Shpërblimi merret duke i ftuar të tjerët, por nuk është kusht që të tjerët ta pranojnë ftesën


 

1 - Ky rregull korrigjon një gabim mjaft të përhapur tek shumë njerëz, të cilët mendojnë se shpërblimi merret në bazë të rezultatit të dukshëm, duke e krahasuar këtë me punët që bëhen në këtë botë, ku rezultatet janë të prekshme. Nëse çështja e ftesës islame do të ishte kështu, atëherë shumica e profetëve të Allahut do të gjykoheshin si të pasuksesshëm, por kjo është e pamundur dhe ata nuk mund të përshkruhen si të tillë, megjithëse numri i besimtarëve, të cilët pranuan ftesën e tyre, ishte i vogël.

Nuhu (a.s) e ftoi popullin e tij për 950 vite. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij, e ai kaloi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet”([1]). Imam Ibn Kethiri thotë: “Ky ajet tregon qartë, se ai (Nuhu a.s) qëndroi tek populli i tij për 950 vjet, duke i ftuar ata, që të besojnë Allahun”([2]). Megjithëse ai qëndroi kaq shumë në mesin e popullit të tij, vetëm një numër i vogël njerëzish besuan. Allahu i Lartësuar thotë: “E kur erdhi urdhri ynë (i caktuar për ndëshkim) dhe gufoi (uji) prej furrës (vend ku piqet buka), Ne i thamë: “Ngarko në të nga një çift për çdo krijesë edhe familjen tënde, përveç për atij për të cilin është marrë vendim i hershëm, e (ngarkoje) edhe kush ka besuar, por atij nuk i besoi askush, përveç një pakice”([3]). Nga ajeti vërehet qartë, se numri i besimtarëve nuk ishte i madh, përkundrazi ishte shumë i vogël.

Po kështu ka qenë çështja me shumë profetë të tjerë, të cilët do të ringjallen në Ditën e Kijametit: disa do të kenë me vete vetëm një pasues, disa të tjerë do të kenë dy, disa të tjerë do të kenë tre, ndërsa të tjerë nuk do të kenë me vete asnjë person.

Imam Tirmidhiu transmeton, se Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Natën e Israsë, kur Profeti (a.s) u ngrit në qiell, gjatë rrugës pa profetë, të cilët pasoheshin nga popuj, pa profetë të tjerë që pasoheshin nga një grup, si dhe profetë të tjerë që nuk kishin asnjë pasues”([4]).

Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e orientoi Profetin Muhamed (a.s) tek ky koncept, duke e urdhëruar që t`i ftojë njerëzit në Islam dhe t`ua komunikojë atyre) mesazhin hyjnor, por nuk kërkoi prej tij (a.s) rezultatin. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin”([5]). Allahu thotë në një ajet tjetër: “Po a mos kanë të dërguarit obligim tjetër, përveç që t’i njoftojnë qartazi”([6])?, ndërsa në një ajet tjetër thotë: “I Dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë”([7]).

Çështja e udhëzimit është në dorën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: “Ti nuk udhëzon atë që do, por Allahu udhëzon atë që do”([8]).

 

2 - Perceptimi i drejtë i këtij rregulli nënkupton, që ftuesi nuk duhet të bjerë pre e dëshpërimit dhe stresit, që burojnë nga refuzimi që njerëzit i bëjnë ftesës së tij. Jo vetëm kaq, por Allahu i Lartësuar ia ka hequr këtë siklet Profetit (a.s) dhe nuk e ka ngarkuar atë (a.s) përtej mundësive të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk e ke obligim (o Muhammed) udhëzimin e tyre (në rrugë të drejtë)...”([9]). Ai thotë gjithashtu: “A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’anit)”?([10]), “Prandaj ti (Muhammed) mos e shkatërro veten me dëshpërim për ta...”([11]), “Ti mos u pikëllo për ata...”([12]) Këto ajete ishin qetësuese për Profetin (a.s), pasi ai (a.s) ishte mjaft ngulmues për ta përcjellë mirësinë dhe udhëzimin tek ta, mirëpo ata ishin të verbër e të shurdhër ndaj këtij mesazhi.

Sidoqoftë zemra e mbushur me dhembshuri gati sa nuk pëlcet, kur shikon njerëzit të hidhen në zjarr, ashtu si insektet (që vërsulen drejt zjarrit). Kjo ishte gjendja e të Dërguarit të Allahut (a.s), derisa erdhi orientimi hyjnor: “A thua ti do ta shkatërrosh veten...”, që do të thotë: "Mos vallë do të shkatërrosh veten tënde, duke qenë i dëshpëruar dhe i hidhëruar për ta, ngaqë nuk besojnë Kuranin e Madhëruar"?

Në lidhje me këtë ajet, Katade ka thënë: “A mos ndoshta do të shkatërrosh veten tënde me mërzi dhe pikëllim?”, ndërsa Muxhahidi ka thënë: “I shqetësuar”. Gjithsesi kuptimi është i përafërt, pra: Mos u dëshpëro për ta o Muhamed, pasi detyra jote është vetëm që t’ua komunikosh atyre mesazhin hyjnor. Ai që e pranon udhëzimin, për vete e ka, dhe ai që vazhdon në humbje, po për vete e ka”([13]).

Po ashtu edhe ftuesit e Umetit të Muhamedit (a.s) nuk janë ngarkuar me më tepër se ç’kanë mundësi. Nëse njerëzit nuk udhëzohen dhe nuk i përgjigjen ftesës së tyre - pasi ata (ftuesit) janë përpjekur maksimalisht me ta - atëherë Allahu nuk e obligon njeriun përtej mundësisë së tij.

 

3 - Ky rregull korrigjon veprimet e atyre ftuesve, të cilët nxitojnë për të arritur rezultate të prekshme, që sipas tyre janë kusht për vazhdimësinë në rrugën e ftesës. Në një aspekt, kjo tregon për mosperceptim të drejtë të çështjes së ftesës, ndërsa në një aspekt tjetër ajo bie ndesh haptazi me rregullat e mënyrës së ftesës të përmendur në Kuran dhe Sunet.

Kurani i Madhëruar konfirmon, se ka mospajtim midis ftesës dhe reagimit pozitiv ndaj saj. Ftuesi mund të sakrifikojë shumë, ndërkohë që merr një reagim negativ prej atij që fton. Kurani përmend një etapë të mesme ndërmjet ftesës dhe reagimit ndaj saj, që është mjaft e domosdoshme: “Derisa të dërguarit gati e humbnin shpresën (se do t’iu besojë populli). - (kjo është një etapë) - Dhe menduan se u përgënjeshtruan. - (kjo është etapa e ndërmjetme midis ftesës dhe reagimit ndaj saj) - Atëherë u erdhi atyre (të dërguarve) ndihma Jonë - (kjo është etapa e tretë)”([14]).

Imam Ibn Kethiri thotë: “Allahu i Lartësuar na njofton nëpërmjet këtij ajeti kuranor, se ndihma që Ai i ofron profetëve (a.s), vjen në momentet e vështira, teksa ata presin që shpëtimi t`ju vijë nga Allahu, pra në çastet më të nevojshme, ashtu siç ka thënë i Lartësuari në një ajet tjetër: “dhe u tronditën derisa i Dërguari dhe ata që besuan thanë: "Kur vjen ndihma e Allahut”([15])?

Aishja (r.a) ka kuptuar nga ky ajet kuranor, se ata që menduan se u përgënjeshtruan, ishin pasuesit (besimtarët) dhe jo profetët). Ur’ue e pyeti Aishen (r.a): "A ishin të bindur ata (besimtarët), se popujt e tyre i përgënjeshtruan, pra nuk ishte thjesht mendim"? Aishja (r.a) ia ktheu: "Po, betohem se ata ishin të bindur për këtë". Ur`ue pyeti: "A menduan ata (profetët), se u përgënjeshtruan"?! Aishja (r.a) tha: "Mos e dhashtë Zoti, të Dërguarit e Allahut nuk mendonin kështu për Zotin". Ur`ue pyeti: Po atëherë çfarë kuptimi ka ky ajet"? Aishja (r.a) tha: "Bëhet fjalë për pasuesit e profetëve që besuan Zotin, mirëpo sprova për ta ishte e gjatë dhe ndihma e Allahu u vonua, aq sa profetët menduan, se pasuesit i përgënjeshtruan ata"([16]).

Pra sipas mendimit të Aishes (r.a) - të bazuar në një prej kiraeteve të njohura - bëhet fjalë për pasuesit (besimtarët) dhe jo për të dërguarit e Alahut. Aishja r.a bën një qasje të drejtë, që i ka hije pozitës së profetëve të nderuar.

Nga ana tjetër, nëse me përemrin vetor([17]) nënkuptojmë profetët, atëherë kuptimi i ajetit kuranor është, se popujt e tyre i kanë përgenjeshtruar. Gjithsesi nuk përbën ndonjë problem, nëse bëjmë një përngjasim mes atyre besimtarëve (që menduan të përgënjeshtronin të dërguarit) dhe atyre që nxitohen (duke krijuar mendim jo të mirë për Allahun).

 

4 - Sidoqoftë kjo nuk do të thotë, që ftuesi të mos sakrifikojë, por ai duhet të të përdorë format dhe mënyrat më të mira të mundshme (për të ftuar të tjerët). Pikërisht këtë pikë do ta sqarojmë në rregullin tjetër, që flet për komunikimin e ftesës.


[1] - Sure El Ankebut: 14.

[2] - Marrë nga tefsiri i Ibn Kethirit 5/413.

[3] - Sure Hud: 40.

[4] - Trasnmeton Tirmidhiu 4/631, i cili ka thënë se hadithi është hasen sahih.

[5] - Sure Esh Shura: 48.

[6] - Sure En Nahl: 35.

[7] - Sure En Nur: 54.

[8] - Sure El Kasas: 56.

[9] - Sure El Bekare: 272.

[10] - Sure El Kehf: 6.

[11] - Sure Fatir: 8.

[12] - Sure En Nahl: 127.

[13] - Tefsiri i Ibn Kethirit 4/367.

[14] - Sure Jusuf: 110

[15] - Tefsiri i Ibn Kethirit 4/60-61.

[16] - Tefsiri i Ibn Kethirit.

[17] - Ata - i përmendur në ajetin kuranor.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/10/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:19 06:5112:3315:3218:0219:24

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook