Ramazani muaji i Kuranit


Ramazani në vetvete është muaji i Kur’anit. Shkaku që e bën këtë muaj të bekuar, është zbritja e Kur’anit në të. Këtë fakt e shpreh dhe ky ajet: “Muaji i Ramazanit është muaji që ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga e shtrembërta...”[1]

           

Shumë njerëz pyesin: “Pse flitet kaq shumë për Ramazanin?” Njeriu mund të agjërojë edhe jashtë Ramazanit, por çfarë të veçante ka Ramazani?!

Përveç agjërimit, në këtë muaj - pikërisht në natën e Kadrit - ka zbritur Kurani fisnik, libri i fundit i Allahut (xh.sh) për të gjithë ata njerëz që duan ta njohin të vërtetën, pasi ai është udhëzues për mbarë njerëzimin. Ky libër madhështor zbriti në muajin e Ramazanit. Nuk ka libër tjetër pas këtij libri. Nuk ka fjalë të tjera hyjnore, që i drejtohen njerëzimit pas këtyre fjalëve.

 

Në gadishullin arab, në qytetin shkëmbor të Mekës, në shpellën Hira, qëndronte një njeri. Ai nuk ishte si njerëzit e tjerë. Ai quhej Muhamed dhe do të ishte profeti i ardhshëm i gjithë njerëzimit. Muhamedi (a.s) mendonte, se universi e ka një Zot.

 

Pikërisht në këtë muaj, në muajin e Ramazanit, në afësi të kësaj shpelle, atij i shfaqet një krijesë, pamjen e të cilit nuk mund ta mbajnë sytë e njerëzve, por vetëm sytë e profetëve. Kjo krijesë ishte meleku Xhibril (a.s), i cili ka 600 flatra, madhësia e njërës prej tyre është sa distanca mes tokës dhe qiellit. Ai iu shfaq Muhamedit (a.s) dhe i tha: “Lexo”. Profeti (a.s) ia ktheu: “Unë nuk di të lexoj”. Me të vërtetë nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Xhibrili (a.s) i thotë për herë të dytë: “Lexo”. Profeti (a.s) i thotë përsëri, që nuk di të lexojë. Atëherë Xhibrili (a.s) i thotë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili  krijoi. Ai Zot, që krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo se Zoti yt është më bujari. Ai që të mësoi të shkruash me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. Këto ishin 5 ajetet e para të librit të fundit. Me këto ajete, Xhibrili (a.s) sikur po i thoshte profetit (a.s): “Ky është Allahu (xh.sh), Ai që krijon, Ai që të mëson, atë që nuk e dije, ky është Zoti i vërtetë”.

 

Të nderuar agjërues!

 

Allahu i Lartësuar e ka përzgjedhur muajin e Ramazanit ndaj gjithë muajve të tjerë me zbritjen e Kur’anit. Në çdo vit - pikërisht në muajin e Ramazanit - Xhibrili (a.s) ia lexonte Profetit (a.s) Kur’anin, ndërsa në vitin që profeti (a.s) ndërroi jetë, ia lexoi dy herë. Çdo natë të Ramazanit, Profeti (a.s) bashkë me Xhibrilin (a.s) mësonin së bashku Kur’an. Kurse në vitin që Profeti (a.s) do të ndërronte jetë, kjo mukabele pati ndodhur dy herë. Ibn Abasi (r.a) përcjell: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari i njerëzve, ndërsa në Ramazan bujaria e tij arrinte kulmin, pasi ai (a.s) takohej me Xhibrilin. Gjatë çdo nate të Ramazanit, ai takohej me të dhe e këndonin Kur’anin së bashku. Në bamirësi Profeti (a.s) ishte më i fuqishëm se era e fuqishme.”

Ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet agjërimit dhe Kur’anit, sepse si agjërimi ashtu edhe Kur’ani ndërmjetësojnë për njeriun në ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: “O Zot, ia kam ndaluar ushqimin dhe dëfrimet gjatë ditës, prandaj më bëj ndërmjetësues për të”, ndërsa Kurani thotë: “O Zot, ia kam ndaluar gjumin natën, prandaj më bëj mua ndërmjetësues për të”.

- Kur’ani, ky burim i orientimit dhe i rrugës së drejtë për besimtarët, është një libër që duhet lexuar gjithmonë, duke menduar dhe medituar mbi të. Besimtarët myslimanë kanë nevojë për Kur’anin, sa ç’kanë për ajrin, ujin dhe bukën. Të lexosh Kur’an, është si të flasësh me Allahun (xh.sh). Nëse një njeri me pozitë apo me famë do na lavdëronte apo do të na fliste, ose më e pakta të na hidhte sytë në këtë botë, ky do të ishte një nder i madh për ne, madje shumë nga ne do ua tregonim të afërmve dhe shokëve këtë gjë. Nga ana tjetër, ne harrojmë faktin, se kur lexojmë Kur’an, ne komunikojmë drejtpërdrejt me Allahun e Madhëruar. Sa gjë me vlerë dhe e bukur. Sa na ka vlerësuar Zoti, kur ka pranuar të flasë me ne, madje kjo gjë nxitet nga Ai Vetë. Një ndër begatitë e mëdha të Xhenetit është biseda, që Allahu i Madhëruar bën me ne: “Selamun Alejkum, qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë” (Zumer, 73). Ndërkohë që ne kemi mundësi që në një formë ta përjetojmë këtë gjë duke lexuar Kur’an.

 

- Kurani është një libër i shkruar në fletë, por nuk është si librat e tjerë. Ky libër lexohet me fjalë, por jo me të njëjtat ndjenja. Kurani nuk është vepër e njeriut, por është fjala e Allahut (xh.sh). Ai do të mbetet i paprekshëm deri në fund të kësaj bote. Ky është libri i Allahut (xh.sh), i cili zbriti në muajin e Ramazanit. Ky muaj është muaji i agjërimit, por mbi të gjitha është muaji i Kuranit fisnik.

Allahu sfidoi mbarë njerëzimin me këtë Kuran, kur tha: "Sillni një libër të ngjashëm me këtë”. Sikur të mblidhen bashkë xhindet dhe njerëzit, ata kurrë nuk munden të shkruajnë një libër si Kurani. Askush nuk iu përgjigj sfidës. Atëherë Allahu (xh.sh) tha: “Nëse nuk sillni dot një libër të plotë, sillni një sure të ngjashme me suret e Kuranit”. Përsëri askush nuk iu përgjigj sfidës. Atëherë Zoti tha: “Sillni vetëm një ajet, që t`i ngjajë këtij Kurani”. Askush nuk mundi ta bëjë as këtë. Prandaj Zoti i gjithësisë tha: “Ne e zbritëm këtë libër (Kuranin) dhe Ne do ta ruajmë atë”.  Është fakt që Kuranin nuk e ka ndryshuar as dora, as mendja e njeriut dhe këtë gjë e pranojnë edhe armiqtë e Islamit.

 

- Prej këtij libri merr dijetari, prej tij merr mësuesi, prej tij merr çdo musliman, ndërsa Kurani vazhdon të mbetet i ri, i paprekshëm sikur të ketë zbritur sot, pasi ai nuk vjetërohet kurrë.

Sa herë lexohet surja Fatiha?! Këtë sure e kanë mësuar edhe ata që nuk dinë të lexojnë Kuran. Çdo njeri që e lexon Kuranin, i duket se ai ka zbritur pikërisht për atë person. Ky është një argument tjetër, që tregon se Kurani është libri i Allahut (xh.sh), i cili nuk vjetërohet kurrë.

Ky libër është një mrekulli, ne muslimanët kemi në dorë një thesar që nuk e ka askush tjetër përveç nesh.

- Nëse pyesim nje çifut, se çfarë mrekullie la Musai (a.s), ai nuk mund të sjellë dot shkopin e Musait (a.s), sepse me vdekjen e tij mbaroi dhe shkopi (mori fund mrekullia e tij).

- Nëse pyesim një të krishterë, se çfarë mrekullie trashëgon prej Isait (a.s), ai s`mund të sjellë dot dorën e Isait (a.s), sepse me ngritjen e Isait (a.s) në qiell, mbaroi dhe mrekullia.

- Ama nëse pyet edhe muslimanin më të thjeshtë, se çfarë mrekullie ka lënë Profeti Muhamed (a.s), ai përgjigjet pa hezitim, se mrekullia që Profeti (a.s) la trashëgim për të gjithë muslimanët (gjithë njerëzimin) është Kurani fisnik, prandaj ne duhet të kapemi fort pas këtij libri.

 

Dëgjoni përshkrimin që i bën Profeti (a.s) këtij libri:

“Pas vdekjes time do të ketë shumë sprova”. Dikush e pyeti: “Si të shpëtojmë prej tyre”? Profeti (a.s) u përgjigj: “Keni librin e Zotit. Aty ka lajme për ata që erdhën para jush. Aty ndodhet çështja e atyre që vijnë pas jush, aty ndodhet gjykimi mes jush. Kurani e ndan drejt, ai nuk bën lajka. Kush e braktis atë libër nga frika e një diktatori, Zoti e shkatërron atë njeri. Kush kërkon udhëzimin jashtë tij, Zoti ka për ta humbur. Ai është litari i fortë i Zotit, është udhëzues i urtë, është rruga e drejtë. Mrekullitë e tij nuk mbarohen. Dijetarët nuk kanë të ngopur prej tij. Kush flet me të, ka thënë të vërtetën. Kush punon me të, shpërblehet. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt. Kush fton për tek ai, udhëzon në rrugën e vërtetë”.

 

- Leximi i Kur’anit ka shpërblim jashtëzakonisht të madh. Ai i cili  lexon atë me vështirësi, merr dy shpërblime, shpërblimin e leximit dhe shpërblimin e lodhjes dhe mundit. Kur ai që e lexon me vështirësi atë, gëzon këtë lloj shpërblimi, po ai që e lexon rrjedhshëm, çfarë shpërblimi mund të marrë?! Ndërsa grada e atij, i cili e di përmendësh gjithë Kur’anin, është akoma edhe më e lartë.

 

Dije mirë vëlla i nderuar, se sa më shumë të lexosh Kur’an aq më shumë shpërblim merr, ndërsa në ditën e Gjykimit, Kur’ani jo vetëm që do të ndërmjetësojë për lexuesit e tij, por do të jetë mbrojtësi i tyre. Imagjino i nderuar lexues, kur në ditën e gjykimit dikush do të thërrasë: "Lexo ashtu siç ke lexuar në dynja". I dërguari i Allahut ka thënë të vërtetën, kur ka thënë: “Me këtë libër Allahu ka ngritur në grada të larta popuj dhe ka ulur në grada të ulta popuj”.

 

- Muaji i Ramazanit është muaji i Kur’anit, prandaj o vëlla i nderuar shfrytëzoje këtë muaj me leximin e Kur’anit, ditën dhe natën. Ata që e lexojnë Kur’anin duke medituar në madhështinë e ajeteve të tij për të qenë sa më pranë Allahut të Lartësuar, shpërblehen me mëshirë, qetësi dhe falje gjynahesh.

 

 Kur vinte muaji i Ramazanit, muslimanëve të parë u dridheshin zemrat, u rrënqetheshin lëkurat e ishin të përulur ndaj urdhëresave të Kuranit, sepse ai është litari i Allahut, drita e qartë dhe shërimi i zemrave, mrekullitë e tij nuk mbarojnë kurrë dhe ai është mbrojtësi e shpëtimtari i kujtdo që kapet fort pas tij. Kur lexonin ndonjë ajet, që fliste për mirësitë dhe begatitë e Zotit në Xhenet, e ndjenin veten sikur ishin në mesin e këtyre mirësive dhe begative. Kur lexonin ndonjë ajet, që fliste për ndëshkimin e banorëve të zjarrit, frikësoheshin aq shumë, sa kujtonin se ishin brenda tij. Kur’ani për ta ishte ushqimi i zemrave dhe kënaqësia e shpirtrave. Ata i praktikuan dhe zbatuan urdhrat e tij dhe për këtë arsye e merituan që të mbartnin mbi supet e tyre mesazhin e Kuranit dhe të fesë.

 

- Prej gjërave, me të cilat Allahu na ka nderuar, është se Ai e ka zbritur Kur’anin për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë: nga errësirat e adhurimit të idhujve, gurëve dhe pemëve në adhurimin e Allahut, nga errësirat e legjendave, mitologjive, zakoneve, dokeve e ideologjive të shtrembërta në dritën e besimit tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne ta zbritëm librin e vërtetë, që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko në mesin e tyre me atë që zbriti Allahu. Mos ndiq dëshirat shfrenuese të tyre e të lagohesh nga e vërteta që të ka ardhur. Për secilin prej jush kemi përcaktuar ligj e program. Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull, por Ai deshi që t’ju sprovonte në atë që ju ka dhënë. Prandaj konkurroni në punë të mira. Të gjithë do të ktheheni tek Allahu, e Ai do t’ju njoftojë për atë që kundërshtoheshit”. [Sure El Maide: 48]

 

- Besimtari musliman nuk ka nevojë që të marrë si referencë librat qiellorë të mëparshëm, që të kërkojë të vërtetën dhe dritën, sepse në Kur’anin Fisnik gjendet drita e plotë, e vërteta, besimi dhe udhëzimi hyjnor. Ai nuk ka nevojë për librat e mëparshëm, sepse në to ka hyrë dora e njeriut dhe i ka ndryshuar nga origjinaliteti i tyre, ndërsa Kur’anin e ruan vetë Allahu i Lartësuar. Muslimani nuk ka nevojë për librat e mëparshëm, sepse Kur’ani mbart dritë, të cilën e përcjell tek ai që e lexon atë, ia ndriçon fytyrën, shpirtin dhe rrugën për tek Allahu.

 

Kur’ani nuk është thjesht një libër besimi, që i mbush zemrat dhe shpirtrat me dritë, por ai është ligji dhe programi i jetës së njeriut, i ngritur mbi bazën e gjykimit dhe adhurimit të Allahut, larg gjykimit të ideologjive të shtrembërta. Prandaj kur jobesimtarët dhe idhujtarët e Mekes me arrogancë dhe mendjemadhësi kërkuan një mrekulli nga Profeti Muhamed (a.s), që të besonin, përgjigja hyjnore ishte, se a nuk u mjaftonte atyre, që herë pas herë u zbrisnin ajetet kuranore.

           

Të nderuar agjërues e lexues të Kuranit!

 

Kurani, të cilin e lexoni, është libri që i ngjall zemrat e vdekura dhe pastron shpirtrat e rrënuar. Kur fjala e Allahut prek zemrën e gjallë dhe shpirtin e mirë, drita e saj depërton në çdo qelizë të njeriut. Kështu besimtari ndjen bindje, nënshtrim, përkushtim, përulje dhe rrënqethje të lëkurës për shkak të ndikimit të saj dhe më pas zemrat zbuten dhe qetësohen nga fjala e Allahut. Këto janë cilësitë, me të cilat karakterizohen lexuesit e Kur’anit, kur dëgjojnë fjalën e Allahut, pasi ata e kuptojnë mirë atë. Kur shpresojnë mëshirën dhe bujarinë e Allahut, ata ndryshojnë nga të tjerët në disa pikëpamje:

1- Kur lexojnë ajetet e Mëshiruesit, bien në sexhde duke qarë, të përulur dhe duke shpresuar tek shpërblimi hyjnor

2- Kur e dëgjojnë Kuranin, kanë respekt dhe sillen me edukatë ndaj tij, duke qenë pasues të sahabëve, të cilëve u rrënqetheshin lëkurat, kur profeti (a.s) u lexonte ajetet kuranore, por pastaj zemrat u zbuteshin, duke përmendur Allahun.    

 

Jo vetëm besimtarëve të mirë u rrënqethen dhe u dridhen lëkurat e zemrat, kur e lexojnë dhe e dëgjojnë Kuranin, por edhe krijesat e tjera ndikohen. Nëse Kurani do të kishte zbritur sipër një kodre, kodra do të çahej nga frika për Allahun. Një natë, Usejd ibn Hudejr (r.a) - shok i Profetit (a.s) - po lexonte suren Bekare. Gjatë leximit, kali i tij - të cilin e kishte lidhur - filloi të turfullonte. Ai e ndali leximin dhe kali pushoi. Kur filloi të lexonte, kali filloi të turfullonte përsëri. Ndaloi leximin për herë të dytë dhe kali u qetësua përsëri. Kur filloi të lexonte për herë të tretë, kali i këputi litarët dhe u largua. Pranë kalit ishte djali i tij, Jahja. Nga frika se mos kali do ta godiste djalin, Usejdi (r.a) e ndërpreu leximin e Kur’anit dhe e largoi djalin. Më pas ngriti kokën në qiell dhe pa diçka të habitshme. Të nesërmen në mëngjes shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tregoi se çfarë i kishte ndodhur. Profeti (a.s) i tha: “O Usejd, duhet ta kishe vazhduar leximin”. "Pata frikë për djalin - tha Usejdi dhe pastaj shtoi: Ngrita kokën nga qielli dhe pashë një re që vezullonte nga dritat. Profeti (a.s) e pyeti: “A e di se çfarë ishte ajo?” "Jo", - tha ai. Profeti (a.s) tha: "Ata ishin engjëjt, të cilët ishin afruar për të dëgjuar leximin e Kur’anit nga zëri yt melodioz. Nëse do të kishe vazhduar duke lexuar, do t’i kishin parë edhe njerëzit”.

Allahu i Lartësuar na ka treguar, se kur një grup xhindesh e dëgjuan Kuranin,  ai ndikoi menjëherë tek ata dhe kështu ata i besuan fjalët e tij. Mirëpo kur ata e dëgjuan Kuranin, nuk u ngujuan në vendet e tyre e as e morën atë si zbukurim për shtëpitë e tyre. Pëkundrazi, ata shkuan tek populli i tyre, duke iu folur për madhështinë e këtij libri.

 

Të nderuar agjërues!

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s) është ankuar tek Allahu i Lartësuar, për shkak se populli i tij e ka lënë pas dore dhe e ka braktisur Kuranin. Si do t’i përgjigjemi Profetit (a.s), pasi ne e kemi braktisur Atë. Sa muslimanëve u janë zënë veshët, kur kanë dëgjuar ajetet e tij? Sa muslimanë ndjekin rregullat dhe ligjet e vendosura nga njerëzit, duke i braktisur rregullat dhe ligjet e tij. Kurani është shkak i krenarisë dhe ndihmës. Që gjendja e popullit musliman të rregullohet, duhet që ata medoemos t’i kthehen mësimeve të Kuranit. Kurani i cili ka nxjerrë njerëz si Halidi, Muadhi, Aliu ..etj, është po ai, i cili nxjerr edhe njerëz të shquar në ditët e sotme, të cilët do të ndryshojnë rrjedhën e historisë.

 

Prandaj - o populli i Kuranit - kthejuni atij, lexojeni, mësojeni përmendësh, punoni dhe gjykoni sipas ligjeve dhe programeve të Kuranit.

 

Ahmed Ibn Ebu El Hauari thotë: “Unë e lexoj Kur’anin ajet për ajet dhe çuditem me hafizët, të cilët janë të përgjumur ndaj leximit të tij. Si është e mundur, që ata i japin rëndësi jetës së kësaj bote, ndërkohë që ata e lexojnë Kur’anin?! Nëse do ta kuptonin atë që e lexojnë, mëse do ta njihnin të vërtetën ashtu siç duhet dhe do ta shijonin ëmbëlsinë e tij, gjumi do të largohej nga sytë, për shkak të gëzimit dhe lumturisë që posedojnë”.

 

Zbukuroni zërat tuaj gjatë leximit të Kuranit. Melekët e Zotit afrohen atje ku lexohet bukur Kurani, prandaj le të mundohemi, që ta lexojmë sa më bukur këtë libër.

Usejd Ibn Hadhejri (r.a) - një nga shokët e profetit (a.s) - tregon: “Një natë me hënë të plotë po lexoja Kuran. Isha vetëm me fëmijën tim të vogël dhe kalin e kisha të lidhur. Kur po lexoja Kuran, dëgjova kalin që u tremb e desh këputi litarin. Pata frikë se mos më vret femijën. E ndërpreva leximin dhe kali i qetësua. Fillova të lexoj përsëri, por kali prapë filloi të trembet. Përsëri e ndërpreva leximin dhe kali përsëri u qetësua. Kur fillova të lexoj për herë të tretë, kali nuk duroi dot, këputi litarin dhe u largua. U ngrita të shikoj fëmijën tim se mos e shtypte kali. Në momentet kur po afrohesha tek fëmija im, ngrita kokën nga qielli dhe pashë një dritë vezulluese që nuk mund ta shpjegoja dot. Pastaj drita u largua”.

Kur ia tregoi këtë gjë Profetit (a.s), ai i tha: “Pse nuk vazhdove edhe pak o Usejd. Po të vazhdoje edhe më tepër me leximin e Kuranit, do të vinin njerëzit e do të shihnin melekët e Zotit, që kishin ardhur për të të dëgjuar ty, teksa lexoje Kuran”. Lexojeni këtë libër dhe keni për të ndjerë prezencën e krijesavë më të pastërta të Allahut (xh.sh), melekëve të Zotit. - Dijeni se ky libër nuk ka zbritur për t`u mbajtur i varur nëpër mure, për të ndenjur nëpër makina, apo për të zbukuruar shtëpitë. Ky libër ka ardhur, për të lidhur njeriun me Zotin. Ai nuk ka zbritur për të zbukuruar shtëpinë, por për të lidhur zemrën tënde me Allahun (xh.sh). Kur ta lexosh këtë libër, kur të punosh me të dhe kur të jetosh me të, atëherë do ta kuptosh se ky është libri i Zotit të gjithësisë.

 

Një nxënës e lexonte gjithë Kuranin brenda një nate. Imam Ahmedit nuk i erdhi mirë, kur e dëgjoi këtë, prandaj e thirri dhe i tha: “Kam dëgjuar, se ti e lexon Kuranin brenda një nate. Sonte do ta lexosh Kuranin, sikur je para meje”. Djaloshi shkoi në shtëpi dhe filloi ta lexonte Kuranin, sikur të ishte para mësuesit të tij. Ai arriti të lexonte vetëm një xhuz (1/30 e Kuranit). Të nesërmen i tha mësuesit të tij, se kishte arritur të lexonte vetëm një xhuz, për shkak të turpit që kishte ndjerë se imami ishte prezent bashkë me të gjatë leximit.

Imami  i tha: “Sonte do ta lexosh Kuranin, sikur je para Profetit (a.s)”. Këtë rradhë djaloshi, duke menduar se ishte para Profetit (a.s), nuk arriti të lexonte më shumë se një sure. Të nesërmen ia tregoi mësuesit të tij këtë gjë.

Atëherë imami i thotë: ”Shko dhe sonte lexoje Kuranin, sikur po ia lexon Allahut (xh.sh), pasi ai është libri i Tij, Ai e ka zbritur”. Të nesërmen nxënësi kthehet me sy të skuqur tek dijetari dhe i thotë mësuesit të tij duke qarë: “Pasha Zotin o imam, nuk arrita ta plotësoj një ajet, sepse mendoja Allahun (xh.sh) përpara meje. Sa shumë e paskam neglizhuar këtë libër”.

 

Të nderuar agjërues!

 

Ky është muaji i Ramazanit, muaji në të cilin ka zbritur Kurani. Kur’ani është libri i Allahut, i cili po të kishte zbritur mbi ndonjë kodër, ajo do të çahej. Lexojeni Kuranin, reflektoni në ajetet e tij dhe vërini në zbatim porositë e tij që të jeni të shëptuar në këtë botë dhe në botën tjetër.


[1]  - Sure Bekare: 185

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

25/05/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:09 05:0912:4516:4120:0721:53

Mirësevjen Ramazan

Unë e dua Zotin tim,

dhe agjëroj për të fituar kënaqësinë e Tij.

Duke patur gjithnjë këtë synim në mendje,

agjërimi bëhet shkas

që unë të ripërtërij

marrëdhënien time me Të,

e kështu ndihem më mirë.

Jeta shkon gjithnjë vale-vale,

herë ulje e here ngritje,

dhe lidhjet tona lëkunden,

prandaj le ta shohim këtë Ramazan

si një mundësi shkëputjeje për tu rilidhur,

një mundësi përtëritjeje shpirtërore,

një muaj ku dime ku të fokusohemi më së miri.

 

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook