Shpërblimi i besimtarit durimtar kur humbet të dashurin


Ebu Hurejra transmeton, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Shpërblimi i robit Tim besimtar, kur t’ia marr të dashurin e tij nga banorët e kësaj bote dhe ai bën durim për të, duke kërkuar shpërblimin, është Xheneti”.[1]

Shpjegimi i hadithit:

Duke bërë analizën e këtij hadithi profetik, vërejmë se konteksti i tij është një fjali e gjatë dhe ne nuk kemi mundësi që të të ndalojmë në ndonjërën prej fjalëve, sepse përndryshe fjalia nuk do të ketë kuptim. Fjalia e merr kuptimin e plotë, vetëm kur shqiptojmë fjalën e fundit, që është “Xheneti”.

Fjalët e këtij hadithi rrezatojnë shkëlqimin e besimit, të frymëzojnë shpirtërisht si dhe të bëjnë që të shpresosh tek premtimi hyjnor. A ka premtim më të mirë për robin besimtar, se hyrja në Xhenet?! Fjala “rob” do të thotë, se besimtari i nënshtrohet dhe i bindet vetëm Allahut dhe askujt tjetër. Ai adhuron vetëm Atë dhe vetëm prej Tij kërkon ndihmë. Kur Allahu i Lartësuar në këtë hadith kudsij thotë “robit Tim”, kjo do të thotë se Allahu e mbron, kujdeset, e ndihmon dhe ia lehtëson vështirësitë e fatkeqësisë që i kanë rënë. Fjala “besimtar” është qershia mbi tortë, sepse në të vërtetë të gjithë krijesat janë robërit e Allahut. Disa prej tyre janë të mirë dhe të tjerë janë të këqinj. Por, në të vërtetë ata që e meritojnë dhuratën hyjnore janë robërit besimtarë. Shpërblimi i robit besimtar është Xheneti, por përse Allahu ia ka premtuar atij këtë vend? Sepse robi është i kënaqur me caktimin e Allahut, bën durim dhe kërkon shpërblim tek Allahu, kur i vdes një i dashuri i zemrës së tij. Fjala “të dashurin e tij” nënkupton të gjithë forcën e dashurisë që ai ndjen për të afërmit, miqtë dhe dashamirësit. Ndërsa fjala “Xhenet” përmendet në fund të kësaj fjalie si përgëzim për durimin e besimtarit në rastin e fatkeqësisë së humbjes së të dashurit. Allahu i Lartësuar thotë: Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”[2]

Disa njohuri rreth hadithit kudsij:

Hadithi i mësipërm, të cilin e transmeton Ebu Hurejra nga Profeti (a.s) është hadith kudsij, sepse Profeti (a.s) e transmeton nga Allahu.

Dijetarët kanë thënë, se Kurani ndryshon nga hadithi kudsij në disa pika:

1 – Kurani është mrekullia e Allahut, që ia zbriti Profetit Muhamed (a.s)  për t’i sfiduar arabët, që të sillnin një libër të ngjashëm me Kuranin, 10 –të sure, ose një sure të ngjashme me të. Por arabët u treguan të paaftë që të sillnin qoftë edhe një sure të ngjashme me të. Kjo sfidë vazhdon të jetë e hapur deri në Ditën e Gjykimit.

Ndërsa përsa i përket hadithit kudsij, ai nuk konsiderohet mrekulli dhe as sfidë.

2 – Kurani është fjala e Allahut dhe e askujt tjetër, ndërsa hadithi kudsij transmetohet nga Profeti (a.s) se Allahu ka thënë.

3 – Këndimi i Kuranit gjatë faljes së namazit është i domosdoshëm, ndryshe nga hadithi kudsij që nuk këndohet.

4 – Këndimi i Kuranit konsiderohet adhurim, kur për çdo shkronjë që këndohet, kënduesi shpërblehet 10-të fish, ndryshe nga hadithi kudsij që nuk konsiderohet i tillë.

5 – Kurani është transmetuar me zinxhir transmetimi “muteuatir”, çka do të thotë se është i pakundërshtueshëm në autencitetin e tij, ndryshe nga hadithi kudsij, autenciteti i të cilit mund të jetë edhe i dyshimtë.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Vlera e durimit duke kërkuar shpërblimin tek Allahu

2 – Bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij

3 – E keqja nuk i atribuohet Allahut

 

1 – Vlera e durimit duke kërkuar shpërblimin tek Allahu:

Feja Islame i këshillon besimtarët, që të jenë të durueshën ndaj sprovave të jetës. I këshillon ata që të jenë të kënaqur me caktimin e Allahut. Nëse besimtarët janë të durueshëm ndaj fatkeqësive që u bien, janë të kënaqur me caktimin e Allahut dhe kërkojnë shpërblim vetëm tek Ai, atëherë Allahu i Lartësuar i shpërblen me shpërblim të pakufishëm.

Në këtë hadith kudsij lexojmë, se shpërblimi i robit besimtar që bën durim, kur i vdes ndonjë i dashur, është Xheneti. Realisht, nuk ka shpërblim më të madh për besimtarin se hyrja në Xhenet. Allahu i Lartësuar i ka përgëzuar ata që bëjnë durim ndaj sprovave të jetës, duke thënë: Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me pakësim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”[3] Këto ajete kuranore tregojnë qartë, se frika, uria, pakësimi i pasurisë, njerëzve dhe të lashtave janë sprovë për njeriun në këtë botë. Kur njeriut i vjen ndonjë prej këtyre sprovave, ai duhet të bëjë durim dhe të thotë: “Me të vërtetë të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”. Kështu pra, ai bën durim në rast fatkeqësie, dëshmon me zemër dhe me vepër se çdo gjë është pronë e Allahut dhe se çdo gjë vetëm tek Ai do të kthehet. Si rrjedhojë e durimit të tyre, Allahu i përgëzon me dy gjëra, që janë shumë të dashura për ta; me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre. Ata e meritojnë këtë përgëzim dhe bujari, sepse janë të udhëzuar në rrugën e lumturisë së tyre dhe kanë zgjedhur rrugën e drejtë. Duke qenë se ata duruan ndaj sprovave dhe ishin të kënaqur me caktimin e Allahut, e merituan mëshirën e Allahut dhe më pas durimin e shoqëruan me shprehjen: “Me të vërtetë, të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”, duke merituar kështu edhe bekimin e Allahut. Nga këtu kuptojmë, se mëshira është e shumëllojshme, sepse si fjalë mëshirë dhe bekim janë sinonime të njëra-tjetrës.

2 – Bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij:

Bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij është e madhe dhe e pashtershme. Sado që njeriu të mundohet që ta përshkruajë atë, ai asnjëherë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Një prej këtyre formave të Bujarisë Hyjnore është, se kur njeriu sprovohet me një gjë, ajo i zëvendësohet me diçka më të mirë, siç është rasti i këtij hadithi kudsij, sipas të cilit nëse besimtari sprovohet me humbjen e një prej të dashurve të tij dhe bën durim, shpërblehet me Xhenet. Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin thotë: “Fjala “të dashurin e tij” nënkupton atë që njeriu përzgjedh për vete, qoftë ky i përzgjedhur fëmija, vëllai, xhaxhai, babai apo një mik. E rëndësishme është se personi që njeriu përzgjedh, ka një lidhje të ngushtë me të. Prandaj, nëse Allahu i Lartësuar ia merr ndonjërin prej këtyre dhe njeriu bën durim, duke kërkuar shpërblimin tek Allahu, ai shpërblehet me Xhenet. Ky është një argument, që dëshmon për bujarinë dhe mirësinë e Allahut ndaj robërve të Tij, sepse sundimi dhe urdhri i takojnë vetëm Allahut. Ti dhe i dashuri yt jeni pronë e Allahut të Lartësuar, por megjithatë kur Allahu ia merr një njeriu të dashurin e tij dhe ai bën durim, duke kërkuar shpërblim, do të shpërblehet me shpërblim të madh”.[4]

3 – E keqja nuk i atribuohet Allahut:

Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin duke komentuar këtë hadith thotë: “Ky hadith është argument për veprat e Allahut. Këtë e kuptojmë nga fjala e Tij: “kur t’ia marr të dashurin e tij” Nuk ka asnjë dyshim, se Allahu i Lartësuar vepron çfarë të dëshirojë. Por ne e kemi për detyrë që ta dimë, se të gjithë veprat e Allahut janë të mira, sepse e keqja nuk mund t’i atribuohet kurrë Atij. Nëse ndodh e keqja, ajo ndodh ndaj atyre që bie dhe jo mbi vetë veprën. Psh: Nëse Allahu ka caktuar për njeriun diçka që ai e urren, nuk ka dyshim se kjo gjë të cilën njeriu e urren, konsiderohet e keqe për të. Megjithatë kjo gjë që për të konsiderohet e keqe, nuk konsiderohet e tillë tek Allahu, sepse Allahu i Lartësuar çdo gjë që e ka caktuar që të ndodhë, ndodh në sajë të urtësisë së Tij të madhe ndaj njeriut apo mbarë krijesave. Ngadonjëherë, urtësia përkon veçanërisht tek një njeri dhe ngadonjëherë tek krijesat në përgjithësi.

Nëse Allahu përcakton diçka për një njeri, që në këndvështrimin e tij është e keqe dhe ai bën durim, duke kërkuar shpërblimin tek Allahu, ai do të fitojë të mira. Nëse ai, për shkak të asaj të keqeje që i është caktuar pendohet dhe kthehet tek Allahu, kjo është një e mirë për të, sepse kur njeriu është në mirëqënie, mund ta harrojë Dhuruesin e të mirave dhe nuk kthehet tek Ai. Por kur i vjen ndonjë gjë e hidhur, kujtohet dhe kthehet tek Allahu i Lartësuar.

Ndërsa përsa i përket të tjerëve, nëse kjo e keqe i shkakton atij dëm, mund të sjellë dobi për ta. Për ta ilustruar këtë gjë, le të marrim një shembull: Një njeri ka shtëpi prej balte, Allahu sjell gjithmonë shi të rrëmbyeshëm.Nuk ka dyshim se pronari i kësaj shtëpie do të dëmtohet. Mirëpo dobia është e përgjithshme, sepse të gjithë njerëzit përfitojnë prej tij. Kështu pra, shiu është i dëmshëm për pronarin e shtëpisë, por është i dobishëm për të tjerët. Megjithëse kjo e keqe për këtë njeri është e pjesshme, ajo është e mirë për të e marrë në një këndvështrim tjetër; ai merr mësim dhe e kupton se i vetmi strehim është strehimi tek Allahu i Lartësuar. Kështu që e marrë në këtë këndvështrim ai përfiton më tepër se dëmi që i është shkaktuar”.[5]

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Fatkeqësia më e madhe që mund t’i bjerë një njeriu, është humbja e të dashurit.

2 – Njeriu i cili duron jo për të kërkuar shpërblimin tek Allahu, por ngase është i detyruar dhe nuk ka çfarë të bëjë, nuk e meriton të shpërblehet.

3 – Ai i cili, në rast fatkeqësie bën durim, duke kërkuar shpërblim tek Allahu shpërblehet me Xhenet. Një shpërblim i tillë dëshmon për vlerën dhe pozitën e lartë të durimit.

4 – Bujaria dhe mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij.

 

Epilog:

Në këtë epilog të këtij hadithi, por përmendim shpërblimin e durimtarëve:

1 – Vendbanimi i durimtarëve është Xheneti. Allahu i Lartësuar thotë: Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe ëngjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit). (e do t’u thonë): Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”[6]

2 – Shpërblimi i durimtarëve është i pallogaritshëm. Allahu i Lartësuar thotë: Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”[7] që do të thotë se për durimtarët nuk do të ketë peshore.

3 – Allahu është me durimtarët. Kjo do të thotë, se Allahu është gjithmonë me ta dhe i ndihmon. Allahu i Lartësuar thotë: Me të vërtetë, Allahu është me durimtarët.”[8]

4 – Allahu i do durimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: Allahu i do durimtarët.”[9]

5 – Shlyen mëkatet. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Sprova vazhdon t’i bjerë besimtarit dhe besimtares tek vetja e tij, tek fëmija apo pasuria e tij, derisa ai takohet me Allahun e Lartësuar duke mos pasur asnjë mëkat”.[10]


[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 6424.

[2] Sure El Bekare: 155-157.

[3] Sure El Bekare: 155-157.

[4] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/230.

[5] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/231.

[6] Sure Er’rad: 23-24.

[7] Sure Ez Zumer: 10.

[8] Sure El Bekare: 153.

[9] Sure Ali Imran: 146.

[10] Trnamsetom imam Et Tirmidhi, nr: 2399. Hadithi është Hasen Sahih.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/10/2021
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:21 06:5312:3315:2917:5919:21

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook