Qëllimi i krijimit të njeriut


Falenderimi i takon Allahut (xh sh), Zotit të botëve. Atij i kërkojmë ndihmë nga shejtani i mallkuar dhe nga të këqijat e vetvetes tonë. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush që ta humbë dhe atë që e humb nuk ka kush që ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.
“O ju njerëz kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra dhe gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, sepse Allahu është Mbikqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1).
“O ju që keni besuar! Kini frikë Zotin me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm si myslimanë”

“Kini frikë Zotin dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira ju shlyen juve mëkatet tuaja. Dhe kush e respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh”.

Të dashur vëllezër myslimanë !
Në hytben e sotme do të flasim për qëllimin e krijimit të njeriut . Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun për një qëllim të caktuar, qëllim të cilin e ka sqaruar në Kuranin e Shenjtë. Por jobesimtarët mendojnë, se njeriu është krijuar kot dhe pa ndonjë qëllim të caktuar. Me këtë pretendim ata akuzojnë Allahun (xh.sh). I Lartësuar është Allahu nga ajo që e akuzojnë jobesimtarët.
A nuk e shikon se kur doktorët operojnë syrin, veshin, apo zemrën e të sëmurit, asnjëri prej nesh nuk thotë se doktori po e operon të sëmurin kot për të lozur, por përkundrazi po e operon atë për t`i shëruar atij organin e sëmurë, në mënyrë të tillë që ky organ të jetë i aftë të kryejë funksionin për të cilin është krijuar. Kur për doktorin flasim dhe themi kështu, po për Allahun, i Cili i ka krijuar të gjitha këto organe, a mund të themi se Ai na ka krijuar kot? Allahu thotë në Kuran: “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni tek Ne? I lartë është Allahu Sunduesi i Vërtetë nuk ka zot tjetër veç Tij ,Zoti i Arshit bujar” (El-Mu`minun 115-116 ).
Çdo organ që ndodhet në trupin e njeriut, madje çdo qelizë dhe ind Allahu i ka krijuar për një qëllim të caktuar. Qëllimi për të cilin është krijuar ky organ, qelizë ose ind ndryshon nga qëllimi I krijimit të një organi, qelize ose indi tjetër, si p.sh: Syri është krijuar për të parë, ndërsa veshi për të dëgjuar. Funksionet e ndryshme që kryejnë organet, qelizat dhe indet dëshmojnë qartë, se ato janë të lidhura ngushtë me vetë qenien e njeriut. P.sh: Qelizat të gjitha së bashku formojnë indin, indet formojnë organin, organet formojnë sistemin dhe sistemet formojnë qenien e njeriut.
Duke qenë se çdo qelizë, ind, organ dhe sistem janë krijuar për një qëllim të caktuar dhe duke qenë se ato formojnë qenien e njeriut, si rrjedhojë e këtyre dy gjërave, del se vetë njeriu është krijuar për një qëllim të caktuar.
Duhet të dimë, se të gjithë njerëzit janë krijuar për një qëllim të vetëm, sepse struktura se si është ndërtuar syri tek i varfri është e njëjtë me atë të të pasurit, qoftë kjo në kohën tonë ose në kohët përpara nesh. Pra qëllimi i çdo pjese prej pjesëve të trupit të njeriut është një për të gjithë rracat dhe gjinitë njerëzore, pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Duke qenë se njeriu është i përbërë nga këto pjesë, atëherë si rrjedhojë e kësaj del, se qëllimi i krijimit të të gjithë njerëzve është një, pa marrë parasysh kohën ose vendin, pasurinë ose varfërinë, dijen ose injorancën.
Në të vërtetë, qëllimi për të cilin është krijuar njeriu, ka të bëjë me këtë botë dhe me botën tjetër(Ahiretin). Për këtë arsye ajo është e fshehtë për ata, të cilët janë dhënë pas kësaj bote. Para 100-vjetësh ishim në botën e të panjohurës dhe mbas 100-vjetësh do të jemi përsëri në botën e të panjohurës. Po kështu kanë qenë edhe brezat, që kanë jetuar përpara nesh. Ashtu siç kemi kaluar në mitrat e nënave fazë pas faze, periudhë pas periudhe deri sa dolëm në këtë botë, ashtu do të kalojmë në këtë dynja për në Ahiret. Periudhë pas periudhe, nga periudha e fëmijërisë në periudhën e pleqërisë. Njeriu nuk mund ta kuptojë qëllimin e krijimit të tij në këtë botë, pa ditur atë që ka kaluar para saj, si dhe ata që do të vijë pas saj. Ata të cilët i hedhin vështrimet e tyre vetëm në këtë botë, i kanë qëllimet e tyre të kufizuara dhe për këtë arsye të gjitha filozofitë e tyre shkatërrohen tek shkëmbi i vdekjes. Atyre, të cilët thonë se qëllimi i krijimit të njeriut është të jetosh, të punosh, të jesh i kënaqur, të ndërtosh civilizimin, të luftosh për të qenë më i mirë, u përgjigjemi : Kur qëllimi i krijimit të njeriut qenka ajo që përmendët, atëherë pse vdes njeriu?
Pse njeriu është i paaftë të punojë, pasi ka qenë i aftë dhe përse vdes?
Pse ai ka halle, pasi është i kënaqur dhe përse vdes?
Pse ai sa vjen dhe rrethanat e tij keqësohen dhe përse vdes?
Por ata të çuditur thonë:
Erdha nuk e di nga ku por erdha
Vështrova para meje rrugë dhe eca
Do të vazhdoj të eci dua apo s`dua
Si erdha?!Si e pashë rrugën time?!
Nuk e di!!Dhe pse nuk e di?Nuk e di

Për të tillë njerëz Allahu ka thënë në Kuran : “Edhe atë që dinë nga jeta e kësaj bote, është dije e cekët, por ndaj jetës së përjetshme (ndaj Ahiretit) ata janë plotësisht të verbëruar (të painteresuar)”.
(Err-Rrum: 7)
Misterin e krijimit të njeriut e di vetëm Allahu, i Cili e ka krijuar njeriun. Qëllimin e një produkti të caktuar ne nuk mund ta dimë kurrë, por vetëm nëse na e mëson vetë prodhuesi ose ai që e ka mësuar nga ai ose nëpërmjet katalogut. Allahu i Madhëruar i ka dërguar profetët e tij për të na mësuar neve atë që s`e dimë. Allahu i ka dërguar ata me argumente të qarta dhe mrekulli. Gjithashtu na ka krijuar neve mjetet, me të cilat ne marrim dijen, si p.sh: Dëgjimin, shikimin dhe logjikën. Nëse ne do të mësojmë nga profetët e Allahut atë që s`e dimë, atëherë do ta kuptonim mirë udhëzimin e Zotit, që e ka zbritur për ne dhe do të shpëtonim nga jeta e keqe dhe e verbër që jetojnë jobesimtarët. Me këtë udhëzim të zbritur nga Zoti ne jemi në gjendje të kuptojmë, se jeta jonë ndahet në dy pjesë:
1. Jeta në këtë botë, ku njeriu sprovohet në të.
2. Jeta në botën tjetër, ku njeriu do të shpërblehet për atë që ka punuar ne këtë botë .
Po ta vështrojmë me vëmendje pozicionin e njeriut në tokë , do te shohim se ai është në pozicionin e zëvendësuesit, sepse Sunduesi ia ka dhënë atij këtë pozicion. Njeriu është zëvendësi i Allahut në tokë, sepse ai(njeriu) s`ka krijuar asgjë në tokë dhe Ai, i Cili ka krijuar gjithçka që ka në tokë, është Allahu. Allahu ka thënë në Kuran : “Ai është i Cili ju ka krijuar juve në tokë çdo gjë që ju bën dobi”.
A nuk e shikoni se njeriu nuk është pronar i vetes së tij, nuk është pronar i dorës, gjuhës, syrit dhe këmbës së tij, sepse ai nuk i ka krijuar ato vetë. Allahu ka thënë në Kuran : “A janë krijuar ata nga asgjëja apo kanë krijuar vetveten?” (Et-Tur 35)

E megjithatë, edhe pse njeriu nuk është pronar I vetes së tij, ne e shohim atë të veprojë sikur të jetë pronar, sepse Allahu ia ka dhënë atij mundësinë për ta shfrytëzuar çdo gjë që ka në tokë dhe që është në interes dhe në dobi të tij. Allahu thotë në Kuran : “Dhe për ju nënshtroi gjithçka ka në qiej e në tokë”. (El-Xhathije: 13)
Është e qartë, se njeriu ka arritur në këtë gradë sepse:
1. Allahu ia ka dhënë atij këtë mundësi.
2. Çdo gjë në tokë i është nënshtruar atij.
3. Mos ekzistenca e ndonjë krijese tjetër rivale me të.
Allahu ka thënë në Kur`an : “Përkujto (o Muhamed) kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë po krijoj në tokë një zëvendës”. (El Bekare: 30). Megjithëse njeriu është zëvendësi i Allahu në tokë, prapë ai vetë i është nënshtruar kaderit (caktimit) të Zotit. Ai nuk është i aftë, që të zgjedhë prindërit, gjininë, mashkull apo femër, pamjen, moshën, vendin, kohën e lindjes,vdekjen e tij, etj. Pra njeriu del nga kjo, botë ashtu siç hyri në të, duke i dorëzuar të gjitha gjërat,t ë cilat i ruante me kujdes. Nga e tërë kjo dalim në konkluzionin, se njeriu është robi dhe zëvendësi i Pronarit, Sunduesit, Krijuesit të tij, që ka krijuar çdo gjë.
Allahu e ka bërë njeriun zëvendësues në tokë dhe kjo për një kohë të caktuar, që të dallohet besimtari nga jobesimtari, mëkatari nga i devotshmi, për të qenë shpërblimi në botën tjetër sipas punës që ka kryer njeriu në dynja. Në të vërtetë të gjithë të mirat, që Allahu ia ka dhënë njeriut në këtë botë, nuk janë gjë tjetër vetëm se sprovë për të. Për këtë arsye Allahu nuk i ka detyruar njerëzit që ta adhurojnë Atë, por Ai u ka dërguar atyre profetët, për t`i udhëzuar ata në rrugën e drejtë, në mënyrë që ta kalojnë sprovën me sukses. E megjithatë njeriu është i lirë në zgjedhjen që do të bëjë.
Por si mund ta kalojë njeriu këtë sprovë me sukses? Me të vërtetë kjo botë është e bukur dhe plot kënaqësi, por një ditë kjo botë do të shkatërrohet. Ashtu siç do të shkatërrohet kjo botë, po ashtu dhe njeriu do të vdesë një ditë. Kur njeriu do të vdesë, atij nuk do t`i bëjë dobi më asgjë, veçse puna e mirë që ka punuar në dynja. Ai i cili e ka pasur besimin e plotë dhe e ka ndjekur udhëzimin e Zotit, ai e ka kaluar sprovën me sukses,ai ka shpëtuar nga zjarri dhe ka fituar xhenetin. Allahu ka thënë në Kuran : “Kush i shmanget zjarrit dhe futet në Xhenet, ai e ka arritur fitoren më të madhe, ndërsa jeta e kësaj bote nuk është tjetër, veçse një përjetim mashtrues”. (Ali-Imran: 185). Por ai i cili nuk dëshiron,bën gjynahe dhe është i dhënë pas bukurisë së kësaj bote,shpërblimi i tij do të jetë zjarri. Allahu ka thënë në Kuran : “E përsa i përket atij që e ka tepruar dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehenemi do të jetë vendi i tij”. (Naziat: 37-39).

Falenderimi i takon Allahut (xh sh) Zotit të botëve. Atij i kërkojmë ndihmë nga shejtani i mallkuar dhe nga të këqijat e vetvetes tonë. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush që ta humbë dhe atë që e humb nuk ka kush që ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij
Të dashur vëllezër myslimanë ! Allahu ka thënë në Kuran : “Nuk i kam krijuar xhindet dhe njerëzit, vetëm se për të më adhuruar”. (Edh-Dharijat: 56).
Duke ditur se kjo botë është sprovë për njeriun, atëherë njeriu duhet ta adhurojë Allahun, sepse Allahu e krijoi atë për këtë qëllim. Në qoftë se ndonjë person ka një makinë dhe në vend që ta përdorë atë për të kryer nevojat që i duhen, ai e lë atë në garazh, duke thënë se ajo është krijuar për të qëndruar në garazh, të gjithë do të themi se ky person padyshim është budalla, sepse ai ka rënë ndesh me realitetin. E megjithatë deri sot nuk kemi parë asnjë njeri, që të thotë kështu. Por për çudi kemi parë shumë persona, të cilët thonë se jemi krijuar kot dhe jo për ta adhuruar Allahun.
Para disa vitesh u takua një dijetar mysliman me një jobesimtar. Ndërmjet tyre u bë ky dialog:
- Dijetari: Syri yt a është krijuar për ndonjë qëllim?
- Jobesimtari: Po.
- Dijetari: Organi i trupit është krijuar, që t`i shërbejë vetëm vetes së tij, apo është krijuar për t`i shërbyer gjithë trupit?
- Jobesimtari: A do të kishte vlerë sistemi tretës pa trupin ? Padyshim që jo.
- Dijetari: Cili është pra qëllimi i krijimit të tërë trupit?
- Jobesimtari: (mbeti i shtangur nga kjo pyetje, pastaj tha). Kjo është filozofi.
- Dijetari: Pak më parë ti më the, se ishte e vërtetë shkencore, më duket se ti dëshiron t`i shmangesh pyetjes. A mund të më thoni atëherë për këpucët që keni veshur, a kanë ato ndonjë qëllim?  
- Jobesimtari: Po,ato më ruajnë këmbët nga çdo e keqe.
- Dijetari: Po fakti që ti ekziston, a ka ndonjë qëllim?
- Jobesimtari: (mbeti i shtangur për herë të dytë)

- Dijetari: O profesor unë çuditem me këtë civilizimin tuaj, që thotë se njeriu është më i poshtëruar se këpuca e tij ?! Përdorimi i këpucëve e ka një qëllim, ndërsa ai që i vesh ato nuk ka ndonjë qëllim për ekzistencën e tij. Mirëpo ti iu largove pyetjes time, sepse qëllimin për të cilin je krijuar do ta kuptosh dhe do ta dish vetëm nga Ai që të ka krijuar. Nëse ti dëshiron që ta dish, se përse je krijuar, duhet të pyesësh patjetër të Dërguarit e Atij, që të ka krijuar dhe ata quhen Profetët e Zotit, sepse përndryshe njeriu do të jetë më i poshtëruar se këpuca e tij, nëse ai nuk beson në Allahun dhe në Profetët e Tij.

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5106:2811:3314:0316:2517:51

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook