By: Rushit Musallari

Si vërtetohet hyrja dhe mbarimi i muajit të Ramazanit


Muaji i Ramazanit vërtetohet me shikimin e hënës së re, ose pas plotësimit të muajit Shaban me 30 ditë. Dihet se muajt hënorë kanë 29 apo 30 ditë. Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), Ramazani është agjëruar më së shumti me 29 ditë. Imam Ahmedi shënon në Musnedin e tij, se një burrë i tha Aishes (r.a): “Ky muaj (i Ramazanit) ishte 29 ditë”. Ajo (r.a) ia ktheu: “Pse habitesh! Kam agjëruar Ramazanin me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe në shumicën e rasteve ka qenë me 29 ditë dhe jo me 30 ditë”.([1]) Agjërimi fillon atëherë kur shikohet hëna. Allahu i Madhëruar thotë: “Pra, kushdo nga ju që e zë këtë muaj, le të agjërojë”. [Bekareh:185].

 

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) thotë: “Agjëroni kur të shikoni hënën e tij (Ramazanit) dhe mbarojeni agjërimin, kur të shikoni hënën tjetër (Sheualit). Nëse hëna nuk shikohet për shkak kohës së vrenjtur, plotësoni muajin Shaban me 30 ditë”.([2]) Ibn Umeri (r.a) tregon: “Njerëzit panë hënën e Ramazanit dhe unë i tregova të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) për këtë. Ai agjëroi dhe urdhëroi njerëzit që të agjëronin”.([3])

 

Nëse hëna shikohet në një vend dhe lajmi përhapet edhe në vende të tjera, të gjithë e agjërojnë Ramazanin, edhe nëse ata nuk e kanë parë vetë hënën. Agjërimi vërtetohet edhe nëse hëna shikohet nga një njeri i vetëm, mirëpo më e mira është që vëzhguesit e saj të jenë dy apo një grup personash. Ibn Abasi (r.a) tregon: “Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “Unë kam parë hënën”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i tha: “Ti a dëshmon se Allahu është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”? Ai tha: “Po”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ngrihu Bilal dhe lajmëroi njerëzit që të agjërojnë nesër”.([4])

 

Abdurrahman ibn Zejd ibn Khatabi mbajti një predikim në ditën e dyshimtë dhe tha: “Unë kam qëndruar me shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe i kam pyetur. Ata më treguan, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Agjëroni kur të shikoni hënën dhe mbarojeni agjërimin, kur të shikoni hënën. Nëse qielli është me re, plotësoni muajin tridhjetë ditë. Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë muslimanë, agjëroni dhe mbaroni agjërimin (me dëshminë e tyre)”.([5])

 

Ndërsa kur të mbarojë Ramazani, dy muslimanë të drejtë duhet të dëshmojnë, se kanë parë hënën e muajit Sheual. Një nga shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) tregon: “Njerëzit kishin debate për fundin e ditës së Ramazanit. Dy beduinë erdhën dhe dëshmuan, duke u betuar në Allahun tek i Dërguari i Allahut se e kishin parë hënën mbrëmjen e kaluar. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) urdhëroi njerëzit që të hanin dhe të shkonin në namazgja (vendfaljen e Bajramit)”.([6])

 

Muslimanët e kanë detyrë gjurmimin dhe vrojtimin e hënës së Ramazanit dhe Sheualit. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Llogariteni muajin e Shabanit, për të përcaktuar Ramazanin”.([7]) Lejohet përdorimi i teleskopëve, dylbive apo mjeteve të tjera që përforcojnë shikim. Në lidhje me përllogaritjet astronomike, themi se ato nuk duhet të merren si referencë bazë, sepse Allahu i Madhëruar ka përcaktuar një shenjë për agjërimin, e cila nuk ndryshon kurrë; shikimin e hënës ose plotësimin e 30 ditëve. Ky është mendim i Ebu Hanifes, Malikut dhe Ahmedit. Një person mund të përdorë përllogaritjet astronomike për vete, por nuk i lejohet që t`ua obligojë ato edhe të tjerëve. Ky është mendimi i pasuesve të imam Shafiut. Nga mëkatet më të mëdha është edhe tallja me besimtarët, të cilët bazohen në shikimin e hënës me sy të lirë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata, të cilët vrojtojnë diellin, hënën dhe yjet për të kryer adhurimet ndaj Allahut”.([8]) Mendimi më i drejtë‎ (por jo më‎ i vë‎rtetë) për këtë çështje është, se duhet pasuar dhe ndjekur lajmërimi i organeve kompetente (bashkësive islame) dhe nuk lejohet të veprohet në kundërshtim me ta. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Agjërimi fillon atë ditë kur agjëroni (kur agjërojnë njerëzit), namazi i Fitër Bajramit falet në atë ditë që hani dhe namazi i Kurban Bajramit falet atë ditë kur bëni kurban”.([9])

 

Dita e dyshimtë

 

Ajo është dita, kur muslimani dyshon nëse është dita e fundit e muajit Shaban, apo është dita e parë e muajit Ramazan. Dispozita për agjërimin e kësaj dite ndryshon sipas qëllimit të agjëruesit.

 

1- Nëse ajo ditë agjërohet si ditë Ramazani, themi se ky veprim është i urryer dhe është më afër të ndaluarës (mekruh tahrimen). I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e prisni Ramazanin duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç atij personi që ka agjëruar (nafile) rregullisht [të hënën dhe të enjten, ose tre ditë për çdo muaj]”.([10])

Sile tregon: “Ishim tek Amari në ditën, në të cilën dyshohet nëse është dita e parë e Ramazanit. Sollën një dele të gatuar dhe një grup njerëzish u tërhoqën. Amari tha: “Kush agjëron këtë ditë, ta dijë se ka kundërshtuar Ebu Kasimin (Paqja qoftë mbi të)”.([11])

 

2- Nëse muslimani e agjëron këtë ditë për të kompesuar një ditë agjërimi, atëherë agjërimi i tij është i papëlqyer.

 

3- Nëse agjërohet vullnetarisht, atëherë ky agjërim është i lejuar, por me kusht që qëllimi i agjëruesit të jetë agjërimi vullnetar.

 

Në rast se gabohet në përcaktimin e fillimit apo fundit të Ramazanit, veprohet sipas vendimit të shumicës apo autoritetit përkatës. Nuk lejohet, që në këtë rast të veprohet në kundërshtim me autoritetin përkatës. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Agjërimi bëhet atë ditë kur argjërojnë njerëzit, mbarimi i tij bëhet atë ditë kur njerëzit e mbarojnë dhe dita e Kurbanit është ajo ditë, kur njerëzit bëjnë kurban”.([12]) Tirmidhiu thotë: “Dijetarët kanë thënë për këtë hadith: “Fillimi dhe mbarimi i agjërimit të muajit të Ramazanit bëhet në përputhje me pjesën më të madhe të xhematit të muslimanëve”.

 

Përgatiti; Rushit Musallari.

 

 

 

 


([1]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebû Dâûdi (2322), Tirmidhiu (697), Ibn Mâ‎xheh (1658) dhe Ahmedi (6/81).

([2]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1810), Muslimi (1081), Nesâiu në Muxhtebâ (2117), Ibn Hibâni (3457) dhe Ahmedi (2/460).

([3]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (2342), Ibn Hibâni (3447), Dârakutni (2146) dhe Hâkimi (1541).

([4]) - Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Ebû Dâûdi (2340, 2341), Tirmidhiu (700), Nesâiu në Muxhtebâ (2112) dhe në Kubrâ (2433), Ibn Mâ‎xheh (1652) dhe Ibn Hibâni (3446).

([5]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Nesâiu në Kubrâ (2437) dhe Ahmedi (4/321).

([6]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (2339), Dârakutni (2202), Bejhakiu në Kubrâ (2/248) dhe Ahmedi (18824).

([7]) - Hadith i pranuar. Tirmidhiu (695), Dârakutni (2174), Bejhakiu (4/206) dhe Hâkimi (1548). Dhehebiu thotë se vargu i hadithit është i vërtetë sipas kushteve të Muslimit.

([8]) - Hadith i pranuar. Taberâniu në Kebir, Bezâri (366) dhe Hâkimi (163). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (1/327) nr (1140) thotë: “E shënon Taberâniu në Kebir dhe Bezâri me përcjellës të besueshëm, por hadithi është vërtetuar për shkak dëshmive përforcuese”. Dhehebiu thotë: “Vargu i hadithit është i vërtetë”.

([9]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebû Dâûdi (2324), Tirmidhiu (697, 802), Ibn Mâ‎xheh (1660), Dârakutni (2181) dhe Bejhakiu (4/251).

([10]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1914), Muslimi (1082), Ebû Dâûdi (2335), Tirmidhiu (684), Nesâiu në Muxhtebâ (2171), Ibn Mâ‎xheh (1650), Ibn Hibâni (3586) dhe Ahmedi (2/234).

([11]) - Hadith i fortë. Ebû Dâûdi (2334), Tirmidhiu (686), Nesâiu në Muxhtebâ (2187) dhe në Kubrâ (2509), Ibn Mâ‎xheh (1645), Dârakutni (2150) dhe Hâkimi (1542). Dhehebiu e vlerëson vargun e hadithit të vërtetë sipas kushteve të Buhâriut dhe Muslimit.

([12]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (697), Ebû Dâûdi (2324), Ibn Mâ‎xheh (1660).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

18/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:16 05:1712:5416:5020:1822:05

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook