Roli i Havasë në nxjerrjen e Ademit a.s nga xheneti


Pyetje:”A është e vërtetë se nëna jonë Havaja, është shkaku që babai ynë Ademi a.s u nxor nga xheneti? A është e vërtetë se ajo e joshi dhe e nxiti për të ngrënë nga pema e ndaluar, e për rrjedhojë nga privoi dhe ne pasardhësit e saj nga xheneti? A është e vërtetë se ajo është shkaku i vuajtjeve dhe halleve tona sot? Këtë pyetje e shtroj pasi dëgjoj shumë persona që ia adresojnë femrës të gjitha vuajtjet, se ajo qëndron pas çdo fatkeqësie. A ekziston ndonjë pasazh i shenjtë i cili e mbështet apo e hedh poshtë këtë pretendim? Presim një përgjigje të shtjelluar prej jush!”

Myfti: Shejh Jusuf Kardavi

Përgjigje:”Ti atribuosh femrës ose nënës tonë Hava, përgjegjësinë për vuajtjet e njerëzimit pasi ishte ajo që e joshi Ademin a.s për të ngrënë nga pema e ndaluar, nuk ka asnjë lidhje me islamin. Burimi i këtij mendimi është Teurati dhe është besimi i hebrenjve dhe të krishterëve, gjë të  cilën e reklamojnë mendimtarët dhe poetët e tyre. Për fat të keq, u kanë vajtur pas dhe disa myslimanë duke i imituar verbërisht, pa u mbështetur në argumente.

Kushdo që lexon historinë e Ademit a.s në Kuran dhe i studion pasazhet e shpërndara që flasin për këtë ngjarje, kupton si më poshtë:

1 – Urdhëri hyjnor për të mos ngrënë nga pema e ndaluar u adresohej të dyve njëkohësisht, si Ademit a.s dhe Havasë.

“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. (Bekare, 35)

2 – Ai që i joshi, i tundoi, i mashtroi dhe ua hodhi të dyve ishte shejtani i mallkuar. Thotë Zoti në Kuran:

“Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin.” (Bekare, 36)

Në suren Araf, shohim që ofrohen detaje më të shumta rreth hileve dhe taktikave që përdori shejtani për ti joshur drejt pemës së ndaluar.

“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” Dhe iu betua atyre (duke thënë):“Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 20-23)

Kurse në suren Taha shohim që Ademi a.s trajtohet si përgjegjësi i parë lidhur me gjynahun dhe jo Havaja. Prandaj dhe kritika hyjnore i adresohej atij. Edhe pse e shoqja mori pjesë në këtë shkelje, pasazhet e Kuranit lënë të kuptohet që roli i saj nuk ishte në të njëjtin nivel me atë të Ademit a.s, sikur ajo ndoqi Ademin a.s në këtë akt.

“Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur. Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi. Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë). Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi.” (Taha, 115-120)

3 – Kurani deklaron se Ademi a.s u krijua nga Zoti për një mision të caktuar, që para se të krijohet dhe ky mision iu tregua dhe engjëjve, të cilët e morën sikur Zoti e kishte privilegjuar dhe favorizuar Ademin a.s mbi ta. Kjo ceket në suren Bekare dhe janë ajete të cilat tregojnë se çfarë ngjau para krijimit t Ademit a.s, para se të banojë në xhenet, para se të hajë nga pema e ndaluar etj...

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” “Qofsh i lavdëruar! - thanë ata - Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” “O Adem, - tha Ai - ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Bekare, 30-33)

Në një hadith të saktë, thuhet se Ademi a.s dhe Musai a.s u takuan në botën e  gajbit. Musai a.s u orvat t’ia adresojë atij vuajtjet njerëzimit, për shkak se hëngri nga pema e ndaluar, por Ademi a.s iu përgjigj se kjo ishte caktim i Zotit që para se të krijohej. Ai do të krijohej për të përmbushur misionin hyjnor të popullimit të tokës dhe ndërtimit të jetës sipas ligjeve hyjnore. Ai i tha Musait a.s se diçka të tillë e gjen dhe në Teurat.

Nga ky hadith, kuptojmë dy gjëra:

E para: Musai a.s fajësoi Ademin a.s dhe nuk fajësoi Havanë. Kjo tregon se pasazhet e Teuratit që ia faturojnë Havasë fajin e mëkatit të parë, janë manipuluar dhe shtuar përgjatë historisë.

E dyta: Zbritja e Ademit a.s dhe familjes së tij në tokë, ishte paracaktuar më parë, ishte shënuar në Ummul Kitab, që para se të krijohej Ademi a.s. Kjo krijesë e përgjegjshme dhe me vullnet të lirë, duhej të përmbushte misionin hyjnor në tokë.

4 – Xheneti ku jetonte Ademi a.s, ku ushqehej me ç’të donte dhe prej ku u hoq pas shkeljes së urdhrit hyjnor, nuk është domosdoshmërish xhenetit i amshuar, i përgatitur për të devotshmit në botën tjetër, atje ku ka gjëra që syri si ka parë, veshi si ka dëgjuar dhe nuk i ka vajtur në mendje njeriu. Dijetarët myslimanë kanë mospajtime lidhur me faktin nëse xheneti i Ademit a.s ishte xheneti i amshuar, apo ishte një parajsë tokësore. Kurani e përdor termin “xhenet” edhe për kopshte dhe ferma tokësore siç e gjejmë dhe në suren Kalem:”Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit (xhenetit) ...” (Kalem, 17)

“Dhe jepu atyre si shembull ndodhinë e dy njerëzve. Njërit prej tyre Ne i kishim dhënë dy kopshte (xhenete) vreshtash, që i kishim rrethuar me hurma e midis tyre kishim bërë fusha drithi.” (Kehf, 32)

Ibnul Kajjim i ka përmendur dy mendimet rreth kësaj çështjeje dhe argumentet e secilit në librin “Miftahu Dari Seade”.

Zoti e di më mirë!

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

17/08/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:02 05:4612:5216:3919:4521:18

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook