse vrasësi e pranon Islamin dhe Allahu e fal, më pas ai bie dëshmor.”[1]

Shpjegimi i Hadithit:

Ky hadith profetik fillon me përgëzimin hyjnor: “Allahu i Lartësuar qesh me dy persona, që luftojnë ndaj njëri-tjetrit.” Njëri prej dy personave është musliman, bie shehid (dëshmor) dhe si rrejdhojë hyn në Xhenet. Tre foljet: “qesh, vret, hyjnë” janë përdorur në kohën e tashme, ç’ka dëshmon se gjithmonë ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve do të ketë luftra, por megjithatë porta e pendesës do të qëndrojë gjithmonë e hapur dhe se për atë që pranon fenë, Islami ia fshin të gjitha mëkatet e mëparshme. Por lind pyetja: “Si hyn në Xhenet vrasësi jobesimtar?” Për vrasësin, porta e pendesës është akoma e hapur. Allahu ka përgatitur më të mirën për të. Ai pranon fenë Islame dhe më pas bëhet edhe ai luftëtar, lufton njëlloj si personi që e ka vrarë dhe në fund edhe ai vetë vritet në luftë, duke rënë shehid. Atëherë edhe përfundimi i tij është Xheneti. Ky hadith flet për një realitet, që ka ndodhur në kohën kur ka jetuar profeti (a.s), pasi një numër i madh njerëzish të cilët kishin qenë idhujtarë, përqafuan fenë Islame dhe u bënë mbrojtësit më të fuqishëm të fesë. Në ditët në vazhdim, shumë njerëz përqafuan fenë Islame, megjithëse kishin luftuar kundra kësaj feje. Shembull tipik i kësaj që po themi janë luftëtarët persë, bizantët, mongolët, tatarët e shumë të tjerë. Nuk ka dyshim, se Allahu i Lartësuar e përhap fenë e Tij kudo në të gjithë rruzullin tokësor. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse këtë gjë e urrejnë jobesimtarët.”[2]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Pohimi i qeshjes së Allahut të Lartësuar.

2 – Vlera e të rëndit dëshmor në rrugë të Allahut

3-   Mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij.

4 – Motivimi. 

 

1 – Pohimi i qeshjes së Allahut të Lartësuar:

Në këtë hadith, profeti (a.s) pohon e thotë: “Allahu i Lartësuar qesh me dy persona” Dijetarët e Ehli Sunetit dhe Xhematit pohojnë cilësinë e qeshjes së Allahut të Lartësuar. Kjo e qeshur, nuk i ngjan absolutisht qeshjes së krijesave. E qeshura e Tij ndodh për një urtësi të caktuar, si në rastin e këtij hadithi: Një jobesimtar vret në luftë një besimtar, ç’ka në të vërtetë meriton ndëshkimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Por kur ky jobesimtar bëhet besimtar, ai pendohet tek Allahu, pastaj bie dëshmor në rrugë të Allahut dhe hyn në Xhenet.

Disa njerëz e komentojnë të qeshurën e Allahut, se ajo do të thotë kënaqësi ose pranim dhe se këtu nuk kemi të bëjmë me qeshje. Në të vërtetë ky mendim është krejt i gabuar, sepse është mohim i fjalës së profetit (a.s), i cili ka pohuar se Allahu i Lartësuar qesh. Prandaj ky mendim nuk merret fare për bazë.

Atributi i të qeshurit nuk do të thotë që e qeshura e Allahut të krahasohet me të qeshurën e krijesave, sepse e qeshura e Allahut është komplet ndryshe nga e qeshura e krijesave. Allahu i Lartësuar ka një të qeshur, që i takon vetëm Atij, ndërsa krijesat qeshin por ndryshe nga e qeshura e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.”[3] Ne nuk na lejohet aspak që të mendojmë, se cilësitë dhe atributet e Allahut janë të ngjashme me cilësitë tona.

2 – Vlera e të rëndit dëshmor në rrugë të Allahut:

Ai që be dëshmor në rrugë të Allahut, ka shpërblim shumë të madh. Ibnu Abdul Berr thotë: “Nga ky hadith del në pah, se kushdo që vritet dhe bie dëshmor në rrugë të Allahut, ka për të hyrë në Xhenet”.[4]

Ka shumë ajete nga Kurani, që flasin për shpërblimin e dëshmorit. Një prej këtyre ajeve është fjala e Allahut në Kuran: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, ata janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë ende martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas). Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve”.[5]

Dijetari i madh Iz ibnu Abdus Selam thotë: “Duke qenë se dëshmorët japin jetën e tyre për hir të Allahut, Allahu ua zevëndëson atë me një jetë më të mirë. Gjëja më e mirë që njeriu mund të japë, është shpirti dhe pasuria e tij”.

Profeti (a.s) thotë: “Allahu e garanton atë, i cili ka dalë në rrugë të Tij, duke thënë: Ai i cili del në luftë në rrugën Time, duke besuar tek Unë dhe tek të Dërguarit e Mi, Unë i garantoj atij hyrjen në Xhenet, ose ai kthehet me shpërblim të madh apo plaçkën e luftës në shtëpinë e tij”. Pastaj profeti (a.s) vazhdon dhe thotë: Betohem në emër të Atij, në dorën e të Cilit është jeta ime, se në ditën e Gjykimit, plaga e marrë në rrugë të Allahut do të shfaqet e tillë, do të ketë ngjyrën e gjakut por me erën e miskut. Betohem në emër të Atij, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se sikur mos t’ia rëndoja barrën muslimanëve, kurrë nuk do të mungoja në asnjë ekspeditë në rrugë të Allahut. Por unë nuk mund ta gjej një hapësirë të tillë, sepse ndryshe do t’ia rëndoja barrën, kështu që edhe ata nuk do të mungonin dhe do të ndjeheshin ngushtë, nëse do të kundërshtonin veprimin tim. Betohem në emrin e Atij, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se do të kisha dëshirë që të luftoja në rrugë të Allahut e të vritesha. Pastaj të luftoja dhe të vritesha. Pastaj të luftoja dhe të vritesha”.[6]

Me këtë ilustrim kaq të mrekullueshëm e përshkruan profeti (a.s) shpërblimin e luftëtarit në rrugën e Allahut, personit i cili jep jetën dhe pasurinë e tij për çështjen e fesë. Nuk ka shpërblim më të madh dhe gradë më të lartë, se ajo që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për luftëtarët në rrugë të Tij! Ajo është jeta e përjetshme në Xhenetin e amshueshëm, që Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për luftëtarët në rrugë të Tij. Ata janë të gjallë edhe pas vdekjes. Kjo është një dëshmi nga Allahu i Lartësuar për ta. Hadithi profetik flet mjaft qartë, se Allahu i Lartësuar i ka garantuar Xhenetin luftëtarit të sinqertë, që beson tek profeti dhe premtimi i Allahut. Kur e kanë pyetur profetin (a.s) për një person, që lufton që të tjerët të thonë për të se ai është trim, për të përfituar nga plaçka e luftës, ose për të mbrojtur me fanatizëm farefisin e tij, ai është përgjigjur me këto fjalë: “Vetëm ai që lufton (me armikun) vetëm për dominim dhe epërsi të fjalës së Allahut (fesë së Tij - Islamit), vetëm ai është në rrugë të Allahut”.

Në përfundim të këtij hadithi, profeti (a.s) betohet, se ai do të kishte shumë dëshirë që të merrte pjesë në çdo luftë, por duke qenë se i vinte keq për umetin e tij, nuk ka marrë pjesë fare në disa prej luftrave, që janë zhvilluar.

           

3  - Mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij:

Mirësia dhe bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij është e pakufishme. Kjo mirësi dhe bujari dallohet shumë qartë në këtë hadith. Muslimani, i cili vritet në luftë nga një jobesimtar, bie dëshmor dhe Allahu e shpërblen me Xhenet. Më vonë, Allahu e udhëzon jobesimtarin në rrugë të drejtë, pastaj ai merr pjesë në luftë dhe vritet, duke rënë dëshmor. Allahu e shpërblen atë me Xhenet. Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë.

4 – Motivimi:

Në këtë hadith, profeti (a.s) ka përdorur motivimin dhe nxitjen duke thënë: “Allahu i Lartësuar qesh me dy persona, që luftojnë ndaj njëri-tjetrit. Njëri e vret tjetrin, mirëpo që të dy hyjnë në Xhenet”. Hadithi aludon, se njeriu duhet të pendohet nga mëkati që ka kryer, edhe nëse mëkati është i madh. Njeriu asnjëherë nuk duhet t’i humbë shpresat nga mëshira e Allahut, sepse Allahu është Pranues i pendesës dhe Mëshirues. Nëse Allahu i Lartësuar me mirësinë e Tij e pranon pendesën, atëherë shlyerja e mëkatit është shumë e thjeshtë, sado i madh që të jetë ai.  Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Zoti yt është Falës shumë i madh”[7] Një poet ka thënë:

O njeri mos i humb shpresat nga mëkati i madh

Nëpërmjet faljes mëkati i madh bëhet i vogël

Prandaj thirrësi në rrugë të Allahut duhet që t’i nxisë gjithmonë njerëzit që të mos i humbin shpresat nga mëshira e Allahut. Ata duhet t’i ftojnë njerëzit tek begatitë që Allahu ka përgatitur për besimtarët e devotshëm. Kjo thirrje e tyre i bën ata që të përveshin mëngët dhe me seriozitet të zbatojnë urdhëresat e Allahut që të fitojnë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

           

Epilog:

Uahsh ibnu Harb ishte skllav i Xhubejr ibnu Mat’imit. Në betejën e Bedrit xhaxhai i Xhubejrit ishte vrarë. Kështu që Xhubejri për t’u hakmarrë i thotë Uahshit: “Nëse ti e vret Hamzën, xhaxhain e Muhamedit, atëherë do të të jap lirinë”.

Pikërisht kështu ndodhi. Gjatë zhvillimit të betejës së Uhudit, ndërsa Hamzai luftonte me trimëri të pashoqe, Uahshi gjuante rastin më të volitshëm për ta goditur Hamzën. Kur ai rast erdhi, Uahshiu e goditi me shtizë që rezultoi vdekjeprurëse për Hamzën, xhaxhain e profetit (a.s). Më pas Uahshi shkoi në Meke dhe mori lirinë e premtuar.

Kur u çlirua Meka, Uahshi iku për në Taif. Kur një delegacion nga Taifi u nis për në Meke që të pranonin Islamin, Uahshi vendosi që të nisej për në Sham ose Jemen. Por një burrë i tha: “Muhamedi nuk vret askënd që hyn në fenë e tij”. Pas kësaj, Uahshi hyri në Meke, duke qenë shumë i kujdesshëm derisa u afrua mbi kokën e profetit (a.s) dhe tha: “Esh’hedu en la ilahe il la llah, ue en ne Muhameden resulullah” Profeti (a.s) ngriti kokën dhe kur e pa se ishte Uahshi, e largoi vështrimin nga ai dhei tha: “A ti je o Uahsh?” Po, o i Dërguar i Allahut – u përgjigj ai. Profeti (a.s) i tha: “Ulu dhe më rrëfe se si e vrave Hamzain?” Uahshi ia rrëfeu historinë e vrasjes së Hamzait profetit (a.s) fije për pe. Pasi profeti (a.s) e dëgjoi, i tha: “Mjerë ti o Uahsh! Largohu prej meje, nuk dua të të shikoj më”.

Pas vdekjes së profetit (a.s), Uahshi do të merrte pjesë në luftën e Jermukut bashkë me ushtrinë muslimane kundra ushtrisë së Musejleme Gënjeshtarit, i cili pretendonte se ishte profet. Në këtë luftë, Uahshi e vret Musejlemen, duke qenë ai shkaku kryesor i triumfit të muslimanëve në këtë luftë.

Sa madhështore është feja Islame! Ajo nuk e mbyll portën e pendesës për njeriun, çfarëdo lloj mëkati që njeriu të ketë kryer përpara se ta pranojë atë.

Allahu qoftë i kënaqur me Hamzain. Allahu qoftë i kënaqur edhe me Uahshin.


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure Es Saf: 8.

[3] Sure Esh Shura: 11.

[4] Marrë nga libri “Fet’hul Bari” i imam Ibnu Haxher El Askalanit.

[5] Sure Ali Imran: 169 – 171.

[6] Transmeton imam Muslimi.

[7] Sure En Nexhm: 32.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:22 05:2112:5416:5020:1522:00

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook