By: Shejh Mutevali Sharavi

Rreth caktimit të Zotit


Shpesh herë, mes myslimanëve lindin pyetje dhe dyshime rreth çështjes së caktimit të Zotit. Ndër këto pyetje janë:

Si mund të kuptohen ajetet të cilat flasin për udhëzimin e Zotit dhe rolin e njeriut në udhëzim? A janë përgjegjëse tekstet rreth caktimit të Zotit në prapambetjen e myslimanëve? Deri ku shtrihet përgjegjësia e gjynahqarëve, të cilët fshihen pas caktimit të Zotit për gjynahet që bëjnë, duke thënë:”I ka caktuar Zoti që ti veprojmë këto gjëra dhe kur ta caktojë Ai për tu penduar, do të pendohemi!”

Kur flasim për caktimin e Zotit (kada dhe kader) duhet të kemi parasysh se po flasim për një çështje tepër të ndjeshme edhe për vetë dijetarët të cilët i janë qasur asaj.

Në çdo kohë, pas asaj të shokëve të profetit Muhamed a.s, është ngritur për diskutim çështja e caktimit të Zotit.

Para se të thellohemi në këtë çështje, lipset të bëjmë një parathënie rreth faktit nëse njeriu është i detyruar të veprojë sipas caktimit të Zotit apo e zgjedh vetë si të veprojë. Kjo, sepse të gjykosh për diçka, lidhet drejtpërdrejt me përfytyrimin dhe imazhin e krijuar rreth saj.

Duhet të dimë se kur lind një problematikë, si ajo nëse njeriu është i detyruar (determinuar) apo ka në dorë të zgjedhë, lind vetëm kur shfaqen faktorë që mbështesin njërën anë dhe faktorë të tjerë që mbështesin anën tjetër. Për shembull, nëse dikush thotë:”Nuk mund të jap një gjykim për filanin nëse është bujar apo koprrac!” Nuk ka asnjë dyshim që nëse ai ka parë vetëm akte bujarie nga filani, nuk do i lindte fare ideja e të qenit koprrac, ashtu siç nëse do të shihte vetëm akte koprracie nuk do i lindte ideja e të qenit bujar.

Që këtu, kemi ndarje të aktivitetit. Pra, kemi aktivitete që ndodhin brenda meje dhe jashtë meje. Aktivitetet që ndodhin brenda meje, janë ato të organeve të mia të brendshme, ku unë nuk kam asnjë rol dhe ndikim. Në këtë rast, unë jam i determinuar, pra jam i detyruar dhe nuk kam të drejtë zgjedhjeje dhe është rahmeti i Zotit që të jem i tillë.

Gjithashtu, njeriu është i determinuar për aktivitetet dhe veprimet që i vijnë nga jashtë, nga të tjerët, pasi nuk ka rol në to. Mu për këtë, këto dy aktivitete janë jashtë përgjegjësisë së njeriut, sepse ai nuk ka asnjë ndikim dhe nuk bëhen me zgjedhjen e njeriut. Njeriu sëmurët, i rreh zemra në një ritëm të caktuar, i zverdhet lëkura, i dëmtohet një nga gjymtyrët etj... dhe në të gjitha këto njeriu nuk ka dorë, sepse janë procese që i ndodhin në brendësi për shkak të faktorëve që ai nuk i ka në dorë.

Njeriu nuk ka përgjegjësi as për proceset dhe aktivitetet që i vijnë nga jashtë, pasi nuk ka asnjë rol në të.

Sakaq, proceset dhe aktivitetet që ndodhin direkt prej meje, me zgjedhjen dhe vullnetin tim, hyjnë në kuadrin e përgjegjësisë. Këtu hyjnë të gjithë ato aktivitete për të cilat unë mendohem, i pleqëroj thellë nëse duhet ti veproj apo jo, pastaj vendos. Kjo është zona e përgjegjësisë, ajo e zgjedhjes time personale.

Që këtu, themi se një person që thotë në mënyrë absolute se njeriu është i determinuar (i detyruar), ka gabuar, ashtu siç gabon ai që thotë se njeriu ka në dorë gjithçka në mënyrë absolute.

Prandaj, tek njeriu ekziston një hapësirë deterministe dhe një tjetër e lirë në të cilën mund të zgjedhë. Përgjegjësia fillon e mbaron në hapësirën e lirë, aty ku njeriu mund të zgjedhë mes veprimit ose jo veprimit. Ne duhet të kuptojmë se aktivitetet dhe proceset që zhvillohen brenda nesh dhe ato që na vijnë nga jashtë, bëjnë pjesë në hapësirën e determinizuar, të detyruar, ku ne nuk kemi asnjë ndikim. Është rahmeti i Zotit që ne të jemi të detyruar dhe të determinizuar në këtë hapësirë, pasi nuk kemi asnjë rol në të, nuk e njohim dhe nuk mund ta trajtojmë, aq më tepër që ato zhvillohen që në embrionin tonë, që atëherë kur ne nuk kemi të drejtë vendimi, atëherë kur nuk jemi të pjekur mendërisht.

Sakaq, hapësira e përgjegjësisë, ajo ku ne kemi lirinë dhe të drejtën të vendosim vetë, udhëhiqet nga një ligj dhe rregull, i cili është specifik për fetarët, të cilët e marrin sistemin e jetës nga Zoti; bëj kështu dhe mos bëj ashtu. Nëse njeriu nuk do të mund ta vepronte diçka, Zoti nuk do i kishte kërkuar ta veprojë. Gjithashtu, nëse ai nuk do të ishte në gjendje ta frenojë veten dhe të mos e veprojë, Zoti nuk do i kishte kërkuar të distancohet prej tij. Kjo tregon se urdhri i Zotit për ta vepruar apo jo, është tregues se Zoti i ka dhënë dhe i ka caktuar njeriut një hapësirë zgjedhjeje në kuadrin e përgjegjësisë së tij. Prandaj, zgjedhja që bën njeriu, nuk do të thotë se ai doli jashtë caktimit të Zotit, sepse Ai që ia caktoi njeriut të jetë i determinuar në disa gjëra, është po Ai që ia ka caktuar të ketë lirinë për gjëra të tjera. Çfarëdo që të veprojë njeriu, nuk është jashtë hapësirës së caktimit të Zotit.

Kur dijetarët iu qasën kësaj çështjeje, iu qasën në dy kahje ekstreme dhe ky ekstremitet, nëse mendojmë mirë, kishte si qëllim përforcimin e njërës nga cilësitë e Zotit.

Ata që thoshin se njeriu është i determinuar në mënyrë absolute, donin të përforcojnë idenë se Zoti është i Gjithëpushtetshëm, se ka në dorë gjithçka dhe se njeriu nuk mundet të qëndrojë jashtë kontrollit të Zotit. Këtyre u themi që “Keni të drejtë” por kur e thoni diçka të tillë, i hyni në hak një cilësie tjetër hyjnore. Ashtu siç tregoni zell për cilësinë e pushtetit të pakufi dhe kontrollit të gjithçkaje në ana e Zotit, duhet të tregoni zell edhe për cilësinë tjetër, atë të drejtësisë.

Dëshira për të nxjerrë në pah një nga cilësitë reale të Zotit, nuk ka përse të bëhet shkak për ti “hyrë në hak” një cilësie tjetër. Cilësitë e Zotit duhen pranuar në tërësi duke mos u dhënë ndaj njërës në kurriz të tjetrës. Bëni mirë që fokusoheni tek cilësia e pushtetit të pakufishëm të Zotit, por nga ana tjetër keni lënë pas dore një cilësi tjetër të rëndësishme, drejtësinë hyjnore. Duhet ditur se nga drejtësia hyjnore është që Zoti të mos e ndëshkojë njeriun për një gjynah, veçse pasi ti ketë caktuar hapësirën e nevojshme për të zgjedhur që ta veprojë ose jo.

Kur themi që Zoti e ka krijuar dhe i ka caktuar njeriut hapësirën për të zgjedhur për ta vepruar ose jo një vepër, paralelisht me cilësinë e drejtësisë, ne theksojmë dhe cilësinë hyjnore të pushtetit të pakufishëm. Një hapësirë e tillë, i jep hakun secilës nga dy cilësitë e lartpërmendura.

Nga ana tjetër, ata që morën qëndrim tjetër ekstrem dhe thanë se njeriu vendos për gjithçka, i janë dhënë totalisht cilësisë së drejtësisë së Zotit, por nuk i kanë dhënë të njëjtin impenjim pushtetit hyjnor. Të dy palët duhet të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe ti korrigjojnë ato. Për dy kahje të ndryshme, rishikimi dhe korrigjimi i qëndrimeve bëhet duke u vendosur ballë për ballë. Nëse një njeri ndodhet në një qosh rruge, kurse tjetri në qoshen tjetër, sa më shumë të ecin në drejtime të kundërta aq më shumë largohen dhe anasjelltas. Deterministi duhet të heqë dorë nga qëndrimi i tij ekstrem, ashtu siç duhet të heqë dorë nga qëndrimi i tij ekstrem pala tjetër, me qëllim që të takohen në mes të rrugës, ku secilës nga dy cilësitë hyjnore “pushteti dhe drejtësia” i jepet e drejta e saj.

Ky është mendimi më i drejtë rreth caktimit të Zotit (kada dhe kader).

 

Përktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5106:2811:3314:0316:2517:51

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook