By: Rushit Musallari

Si e përjetonin të parët tanë të mirë Ramazanin!


 

1- Falja e namazit të natës:  I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush falet (Taravitë apo namaz nate) në Ramazan me bindje dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, i falen të gjitha mëkatet”.([1])

Allahu i Madhëruar thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë”!; dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë”. [Furkan: 63-64].

Falja e namazit të natës është nga Suneti i të Dërguarit (Paqja qoftë mbi të) dhe shokëve të tij. Aishja (r.a) thotë: “Mos e lër namazin e natës, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk e linte asnjëherë atë, madje kur ishte sëmurë apo i lodhur, ai falej ulur”.([2]) Umer ibn Hattabi (r.a) falej shumë natën. Më pas zgjonte familjarët e tij, duke u thënë: “Namazi, namazi...”  dhe pastaj lexonte ajetin: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”.[Ta Ha: 132].([3])

 

Pasi Abdullah ibn Umeri (r.a) lexoi ajetin kuranor: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër (nga zjarri i Xhehenemit) dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat”! [Zumer: 9], tha: “Ky është Uthman ibn Affani”. Ibn Ebi Hatim thotë: “Ibn Umeri (r.a) e ka thënë këtë, pasi Uthmani (r.a) falej aq shumë natën, saqë në një rekat lexonte të gjithë Kuranin”.([4])

Alkameh ibn Kajs tregon: “Një natë fjeta në shtëpinë e Abdullah ibn Mes’udit (r.a). Ai u ngrit dhe filloi të falej natën, lexonte Kuran ashtu siç lexonte imami i xhamisë së tij, lexonte pastër dhe bukur, ndërsa zëri dëgjohej afër dhe jo larg. Ai vazhdoi të falej, derisa mes natës dhe agimit mbeti aq kohë sa për të falur namazin e mbrëmjes (Akshamit). Më pasi ai fali namazin e vitrit”.([5])

Saib ibn Jezid (r.a) thotë: “Imami ynë lexonte në një rekat ato sure, që kanë mbi njëqind ajete, derisa ne mbështeteshim mbi shkopinj nga qëndrimi i gjatë. Ne largoheshim nga namazi vetëm në agim”.([6])

 

2- Dhënia e lëmoshës (sadakasë, Zekatit) në Ramazan: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ishte njeriu më bujar, ndërsa kulmi i bujarisë së tij ishte në Ramazan. Ai ishtë më i shpejtë në bujari, sesa erërat që sjellin shiun. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) thotë: “Lëmosha (sadakaja) më e mirë është lëmosha që jepet në Ramazan”.([7]) Umeri (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na urdhëroi të jepnim nga pasuritë tona. Unë kisha shumë pasuri dhe thashë me vete: “Sot do t’ia kaloj Ebu Bekrit (r.a)”. Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) me gjysmën e pasurisë. Ai (Paqja qoftë mbi të) më pyeti: “Çfarë i ke lënë familjes?” Unë iu përgjigja: “Gjysmën tjetër”. Më pas erdhi Ebu Bekri (r.a) dhe solli të gjithë pasurinë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e pyeti: “Çfarë i ke lënë familjes”? Ai u përgjigj: “U kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Atëherë i thashë Ebu Bekrit (r.a): “Asnjëherë nuk do të garoj më me ty”.([8])

 

3- Gostitja e agjëruesve dhe e të varfërve: Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura”. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim dhe për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta”. [Insan: 8-12].

 

Shumica e selefëve ushqenin të varfërit apo të devotshmit. Abdullah ibn Selami (r.a) tregon: “Sapo i Dërguari i Allahut hyri në Medine, të gjithë njerëzit u mblodhën rreth tij dhe unë isha njëri prej tyre. Kur e pashë (vështrova hollësisht) fytyrën e tij, m`u bë e qartë se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari. Nga fjalët e para që kam dëgjuar nga ai janë: “O njerëz! Përhapeni (me njëri-tjetrin) selamin. Ushqeni (nevojtarët) me ushqim. Ruajeni lidhjen farefisnore (mos i shkëputni lidhjet e gjakut). Faluni natën kur njerëzit janë në gjumë. Nëse i bëni këto, ju do të hyni në Xhenet të qetë”.([9])

 

Dikush nga të parët e mirë ka thënë: “Është më e mirë për mua, që të ftoj dhjetë nga shokët e mi dhe t`i gostis ata, sesa të liroj dhjetë robër”.([10]) Shumë besimtarë të përkushtuar i jepnin përparësi të tjerëve, ndërsa vetë agjëronin. Ata ua jepnin të tjerëve iftarin e tyre. Prej tyre përmendim: Abdullah ibn Umerin, Daud Tajin, Malik ibn Dinarin dhe Ahmed ibn Hanbelin. Ibn Umeri (r.a) nuk hante, nëse në sofrën e tij nëse nuk kishte një jetim.([11]) Ibn Umeri (r.a) hante iftar gjithmonë me jetimët dhe të varfërit.([12])

Shumë prej besimtarëve të përkushtuar i gostisnin shokët e tyre, duke u shërbyer vetë. Prej tyre përmendim Hasan Basriun dhe Abdullah ibn Mubarekun.([13])

Ebu Suar Adeui thotë: “Anëtarët e fisit Beni Adij faleshin në këtë xhami. Asnjëri prej tyre nuk ka çelur iftar vetëm, por nëse nuk gjenin ndonjë person në vendbanimet e tyre, e sillnin iftarin në xhami dhe hanin iftar me xhematin”.([14])

 

Zejd ibn Khalidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ai që i jep iftar një agjëruesi, merr shpërblimin e agjëruesit, pa i pakësuar asgjë nga shpërblimi”.([15])

 

Në hadithin e Selmanit (r.a) thuhet: “Atij që i jep dikujt të çelë iftarin, i falen mëkatet dhe shpëton nga zjarri i Xhehenemit. Ai merr shpërblimin e agjëruesit, pa i pakësuar asgjë nga ajo që meriton”. Të pranishmit thanë: “Ne nuk kemi mundësi që t’i ushqejmë agjëruesit”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Allahu i Lartësuar është Mëshirues i madh, i jep shpërblim të pakrahasueshëm atij që ndihmon tjetrin të çelë iftarin, qoftë edhe me një kokërr hurmë, me pak ujë apo me pak qumësht. Ky është muaji, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje mëkatesh dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri”.([16])

 


([1]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (2008), Muslimi (759), Ebû Dâûdi (1371), Tirmidhiu (808) dhe Nesâiu (2190-2201).

([2]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (1307), Ibn Khuzejmeh (1137), Tajâlisi (1519) dhe Ahmedi (6/126).

([3]) - Thënie e pranuar. Mâliku (139) dhe Bejhakiu në Shuabul iman (2822).

([4]) - Vargu i thënies ka dobësi. Ebu Nuajmi në Huljeh (1/56), Ibn Asakir në Tarikh Dimeshk (39/231) dhe Ibn Ebi Hatimi (18378).

([5]) - Thënie e vërtetë. Taberâniu në Kebir. Hejthemiu në Mexhmauz`zeuid (2/266) nr (3605) thotë: “E shënon Taberâniu në Kebir. Përcjellësit e tij janë të besueshëm”.

([6]) - Thënie e vërtetë. Mâliku në Meuata (135).

([7]) - Hadith i dobët. Tirmidhiu (663).

([8]) - Hadith  i pranuar. Ebû Dâûdi (1678), Tirmidhiu (2675), Dârami (1660) dhe Hâkimi (1510). Dhehebiu e vlerëson vargun e hadithit të vërtetë sipas kushteve të Muslimit.

([9]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2485), Ibn Mâ‎xheh (3251) dhe Hâkimi (4283). Dhehebiu thotë: “Vargu i hadithit është i vërtetë sipas kushteve të Buhâriut dhe Muslimit.

([10])- El`Ikhitjarul Euala (fq: 79).

([11]) - El bidaje uen`nihaje (5/9).

([12]) - Sanail maruf (16).

([13]) - Sanail maruf (16).

([14]) - El keram uel xhud (55).

([15]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (1629), Nesâiu në Kubrâ (3317), Ibn Mâ‎xheh (1746) dhe Ahmedi (4/116).

([16]) - Hadith i dobët. Ibn Khuzejmeh (1887) dhe Asbahani në Tergib (1766).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:22 05:2112:5416:5020:1522:00

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook