By: Amer Halid

Safije bintu Hujej ibnul Ahtab


Babai i Safijes, është Hujej ibnul Ahtab, udhëheqësi dhe rabini i çifutëve të fisit Benu Nedir. Çifutët e Medines, ishte tre fise: Benu Kajnuka, Benu Nedir dhe Benu Kurejda. Për shkak se ata e shkelën marrëveshjen me Profetin a.s dhe myslimanët për të jetuar në paqe, Profeti a.s i dëboi nga Medineja.

Fisi i parë çifut që u dëbua nga Medineja, ishte Benu Kajnuka. Shkaku i dëbimit është se një grua myslimane, shkon në tregun e çifutëve dhe hyri në dyqanin ku shitej flori për të parë. Shitësi çifut, i doli nga pas dhe gjatë kohës që ajo ishte e ulur, lidhi fundin e fustanit të gruas me shaminë e saj. Kur u ngrit myslimaneje, iu zbulua pjesa e pasme, gjë e cila shkaktoi të qeshura nga çifutët e tjerë që shisnin. Një mysliman që ndodhej në treg, nxori shpatën dhe e vrau shitësin çifut që e bëri këtë. Menjëherë, çifutët e tjerë u grumbulluan dhe e vranë myslimanin. Atëherë Profeti a.s i rrethoi në kullat e tyre dhe në fund i dëboi nga Medineja. E gjitha kjo, për shkak se një myslimane iu zbulua një pjesë e trupit.

Fisi tjetër i çifutëve në Medine ishte Benu Nedir. Kryetari i këtij fisi ishte Hujej ibnul Ahtab. Ai vuante nga një urrejtje e pazakonte ndaj Profetit a.s. Një herë, kur Profeti a.s vajti për t'u takuar me çifutët e fisit të tij, ai thuri një komplot kundër Profetit a.s, pasi urdhëroi që t'i hidhnin në gur nga tarraca. Profetin a.s e njoftoi Xhibrili a.s që të largohej. Prandaj Profeti a.s i dëboi nga Medineja, dhe i pari ishte pikërisht Hujej ibnul Ahtab. Fisi i tij u vendosën në Hajber, pasi i dëboi Profeti a.s. Me t'u vendosur në Hajber, Hujej ibnul Ahtab filloi lëvizjet për të sulmuar myslimanët në Medine. Ai u bë shkak që fiset arabe me kurejshët të sulmonin Medinen në betejën e Hendekut. Ai kaloi tek të gjithë fiset arabe, njëri pas tjetrit dhe u kërkonte të formojnë një aleancë kundër Muhamedit a.s.  

Ky ishte Hujej ibnul Ahtab, babai i Safijes, e cila martohet më pas me Profetin a.s. Xhaxhai i Safijes ishte rabin dhe e njihte mirë Teuratin, ashtu siç njihte cilësitë dhe tiparet e profetit të fundit.

 

Safija e privilegjuara e babait

 

Babai i saj, Hujej, e donte dhe ishte shumë e lidhur me të. Si babai dhe xhaxhai i saj, i ishin përkushtuar si asnjë fëmije tjetër. I gjithë ky interes dhe kujdes, pasi tek ajo shihnin cilësitë dhe tiparet e gruas së Profetit të fundit. Në Teurat, përmenden të gjithë cilësitë e profetit të fundit, përveç njërës, që ai do të jetë arab. Duke qenë se profetët e tjerë kishin dalë nga mesi i çifutëve, ata mendonin se edhe profeti i fundit do të jetë prej tyre. Ata i kërcënonin shpesh herë arabët se kishte ardhur koha e profetit të fundit dhe se do të triumfonin kundër arabëve me anë të tij.

Kur Profeti a.s doli nga mesi i arabëve, ata e përgënjeshtruan dhe refuzuan ta besojnë, edhe pse e dinin se është profeti që përmendej në Teurat.

Kur u dha lajmi që Profeti a.s do të vinte në Medine, bashkë me medinasit, doli për ta pritur dhe për t'u siguruar dhe Hujej ibnul Ahtab. Ai u takua me Profetin a.s, bisedoi me të dhe i drejtoi disa pyetje.

Ai e pyeti:"Ku e ke babanë?"

Profeti a.s iu përgjigj:"Ka vdekur."

Hujej:"Ku e ke gjyshin?"

Profeti a.s:"Ka vdekur."

Hujej:"Kush të ka rritur?"

Profeti a.s:"Xhaxhai."

Me çfarë je marrë në vegjëli?"

Profeti a.s:"Kam kullotur delet."

Hujej e shikonte me vëmendje dhe e pyeste:”A mund të të shikoj mes dy shpatullave? (Kërkonte vulën e profecisë).

Pasi Profeti a.s iu përgjigj të gjitha pyetjeve të tij, Hujej ibnul Ahtab e kuptoi që ai ishte i dërguari i Zotit.

Pasi e pyeti mbi të gjitha shenjat u largua. Kur arriti në shtëpi, i vëllai i tij e pyeti:”A ai ishte?”

“Po” iu përgjig Hujej.

Vëllai e pyeti përsëri:”Çfarë ke ndërmend të bësh tani?”

Hujej iu përgjigj:”Do i shpall armiqësi derisa të jem gjallë.”

Këto fjalë i dëgjoi Safija, vajza e Hujej. Asokohe, ajo ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeçe. Po atë natë, ajo sheh një ëndërr të çuditshme. Ajo pa hënën e plotë të zbresë nga qielli dhe të qëndrojnë në prehrin e saj. Duke qenë se nuk e kuptoi këtë ëndërr, i kërkoi babait dhe xhaxhait t'ia komentojnë. Kur e dëgjoi këtë babai i saj, u bë vrer në fytyrë, e qëlloi me pëllëmbë dhe i tha:"A lakmon të bëhesh gruaja e  tij?!"

Edhe pse ishte i bindur se vajza e tij do të martohej me Profetin a.s, ai ndërmori një hap të guximshëm, e martoi atë me një çifut që quhej Sulam ibnu Meshkem. Kështu, Safija njëmbëdhjetë vjeçare u martua me një çifut. Duket qartë që martesa e vajzave të reja, ishte zakon tek të gjithë, jo vetëm tek arabët. Kjo, pasi vajzat e mbushin moshën e pubertetit që në moshë të vogël. Zakone të tilla kanë të bëjnë me ambientin përreth. Ne sot shohim që fëmijët palestinezë qëndrojnë para tankeve, duke i qëlluar me gurë dhe duke mos u frikësuar prej tyre. Ndërkohë që ne edhe pse jemi të rritur, e kemi të vështirë ta bëjmë këtë.

Martesa e Safijes me burrin e parë zgjati deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Kur fisi Benu Nedir u dëbua nga banesat e tyre dhe u vendos në Hajber, bashkë me ta u shpërngulën dhe Hafsa me të shoqin.

Kur ndodhi konflikti përfundimtar mes myslimanëve dhe hebrenjve të Hajber, numri i ushtrisë myslimane ishte 1.400, kurse numri i ushtrisë çifute ishte 10.000. Veç kësaj, ata ishin të mbrojtur në shtatë kulla të fortifikuara dhe me pajisje luftarake të mjaftueshme. Ushqimet që kishin, u mjaftonin për të qëndruar në kulla për një vit. Me gjithë këtë, kjo betejë do të përfundojë me triumfin e myslimanëve. Gjatë luftimeve, mbetet i vrarë dhe Hujej ibnu Ahtab, Selam ibnu Meshkem – burri i Safijes – dhe shumë të tjerë. Kurse vetë Safija me motrën e saj merren robëresha dhe i dërgojnë para Profetit a.s. Kur e pa Profeti a.s Safijen, pyeti:"Po kjo kush është?"

Ata i thanë:"Është vajza e Hujej ibnul Ahtab, liderit të çifutëve."

Profeti a.s u tha:"Silleni këtu!"

Me të hyrë brenda, Safije e përshëndeti Profetin a.s me fjalët:"Paqja e Zotit qoftë mbi ty o i dërguar i Allahut!"

Profeti a.s e pyeti:"A e din që unë jam i dërguar i Allahut?"

Safije u përgjigj:"Po o i dërguar i Allahut." Dhe më pas i rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur.

Profeti a.s e pyeti:"A pranon një ofertë më të mirë se robëria?"

Safije tha:"Çfarë është ajo o i dërguar i Allahut?"

Profeti a.s iu përgjigj:"Të martohesh me mua."

 

Përse martesa me vajzën e Hujej ibnul Ahtab?

 

Babai i Safijes, Hujej ibnul Ahtab, jo vetëm që ishte armik i Profetit a.s, komplotoi për vrasjen e tij, por edhe kishte ngritur të gjithë Gadishullin Arabik kundër Profetit a.s dhe muslimanëve. Vajza e këtij personi, ishte zënë robëreshë tani nga myslimanët. Vallë çfarë ndjenin myslimanët kundrejt kësaj gruaje, babai i të cilës nuk kishte lënë gur pa lëvizur kundër myslimanëve? A nuk e meritonte që ajo të jetonte e nënshtruar, ashtu siç ndodh edhe në ditët e sotme me robërit e luftës?

Por jo. Ne myslimanët jemi ndryshe, nuk mund të ia kthejmë me të njëjtën monedhë armikut tonë.

Me qëndrimin e tij, Profeti a.s i jep njerëzimit mësimin më të mirë që kjo fe është fe e tolerancës dhe harmonisë. Jo vetëm që do i falet liria, por edhe do të martohet me njeriun më të mirë, të dërguarin e Zotit a.s.

Veç kësaj, ajo që na mëson ky qëndrim i Profetit a.s, është se pasi u bë myslimane, ajo tashmë është motra jonë në fe. Me të përqafuar islamin, zemra e Profetit a.s dhe e besimtarëve bën një kurs 180 gradë, duke e dashur atë që deri dje e urrenin dhe e kishin hasm.

Tregon Umer ibnul Hattabi për një person të quajtur Umejr ibnu Vehb dhe thotë:"Për Zotin, një derr e dua më shumë se ç'dua Umejr ibnu Vehb-in."

Por ditën që ai pranoi islamin, Umeri thotë:"Për Zotin, Umejr ibnu Vehb e dua më shumë se ç'dua fëmijën tim më të mirë."

Edhe pse të afërmit e Safije bintu Hujej ishte hebrenj, tani që ajo pranoi islamin, e ka detyrë që t'i respektojë dhe të ruajë lidhjet e gjakut me ta. Me këto, Profeti a.s na tregon që islami është fe e mëshirës dhe e ruajtjes së lidhjeve të gjakut, edhe nëse këta i përkasin një feje tjetër.

Profeti a.s u martua me Safijen që në Hajber. Ai hyri dy net rresht në çadrën e saj për të fjetur, por ajo refuzoi. Herën e tretë, Profeti a.s hyri në çadrën e saj pasi ishin larguar nga Hajber dhe ajo pranoi. Kur e pyeti Profeti a.s për refuzimin e saj dy netët e para, ajo i tha:"Sepse kisha frikë mos të vrisnin çifutët o i dërguar i Zotit. Tani që jemi larg tyre nuk kam më frikë."

Natën e parë që Profeti a.s fjeti me Safijen, tek çadra e tij bënte roje Ebu Ejub El-ensarij. Të gjithë myslimanët e tjerë ishin shtrirë duke fjetur dhe duke pushuar nga lodhja e luftës, kurse Ebu Ejubi qëndroi  gjithë natën në këmbë pa fjetur. Kur u zgjua Profeti a.s në mëngjes dhe e pa Ebu Ejubin në këmbë të zgjuar, e pyeti:"Çfarë ka ndodhur o Ebu Ejub?"

Ai iu përgjigj:"O i dërguar i Allahut! Isha i shqetësuar për jetën tënde nga kjo grua çifute. Asaj i është vrarë babai, xhaxhai dhe i shoqi në luftë me ne."

Profeti a.s e pa në sy dhe i tha:"Zoti të ruajt siç më ruajte mua o Ebu Ejub."

Nga kjo lutje e Profetit a.s, Ebu Ejubi do të vazhdojë të marrë pjesë në lufta dhe të luftojmë mbi kal gjer në moshën nëntëdhjetë vjeçare. Kur u plagos për vdekje pranë mureve të Kostandinopojës, ai u tha ushtarëve:"Më afroni sa të mundni me muret e qytetit dhe atje më varrosni."

 

Safije bintu Hujej dhe gratë e tjera të Profetit a.s

 

Faktin që Safija ishte çifute, gratë e tjera të Profetit a.s nuk e përtypnin dot.

Një herë, Profeti a.s ishte në dhomë me Aishen dhe u përmend emri i Safijes. Aisheja, bëri shenjë me pëllëmbë, për të treguar se Safija është një grua e shkurtër si shenjë përçmimi dhe tha:"Shkurtabiqe."

Atëherë Profeti a.s u drejtua dhe i tha:"Ke thënë një fjalë, e cila po të përzihet me ujin e detit, do ia ndryshonte ngjyrën."

Po ne sa fjalë të tilla themi në ditë? Sa njerëz përgojojmë në ditë? Ruaje veten nga akuzat dhe përgojimi o vëlla dhe oj motër!

Thotë Profeti a.s në një hadith:"Një njeri mund të thotë një fjalë të cilës nuk i kushton rëndësi, por që zemëron Zotin,  me këtë fjalë ai rrëshqet në zjarrin e xhehenemit për shtatëdhjetë vite."

Ruaje veten o motër nga përgojimi i vjehrrës dhe ruaje veten ti o vjehërr nga përgojimi i nuses.

Gjatë ditëve që Profetit a.s ishte i sëmurë, para vdekjes, të gjitha gratë e tij ishin mbledhur rreth tij dhe i shërbenin. Në një çast, Safije ndërhyn dhe i thotë:"Flijoj veten për ty o i dërguar i Allahut! Do të doja që dhimbjet që ke, të më jepen mua o i dërguar i  Allahut."

Gratë e tjera të Profetit a.s, i shkelën syrin njëra-tjetrës për këto fjalë të Safijes. Profeti a.s u tha:"Lajeni gojën!"

Ato e pyetën:"Përse o i dërguar i Allahut? Ne nuk kemi ngrënë gjë!"

Profeti a.s u tha:"Për atë që bëtë në hak të Safijes."

Kur Profeti a.s i dëgjoi dy persona të përgojojnë një të tretë, i urdhëroi të lajnë gojën dhe të pastrojnë dhëmbët. Ata i thanë:"Po ne nuk kemi ngrënë mish o i dërguar i Allahut?!"

Profeti a.s ua ktheu:"Po, keni ngrënë. Keni ngrënë mishin e vëllait tuaj."

Thotë Zoti në Kuran:"Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë!" (Huxhurat, 12)

Një herë tjetër, gratë e Profetit a.s ia rënduan me fjalë Safijes, derisa filloi të qajë. Kur e pa Profeti a.s duke qarë, i tha:"Mos u mërzit! Nëse të thonë sërish çifute, u thuaj:"E cila prej jush është më e mirë se unë? Burri im është Muhamedi, babai im është Haruni dhe xhaxhai im Musai!"

 

Vdekja e Safijes

 

Në kohën e kalifatit të Umerit, skllavja e Safijes vajti tek Umeri dhe i tha:"O Prijës i besimtarëve! Safija e shenjtëron ditën e shtunë dhe interesohet për çifutët."

Menjëherë, Umeri i çoi fjalë dhe kur erdhi i tha:"A është e vërtetë që e bën këtë?"

Safije iu përgjigj:"O Prijës i besimtarëve! Për sa i përket të shtunës, që atë ditë që Zoti më dha ditën e xhuma, nuk e kam dashur kurrë të shtunën. Kurse për sa i përket çifutëve, vetë islami e kërkon që të sillem mirë me gjakun tim."

Atëherë, Umeri i tha:"Shko mirë me gjakun tënd o nëna jonë!"

Ajo jetoi deri në kalifatin e Uthman ibnu Affanit. E veçantë është se në kohën e konfliktit me Uthmanin, kur e patën izoluar në shtëpi, ajo insistonte t'i çojë ushqim për të ngrënë."

Kjo ishte nëna jonë, Safije bintu Hujej ibnul Ahtab.

 

 

 

 

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/12/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:14 06:5411:4213:5816:1817:47

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook