Pranimi i pendeses, shenje e meshires hyjnore


Transmetohet nga Ebu Nuxhejd, Imran ibnul Husajn El Huzaij, se një grua nga Xhuhejne që kishte ngelur shtatzënë nga kryejra e imoralitetit, vjen tek profeti (a.s) dhe i thotë: “O i Dërguar i Allahut! Unë meritoj të ndëshkohem, prandaj ekzekutoje ndëshkimin mbi mua”. Profeti (a.s) thirri kujdestarin e saj dhe i tha: “Sillu mirë me të. Kur ajo të lindë, sille tek unë.” Ai veproi ashtu si i tha profeti (a.s). Pastaj profeti (a.s) urdhëroi, që ajo të ekzekutohej. Ia shtrënguan rrobat dhe pastaj urdhëroi që ajo të gurëzohej. Pas ksaj ai (a.s) fali namazain e xhenazes për të.

Umeri i tha profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Ia fale asaj namazin e xhenazes, ndërkohë që ajo kishte kryer imoralitet?!” Ai u përgjigj: “Në të vërtetë, ajo është penduar aq sa nëse pendesa e saj do të shpërndahej në mesin e shtatëdhjetë banorëve të Medines, do t’ju mjaftonte. E ku ka pendesë më të mirë se ajo, që shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar?”[1]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Emri i tij është Imran ibnul Husajn ibnu Ubejd ibnu Halef El Huzaij El Ka’bij. Njihet me epitetin Ebu Nuxhejd.

Ai bashkë me Ebu Hurejren e kanë pranuar fenë Islame në vitin e 7 – të hixhretit, në vitin kur është zhvilluar beteja e Hajberit. Më pas, ai mori pjesë në betejat që zhvilloi profeti (a.s). Po ashtu mori pjesë në çlirimin e Mekës, duke qenë mbajtësi i flamurit të fisit Huzaij.

Ai konsiderohej si një prej dijetarëve të mëdhenj dhe më të respektueshëm në mesin e sahabëve. Imam Edh Dhehebiu thotë: “Ai ishte imami model. Omer ibnul Hatabi e dërgoi në Basra, që t’u shpjegonte banorëve të atjeshëm çështjet e fesë. Ai e kreu me sukses detyrën që iu ngarkua. Një pjesë e konsiderueshme e tabi’inëve të mëdhenj janë produkt i mësimdhënies së tij. Nga dija e tij dolën nxënës si: Hasen El Basri, Muhamed ibnu Sirini dhe të tjerë”.

Ai ka qenë një besimtar i devotshëm dhe asket. Kur ai ishte në Basra, u bë gjykatës, por nuk shkoi shumë dhe dha dorëheqjen. Lutja e tij ishte e pranuar tek Allahu. Gjithashtu ai njihej për durimin e tij të madh, në momentet kur u sëmur me sëmundjen hidropsisë (e enjtjes). Ai qëndroi i dergjur në shtrat për 30 – të vjet. Megjithatë ai me durim dhe duke shpresuar në shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut thoshte: “Betohem në emët të Allahut, që unë jam i kënaqur me Të”.

Devotshmëria e tij arriti deri në atë gradë, saqë edhe ëngjëjt filluan t’i jepnin selam. Në kohën kur merrej me kurën e djegies për t’u shëruar, e humbi këtë gjë. Por, kur e la kurën, ëngjëjt u kthyen prapë.[2]

Ai u tërhoq nga sprova e madhe, që ndodhi ndërmjet sahabëve duke mos luftuar asnjërën prej palëve. Ai ka transmetuar 180 hadithe. Ka transmetuar 9 hadithe, që gjenden së bashku tek imam Buhariu dhe Muslimi. Tek imam Buhariu janë transmetuar 4 hadithe prej tij, të ndryshme nga ato të imam Muslimit. Ndërsa tek imam Muslimin janë transmetuar 9 hadithe prej tij, ndryshe nga ato të imam Buhariut.

Ai vdiq në vitin e 52 të të hixhretit në qytetin e Basrës.

Shpjegimi i hadithit:

Sa e madhe është mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij?! Në të vërtetë, të gjithë njerëzit kanë nevojë për mëshirën e pakufishme të Krijuesit të tyre. Një shenjë e mëshirës hyjnore është pranimi i pendesës dhe falja e mëkatarëve. Nuk ka shpërblim më të madh për njeriun, sesa gëzimi i Allahut në momentin kur njeriu pendohet. Profeti (a.s) thotë: Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet më tepër se personi, i cili rrëzohet nga deveja, ajo humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë”.[3]

Në këtë hadith profetik, pendesa nuk është vetëm thjesht një fjalë në letër, apo thjesht një pendesë e shoqëruar me braktisje të mëkatit dhe vendosmëri për të mos u kthyer më tek i njëjti mëkat, por në të vërtetë ajo është një pendesë mjaft e shtrenjtë, çmimi i të cilës është i barazvlefshëm me jetën e njeriut. Këtë pendesë e vlerëson edhe vetë profeti (a.s), i cili i drejtohet Omerit me fjalët: “E ku ka pendesë më të mirë se ajo, që shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar?” duke dëshmuar për shpërblimin e madh të gruas që kishte kryer imoralitet dhe që më pas ishte penduar.

Sekreti i vlerës së pendesës qëndron në pohimin e mëkatit nga ana e gruas, duke e ditur përfundimin e dhembshëm të grurëzimit me gurë. Por mbi të gjitha ajo nuk mund të mbartte mbi supet e saj peshën e rëndë të mëkatit. Kështu që ajo shkoi tek profeti (a.s), duke qenë shtatzënë nga kryerja e imoralitetit

Le të meditojmë pak në dialogun e zhvilluar ndërmjet kësaj gruaje dhe profetit (a.s) Dialogu fillon me pasthirrmë: O i Dërguar i Allahut!” Ai që thirret është i Dërguari i Allahut, sikur gruja dëshiron të thotë: Unë kam kundërshtuar urdhrin e mesazhit hyjnor, kështu që  e meritoj të ndëshkohem. Nëse do të vërejmë me kujdes fjalët e gruaje, do të shikojmë se ajo nuk e thotë hapur mëkatin e kryer, ngase ai është një mëkat i shëmtuar. Mirëpo gjendja e saj e tregon një gjë të tillë.  Por, ajo në mënyrë të tërthortë shprehet duke thënë: “Unë meritoj të ndëshkohem, prandaj ekzekutoje ndëshkimin mbi mua”. Këto fjalë dëshmojnë për guximin dhe sinqeritetin e pastër të kësaj gruaje, sepse ajo dëshiron të pastrohet nga pasojat që lë ky mëkat i shmëtuar në Ahiret. Madje, në një transmetim tjetër të po këtij hadithi, kjo grua i drejtohet profetit (a.s) me fjalët: “Më pastro!”

Përpara këtij pohimi mjaft të guximshëm, shfaqet qartë qëndrimi i profetit (a.s), që është i mëshirshëm dhe i butë me besimtarët. Ai nuk ekzekutoi menjëherë masën ndëshkimore, por e la të lirë gruan, derisa ajo të lindte. Nuk e burgosi dhe as e lidhi me pranga. Përkundrazi ai (a.s) e urdhëroi kujdestarin e saj, që të sillej mirë me të. Urdhri i profetit (a.s) “Sillu mirë me të!” është gjithpërfshirës,  pra duhet të kishte përkujdesje ndaj saj dhe të mbrohej nga fjalët dhe shpotitë e komshinjve e të njerëzve, të cilët përpiqen që të flasin për nderin e të tjerëve.

Tek kallëzuesi “gurëzohet” nuk është përmendur kryefjala, sepse qëllimi final është ekzekutimi dhe jo se kush e kryen atë. Gjithashtu kjo fjali e ndërtuar në këtë formë tregon se profeti (a.s) nuk ka marrë pjesë në ekzekutimin e saj, sepse masa ndëshkimore e përcaktuar nga Sheriati nuk është hakmarrje, por pastrim nga mëkati dhe pranim i pendesës së sinqertë. Në të njëjtën kohë profeti (a.s) nuk është prezent në ekzekutim, për të treguar se prezenca e prijësit në raste të tilla nuk është kusht i domosdoshëm.

Në përfundim të këtij hadithi, zhvillohet një dialog tjetër ndërmjet profetit (a.s) dhe Umer ibnul Hatabit. Pasi profeti (a.s) fal namazin e xhenazes për këtë grua, Umeri i habitur nga veprimi i profetit (a.s.) e pyet atë: “O i Dërguar i Allahut! Ia fale asaj namazin e xhenazes, ndërkohë që ajo kishte kryer imoralitet?!” Dijetarët thonë, se kjo pyetja që Umeri ia drejton profetit (a.s) lind nga dëshira e tij për ditur urtësinë e faljes së namazit të xhenazes së kësaj gruaje dhe jo se Umeri do të kundërshtonte urdhrin e profetit (a.s).

Këtu profeti (a.s) na paraqet modelin e mirë të faljes dhe amnistisë: hap dyert e shpresës për këdo që i ka rrëshkitur këmba dhe ka mëkatuar. Me përgjigjen që i jep Umerit dëshmon për pendesën e sinqertë të gruas që u gurëzua: “Në të vërtetë, ajo është penduar, aq sa nëse pendesa e saj do të shpërndahej në mesin e shtatëdhjetë banorëve të Medines, do t’ju mjaftonte. E ku ka pendesë më të mirë se ajo, që shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar?”

Fjalët e profetit (a.s) “Në të vërtetë” “E ku ka pendesë më të mirë” “shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar?” dëshmojnë qartë për shpërblimin e saj të madh tek Allahu i Lartësuar dhe pranimin e pendesës së saj dhe kujdo që ka kryer një mëkat. Realisht, në kohën që jetojmë, myslimanët kanë shumë nevojë që të përballen me realitetin e nefsit, që i fton për të kryer mëkate. Sa e sa njerëz janë të shkujdesur, larg besimit dhe larg punëve të mira?! Realisht, njerëzit kanë nevojë që të marrin shembull nga kjo grua, që triumfoi ndaj mëkatit, u zgjua nga gafleti i veprimit të shëmtuar, e pastroi veten e saj dhe shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar. Si përfundim, ajo fitoi Xhenetin.

“Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar.”[4]

Rregulla dhe dispozita fetare:

Ky hadith profetik flet për një sërë rregullash dhe dispozitash fetare:

1– Dispozita fetare në lidhje me masën ndëshkimore të përcaktuar nga Sheriati ndaj atij, që ka kryer imoralitet:

Juristët myslimanë janë të një mendimi, se që masa ndëshkimore të ekzekutohet ndaj atij që ka kryer imoralitet, vetë personi duhet ta pohojë një faj të tillë. Por ata nuk ndajnë të njëjtin mendim, në lidhje me faktin se sa herë duhet që fajtori të pohojë fajin e tij. Juristët e medh’hebeve Hanefi dhe Hanbeli vendosin si kusht, që fajtori duhet të pohojë katër herë, njëlloj si dëshmia. Ndërsa juristët e medh’hebeve Shafi’i dhe Maliki janë të mendimit, se mjafton që fajtori  të pohojë një herë të vetme.

2– Ekzekutimi i masës ndëshkimore ndaj gruas që është shtatëzënë:

Të gjithë juristët myslimanë kanë rënë dakord, se masa ndëshkimore ndaj gruas shtatzënë nuk ekzekutohet. Por për të është përgjegjës kujdestari i saj, i cili kujdeset për të derisa të lindë dhe derisa të përfundojë faza e gjidhënies. Ekzekutimi nuk ndërmerret për një arsye shumë të thjeshtë: Foshnja nuk ka asnjë faj në lidhje me fajin e të ëmës dhe po ashtu ai është një njeri i ri, që po vjen në jetë. Jeta e tij është e shtrenjtë dhe duhet ruajtur, pavarësisht se ai ka ardhur në jetë në rrugë të jashtëligjshme.

3– Falja e namazit të xhenazes ndaj atij që është ndëshkuar nga masa ndëshkimore e përcaktuar nga Sheriati:

Juristët nuk ndajnë një mendim në lidhje me këtë çështje. Shumica e tyre janë të mendimit, se namazi i xhenazes falet ndaj atij personi, që është ndëshkuar nga masa ndëshkimore e përcaktuar nga Sheriati. Ata dalin në këtë përfundim, sepse namazi i xhenazes i falet çdo myslimani, përveç atij që me bidatin e tij fton në mosbesim.

Ndërsa juristët e medh’hebit Maliki janë të mendimit, se prijësit nuk i lejohet që të falet, por njerëzve ju lejohet që të falen për të.

Ndërsa imam Ez Zuhri është i mendimit, se namazi i xhenazes nuk falet fare për të.

Mendimi më i drejtë është: Namazi i xhenazes falet për të, ngase ai është një mysliman, i cili ka kryer një mëkat të madh, që meriton masë ndëshkimore të përcaktuar nga Sheriati. Mirëpo kryerja e mëkatit të madh nuk e nxjerr njeriun jashtë kontureve të fesë Islame.

Historik:

Gurëzimi tek ithtarët e Librit:

Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë: “E qysh të drejtohen ata ty për t’i gjykuar, ndërsa e kanë Tevratin, në të cilin është gjykimi i Allahut e madje edhe pas kësaj shmangen prej teje? Sepse ata nuk janë besimtarë. Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë”[5]

Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve është se profeti (a.s) pa dy hebrenj, që ishin të nxirë nga thëngjilli dhe të rrahur me kamzhik. Ai (a.s) i pyeti hebrenjtë: “A kjo është masa ndëshkimore për atë që kryen imoralitet e shkruar në Librin tuaj?” “Po – thanë ata”. Më pas, profeti (a.s) thirri një prej dijetarëve të tyre dhe i tha: Po të bëj be Allahun, i Cili ia ka zbritur Teuratin Musait, a kjo është masa ndëshkimore për atë që kryen imoralitet e shkruar në Librin tuaj? “Jo – u përgjigj ai, nëse ti nuk do më vendosje në përbetim nuk do të lajmëroja”. Masa ndëshkimore është gurëzimi. Por, fisnikët tanë nuk mund ta përballonin një masë të tillë ndëshkimore. Prandaj, kur ne kapnim ndonjë prej fisnikëve duke kryer imoralitet, e linim të lirë. Ndërsa kur kapnim ndonjë që ishte i pafuqishëm, e ndëshkonim. Më pas vendosëm që si për fisnikun ashtu edhe për të pafuqishmin të ekzekutohej e njëjta masë ndëshkimore; në vend të gurëzimit vendosëm nxirjen me thëngjill dhe rrahjen me kamzhik. Kur profeti (a.s) dëgjoi këto fjalë, tha: “O Allah! Unë jam personi i parë që e ka ringjallur Urdhrin Tënd, pasi ata e kanë varrosur”. Pastaj profeti (a.s) urdhëroi që të dy hebrenjtë të gurëzoheshin. Më pas Allahu do të shpallte: “O i Dërguar! Mos u brengos për ata që zhyten shpejt në mosbesim...Nëse ju është dhënë kështu, pranojeni”[6] Ata thanë: “Shkoni tek Muhamedi (a.s), nëse ai ju urdhëron që si masë ndëshkimore të përdorni nxirjen me thëngjill dhe rrahjen me kamzhik, pranojeni, por nëse ju thotë se si masë ndëshkimore është gurëzimi, kini kujdes! Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: “Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë.” “Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është shkelës i vërtetë.” “Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është keqbërës i vërtetë.”[7]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 –Masat ndëshkimore të përcaktuara nga Sheriati.

2 – Vlera e pendesës së sinqertë.

3 – Mbulimi i pjesëve të turpshme të gruas

4 – E drejta e njeriut për të jetuar.

5 – Pohimi i njeriut se ka kryer imoralitet

 

1 –Masat ndëshkimore të përcaktuara nga Sheriati:

Feja Islame fton në pesë synime kryesore, që janë: ruajtja e fesë, ruajtja e jetës, ruatja e logjikës, ruajtja e preardhjes dhe ruajtja e pasurisë. Prej instrumentave të ruajtjes së këtyre pesë gjërave është edhe përcaktimi i masave ndëshkimore. Në këtë hadith profetik vërejmë njërën prej këtyre masave ndëshkimore, që është gurëzimi: “pastaj urdhëroi që ajo të gurëzohej”.

Prej synimeve të fesë Islame është ruajtja e pastërtisë së shoqërisë. Prandaj, ajo ka përcaktuar instrumenta, që të ngushtojnë sa më shumë rrugët e krimit, që ai të mos përhapet dhe të mos ngrejë kokën në mesin e shoqërisë. Këto instrumenta janë pikërisht masat ndëshkimore të përcaktuara nga Sheriati. Juristët myslimanë thonë: “Vendosja e masave ndëshkimore parandalon aktin kriminal para dhe pas tij”, çka do të thotë se: njeriu duke qenë në dijeni të saj nuk e vepron aktin kriminal, por edhe nëse e kryen atë, njëherë nuk i kthehet më atij verpimi të shëmtuar. “Prandaj thuhet se, krimet dënohen që të mos përsëriten. Por, dënimi i tyre ka dhe synim human. Ai duhet t'i bëjë mëkatarët të pendohen, të çlirohen nga ankthet e krimeve, të lartësohen shpirtërisht dhe t'i shlyejnë mëkatet, duke bërë vepra të mira. Ndëshkimi i çdo krimi nuk bëhet për hakmarrje, as për t'i falur mëkatarët pa kërkuar ndjesë. Përkundrazi! Qëllimi i tij është dhe duhet të jetë njerëzor, qoftë kur mbron shoqërinë, kur përdëllen viktimat, a kur ringjall mëkatarët”.[8]

Kështu që në këtë formë shthurrja dhe degjenerimi minimizohet. Prandaj, pikërisht për këtë arsye përcaktimi i masave ndëshkimore është mëse i logjikshëm, në mënyrë të atillë që shoqëria të jetojë në paqe dhe harmoni. Shoqëria do të degradonte pa përcaktimin e këtyre masave ndëshkimore. Ibnu Abidin thotë: “Synimi kryesor i përcaktimit të masave ndëshkimore nga Sheriati është kufizimi i dëmit, që i shkaktohet njerëzve”.

Feja Islame mbjell në zemrat e njerëzve dashurinë për të mirën, si dhe kryerjen e veprës së mirë. Ndërkaq i urdhëron ata, që ta urrjenë dhe të largohen nga e keqja. Allahu i Lartësuar thotë: “Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurrjen dhe mosbindjen.”[9] Për atë që vepron vepra të mira, Allahu ka për t’i dhënë shpërblim të mirë, ndërsa për atë që vepron vepra të këqia, Allahu ka për t’i dhënë një ndëshkim të rreptë. Ky shpërbim apo ndëshkim është vendosur, që njeriu të largohet nga mëkatet dhe të veprojë sa më shumë vepra të mira. Feja Islame ka përcaktuar masa ndëshkimore për atë njeri, që kryen mëkate (krime) të mëdha, në mënyrë që të mbrojë pasurinë, nderin, jetën, fenë dhe logjikën e tij, por në të njëjtën kohë mbron edhe të drejtat e mbarë shoqërisë.

Feja Islame i ka përcaktuar masat ndëshkimore për t’i parandaluar njerëzit që të kryejnë krime. Nëse ata i kryejnë krimet, ata ndëshkohen që mos t’i kthehen më atij krimi. Në të njëjtën kohë masat ndëshkimore janë kurë dhe falje e mëkateve të atij që e ka kryer mëkatin. Ubade ibnus Samit thotë: “Ishim ulur bashkë me profetin (a.s), kur ai tha: Më jepni besën se nuk do t’i shoqëroni Allahut shok, nuk do të kryeni imoralitet, nuk do të vidhni, nuk do të vrisni kënd vetëm se me të drejtë. Ai i cili i përmbahet kësaj bese, shpërblimi i tij është tek Allahu. Ndërsa ai i cili vepron ndonjërën prej tyre e më pas ndëshkohet, atëherë ky ndëshkim është shpagim për të. Ndërsa kush e kryen ndonjërën prej tyre dhe Allahu ia fsheh atë, çështja e tij është në dorë të Allahut; nëse do e fal ose e ndëshkon”.[10] Në një hadith tjetër të transmetuar po nga Ubade ibnus Samit, profeti (a.s) thotë: “Kushdo që vepron një mëkat, prej të cilit meriton një masë ndëshkimore të përcaktuar nga Sheriati dhe masa ekzekutohet ndaj tij, atëherë mëkati i tij është shlyer. Ndërsa nëse masa nuk ekzekutohet, atëherë çëshjtja e tij është në dorën e Allahut”.[11]

Akuzë:

Në ditët e sotme, perëndimi akuzon fenë islame në lidhje me masën ndëshkimore të gurëzimit, duke e quajtur atë një ekzekutim makabër.

Një akuzë e tillë nuk qëndron për disa aryse:

Arsyeja e Parë: Ashpërsia e masës ndëshkimore, madje edhe tek ligjvënësit perëndimorë, përcaktohet nga shkalla e krimit. Ndërmjet ashpërsisë dhe krimit duhet të ketë medeomos përputhje. Ky është një parim bazë në vendosjen e masës ndëshkimore.

Krimi i imoralitetit në fenë Islame konsiderohet nga krimet më të rënda, që mësyn fenë, nderin, prejardhjen dhe jetën. Njeriu i cili është martuar e ka marrë hisen e tij, por nëse ai ndjek një rrugë të jashtëligjshme, atëherë masa ndëshkimore për të e përcaktuar nga ligji i Allahut është gurëzimi. Sepse çdo gur i cili godet trupin e tij dhe ai ndjen dhimbje, është i barazvlefshëm me kënaqësinë trupore gjatë kryerjes së imoralitetit. Pra, në parim masa ndëshkimore e gurëzimit është në përputhje të plotë me krimin.

Ndërsa tek perëndimorët, imoraliteti nuk konsiderohet krim, përderisa të dy palët janë dakord. Kjo lidhje është ndërtuar në bazë të dashurisë dhe kënaqësisë pa marrë parasysh pasojat. Në të vërtetë, një gjykim i tillë është i gabuar dhe i padrejtë. Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar saktë rrezikun e imoralitetit: “Mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar.”[12]

Përgjigja jonë është kjo: Ky është ligji i Allahut, që e ka zbritur ndaj nesh dhe ne e kemi argumentin për këtë. Kush është më i ditur ju apo Allahu? A mos jeni ju më të mëshirshëm?

Arsyeja e Dytë: Nëse ndodh që një njeri normal dhe tek ai ekziston ndjenja e xhelozisë, të shikojë gruan, vajzën apo motrën e tij duke kryer imoralitet, atëherë xhelozia e tij do ta shpinte atë deri në përpjekjen për t’i vrarë ata. Mirëpo këtë veprim të drejtë e ndërmerr ligji dhe jo individi.

Arsyeja e Tretë: Ai i cili beson tek Allahu dhe Dita e Gjykimit, është i bindur plotësisht se të gjitha masat ndëshkimore të përcaktuara nga Sheriati janë mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij, sidomos masa ndëshkimore e kurvërisë, ngaqë masa ndëshkimore:

1– Është një kurë e dobishme, pa të cilën myslimani nuk mund të jetojë. Sepse nëse ekzekutimi bëhet në praninë e njerëzve, atëherë askush nuk vepron më të njëjtën gjë. Kjo masë ndëshkimore është më shumë një formë edukative reale sesa një hakmarrje. Gjithashtu, zbatimi i masës ndëshkimore tregon për seriozitetin e zbatimit të këtyre masave. Kështu që i gjithë umeti shpëton nga rreziku, i cili i kanoset.

2– Është mëshirë duke e krahasuar me ndëshkimin në botën tjetër. Masa ndëshkimore është gurëzimi, që normalisht është i dhembshëm, por ai është pastrim për atë, ndaj të cilit kryhet ekzekutimi. Prandaj ai njeri nuk ka më nevojë që të pastrohet nga mëkati në Zjarrin e Xhehenemit. Dhembja që shkakton gurëzimi as që mund të krahasohet me dhembjen e vazhdueshme që shkakton ndëshkimi në Zjarrin e Xhehenemit.

Arsyeja e Katërt: Sistemi i Islamit në ndalimin e njerëzve për të kryer krime apo që të pranojnë dispozitat fetare të Sheriatit, bazohen mbi bazën e besimit tek Allahu e në botën tjetër dhe mbi bazën e ndjenjës së mbikqyrjes nga frika se Allahu e shikon veprimin e individit dhe më pas e ndëshkon. Dihet që zemra e njeriut është komandanti, ndërsa organet e trupit janë ushtarët që zbatojnë urdhrat. Në çastin kur zemra e mbushur me besim e ndjen gabimin, e shtyn gjuhën që të thotë: dëgjuam dhe u bindëm dhe organet e trupit e mirëpresin ndëshkimin  e merituar. Për këtë le të japim një shembull:

Dispozita fetare e ndalimit të pirjes së alokolit ka zbritur në vitin e katërt të hixhretit, sipas një përshkallëzimi. Sahabët e zbatuan menjëherë urdhrin hyjnor, duke e derdhur alkolin dhe duke thënë: “Zoti ynë ne kemi përfunduar së piri alkol. Megjithëse alkoli ishte pjesë e pandarë e jetës së tyre, ata e zbatuan menjëherë urdhrin hyjnor, sepse zemrat e tyre ishin mbushur me besim dhe ishin edukuar më parë për të ndërmarrë një veprim të tillë parandalues.

Ndërkohë që në vitin 1919, kur qeveria amerikane e asaj kohe nxori dekretin për ndalimin e pijeve alkolike, megjithëse u shpenzuar 65 milion dollarë, u ekzekutuan 300 njerëz dhe u burgosën më tepër se 530 mijë të tjerë, amerikanët vazhduan të pinin alkol, derisa në vitin 1933 qeveria u detyrua që ta anullonte këtë ligj.

Shoqëritë islame në shekujt e parë janë dëshmia më e qartë e kësaj që po themi. Imoraliteti është shfaqur vetëm në disa raste shumë të rralla. Ndërsa ndryshe ndodh në ligjet e vendosura nga njerëzit. Ata e konsiderojnë imoralitetin të ligjshëm, duke e konsideruar nga të drejtat e njeriut, prandaj edhe nuk ka masë ndëshkimore për atë që kryen imoralitet. Jo vetëm kaq, por ata e lejojnë martesën e burrit me burrin. Veprimi i tyre ia kalon veprimit të popullit të Lutit. Numri i tyre në Amerikë ka arritur deri në 20 milion. Atëherë në këtë rast ne themi: “Ne kemi fenë tonë dhe ju keni fenë tuaj”.

Arsyeja e Pestë: Nëse ai që është i sëmurë, dëshiron të hajë apo të pijë diçka që i bën dëm, atëherë nga dashuria që kemi për të, ne e ndalojmë që të hajë apo të pijë. Nëse ai e ha atë ushqim, nuk ka dyshim se sëmundja do t’i shtohet dhe do ai do të shkatërrohet. Po kështu është çështja për atë djalë të ri, që sapo ka mbushur moshën e pjekurisë dhe nuk është i mirëinformuar për rregullat dhe dispozitat fetare, prandaj nga dashuria që kemi për të, ne e ndalojmë që të kryejë vepra të ndaluara. Kjo ndodh në rang individi.

Ndërsa në rang shoqërie: Doktori është i detyruar që të presë një gisht, në mënyrë që gangrena të mos përhapet në të gjithë trupin. Në aparaencë kemi të bëjmë me ashpërsi dhe dëm, por realiteti tregon për dhembshuri dhe dashamirësi. Që shoqëria të jetë e sigurtë dhe në paqe, është mëse e domosdoshme ekzekutimi i masës ndëshkimore në rastet kur shfaqet imoraliteti.

2 – Vlera e pendesës së sinqertë:

Në këtë hadith, profeti (a.s) e ka sqaruar mjaft mirë vlerën e pendesës, nëse njeriu është i sinqertë. Pasi gruaja u gurëzua, profeti (a.s) i fali namazin e xhenazes Umeri i habitur e pyeti dhe profeti (a.s.) iu përgjigj: “Në të vërtetë, ajo është penduar, aq sa nëse pendesa e saj do të shpërndahej në mesin e shtatëdhjetë banorëve të Medines, do t’ju mjaftonte. E ku ka pendesë më të mirë se ajo, që shpirtin ia dhuroi Allahut të Lartësuar?

Pendesa e sinqertë është argument i besimit të sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: “Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’ju japë shpërblim të madh besimtarëve”.[13] Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë i ka urdhëruar të gjithë besimtarët, që të pendohen sinqerisht.

Feja Islame e nxit njeriun që të pendohet sa më shpejt, sepse porta e pendesës është e hapur. Pendesa është e pranueshme, nëse ajo është e sinqertë dhe përderisa shpirti nuk ka mbërritur në fyt. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: Unë tani me të vërtetë po pendohem. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm”[14]. “Kur të vijnë tek ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: Paqja qoftë mbi ju! Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur dhe pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.”[15] “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti i juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë  Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejnë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”[16].

Çdo njeri, përveç profetëve, është gatuar i tillë që të gabojë dhe të mëkatojë. Por që të gjithë ata janë urdhëruar që të pendohen dhe të kthehen tek Allahu i Lartësuar. Këtë fakt e miratojnë edhe hadithet e profetit (a.s), ku thuhet: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, ndërsa gabimtarët më të mirë janë ata të cilët pendohen.”[17] “Betohem në emër të Atij, në dorën e të Cilit shtë jeta ime, se nëse ju nuk do të mëkatonit, Allahu do t’ju bënte të vdisnit dhe në vendin tuaj do të sillte njerëz të tjerë, të cilët do të mëkatonin, pastaj ata do t’i kërkonin falje Allahut dhe Ai do t’i falte ata.”[18] Abdullah ibnu Abasi thotë: “Një grup idhujtarësh, të cilët kishin kryer shumë vrasje dhe kishin kryer imoralitet me tepri, shkuan tek profeti Muhamed (a.s) dhe i thanë: “Ajo të cilën ti thua dhe fton për tek ajo është e mirë. A mund të na thuash, se veprat e këqija që kemi vepruar shlyen?!” Më pas Allahu i Lartësuar do të zbriste ajetin kuranor: “Dhe ata që pos Allahut nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri.”[19] Po ashtu Allahu zbriti edhe ajetin kuranor: “Thuaj! O ju robërit e Mi, që e keni mbushur veten me mëkate, mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut”[20].

3 – Mbulimi i pjesëve të turpshme të gruas:

Feja Islame fton dhe i vë theksin tek mbulimi i pjesëve të turpshme të gruas, qoftë kjo edhe në ekzekutimin e masave ndëshkimore. Në këtë hadith lexojmë: “Ia shtrënguan rrobat” që do të thotë, se ia shtrënguan aq shumë që gjatë gurëzimit të mos i zbuloheshin pjesët e turpshme. Feja Islame nuk e mbron nderin e njeriut vetëm kur është gjallë, por madje edhe pas vdekjes së tij. Profeti (a.s) nuk është aspak i kënaqur që gjatë  gurëzimit, gruas t’i zbulohen pjesët e turpshme dhe më pas shejtani të luante me ata, të cilët zemrat e tyre janë të sëmura. Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët dhe besimtaret, që të mbulojnë pjesët e tyre të turpshme: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre nga e ndaluara dhe të ruajnë nderin e tyre nga marrdhëniet e jashtëligjshme! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshmi për atë që bëjnë. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre nga e ndaluara, ta ruajnë nderin e tyre nga marrëdhëniet e jashtëligjshme dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme..”[21] Mbulimi i pjesëve të turpshme është obligim për çdo mysliman dhe myslimane, sidomos për gratë të cilat mundohen të imitojnë gratë e tjera.

4 – E drejta e njeriut për të jetuar:

Profeti (a.s) e vonoi ekzekutimin e gruas, derisa ajo të lindte fëmijën. Ai (a.s) thirri kujdestarin e saj dhe i tha: “Sillu mirë me të. Kur ajo të lindë, sille tek unë”. Feja Islame e miraton të drejtën e njeriut për të jetuar, madje i kushton shumë kujdes krijesës së re, që vjen në jetë. Jetën e konsideron dhuratë nga Zoti dhe duke qenë e tillë, nuk i lejohet askujt që ta marrë atë, qoftë ky edhe profet i Allahut. Feja Islame nuk bën dallimin ndërmjet atij që është i lirë apo skllav, mashkullit dhe femrës, të bardhit dhe të ziut, të madhit dhe të voglit, të pasurit dhe të varfrit, madje as për njeriun i cili është në barkun e nënës dhe vjen në jetë në një mënyrë të jashtëligjshme. Ai është i pafajshëm dhe nuk e meriton që të ndëshkohet. Ai nuk mund të bartë mëkatin dhe fajin e babait dhe të nënës. Allahu i Lartësuar thotë: “Askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar”.[22] Kushdo që ka mëkatuar, ai do të mbartë mëkatin e kryer mbi supet e tij, askush tjetër nuk do të mbartë mëkatet e tij. Po ashtu nëse njeriu bën vepra të mira, shpërblimin për veprat e mira e merr vetëm ai dhe ky shpërblim nuk shkon tek të tjerët.

Ruajtja e jetës së njeriut dhe mosmbartja e mëkateve të tjetrit dëshmon për madhështinë e fesë Islame.

5 – Pohimi i njeriut se ka kryer imoralitet:

Njeriut që ka kryer imoralitet i lejohet të pohojë, se e ka kryer një akt të tillë të shëmtuar, ngase ai dëshiron të pastrohet nga ky mëkat. Njeriu që pohon përpara prijësit të shtetit apo zëvëndësit të tij se ka kryer imoralitet, nuk ka pse të kritikohet apo të qortohet.

Por nëse një njeri u tregon të tjerëve se ka bërë imoralitet, ai e ka nënçmuar veten e tij dhe një mëkat i tillë nuk i falet, sepse profeti (a.s) ka thënë: “I gjithë umeti im do të falet, përveç atyre që bëjnë mëkate haptas. Shokët e pyetën: Kush janë këta njerëz që bëjnë mëkate haptas? Ai u përgjigj: Ai i cili bën një mëkat dhe Allahu ia mbulon, por pasi gdhihet në mëngjes, ia tregon mëkatin të tjerëve”.

Dikush pyet: “A është më mirë për njeriun që ka kryer imoralitet që të shkojë tek gjykatësi që të pranojë fajin e tij dhe të ndëshkohet apo ta mbulojë atë?”

Përgjigja është kjo: “Nëse ky njeri është penduar sinqerisht, i ka ardhur keq dhe e di që nuk do t’i kthehet më atij mëkati, është më mirë për të që të mos shkojë dhe mos ta njoftojë atë. Kjo e fshehtë le të ngelë ndërmjet tij dhe Allahut, sepse ai i cili pendohet, Allahu ia pranon pendimin.

Ndërsa ai njeri i cili ka frikë se nuk është penduar sinqerisht dhe ka frikë se mos i kthehet përsëri të njëjtit mëkat, është më mirë për të, që të shkojë tek prijësi, gjykatësi apo dikush tjetër që të pohojë fajin e tij dhe më pas ndaj tij të ekzekutohet masa ndëshkimore e përcaktuar nga Sheriati.

 


[1] Transmeton imam Muslimi.

[2] Transmeton imam Muslimi.

[3] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[4] Sure Ali Imran: 147.

[5] Sere El Maide: 43-44

[6] Sure El Maide: 41.

[7] Transmeton imam Muslimi.

[8] Marrë nga artikulli “Krimi dhe ndëshkimi” i Luan Myftiut.

[9] Sure El Huxhurat: 7.

[10] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[11] Transmeton Ibnu Maxheh. Këtë hadith imam Albani e ka vlerësuar si të saktë.

[12] Sure El Isra: 32.

[13] Sure En Nisa: 146.

[14] Sure En Nisa: 18.

[15] Sure El En’am: 54.

[16] Sure Et Tahrim: 8.

[17] Transmeton imam Et Tirmidhiu. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith si të saktë.

[18] Transmeton imam Muslimi.

[19] Sure El Furkan: 68.

[20] Sure Ez Zumer: 53. Këtë hadith e transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[21] Sure En Nur: 30-31.

[22] Sure En Nexhm: 38-39.

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/10/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:12 06:4412:3415:3918:1119:33

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook