Qëndrimi i Islamit karshi pikëpamjes opozitare.


Pyetja: A lejohet ekzekutimi i personit, që kundërshton pikëpamjen e fesë.

Përgjigja:  

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe gjithkënd e ndjek atë, kurse më tej:

Fjala “pikëpamje” është një artikulim i përgjithshëm, që përmbledh pikëpamjen apo këndvështrimin e personit që nuk është musliman dhe të atij personi që është musliman. Pikëpamja e muslimanit mund të jetë në kornizën e akides (besimit), por mund të jetë edhe një gjykim i tij mbi çështjet dytësore të fesë.

a. Skaji më i largët ku mund të arrijë pikëpamja e jomyslimanit është kufri (mosbesimi) i Islamit, por ky kufër nuk e bën paraprakisht të lejueshme vrasjen e qafirit (mosbesimtarit). Vrasja e jomyslimanit lejohet vetëm në rastin, kur detyrohemi t’i kundërvihemi me këtë formë armiqësisë së tij, Allahu i Lartësuar thotë: “...derisa ata i përmbahen (marrëveshjes) përmbajuni edhe ju...” [Teube: 7] dhe thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata, që nuk ju luftuan për shkak të fesë e s’ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë” [Mumtehine: 8]; pra nëse e shkelin paktin apo marrëveshjen e bërë dhe shfaqen sythat e armiqësisë së tyre, ose ata nisin realisht të sillen me agresivitet, ose bëhen pengesë në rrugën e thirrjes islame, në këto raste Islami e ka lejuar konfliktin luftarak me ta, Allahu i Lartësuar ka thënë: “E nëse ata i thyejnë paktet e tyre pas marrëveshjes dhe ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftojini krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, luftoni që të frenohen (nga krimi e fyerja)”. [Teube: 12] dhe ka thënë: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)”. [Bekare: 190]; si dhe në shumë tekste të tjera autentike islame.

b. Sa i përket muslimanit kundërshtues në një pikëpamje të besimit ose në një bindje prej bindjeve të fesë, ose që mohon një çështje unanime të Islamit, nëse ai mohon një çështje që gëzon konsensus në Islam, si për shembull monoteizmin (njësimin) e Allahut apo obligimin e namazit, në këtë rast ai bëhet felëshues (bie në apostazi). Atij i kërkohet të pendohet në një periudhë kohore, për përcaktimin e së cilës dijetarët kanë një larmi mendimesh, por nëse insiston në apostazinë (felëshimin) e tij, ai ekzekutohet, nisur nga thënia e Profetit a.s.: “Atë që e lëshon fenë e tij, ekzekutojeni!” [Transmetim i Buhariut]

Në raste të tjera e kemi përmendur, se vetëm qeveritari ose i emëruari prej tij ka të drejtë t’i zbatojë vendimet kushtetuese. Nëse dikush tjetër jashtë kësaj hierarkie e zbaton vendimin për felëshuesin, atëherë ky person bie në mëkat dhe atë e pret ndëshkimi nga Allahu. Pushtetarit i lejohet ta ndëshkoj një person që bën apostazi, dhe sipas këndvështrimit të imam Ebu Hanifes, ndëshkimi i tij mund të jetë edhe me vdekje.

Nëse ajo që muslimani kundërshton, nuk hyn tek çështjet konsensuale (unanime) të fesë, atëherë del si detyrë dialogu me të, me qëllim që t’i sqarohet e vërteta, në konkretizim të urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Nëse ai i mëshon pikëpamjes së tij, përderisa është paqësor dhe nuk e fillon i pari agresivitetin, nuk lejohet kurrsesi të tregohet armiqësi kundër tij ose të luftohet; pasi ai konsiderohet ende musliman dhe me këtë kundërvënie të tij nuk ka dalë nga rrethi i Islamit, sikurse muatezilët dhe khauarixhët. Hadithi në këtë kontekst thotë: “Muslimani e ka të ndaluar (ta cenojë) gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit”. [Transmetim nga Muslimi]

Kurse në rastin kur ai e fillon i pari agresionin apo armiqësinë, atëherë del si detyrë zmbrapsja e tij. Lidhur me këtë gjë na ndihmon hadithi fisnik, ku thuhet: “Kush (musliman) vritet në mbrojtje të gjakut të tij, është dëshmor; kush vritet në mbrojtje të pasurisë së tij, është dëshmor; kush vritet në mbrojtje të nderit të tij, është dëshmor dhe kush vritet në mbrojtje të fesë së tij, është dëshmor”. [Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, që thotë se ky hadith është hasen sahih-i mirë i saktë]

Nëse opozitarët janë një grup personash dhe kanë dalë kundër qeverisësit, atëherë ata konsiderohen dhunues, gjë që i jep dorë të lirë qeverisësit t’i luftojë ata, po qe se nuk japin fryt negociata që bëhen me to, me qëllim që të ruhet uniteti i fjalës dhe i rreshtit, pasi Allahu i Lartësuar ka thënë: “...e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t'i bindet udhëzimit të Allahut...” [Huxhurat: 9].

c. Nëse ka pikëpamje të ndryshme lidhur me një këndvështrim fikhu (juridik islam) të dispozitave dytësore, në këtë rast nuk lejohet të tregohet asnjë lloj agresiviteti kundër opozitarit e jo më të luftohet. Islami i ka mbrojtur gjakrat e njerëzve, përveç rasteve kur bëhen shkelje legjitime, gjë mbi të cilën hadithi thotë: “ Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit përveçse me një nga tre gjëra: i martuari që bën kurvëri, vrasësi dhe felëshuesi që përçan komunitetin”. [Transmetim i Muslimit]

Po kështu Islami ka lejuar të luftohet muslimani, nëse e prish rendin në tokë, edhe nëse ai nuk kundërshton në subjektin e besimit apo fikhut (jurisprudencës islame), gjë mbi të cilën Allahu i Lartëuar ka thënë: “Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe që bëjnë shkatërrime në tokë, është të vriten ose të kryqëzohen, ose t'u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta (të gjymtohen), ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dynja, dhe në Botën Tjetër ata do të kenë dënim të madh”. [Maide: 33]

Përmbledhja që mund të thuhet është, se gjakrat në origjinë janë të mbrojtur dhe të pacenueshëm, ndërsa derdhja e tyre lejohet vetëm nëse ka arsye të fuqishme legjitime të përcaktuara, që i ka sqaruar Kurani dhe Suneti (Tradita Profetike).

Vrasja padrejtësisht është prej mëkateve më të mëdha, siç vjen në shumë tekste hyjnore islame prej të cilave është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Kush e vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh”. [Nisa: 93]

Kësisoj, përderisa opozita e bërë nga personi është në një pikëpamje jo kategorike, nuk lejohet që ajo të merret për bazë në vendimin për të, se ai është felëshues apo meriton të vritet, pasi hadithi thotë: “Prapësojini penalizimet kundër muslimanit sa të mundeni!” [Transmetim nga Ahmedi dhe Tirmidhi]

Kur çështja është e pështjelluar, nuk bën të jepet vendim kategorik dhe as të dilet në një vendim unanim.

Nëse çdo njeri do i lejonte vetes së tij të vriste çdo opozitar të tijin në pikëpamje, atëherë njerëzia do zhdukej tërësisht. Kundërshtimi fetar, ideologjik dhe mendor është një tipar njerëzor dhe kjo nisur nga vetë natyra njerëzore, me të cilën i krijoi Allahu njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t'i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (midis tyre), Përveç atij që e mëshiroi Zoti yt. Po për këtë edhe i krijoi ata...” [Hud: 118-119] dhe ka thënë: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t'i besonin gjithkush është në tokë. A ti do t'i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” [Junus: 99].

E kur në hadithin e transmetuar nga Buhariu, Profeti a.s. thotë: “Kush vret një prej personave me të cilët është bërë pakt, nuk ka për ta nuhatur aromën e Xhenetit, teksa është fakt se aroma e tij ndjehet nga distanca dyzet vjet (larg)”; ç’mendim keni për atë që vret një musliman padrejtësisht?!

Vërejtje: Opozita në pikëpamje mund të trajtohet dhe kurohet me dialog të çiltër, thirrje të mençur, këshillë të bukur dhe duke bashkëbiseduar në formën më të hijshme, ashtu siç e ka urdhëruar Allahu i Lartësuar Profetin e Tij; vrasja s’është i vetmi mjet kurues, pasi siç vjen në Sahihun (Autentikun) e Muslimit: “Shkatërrimi i dynjasë është gjë më e lehtë tek Allahu, sesa vrasja e një personi musliman”.  

Allahu është më i dijshmi.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

06/08/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:4505:3512:5416:4520:0021:38

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook