RAMAZANI DHE UNITETI TEK MUSLIMANËT


 

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë edhe atyre që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”.

 

Teksa muslimanët fatkeqësisht brenda dhe jashtë vendit tonë debatojnë, se kur fillon Ramazani, teksa ata debatojnë rreth faktit se kur fillon koha e iftarit dhe kur del koha e syfyrit, nga ana tjetër shikon shumë njerëz, të cilët fatkeqësisht vitet e fundit po shtohen shumë, që ose të nisur nga injoranca, ose nga neglizhenca, ose me përbuzje thonë: “Pse agjërojnë këta njerëz? Çfarë halli kanë, pse torturojnë veten e tyre në mes të vapës, kush i ka detyruar këta njerëz të rrinë në këtë formë?” Mirëpo ne duke u marrë me njëri – tjetrin, jemi larguar shumë nga njerëzit, ose njerëzit janë larguar prej nesh.

 

Ne sot deklarojmë me krenarinë më të madhe: “Ne nuk jemi viktima, nuk jemi budallenj, nuk kemi nevojë të na mëshirojnë të tjerët, madje ne na vjen keq për ata që nuk agjërojnë. Ne jemi krenarë që agjërojmë, madje do t`ju tregojmë edhe juve, se përse agjërojmë këtë muaj”.

 

Ne e agjërojmë Ramazanin, sepse besojmë në Zot. Shumë njerëz pretendojnë se besojnë në Zot, por ne inshallah e themi nga thellësia e zemrës dhe e vërtetojmë praktikisht. Ne besojmë se Allahu (xh.sh) është Krijues, ndërsa ne jemi krijesa. Ne e duam dhe e respektojmë Zotin, prandaj kur Ai urdhëron për diçka, ne e zbatojmë menjëherë atë. Ne e bëjmë këtë, sepse Zoti urdhëron vetëm atë që është në të mirën e njeriut dhe nuk bën asgjë për kapriço. Ne e zbatojmë urdhrin e Zotit, sepse është në të mirën tonë, sepse Zoti nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, por njerëzit kanë nevojë për Zotin e gjithësisë. Ne jemi nga ata njerëz, që kur dëgjojmë një urdhër, themi: “Dëgjuam dhe u bindëm” e nuk jemi nga ata që thanë: “Dëgjuam dhe e kundërshtuam”.

 

Ne nuk agjërojmë për dietë, edhe pse dieta është brenda muajit Ramazan, nuk agjërojmë që të stërvisim veten tonë, se sa mund të rrimë pa ngrënë e pa pirë, megjithëse stërvitja është brenda Ramazanit.

 

Qëllimi i vetëm i agjërimit tonë është “T`i afrohemi Zotit të gjithësisë” dhe nuk ka formë më të mirë për t`iu afruar Zotit, sesa përmes agjërimit. Allahu (xh.sh) thotë në hadithin kudsij: “Çdo punë që bën njeriu, e bën për veten e tij, përveç agjërimit. Atë e bën për Mua dhe vetëm Unë do të shpërblej për të. Ky njeri le ushqimin, pijen dhe kënaqësitë e tij për hatrin Tim, prandaj Unë do t`ia shpërblej këtij njeriu”.

 

Ne besojmë se të gjithë profetët pa përjashtim kanë agjëruar për hir të Allahut (xh.sh) dhe agjëruesi më i mirë ka qenë profeti Daud (a.s), i cili agjëronte një ditë po e një ditë jo gjatë gjithë jetës së tij. Ne besojmë se edhe pasuesit e tyre, besimtarët e vërtetë kanë agjëruar. Por me kalimin e kohës njerëzit e ndryshuan agjërimin. Kur ishte në verë, e kaluan në dimër, kur ishte i gjatë, ata e shkurtuan, nga agjërim total disa njerëz filluan të hanin disa ushqime e të mos hanin disa të tjera. Lusim Zotin të na bëjë nga ata njerëz, të cilët nuk e devijojnë asnjëherë traditën e profetit Muhamed (a.s).

 

Ne agjërojmë, sepse besojmë se kemi shpirt, i cili vjen prej qielli dhe ushqimin e ka prej qielli, ashtu siç besojmë që kemi trup, që e ka ushqimin nga toka. Ashtu siç toka s`ka kuptim pa qiellin, ashtu edhe trupi nuk ka kuptim pa shpirtin. Profeti (a.s) tha: “O njerëz! Shejtani me cytjet e tij lëviz në trupin e njeriut, ashtu siç lëviz gjaku nëpër damarë. Ngushtojani rrugët atij të mallkuari me agjërim”.

 

Ne besojmë se në këtë muaj, Zoti i gjithësisë në shenjë mëshire për ne, i ka lidhur shejtanët, në mënyrë që njeriu të jetë më afër me Zotin e gjithësisë, të jetë i lirë nga ndikimet e jashtme negative.

 

Ne agjërojmë, sepse besojmë se ka xhenet dhe xhehenem. Ne jemi të sigurt se një ditë kjo dynja do të mbarojë për të gjithë botën, do të mbarojnë ditët e lumtura dhe ditët e vështira dhe në fund do të ketë vetëm dy gjëra: xhenet ose xhehenem. Nuk ka rrugë të tretë. Ai njeri që hyn në xhenetin e Zotit, ka arritur fitoren më të madhe. Ai njeri që përfundon në zjarrin e xhehenemit, ka humbur gjithçka. A ka fitore më të madhe, sesa të jesh i përjetshëm dhe i lumtur?! A ka humbje më të madhe sesa të jesh në vuajtje të përjetshme?! Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “...e kush i shpëton zjarrin e futet në xhenet, ai ka fituar e jeta e dynjasë s`është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues”.

 

Ai që agjëron është shumë afër xhenetit, sepse profeti (a.s) tha: “Agjërimi ndërmjetëson për robin Ditën e Kijametit. Ai do të thotë: “O Zot! Ky njeri ka ndenjur pa ngrënë dhe pa pirë, në një kohë që të tjerët hanin dhe pinin dhe  këtë e ka bërë vetëm për hatrin Tënd. Unë nuk e lë atë, derisa ta fusësh në xhenet”. Atëherë Zoti thotë: “Të kam futur mik o agjërim për këtë njeri”. Ai që agjëron është më larg se kurrë nga xhehenemi i Zotit, sepse profeti (a.s) tha: “Kush agjëron 1 ditë për hatër të Zotit, ai largohet 70 vite nga zjarri i xhehenemit”.

 

Ne agjërojmë, sepse kemi nevojë të na falen gjynahet tona. Sado të mirë të tregohemi me të tjerët dhe sado të përpiqemi, ne të gjithë bëjmë gjynahe. Por muslimanët, në ndryshim nga njerëzit e tjerë, kthehen tek Zoti me pendim dhe me shpresë se Zoti do t`ua falë gjynahet dhe një mjet i mirë për këtë është edhe agjërimi.

 

Ne agjërojmë, sepse kemi nevojë të na zbuten zemrat. Zemrat tona shpeshherë ngurtësohen dhe bëhen aq të rënda, saqë nuk ka kraharor që i mban ata. Agjërimi të ndihmon që të kontrollosh veten tënde. Agjërimi i edukon veset e njeriut. Agjërimi të bën njeri më të mirë, të bën bamirës, të mpreh durimin, të zbut zemrën, të largon nga gjynahet.

 

Të gjithë kemi nevojë t`i zbusim zemrat tona, t`i lotojmë sytë tanë, t`i kthehemi Allahut (xh.sh), prandaj agjërojmë, me shpresë se Zoti do ta pranojë agjërimin tonë.

 

Do ta mbyllim me atë që e nisëm: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç u ishte bërë edhe atyre që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”. Të jesh i devotshëm do të thotë ta duash më shumë Zotin, ta urresh më shumë shejtanin e mallkuar, do të thotë ta duash më shumë xhenetin e ta urresh më shum zjarrin e xhehenemit, ta duash hallallin edhe sikur të jetë pak e ta urresh haramin edhe sikur të jetë i ëmbël, ta duash të mirën për veten tënde e për të gjithë botën mbarë, ta urresh të keqen për veten tënde e për të gjithë botën mbarë.

 

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, se Ramazani ashtu siç nis pa u ndier, po ashtu do të përfundojë. Allahu (xh.sh) tha për këtë: “...ato janë ditë të numëruara”. Ato ditë do të ikin aq shpejt, saqë ti nuk do ta kuptosh se si iku ky muaj.

 

E lus Zotin që mëshira e Tij të na përfshijë të gjithëve në muajin Ramazan. O Zot! Të lutemi t`i falësh gjynahet, mangësitë, lëshimet dhe shkudesjet tona. Të lutemi të sillesh ndaj nesh jo siç e meritojmë, por siç i takon madhështisë Tënde.

 

Allahu (xh.sh) i Cili është Zot i natës dhe i ditës, i hënës dhe i diellit, ka caktuar që njerëzit ta masin kohën me lëvizjen e diellit dhe të hënës, por të mos adhurojnë as diellin dhe as hënën, se ato janë vetëm krijesa të Allahut (xh.sh).

Kur profetit (a.s) i vdiq djali i tij Ibrahimi, të cilin e deshi shumë, atë ditë u eklipsua dielli dhe njerëzit thanë: “Shikoni! Edhe dielli u eklipsua për vdekjen e djalit të Muhamedit (a.s)”. Kur profeti (a.s) e dëgjoi këtë fjalë, nxitoi i trembur dhe tha: “O njerëz! Kini frikë Zotin e gjithësisë. Hëna dhe dielli janë krijesa të Zotit. Ata nuk zihen as për lindjen e dikujt e as për vdekjen e dikujt. Kur ta shihni se hëna apo dielli janë eklipsuar, luteni Zotin, derisa të mbarojë ky fenomen”.

Hëna dhe dielli janë shenja të Zotit. Me ato nisim agjërimin, me ato nisim namazet tona, me ata masim ditët, muaj dhe vitet. Por në fund të fundit ato janë vetëm shenja. Shpeshherë njeriu debaton vetëm për shenjën dhe harron atë që vjen pas kësaj shenje. Dijeni se pas këtyre shenjave vjen falja dhe mëshira e Allahut (xh.sh).

 

Njëherë shokët e profetit (a.s) u ngatërruan në agjërim, dikush agjëroi para e dikush mbrapa. Ata që e kishin filluar më vonë, ku erdhën në Medine, panë se po festohej Bajrami. Atëherë ata thanë: “Ne nuk kemi Bajram, se kemi nisur agjërimin më vonë”. Por ata kishin tolerancë, sepse atë ua kishte mësuar mësuesi më i mirë, profeti Muhamed (a.s). Ata as nuk u përçanë e as nuk u zunë me njëri – tjetrin, por thanë: “Plotësoni agjërimin tuaj”.

 

Kur vijmë tek fillimi i muajit Ramzan, bëhet trazirë e madhe dhe gjithë bota qesh me këtë rrëmujë të muslimanëve. Dijetarët kanë thënë, se fillimi i muajit të Ramazanit mund të llogaritet me dy forma:

1- Duke shikuar hënën me sy të lirë, atëherë kur hëna shikohet përpara perëndimit të diellit.

2- Duke e parë hënën me  teleskop. Pra mund të llogaritet me llogari astronomike, të cilat janë preçize.

Të gjithë dijetarët muslimanë e kanë pranuar diçka të tillë. Dikush i ka qëndruar të parës e dikush i ka qëndruar të dytës. Por diçka është e sigurt: nëse hëna nuk shihet as me teleskop e as me sy të lirë, nuk ka filluar Ramazani.

 

Është krijuar ideja, se kalendari që është sot në dorën e muslimanëve, nuk është i saktë, për faktin se e bën Komuniteti Musliman dhe dikujt i pëlqen e dikujt jo. Kjo nuk është e vërtetë. Ky kalendar është me përllogaritje astronomike preçize, të cilin e përdorin shumë vende muslimane. Ky kalendar është rezultat i qendrave të fuqishme shkencore, ku punojnë shumë dijetarë, të cilët nuk abuzojnë me fenë e Allahut (xh.sh). Le të agjërojmë atë ditë që agjërojnë njerëzit dhe ta prishim atë ditë që e prishin njerëzit.

 

Do kishim dëshirë me gjithë zemrën tonë që të gjtihë muslimanët ta fillonin Ramazanin në një ditë e ta prishnin në një ditë, por kjo tashmë të paktën në vendin ku jemi, nuk është në dorën tonë. Dijetarët thonë: “Agjëro atë ditë kur agjërojnë njerëzit e vendit tënd dhe prishe atë ditë kur ta prishin njerëzit e vendit tënd. Madje nëse shkon në një vend tjetër dhe atje agjërimi ka filluar në një kohë tjetër, duhet të veprosh siç veprojnë njerëzit e atij vendi”.

 

Por nëse dikush e ka prishur agjërimin, ndërsa të tjerët agjërjnë, u them atyre njerëzve ta mbajnë të fshehtë këtë gjë në vetet e tyre dhe të mos e publikojë faktin, se ata nuk agjërojnë. Përndryshe do të krijojnë përçarje dhe përhapja e dyshimit nuk është nga shenjat e besimtarëve.

 

E lus Allahun (xh.sh) t`i bashkojë muslimanët në këtë vend dhe në mbarë botën. Zoti na bëftë shkak për t`i bashkuar njerëzit dhe jo për t`i përçarë ata. E lus Allahun (xh.sh), që mëshira e Tij të na përfshijë në Ramazan dhe jashtë tij. O Zot të lutemi Ty, të na nxjerrësh nga Ramazani me gjynahe të faluara, si ditën që na lindën nënat tona. O Zot pranoje agjërimin tonë, namazin tonë, leximin e Kuranit, dhikrin tonë, sadakanë tonë, pranoji lutjet tona dhe çdo gjë që bëjmë për hatrin Tënd. O Allah na mëshiro e na bëj nga banorët e xhenetit.

  A M I N

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

18/11/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5006:2611:3314:0316:2617:52

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook