Shenjtëria e Mekes


Ebu Shurejh tregon se, kur Amër ibnu Saidi po çonte forcat e tij në Mekë për të luftuar Abdullah ibnu Zubejrin, ai i ka thënë Amrit: O prijës! Më lejo të të rrëfej se çfarë ka thënë Profeti (a.s.) një ditë pas çlirimit të Mekës. Tha fjalë të cilën ma dëgjuan veshët, ma ndjeu zemra dhe e pashë me sytë e mi kur tha. Profeti (a.s.) lavdëroi dhe falenderoi Allahun e Madhëruar dhe pastaj tha: “Padyshim që Mekën e bëri të shenjtë Allahu dhe nuk e bënë të shenjtë njerëzit. Prandaj nuk i lejohet askujt, i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundme, që atje të derdhë gjak dhe të presë pemët e saj. E në qoftë se ndokush diskuton se kjo gjë është e lejueshme ngaqë i Dërguari i Allahut (a.s.) luftoi atje, i thoni atij se Allahu ia lejoi të Dërguarit të Tij, por kurrë nuk ua lejoi juve.” Më pas Profeti (a.s.) shtoi: “Në të vërtetë, Allahu më lejoi mua vetëm pak orë, ndërsa sot asaj i është kthyer shenjtëria që ka pasur, si vlera e shenjtërisë së saj dje. Është detyrë për të pranishmit që t’ua përcjellin këtë mesazh atyre që nuk janë këtu. Dikush e pyeti Ebu Shurejhin: Cili ishte reagimi i tij ndaj teje? O Ebu Shurejh, unë e di më mirë se ty – tha ai. Haremi nuk mund të strehojë një njeri të pabindur, ose që është i arratisur me gjak apo që është arratisur si tradhtar.” [1]

Kuptimi i disa termave:

Po çonte forcat e tij në Mekë për të luftuar:po dërgonte ushtrinë e armatosur nga Medina në Mekë për të luftuar Abdulla ibnu Zubejrin.

Nuk e bënë të shenjtë njerëzit:dhe si rrjedhojë ata ta prishin këtë shenjtëri kur të duan.

Më lejoi mua vetëm pak orë: Allahu e lejoi Profetin (a.s.) që të luftonte për të çliruar Mekën në një pjesë të ditës. Dhe kjo zgjati nga lindja e diellit deri në namazin e iqindisë.

Haremi: vendi të cilin Allahu e ka shenjtëruar. Është qëllimi për Mekën.

I arratisur me gjak: që ka ikur në harem si luftëtar.

            Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

            Kur njerëzit i dhanë besën Jezid ibnu Muauijes për të qenë ai prijës, jo të gjithë njerëzit e aprovuan këtë fakt. Një prej tyre ishte Abdulla ibnu Zubejri, i cili ishte në Mekë. Kur Abdullahu e kundërshtoi Jezidin, i cili ishte në Medine, Jezidi urdhëroi funksionarin e tij Amër ibnu Said El Eshdek që të përgatiste një ushtri për të luftuar Abdullahun që ishte në Mekë, me qëllim që ai ose të vritej ose t’i jepte besën Jezidit.

            Kur Amër ibnu Saidi po përgatiste ushtrinë për në Mekë, tek ai vjen Ebu Shurejh që ta këshillonte. Duke qenë se Amri kishte një pozitë të lartë, dhe Ebu Shurjehi kishte shumë dëshirë që të përcillte tek ai atë që kishte dëgjuar me veshët e tij nga Profeti (a.s.), morri leje që t’i tregonte atij fjalët e Profetit (a.s.) një ditë pas çlirimit të Mekës. Për të vërtetuar fjalët e tij ai tha se e kishte dëgjuar me veshët e tij, i kishte ndjerë me gjithë zemër dhe e kishte parë me sytë e tij Profetin (a.s.) kur kishte folur. Amri e lejoi atë që të fliste.

            Ebu Shurejhi tregoi se Profeti (a.s.) një ditë pas çlirimit të Mekës, mbajti një fjalim. Ai (a.s.) e kishte zakon që fjalimet e tij i fillonte me lavdërimin dhe falenderimin e Allahut të Lartësuar. Pastaj ai (a.s.) u foli njerëzve për shenjtërinë e Mekës. Këtë shenjtëri ia kishte dhënë Allahu i Lartësuar dhe jo njerëzit. Duke qenë se Meka është e tillë, atëherë është e ndaluar lufta në të dhe po ashtu prerja e pemëve. Prandaj një njeriu i cili beson Allahun e Lartësuar dhe Ditën e Gjykimit nuk i lejohet që të derdhë gjak dhe as të presë pemë në të.

            E nëse dikush e lejon luftën në të duke u bazuar tek lufta që Profeti (a.s.) zhvilloi në ditën e çlirimit të Mekes, e ka gabim, sepse këtë gjë Allahu i Lartësuar ia lejoi vetëm të Dërguarit të Tij dhe askujt tjetër. Jo vetëm kaq, por leja që iu dha Profetit (a.s.) për të luftuar nuk ishte një leje e përhershme, por e përkohshme. Atij (a.s.) iu lejua që të luftonte vetëm në atë ditë, për ta shpëtuar Mekën nga prangat e idhujtarisë dhe idhujtarëve. Më pas, shenjtëria e Mekës u kthye përsëri siç kishte qenë më parë deri në Ditën e Gjykimit. Për të theksuar rëndësinë e kësaj shenjtërie, Profeti (a.s.) i urdhëroi ata  që ishin prezent që këtë mesazh t’ua përcillnin të gjithë atyre që nuk ishin prezent. Një prej njerëzve që e dëgjuan fjalimin e Profetit (a.s.) ishte Ebu Shurejh, kështu që ai me urdhër të Profetit (a.s.) shkoi tek Amri për t’ia përcjellur mesazhin e Profetit (a.s.). Mirëpo Amri me mëndjemadhësi e përgënjeshtroi lajmin e Ebu Shurjehit duke i thënë: Unë e di më mirë se ty, sepse Meka nuk mund të strehojë një njeri të pabindur, kishte për qëllim Abdulla ibnu Zubejrin. Ky pretendim i Amrit ishte krejtësisht i pabazë, sepse ai po shkonte të luftonte një njeri që ishte shumë herë më i mirë se ai dhe që e meritonte që të ishte ai prijësi i besimtarëve.

            Më vonë,  kur prijës u bë Abdul Melik El Meruan, e emëroi Amrin gurvenator të Damaskut. Mirëpo Amri vodhi nga pasuria e myslimanëve dhe e tradhtoi Abdul Melikun. Abdul Meliku do ta rrethonte Damaskun dhe me dredhi do ta kapte Amrin, e vrau dhe e shkatërroi ushtrinë e tij.

            Vërejtje: Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin thotë: [“Haremi nuk mund të strehojë një njeri të pabindur.” Këto fjalë nuk janë as të Profetit (a.s.) dhe as të ndonjërit prej sahabëve. Këto fjalë janë të Amrit, i cili i tha nga mendja e tij duke kundërshtuar kështu urdhrin e Profetit (a.s.) dhe që të legjimitonte dërgimin e ushtrisë në Mekë për vrarë Abdulla ibnu Zubejrin, i cili u strehua në të. E vërteta qëndron se në Harem strehohet çdokush që kërkon të strehohet, sepse kush hyn në të është i sigurtë. Prandaj nuk lejohet kurrësesi lufta ndaj atij që është stresuar në të. Ajo që mund të ndodhë është vetëm që me një formë ndryshe nga lufta personi të detyrohet të dalë prej saj dhe më pas ai të marrë atë që meriton.]

            Mësimet e nxjerra nga hadithi:

            1 - Vlera dhe pozita e lartë e Ebu Shurejhut i cili e zbatoi këshillën e Profetit (a.s). Ai shkoi tek Amri dhe me edukatë dhe butësi ia komunikoi atë që kishte dëgjuar prej Profetit (a.s.)

            2 - Vlera dhe rëndësia e dijes, veçanërisht kur nevoja e kërkon një gjë të tillë. Në këtë rast, dija është më e vlefshme dhe më e dobishme.

            3 - Njeriu duhet të kërkojë leje për të hyrë dhe për t’u takuar me ata që janë më të lartë në pozitë. Po ashtu ai duhet të sillet me edukatë ndaj tyre dhe duhet të flasë me ta sa më butë, sidomos me prijësit, sepse vetëm kështu fjala e tij zë vend.

            4 – Njeriu e ka për detyrë që t’i këshillojë prijësit, por ai nuk duhet të sillet ashpër ndaj tyre dhe as nuk duhet t’i mashtrojë ata.

            5 – Ai i cili flet për një çështje të caktuar duhet që ta argumentojë atë me fakte, veçanërisht në ato çështje të cilat janë shumë të rëndësishme dhe që janë në dobi të të gjithëve.

            6 – Është e pëlqyeshme për atë njeri që mban një fjalim, hutbe apo mësim që të fillojë me fjalë që shprehin madhërim dhe falenderim ndaj Allahut të Lartësuar.

            7 - E drejta për të bërë diçka Hallall apo Haram është vetëm e Allahut të Lartësuar. Prandaj edhe shenjtëria e Mekës i takon Allahut të Lartësuar dhe jo njerëzve.

            8 – Derdhja e gjakut me pa të drejtë është e ndalura, veçanërisht në Mekë për vetë shenjtërinë që ka ajo.

            9 – Allahu i Lartësuar ia lejoi të Dërguarit të Tij (a.s.) që të luftonte në Mekë vetëm në kohën e çlirimit të saj, me qëllimin që të shfarosej njëherë e mirë idhujtaria dhe idhujtarët prej saj.

            10 – Disa rregulla dhe dispozita fetare janë të posaçme vetëm për Profetin (a.s.) dhe nuk i takon askujt prej myslimanëve që t’i veprojë ato.

            11 – Nuk lejohet prerja e pemëve në Mekë të cilat nuk i kanë mbjellë njerëzit.

            12 – Urdhëresa e përcjelljes së mesazhit tek ai që nuk është prezent.

            13 -  Abrogimi i rregullave dhe dispozitave fetare. Madje abrogimi mund të ndodhë dy herë vetëm në një dispozitë fetare, si rasti i luftës në Mekë. Në fillim lufta ishte e ndaluar, pastaj u lejua vetëm gjatë çlirimit të Mekës dhe më vonë përsëri u ndalua.

            14 – Nëse kundërshtari këmbëngul me inat në mendimin e tij, atëherë është më mirë që mos të diskutosh me të. Pikërisht, kështu veproi Ebu Shurejhi kur pa se Amri këmbënguli me inat dhe mëndjemadhësi në pretendimin e tij të pabazë.

            15 – Ai i cili e refuzon urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të vijë koha që të japë llogari qoftë edhe pas një farë kohe. Në një shprehje të urtë thuhet: Zoti vonon por nuk harron. Dhe kështu ndodhi me Amrin, të cilin e vranë në periudhën e dinastisë Emevite.

           

 


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

23/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5506:3211:3414:0116:2317:49

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook