By: Pergatiti: Elton Harxhi

Sinqeriteti dhe gënjeshtra


            Ibn Mes’udi (r.a.) tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhenet. Vërtet, njeriu vazhdon të  jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i Sinqertë. Kurse, me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurrjes, e shthurrja të shpie në Zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu Gënjeshtar.”[1]

            Shpjegimi i hadithit:

            Morali gëzon një pozitë të lartë në fenë Islame. Prandaj edhe urdhrat për t’u mveshur me moralet e mira janë të shumta si në Kuran ashtu edhe në Traditën Profetike. Në të njëjtën kohë, njeriu duhet të largohet nga moralet e këqija që e shpien njeriun në degadrim e shkatërrim. Në këtë hadith, Profeti (a.s.) na fton që të jemi të sinqertë në fjalë edhe vepra, derisa fitojmë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe të fitojmë besimin e njerëzve. Po ashtu, Profeti (a.s.) na fton që të largohemi sa më shumë nga gënjeshtra qoftë me fjalë qoftë me vepra, sepse ajo mbjell dyshim dhe Allahu i Lartësuar zemërohet me atë njeri që gënjen.

            Sinqeriteti është rreze drite që e rrethon besimtarin e sinqertë dhe rrezaton dhe tek ata që janë pranë tij. Sinqeritet do të thotë që siç je në dukje ashtu të jesh edhe përbrenda; ajo që e ke përbrenda mos të përgënjeshtrojë atë që duket nga jashtë.

            Kurse gënjeshtra është errësirë që mbulon rrezet e dritës të depërtojnë, bën që burimet e udhëzimit të shterojnë, njeriu është konfuz dhe e humbet besimin në mesin e njerëzve.

            Në këtë hadith, Profeti (a.s.) na inkurajon për të qenë të sinqertë, atë që e themi të jetë në përputhje me realitetin, pa shtrembërime dhe pa deformime. Profeti (a.s.) na lajmëron se ai i cili është i sinqertë në fjalë dhe vepra, sinqeriteti ka për ta shpënë tek mirësia në këtë botë dhe për tek Xheneti në botën tjetër. Njeriu kur thotë të vërtetën ndjehet i qetë, pasi nuk ka frikë për asgjë. Njeriu vazhdon të jetë i sinqertë derisa tek banorët e qiellit dhe të tokës njihet i sinqertë. Madje, nëse njeriu thotë gjithmonë të vërtetën do t’i shmangte edhe mëkatet e tjera. Në një hadith tjetër Profeti (a.s.) thotë: “Më garantoni gjashtë gjëra, t’ju garantoj Xhenetin; Thoni të vërtetën kur të flisni, mbajeni fjalën kur ta jepni, çojini amanetet në vend, ruani nderin tuaj, ulni shikimin ndaj haramit dhe mos bëni keq me duart tuaj.[2] [Njeriu i sinqertë është në rangun e dytë të atyre njerëzve që Allahu i ka begatuar me mirësitë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu ju ka dhënë shumë dhunti; me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me punëmirët.”[3] Njeriu i cili vazhdimisht mundohet që të jetë i sinqertë, Allahu e shkruan prej të sinqertëve. Nuk ka dyshim se sinqeriteti i përket një grade shumë të madhe, të cilën nuk e arrijnë vetëm se një pakicë e vogël njerëzish, burrash dhe grash. Allahu i Lartësuar thotë: Mesihu, biri i Merjemes, nuk është vetëm se një i Dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të Dërguar. Nëna e tij gjithmonë ishte e sinqertë.”[4]

            Në mënyrë kategorike, njeriu më i sinqertë është Ebu Bekri, Abdulla ibn Othman ibn Ebu Kuhafe (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili iu përgjigj ftesës së Profetit (a.s.) kur e ftoi që të pranonte Islamin. Ai nuk hezitoi për asnjë moment. Në momentin që Profeti (a.s.) e ftoi në Islam, ai menjëherë e pranoi fenë. Ai e besoi Profetin (a.s.) ndërkohë që njerëzit e përgënjeshtruan. Ai e besoi atë (Profetin) kur foli për udhëtimin në natën e Israsë dhe Miraxhit, ndërkohë që njerëzit e përgënjeshtruan duke thënë: O Muhamed! Si është e mundur që brenda një nate të vetme ke shkuar nga Meka në Bejtul Makdis dhe jo vetëm kaq, por ti pretendon dhe thua se je ngjitur lart në qiell?! Kjo është e pamundur. Më pas, njerëzit shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: A nuk e ke dëgjuar se çfarë ka thënë shoku yt?! Çfarë ka thënë – pyeti ai? Ai ka thënë kështu e ashtu – u përgjigjën ata. Ebu Bekri tha: Nëse ai ka thënë këto fjalë, atëherë ai ka thënë të vërtetën. Qysh nga ajo ditë ai u quajt “Es Sidik”][5]

            Po ashtu, Profeti (a.s.) na paralajmëron për rrezikun e gënjeshtrës, e cila e shpie njeriun në degradim e shthurrje. Gënjeshtra konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Gënjeshtra më e madhe është kur njeriu e mohon Allahun, adhuron në vend të Tij zotra të tjerë, përgënjeshtron profetësinë e Profetit Muhamed (a.s.), përgënjeshtron Kuranin e përgënjeshtron ringjalljen e njeriut në botën tjetër. Kjo lloj gënjeshtre është shumë e rrezikshme, sepse njeriu i cili i përgënjeshtron faktet e pakundërshtueshme të fesë, konsiderohet jobesimtar, vendbanimi i të cilit është Zjarri i Xhehenemit, ku do të rrijë përgjithmonë. Një gënjeshtër tjetër e rëndë, që Allahu nuk e fal është edhe hipokrizia ose e thënë ndryshe munafikllëku. E më pas vijnë të gjitha llojet e tjera të gënjeshtrave.Kur njeriu gënjen një herë për të dalë nga situata, i pëlqen gënjeshtra dhe fillon të gënjejë përsëri. Gënje sot, gënje nesër, i kthehet në zakon dhe paskëtaj e ka shumë të vështirë që të shpëtojë prej saj. Kështu pra, njeriu vazhdon të gënjejë derisa vuloset si gënjeshtar. Njerëzit e njohin për mashtrues, engjëjt e njohin për gënjeshtar dhe më e keqja ai është regjistruar tek Allahu si gënjeshtar. Kur të dalë në Ditën e Gjykimit ai do të japë llogari për gënjeshtrat e tij dhe aq shumë ka gënjyer sa do të hidhet në Zjarrin e Xhehenemit.

            Rregulla dhe dispozita fetare:

            Dispozita fetare e gënjeshtrës:

            Juristët islam janë të mendimit se në origjinë, gënjeshtra është e ndaluar. Në rastin e dëshmisë së rremë ajo konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Ka raste kur gënjeshtra është detyrë e obligim, si psh: kur myslimani fshihet nga një tiran i cili dëshiron ta vrasë, apo dëshiron t’ia konfiskojë pasurinë me pa të drejtë. Nëse ky tiran pyet se ku është myslimani i cili është fshehur, në këtë rast është detyrë dhe obligim që me mos treguar për vendodhjen e tij, qoftë edhe duke gënjyer. Ka edhe raste të tjera kur gënjeshtra është e lejuar, si në luftë, për të pajtuar midis dy personave dhe kur burri e gënjen gruan e tij për të përmirësuar marrdhënien me njëri-tjetrin dhe anasjelltas. Megjithatë, myslimani duhet të shmanget nga gënjeshtra aq sa të ketë mundësi. Madje disa juristë janë të mendimit se gënjeshtra nuk lejohet në asnjë rast, ajo që i lejohet myslimanit është përdorimi i aluzionit dhe jo gënjeshtra.

            Mësimet e nxjerra nga hadithi:

            1 – Orientimi i njerëzve tek ajo që është e dobishme për ta

            2 – Sinqeriteti

            3 – Gënjeshtra

            4 – Sinqeriteti të shpie drejt mirësisë dhe gënjeshtra të shpie drejt shthurrjes

            5 – Inkurajimi dhe paralajmërimi

            1 – Orientimi i njerëzve tek ajo që është e dobishme për ta:

            Shembulli dhe modeli më i mirë është Profeti (a.s.), prandaj myslimanët dhe veçanërisht thirrësit në rrugë të Allahut janë të urdhëruar që ta ndjekin shembullin e tij. Në këtë hadith, Profeti (a.s.) flet për vlerën e sinqeritetit dhe për pasojat negative të gënjeshtrës. Me këtë, ai (a.s.) ka si synim që myslimanët të jenë gjithmonë të sinqertë, sepse kjo është në dobi të tyre. I paralajmëron që të largohen nga gënjeshtra, sepse ajo është e dëmshme për ta si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Këtë gjë duhet të bëjë edhe thirrësi në rrugë të Allahut. Detyrë e tij është që ta ndryshojë realitetin e njerëzve duke i ftuar për tek ajo që është më e mirë. Ky duhet të jetë gjithmonë synimi i thirrësve në rrugë të Allahut, pararojë e të cilit kanë qenë të Dërguarit e Allahut. Ja se si Shuajbi (a.s.) i është drejtuar popullit të tij: “Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm tek Allahu.”[6] Që do të thotë se unë dëshiroj të pastroj zemrat e juaja përderisa kam mundësi ta bëj këtë. Dhe që unë ta bëj këtë kam shumë nevojë për ndihmën hyjnore që të kem sukses.

            2 – Sinqeriteti:

            Sinqeriteti është prej cilësive dhe karakteristikave që formojnë personalitetin e myslimanit. Allahu i Lartësuar urdhëron dhe thotë në Kuranin Famëlartë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni si ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra).”[7]  Të sinqertë janë atë njerëz të cilët janë të sinqertë në besimin, fenë, fjalët dhe veprat e tyre.

            Themeli i besimit është sinqeriteti, kurse themeli i hipokrizisë është gënjeshtra. Kështu që gënjeshtra nuk ka lidhje fare me besimin sepse ato janë në luftë të vazhdueshme me njëra-tjetrën. Madje, në Kuran, Allahu i Lartësuar i ka dalluar të sinqertët nga munafikët duke thënë: “Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do, ose do t’ua pranojë pendimin..”[8]

            Në Ditën e Gjykimit, ajo që i vlen njeriut është pikërisht sinqeriteti. Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe.”[9]        

            Në një hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Banorët e Xhenetit do t’i shohin banorët e dhomave të larta sipër tyre, ashtu sikurse shikojnë një yll që shkëlqen larg nga Lindja e nga Perëndimi.  Kjo për shkak të epërsisë që kanë ndaj njëri-tjetrit në shpërblim. Kur dëgjuan këtë, njerëzit thanë: O i Dërguar i Allahut! A janë këto vendbanime të larta për Profetët që s’mund t’i arrijë askush tjetër? Profeti (a.s.) u përgjigj: Jo! Betohem në emër të Atij, në Duart e të Cilit është jeta ime! Këto janë për njerëzit që besuan në Allahun dhe u treguan të sinqertë duke besuar tek të Dërguarit.”[10]

            Llojet e sinqeritetit:

            Sinqeriteti është tre llojesh: Sinqeriteti në qëllim, sinqeriteti në fjalë dhe sinqeriteti në vepra. Më poshtë, po flasim diçka rreth secilës prej tyre:

            Sinqeriteti në qëllim:

            Sinqeriteti në qëllim do të thotë që çdo punë dhe fjalë njeriu ta bëjë për të fituar kënaqësinë e Allahut.

            Profeti (a.s.) thotë: “Personi i parë që do të gjykohet në Ditën e Gjykimit është njeriu që ka rënë dëshmor në fushëbetejë. Atë do ta sjellin që të gjykohet  dhe do t’i ekspozohen begatitë e tij që ia ka dhënë Allahu, të cilat ai do t’i njohë e atëherë Allahu do t’i thotë: Ç’ke bërë me begatitë që t’i kam dhënë? Ai thotë: kam luftuar për Ty derisa kam rënë dëshmor. Allahu do t’i thotë: Gënjen, sepse ti ke luftuar që të thuhet se je trim i patrembur dhe kështu është thënë për ty. Atëherë do të urdhërojë që të tërhiqet për fytyre derisa të hidhet në zjarr. Pastaj do të ftohet në gjykim ai njeri që ka studjuar dituri, i ka mësuar të tjerët dhe që ka lexuar Kuran. Edhe ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen begatitë dhe do t’i njohë. Edhe atij Allahu do t’i thotë: E ç’ke bërë ti në tërë këtë? Ai do të thotë: Kam studjuar për vete edhe të tjerët i kam mësuar dhe për Ty kam lexuar Kuran. Allahu i thotë: Gënjen, sepse ti ke mësuar që të thonë se je dijetar, kurse Kuran ke lexuar që të thonë se je lexues i Kuranit dhe kështu është thënë. Pastaj Ai do të urdhërojë që të tërhiqet për fytyre derisa të hidhet në Zjarr. Pastaj do të gjykohet neriu të cilit Allahu i ka dhënë pasuri të ndryshme, e ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen begatitë e tij dhe do t’i njohë ato, atëherë do t’i thotë: Ç’ke bërë ti në tërë këtë? Ai do të thotë: Nuk kam lënë asnjë vend, që Ti ke dëshiruar të shpenzoj pasuri, e të mos kem shpenzuar në emrin Tënd. Edhe atij  do t’i thotë: Gënjen, sepse ti ke vepruar kështu që të thuhet se je bujar, dhe kështu është thënë. Pastaj do të urdhërojë që të tërhiqet prej fytyre dhe do të hidhet edhe ai në Zjarr.”[11]

            Në këtë hadith, vërehet qartë se Allahu i Lartësuar e përgënjeshtroi secilin prej luftëtarit, lexuesit të Kuranit dhe atij që ka shpenzuar nga pasuria e tij për shkak të nijetiti dhe dëshirës që kanë patur e jo për veprimin që kishin kryer.

            Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.”[12] Nijeti i këtyre njerëzve ka qenë vetëm për përfitime materiale të kësaj bote dhe jo për hir të Allahut të Lartësuar, prandaj edhe nuk do të shpërblehen në botën tjetër, madje do të ndëshkohen.

            Sinqeriteti në fjalë:

            Çdo njeri i cili flet duhet të bëjë shumë kujdes kur të flasë, ai duhet gjithmonë duhet të flasë të vërtetën dhe nuk duhet të gënjejë. Ky lloj është edhe më i njohuri. Besimtari mysliman duhet të thotë gjithmonë të vërtetën dhe nuk duhet të gënjejë asnjëherë qoftë edhe me shaka. Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë jam pronari i shtëpisë në Xhenetin e poshtëm për atë që e lë debatin edhe nëse ka të drejtë, jam pronari i shtëpisë në Xhenetin e mesëm për atë që e lë gënjeshtrën, qoftë edhe kur është duke bërë shaka dhe pronar i shtëpisë në Xheneti e sipërm për atë që e ka moralin e mirë.”[13]

            Në rradhë të parë, njeriu duhet të jetë i sinqertë me Kuranin, sepse Profeti (a.s.) thotë: “Kush flet rreth Kuranit, pa kurrfarë dije, atëherë le të përgatisë vendin e tij për në Zjarr.”[14] Dijetarët thonë se njeriu nuk duhet ta komentojë Kuranin nga mendja e tij pa e ditur komentimin e tij.

            Njeriu quhet i sinqertë kur fjalët e Profetit (a.s.) ia përcjell njerëzve ashtu siç i ka thënë ai, pa gënjyer e pa deformime. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush sajon fjalë që nuk i kam thënë unë, atëherë le të përgatisë karrigen për në Zjarr.”[15]

            Tregtari duhet të jetë i sinqertë në tregti dhe nuk duhet as të gënjejë e as të mashtrojë. Profeti (a.s.) thotë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë ta prishin blerjen, përderisa nuk janë ndarë me njëri-tjetrin. Nëse të dy tregohen të sinqertë, shitblerja e tyre bekohet. Nëse gënjejnë dhe mashtrojnë, mund të fitojnë para, por u hiqet bereqeti.”[16]

            Ndodh në jetë që njeriu detyrohet që të japë një dëshmi. Në këtë rast ai duhet të thotë vetëm të vërtetën dhe nëse dëshmon rrejshëm ka kryer një mëkat shumë të madh. Njëherë Profeti (a.s.) i tha shokëve të tij: “A keni dëshirë që t’ju njoftoj për mëkatet më të mëdha. Po, o i Dërguar i Allahut – u përgjigjën ata. Ai tha: Me i shoqëruar Allahut shok në adhurim, mosbindja ndaj prindërve dhe vrasja e dikujt. Ai ishte i mbështetur, u ul dhe tha: Edhe fjala dhe dëshmia e rremë, edhe fjala dhe dëshmia e rremë, edhe fjala dhe dëshmia e rremë.”[17]

            Njeriu i cili dëshiron të martohet duhet të jetë i sinqertë me vajzën që do të martohet dhe nuk bën që t’i fshehë të metat. po ashtu edhe vajza duhet të jetë e sinqertë me djalin që do të martohet, pa i fshehur gjë. Një martesë e ndërtuar mbi bazë të sinqeritetit i ka themelet e shëndosha. Por vetëm kaq nuk mjafton, sinqeriteti mes dy bashkëshortëve duhet të vazhdojë deri sa të ndahen nga kjo botë.

            Njeriu duhet të thotë të vërtetën edhe karshi fëmijëve të tij. Babai ose nëna duke qenë të sinqertë ndaj fëmijës së tyre, mbjellin në zemrën e fëmijëve të tyre që të jenë të sinqertë, të thonë të vërtetën dhe mos të gënjejnë. Prindi përpara se t’i kërkojë llogari fëmijës së vet se përse ai gënjen, në rradhë të parë duhet të jetë ai shembull për fëmijën në këtë pikë. Njëherë Profeti (a.s.) ishte në shtëpinë e një sahabi kur gruaja e tij e thirri djalin e saj. Profeti (a.s.) e pa gruan dhe i tha: Çfarë dëshiron t’i japësh? A ke diçka për t’i dhënë? Po, kam hurma, o i Dërguar i Allahut - u përgjigj ajo. Profeti (a.s.) tha: Nëse ti nuk do t’i jepje gjë, atëherë kjo do të regjistrohej si gënjeshtër.

            Njeriu duhet të jetë i sinqertë edhe kur bën shaka. Profeti (a.s.) gjithmonë thoshte të vërtetën, madje edhe kur bënte shaka. Njëherë një grua e moshuar erdhi tek Profeti (a.s.) dhe e pyeti: A hyjnë gratë e moshuara në Xhenet. Profeti (a.s.) me shaka i tha që jo. Gruaja e moshuar u mërzit nga përgjigja e Profetit (a.s.) dhe filloi të qante. Mirëpo Profeti (a.s.) e qetësoi dhe i tha: A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut në Kuran: “dhe i kemi bërë të dashura për bashkëshortet e tyre dhe moshatare me ta.”[18]

            Madje njeriu duhet të jetë i sinqertë edhe me kafshët. Ndoshta kjo gjë mund të duket e habitshme, por të gjithë ne kemi dëgjuar për historinë e imam Buhariut i cili shkoi tek një njeri që të dëgjonte prej tij një hadith të Profetit (a.s.). Kur shkoi tek ai, pa se ai i bashkoi duart për t’i lënë për të kuptuar kafshës se ai kishte ushqim në dorë. Kafsha u afrua dhe ai e kapi atë. Nga ky veprim imam Buhariu nuk pranoi ta dëgjonte atë duke thënë se përderisa ky gënjen ndaj kafshës, atëherë pse jo mund të gënjejë edhe ndaj Profetit (a.s.).

            Sinqeriteti në vepra:

            Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O Zoti im, më shpjer në një hyrje të sinqertë, më nxirr nga një dalje e sinqertë dhe më dhuro  fuqi që do të më ndihmojë.”[19] E në një ajet tjetër thotë: “Midis besimtarëve ka të atillë që ishin të sinqertë në besën që i dhanë Allahut. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”[20] Salahudin Ejupi, udhëheqësi legjendar që çliroi Kudsin nuk është parë asnjëherë duke qeshur. Kur e pyetën se përse nuk qeshte, ai tha: Si të qesh kur Kudsi është i pushtuar. Vetëm pasi e çliroi Palestinën qeshi. Ky veprim nga ana e tij tregon sinqeritetin e madh të këtij udhëheqësi që kishte vendosur që më parë të çlironte Palestinën nga kryqtorët dhe se koha për të qeshur nuk kishte mbërritur akoma.

            Nevoja që ka shoqëria për sinqeritet

            Në ditët e sotme, shoqëria ka shumë nevojë për sinqeritet, sepse të gjitha marrdhëniet shoqërore ndërtohen mbi bazë të sinqeritetit në fjalë dhe në vepra. Nëse fjala që thuhet nuk është e sinqertë, po ashtu edhe vepra, atëherë është shumë e vështirë që të gjejmë një mekanizëm të mjaftueshëm për të njohur  nevojat, dëshirat dhe qëllimet e njerëzve. Nëse nuk ekziston sinqeriteti në fjalë dhe në vepra, atëherë shumica e marrdhënieve shoqërore do të shpërbëheshin. Mjafton të imagjinojmë një shoqëri që ndërtohet në bazë të gënjeshtrës, për të kuptuar shpërbërjen e tij, lidhjet e dobta dhe mungesën e theksuar të solidaritetit dhe frymës së bashkëpunimit ndërmjet individëve të saj.

            Si mund të ekzistojë një shoqëri kur individët e saj nuk bashkpunojnë me njëri-tjetrin në bazë të sinqeritetit?!

            Si mund të ketë kjo shoqëri kulturë, histori apo civilizim?!

            Si mund të përcillen njohuritë në shkencat natyrore dhe shoqërore nëse sinqeriteti nuk është bazë e civilizimit mbi të cilin ndërtohet struktura e një shoqërie?!

            Si mund të përcillet historia e një kombi nëse sinqeriteti është inekzistent?!

            Si  mund të kihet besim tek provat dhe dëshmitë e falsifikuara kur vendin e sinqeritetit e ka zënë manipulimi i fakteve?!

            Kush është e ardhmja e një shoqërie që bazohet tek gënjeshtra?!

            Kush është e ardhmja e një shoqërie që bazohet tek mashtrimi, falsifikimi dhe manipulimi?!

            Një shoqëri që nuk ndërtohet mbi bazë të sinqeritetit është e destinuar që të rrënohet e të jetë e prapambetur.

            Në një shoqëri që nuk ndërtohet mbi bazë të sinqeritetit, sundon gënjeshtra, padrejtësia dhe ligji i xhunglës.

            3 – Gënjeshtra

            Përdorimet e fjalës “gënjeshtër” në Kuranin Famëlartë.

            Fjala “gënjeshtër” është përdorur në Kuran në disa kuptime. Më poshtë po përmendim këto kuptime:

            1 – Në kuptimin leksikor të kësaj fjale. Allahu i Lartësuar thotë: “Por ata e përgënjeshtruan të Vërtetën kur ajo u erdhi.”[21]

            2 – Një kuptim i kësaj fjale është hipokrizi. Allahu i Lartësuar thotë: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë (gënjeshtrës) së tyre.”[22]

            3 – Një kuptim tjetër i kësaj fjale është mohim. Allahu i Lartësuar thotë: “Zemra e tij nuk mund ta mohojë (gënjejë) atë që ka parë.”

            4 – Një kuptim i katërt i kësaj fjale është kundërshtim. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të ndodhë Ngjarja (Kijameti).Në ardhjen e saj nuk ka kundërshtim (gënjeshtër).”[23]

            Gënjeshtra ky ves i keq

Gënjeshtra është një ves shumë i keq dhe një sëmundje mjaft e rëndë e zemrës. Nëse njeriu nuk e lë gënjeshtrën, atëherë ajo e shpie njeriun në Zjarrin e Xhehenemit. E sa vend i keq që është ai?! Duke qenë se sinqeriteti në fjalë dhe në vepra është motoja e besimtarit të mirë, gënjeshtra është shenjë e hipokritëve për të cilët Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut! Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë.”[24]

            Duke parë gjëndjen tonë, mendoj se ajo është e mjerueshme, pasi gënjeshtra është prezente në fjalë, vepra, shitblerje, në kontrata, premtime e çdo tjetër. Njerëzit tolerojnë aq shumë në lidhje me gënjeshtrën saqë të vegjëlit rriten me frymën e gënjeshtrës, kurse të mëdhenjtë nuk kanë aspak turp kur gënjejnë.

            Gënjeshtari sado që të mundohet që ta fshehë gënjeshtrën, herët apo vonë do të vijë dita që Allahu ka për t’ia zbuluar. Dhe ashtu siç thuhet në një shprehje popullore, qysh kur kemi qenë të vegjël veshi na është mësuar me shprehjen: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.”

            Gënjeshtra është haram, madje ajo konsiderohet prej mëkateve të mëdha, për shkak se Profeti (a.s.) ka thënë se ajo e shpie njeriun në Zjarr dhe njeriu i cili vazhdimisht gënjen regjistrohet dhe vuloset si gënjeshtar.

            Gënjeshtra lë pasoja të rënda si në rang individi ashtu edhe në rang shoqërie. Ajo është një mekanizëm i shkatërrimit të njeriut, shoqërisë dhe popujve. Ajo është e dëmshme për fenë dhe jetën e njeriut. Njeriu i cili gënjen shumë i bie reputacioni në mesin e njerëzve dhe fjala e tij nuk merret për bazë.

            Gënjeshtra është prej moraleve më të ulëta dhe prej karakteristikave më poshtëruese. Gënjeshtra është nëna e të gjithë të këqijave sepse pasojat e saj janë shumë të dëmshme. Gënjeshtra prodhon thashethemin, thashethemi prodhon urrejtjen dhe urrejtja armiqsinë. Atje ku ka armiqsi nuk ka stabilitet e as qetësi. Prandaj në një shprehje thuhet: “Ai i cili është shumë pak i sinqertë, ka shumë pak miq.”

            Gënjeshtrat shpeshherë shkaktare luftërash dhe sfidë popujsh nëpër botë[25]

            Gënjeshtra gjegjësisht rrena është një mëkat dhe dëm i madh për çdo shoqëri, individ, familje, sidomos ves i shëmtuar për çdo politikë, për udhëheqës, politikan në cilindo institucion shtetëror apo shoqëri. Ves i shëmtuar për ekzekutiv, legjislativ, presidencë, shumë më keq për gjygjësor. Gënjeshtër është çdo fjalë që nuk është e vërtetë. Është një veçori, mënyrë dhe cilësi, ves dhe vepër e ulët, poshtëruese në veçanti kur bëhet me qëllim të caktuar përfitimi mbi kurrizin e tjetrit, shumicës së shoqërisë nga pakica, hierarkia apo grupi  oligarkik në institucionet udhëheqëse shtetërore në veçanti në ekzekutiv, kulturë dhe gjygjësi.

            Fatkeqësisht gënjeshtra sot është përhapur pothuajse në tërë planetin, në çdo mjedis, në shumicën e shoqërive, pavarësisht sistemit shoqëror. Gënjeshtra është ves, lloj mashtrimi me qëllime ogurzeze, përfituese dhe mashtruese. Gënjeshtra ndonjëherë merret si një lloj arti, sepse si e tillë do një mjeshtri si të gjitha artet, të cilat kërkojnë një mjeshtri për të arritur qëllime të caktuara në politikë. Sado që gënjeshtra është jetëshkurtër, ajo lë pasoja në shoqëri, familje, instuticione gjithandej ku ka reperkusione në shumicën e qytetarisë..!

            Ka pak apo aspak raste në jetë, që një njeri i cilësdo moshe apo gjinije, të mos ketë gënjyer një herë në jetë. Gënjeshtra është shpresë dhe premtim i kotë që s’mund të fshihet dot. Gënjeshtra të shtyn të gabosh, të tradhtosh veten dhe të tjerët për një kohë, por jo përgjithmonë. Më gënjeve njëherë, dy, por s’do të më gënjesh tërë jetën.

            E tërë kjo që u theksua rreth gënjeshtrës përputhet me premtimet boshe përpara elektoratit nga ana e shumë politikanëve, partive dhe udhëheqësve të tyre, jo vetëm për të ardhur në pushtet, por edhe për të mbajtur sa më gjatë pushtetin me premtime të rrjeshme, keqpërdorim dhe vjedhje të votës etj. Aq më keq kur premtohet se lufta zhvillohet për të krijuar kushte sa më të volitshme për qytetarin, komunitetet, sovranin, forcimin e demokracisë në shoqëri, për njeriun e thjeshtë në përgjithësi. Premtimet pastaj dalin të jenë boshe, të kota, gënjeshtra dhe rrena të shtrembëruara.

            Gënjeshtrat herë pas herë në etapa dhe periudha historike kanë shkaktuar gjakderdhje, luftëra, konflikte.., rasti me “Kalin e Trojës”, kur grekët i mashtruan me venë dhe pije të cilat i kishin të futura në kalë dërrasash. Ata depërtuan në kështjellë, duke i gënjyer trojanët, derisa në mesnatë dolën ushtarët të armatosur deri në dhëmbë, vranë të gjithë rojet, më pas ushtrinë trojane e zunë peng dhe të gjallë në gjumë të mesnatës.. Ka edhe raste të tjera të ndodhura gjatë historisë.

            Rasti me ndjekjen dhe dëbimin e shqiptarëve në trojet etnike të Sanxhakut të Nishit, krahinave Toplicë, Vllasenicë, Bllac, Surdulicë etj, më 1877-1878. “Po tërhiqet perandoria Turke, ikni me të, sepse do t’ju vrasim të gjithëve.”

            Sidoqoftë gënjeshta ka një afat të caktuar të jetëgjatësisë. Sepse një popull, njeri apo një familje, mund të gënjehet një, dy apo tri herë, por s’mund të tradhtohet, lajthitet dhe të gënjehet tërë jetën. Edhe pse gënjeshtrat e tilla kanë shkaktuar luftëra dhe mjerim gjatë sistemeve dhe shoqëri, gjatë gjithë historisë. Siç u theksua me gënjeshtra dhe tradhti frekët pushtuan Trojën, romakët Aleksandrinë, Egjiptin dhe Ilirinë, serbët ndoqën shqiptarët, por me shumë me dhunë, tradhti dhe pabesi.

Llojet e gënjeshtrës:

            Padyshim, gënjeshtra më e madhe është kur njeriu gënjen ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra kundër Allahut, ndërkohë që i bëhet thirrje për t’iu nënshtruar Atij?! Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.”[26]Gënjeshtra më e shëmtuar është kur njeriu pretendon se Allahu ka lejuar këtë e atë, ka ndaluar këtë e atë, apo ka obliguar këtë e atë, që në realitet nuk është ashtu siç ka pretenduar ai. Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri. ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret dënim i dhembshëm (në jetën tjetër).”[27]

Gënjeshtër e madhe konsiderohet edhe kur njeriu gënjen ndaj Profetit (a.s.) Profeti (a.s.) thotë: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, atëherë le të përgatisë karrigen për në Zjarr.”[28] Kjo ndodh atëherë kur një njeri thotë diçka që e ka thënë Profeti (a.s.) ndërkohë që nuk është e vërtetë. Kjo më së shumti vërehet tek hadithet e shpifura, ku njerëz dashakeqës të Profetit, por edhe mistikët (jo të gjithë) kanë ardhë me hadithe të cilat Profeti (a.s.) nuk i ka thënë fare. Një rrezik tjetër është edhe ajo ç’ka imam hatibët në hytbet apo vazat e tyre që ta bëjnë më interesante ligjërimin e tyre thontë hadithe të padëgjuara ndonjëherë e që Profeti (a.s.) nuk i ka thënë kurrë.

Mëkat i madh konsiderohet edhe dëshmia e rremë. Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme.”[29] Madje Allahu i Lartësuar na njofton se një cilësi e tillë nuk është karakteristikë e besimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet.”[30] Dëshmia e rremë konsiderohet mëkat i madh ngaqë personi i cili dëshmon rrejshëm i ka hyrë dikujt në hak dhe i ka dhënë krah të pavërtetës dhe zullumqarit.

Një lloj gënjeshtre tjetër po aq e rrezikshme është në ato raste kur njeriu betohet rrejshëm në emër të Allahut. Në këtë rast, njeriu bën dy gabime; në rradhë të parë gënjen dhe së dyti ai nuk e respekton dhe nuk e madhëron emrin e Allahut, përderisa ai betohet rrejshëm në emër të tij. Për fat të keq, kjo lloj gënjeshtre ekziston në shoqërinë tonë dhe më e theksuar është tek tregtarët të cilët për të shitur mallin betohen në emër të Zotit rrejshëm. Ky betim është bërë shprehi në gojët e tregtarëve, kushdo qofshin ata, madje edhe tek tregtarët myslimanë. Tregtari mysliman duhet që si fillim ta heqë nga goja shprehinë e betimit në Zot dhe së dyti duhet ta shmangë gënjeshtrën. Profeti (a.s.) thotë: “Tri lloje njerëzish Allahu as nuk do t’i shohë Ditën e Gjykimit, as nuk do t’i pastrojë ata nga gjynahet dhe ata do të kenë ndëshkimin të dhembshëm. Ata janë: Një njeri që ka ujë të tepërt në pronën e tij rrugës dhe ua ndalon atë udhëtarëve, një njeri që i ka dhënë besën për t’i qëndruar besnik një drejtuesi vetëm për përfitime dynjaje e kështu nëse drejtuesi i jep atij gjë, atëherë kënaqet dhe, në qoftë se nuk i jep gjë, atëherë zemërohet. Dhe një njeri që e shet për shitje mallin e tij pas namazit të ikindisë (pasdite vonë) dhe betohet rrejshëm për Allahun përveç të Cilit nuk ka zot tjetër më kanë dhënë kaq e aq para për mallin tim dhe blerësi e beson. Pastaj Profeti (a.s.) këndoi këtë ajet kuranor: Vërtet, ata që shkëmbyen për një vlerë fare të vogël premtimin e dhënë Allahut dhe betimet e tyre.”[31]

Një gënjeshtër shumë e madhe është edhe gënjeshtra e politikanëve. Gjatë fushatës elektorale politikanët premtojnë e premtojnë..premtime pa fund. Dhe kur zgjidhen nga elektorati, të gjitha premtimet e tyre i merr era dhe nuk shikojnë vetëm se interesin e tyre personal. Nuk ka dyshim se moszbatimi i premtimeve është mashtrimi dhe gënjeshtra më e madhe që politikanët mashtrojnë popullin. Profeti (a.s.) thotë: “Tre njerëzve Allahu nuk ka për t’i parë në Ditën e Gjykimit, as ka për t’i pastruar dhe ata do të kenë një dënim të dhembshëm: plaku imoral, mbreti gënjeshtar dhe i varfri mëndjemadh.”[32]

Gënjeshtër e madhe është gënjeshtra e medias nëpërmjet gazetave, televizionit dhe internetit. Sa e sa lajme të rreme dhe fakte të shtrembëruara kemi lexuar në gazeta apo kemi dëgjuar në televizor. Atë lajm që e lexojmë në një gazetë nuk e lexojmë në një gazetë tjetër. Atë imformacion që e dëgjojmë në një stacion televiziv ndryshe e përcjell një stacion tjetër. Aq shumë gënjehet saqë nuk dihet e vërteta nga e shtrembërta. Gënjeshtrat janë të shumta, por ndër më të mëdhatë është shpifja e tyre ndaj Islamit.

Gënjeshtra e rrena aq shumë saqë do të duheshin shumë libra për t’i shkruar ato. E rëndësishme është që muslimani duhet të largohet nga gënjeshtra, sepse pasojat e saj janë shumë të rrezikshme dhe të dëmshme për njeriun si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Rastet kur lejohet gënjeshtra:

Gënjeshtra nuk lejohet përveçse në tre raste:

Rasti i Parë:

Njeriu i cili dëshiron që të pajtojë mes dy personave që janë grindur. Nëse dëshrion që të pajtosh mes dy vetave, nuk duhet që fjalët ofenduese që njëri prej tyre i lëshon në adresë të tjetrit t’ia përcjellësh tjetrit, përkundrazi këto fjalë duhet që t’i  fshehësh e mos t’i tregosh. Ajo që duhet të veprosh është se ti duhet të shkosh tek secili prej tyre dhe ta njoftosh se tjetri thotë vetëm fjala të mira për ty. Pavarësisht se ti po gënjen, ajo që po vepron është diçka e mirë, rezultati i të cilit është pajtimi.

Rasti i Dytë:

Në luftë. Nëse ushtari bie në dorën e armikut, i lejohet që të gënjejë dhe mos të tregojë se ku është ushtria, apo për strategjinë e luftës. Në një rast të tillë sinqeriteti nuk vlen, sepse ajo do t’i vinte në ndihmë armikut dhe do të dëmtone shumë ushtrinë muslimane. Tregohet njëherë për një njeri i cili nuk gënjente kurrë. Ai po punonte në arën e tij, kur një komandant ushtrie po mundohej që t’i shpëtonte armikut. Komandanti arriti tek ara e njeriut dhe i tha se a mund ta ndihmonte që të fshihej. Ai i tha se mund të fshihej tek mullari. Komandanti u fsheh, kur pas pak minutash ia behën ushtarët e armikut. Ata e pyetën njeriun që po punonte në arën e tij se nëse kishte parë ndonjë njeri me rroba ushtarake të kalonte andej. Njeriu i cili nuk ishte mësuar të gënjente asnjëherë tha: Po e kam parë, e kam fshehur në mullar. Kur komandanti e dëgjoi këtë përgjigje, ngriu në vend dhe ngeli pa fjalë. Mirëpo ushtarët u larguan sepse kujtuan se njeriu po bënte shaka. Padyshim që sinqeriteti i këtij njeriu në këtë rast është i tepruar dhe nëse ushtarët do ta kishin kuptuar se ai po thotë të vërtetën, atëherë do ta kapnin komandantin.

Megjithatë nëse muslimani bën një pakt – që është në interes të dyja palëve- me armikun, duhet t’i përmbahet atij pakti, sepse në rast të kundër kjo konsiderohet tradhti. Ai kurrsesi nuk duhet ta thyejë paktin me pretekstin se e dha atë sa për të gënjyer armikun. Shembulli më i mirë për këtë është rasti i Paktit të Hudejebijes, të cilit Profeti (a.s.) iu përmbajt me rigorizitet.

Rasti i Tretë:

 Kur burri gënjen për shkak që të ruajë marrdhëniet me bashkëshorten e tij dhe anasjelltas. Një grua erdhri tek Omeri dhe i tha: “O Prijës i besimtarëve! Për Allah! A më lejohet që të gënjej nëse burri më pyet se a e dua, ndërkohë që unë nuk e dua. Ai tha: Po të lejohet. Nëse ndonjëra prej jush nuk e do ndonjërin prej nesh, atëherë nuk duhet t’ia thotë këtë, sepse njerëzi jetojnë me njëri-tjetrin sipas normave të Islamit dhe moralit.

Çfarë i shtyn njerëzit të gënjejnë?[33]           

Njerëzit gënjejnë për katër shkaqe:

Shkaku i Parë:

Për të justifikuar një gabim të bërë. Kur njeriu ndodhet në një pozitë të vështirë, mundohet të gjejë një zgjidhje, për t’u justifikuar dhe gënjen për të dalë nga ajo situatë. Ai mendon se duke gënjyer mund të shpëtojë më lehtë. Por në fakt, ai duke gënjyer mund ta fusë veten në telashe edhe më të mëdha, pasi gënjeshtra është e urryer tek Allahu. Thotë Profeti (a.s.) në një hadith: “Thoni gjithmonë të vërtetën edhe nëse mendoni se do të shkatërroheni, pasi vetëm me të vërtetën do të shpëtoni.” Omer ibn Hattabi thotë: [Edhe nëse do më poshtëronte vërtetësia, gjë e cila rrallë ndodh, do të ishte më e dashur për mua sesa gënjeshtra edhe nëse do më ngrinte, gjë e cila rrallë ndodh.] Kurse Omer ibn Abdulazizi thotë: [Për Zotin nuk kam gënjyer asnjëherë, që kur kam marrë vesh se gënjeshtra i shëmton njerëzit.] Kurse Xhunejdi thotë: [Vërtetësia më e madhe është kur thua të vërtetën në një rast ku nuk të shpëton veçse gënjeshtra.]

Shkaku i Dytë:

Se përse gënjejnë njerëzit është interesi i tyre vetjak. Shumë njerëz, për të fituar sa më shumë para dhe për të pasur pozitë të lartë, gënjejnë. Ky grup njerëzish është më i rrezikshëm se grupi i parë, pasi nga ky lloj rrjedh dhe hipokrizia.

Ebu Xhehli ishte nga ky grup njerëzish, prandaj dhe njihej nga njerëzit si hileqari. Një ditë Profeti (a.s.) kaloi pranë Ebu Xhehlit, i cili ishte ulur me një tjetër. Ai (a.s.) filloi t’u flasë mbi Islamin. Ebu Xhehli i thotë: Ti je gënjeshar o Muhamed, ik se nuk të besoj. Dhe Profeti (a.s.) iku. Më pas, Ebu Xhehli i drejtohet shokut me të cilin ishte ulur duke i thënë: Unë e di që ai thotë të vërtetën, por ajo që më pengon që ta pranoj atë që thotë, është se fisi im me fisin e Muhamedit kanë qenë gjithmonë në konkurrencë për të mira. Nëse ata lavdëroheshin me diçka të mirë, lavdëroheshim edhe ne me diçka të mirë që nuk e kishin ata. Kështu vazhduam derisa na thanë që ne kemi profet. Po ne, ku ta merrnim një të tillë?! Këtë e tregon vetë shoku i tij, pasi pranoi Islamin.

Shkaku i Tretë:

Se përse njerëzit gënjejnë është se ky lloj njerëzish pëlqejnë t’u shkaktojnë njerëzve të tjerë dhimbje, duke shpifur dhe sajuar gjëra të pavërteta ndaj tyre, për t’u ulur autoritetin.

Shkaku i Katërt:

Ka edhe një shkak të katërt përse njerëzit gënjejnë. Ky shkak është se disa njerëz gënjejnë thjesht për qejf, për hobi. Nuk ka asnjë nga arsyet e mësipërme, por thjesht i pëlqen të gënjejë. Dikush e pyeti Profetin (a.s.), O i Dërguar i Allahut, a mund të jetë besimtari frikacak? Po – iu përgjigj Profeti (a.s.). O i Dërguar i Allahut, a mund të jetë besimtari koprac? Po – iu përgjigj përsëri Profeti (a.s.). O i Dërguar i Allahut, a mund të jetë besimtari gënjeshtar? Jo- ia ktheu Profeti (a.s.).”

            Koncepte që duhet të sqarohen:

            Gënjeshtra e 1 Prillit

            Qysh kur kemi qenë të vegjël jemi rritur me idenë se më 1 Prill është dita e rrenave, ku në atë ditë njeriut i lejohet që të gënjejë. Gjithsekush mundohet që në një formë apo tjetër të gënjejë, prindërit, fëmijët, vëllezërit, kushërinjtë, miqtë e dashamirësit. Zakonisht gënjeshtrat në këtë ditë janë të karakterit jo të rëndë, por ngandonjëherë ato janë aq të rënda sa ndikojnë për keq tek njeriu. Njëherë një njeri merr në telefon mikun e tij dhe e lajmëron se i kishte vdekur babai. Miku i tij, dëshpërohet shumë dhe fillon të qajë. Pas pesë minutuash bie përsëri zilja e telefonit, ku shoku që i kishte dhënë lajmin e hidhur i thotë se babai ishte shëndoshë e mirë dhe sot ishte dita e rrenave. Nuk ka dyshim se një gënjeshtër e tillë është shumë e rëndë dhe nuk i shkon për shtat muslimanit që të thotë të tilla gënjeshtra. Por gjithsesi gënjeshtrat të lehta apo të rënda qofshin ato nuk lejohen absolutisht dhe në fe nuk ka asnjë ditë të shënuar për promovimin e mëkatit të gënjeshtrës.

            Gënjeshtra e bardhë

            Shpehsherë dëgjojmë njerëzit t’i ndajnë gënjeshtrat në të bardha dhe të zeza, apo me zarar apo pa zarar. Gënjeshtrat e zeza apo me zarar nuk duhet të thuhen, kurse gënjeshtrat e bardha po.Shumica e njerëzve duke përfshirë edhe muslimanët nuk i kushtojnë rëndësi këtij lloji dhe gënjejnë duke menduar se kjo gënjeshtër është pa zarar dhe nuk sjell ndonjë dëm. Por ky koncept është i gabuar sepse sido që ajo të jetë, ajo regjistrohet si gënjeshtër dhe ai i cili e regjistron atë është engjëlli i krahut të majtë.   

            Gënjeshtra e babagjyshit të vitit të ri

            Në çdo fund viti, fëmijët gënjehen me babagjyshin e vitit të ri se gjoja ai u sjell atyre dhurata. Më e keqja është se në mendjet e fëmijëve është ngulitur, madje besojnë bindshëm në ekzistencën e tij. Mjafton të hapësh televizorin në prag të çdo fillim viti dhe të shikosh sa e sa filma që flasin për ekzistencën e babagjyshit të vitit të ri. Fëmijët që besojnë në ekzistencën e tij ëndërrojnë që ai t’u sjellë ndonjë dhuratë që e kanë për zemër. Dhe kjo i bën ata që të besojnë dhe t’i luten një idhulli që nuk ekziston, në vend që t’i luten Allahut të Lartësuar. Kjo është një ndër gënjeshtrat më të mëdha. Më e habitshme se kjo është se këtë gënjeshtër të madhe e besojnë edhe disa të rritur, megjithëse janë të pakët në numër.

4 – Sinqeriteti të shpie drejt mirësisë dhe gënjeshtra të shpie drejt shthurrjes

            Nga ky hadith kuptojmë se Profeti (a.s.) i ka urdhëruar muslimanët që të jenë të sinqertë, sepse sinqeriteti është prej shkaqeve që e shpien njeriun në gradën e njerëzve të devotshëm, më pas e ngrejnë në një gradë më të larë atë të “Ebrarëve” (punëmirëve), për ta shpënë atë më në fund në Xhenet, pa llogari e pa u ndëshkuar. Ai i cili arrin në gradën e “Ebrarëve” nuk ka mangësi në kryerjen e obligimeve - që është grada e njerëzve të devotshëm- madje përveç obligimeve ai ka me vete shumë adhurime vullnetare. Fjala mirësi – e përdorur në këtë hadith -  është një fjalë që përfshin të gjitha format e mirësisë dhe punët e mira. Mirësi do të thotë që myslimani pasi ka kryer obligimet fetare dhe i është larguar mëkateve bën vepra të tjera të mira.

            Me të drejtë këtu lind një pyetje: Si është e mundur që sinqeriteti udhëzon tek mirësia?

            Duke medituar themi se:

            Kur njeriu është i sinqertë, e pranon të vërtetën (fenë islame) - që është fillimi i rrugës së besimit - . Kështu pra, sinqeriteti e udhëzon njeriun në perfektësinë e besimit. Pasi ai e pranon të vërtetën dëshiron që të jetë i sinqertë me përkatësinë që ka deklaruar duke kryer obligimet fetare dhe duke iu shmangur mëkateve. Kështu që kur dikush e pyet se nëse e ka kryer obligimin fetar apo a ka kryer ndonjë mëkat - duke qenë se është i sinqertë – do të thotë të vërtetën. Nëse ai nuk i ka kryer obligimet fetare apo ka kryer ndonjë mëkat, atij nuk i pëlqen që të tjerët ta marrin vesh një gjë të tillë. Pikërisht për këtë arsye, sinqeriteti e shtyn atë që të kryejë obligimet dhe të largohet nga mëkatet dhe automoatikisht ai plotëson kushtet për të arritur në gradat më të larta të devotshmërisë. Pas kësaj, automatikisht e gjen veten duke kryer sa më shumë vepra të mira vullnetare duke u ngritur në gradët e mirësisë. Dhe si rrjedhojë, Allahu nuk ka për ta pyetur se përse nuk i ka kryer obligimet apo se përse ka kryer mëkate dhe kështu ai e meriton të hyjë në Xhenet pa u pyetur.

            Po kështu me bindje të plotë themi se është e pamundur që njeriu i sinqertë të jetë munafik, sepse gënjeshtra është hapi i parë i të qënit munafik.

Ashtu siç e cekëm edhe më lartë, mirësia është prej gradëve të larta që e shpien njeriun për në Xhenet. Kurse shthurrja është pre gradëve më të ulëta që e shpien njeriun në Zjarrin  e Xhehenemit. Po si është e mundur që gënjeshtra e shpie njeriun drejt shturrjes?

Ai njeri i cili e ka në gjak gënjeshtrën e ka shumë të lehtë që ta përgënjeshtrojë edhe të vërtetën duke pretenduar të kundërtën e saj. Nëse ai prezantohet me kushtet e besimit, nuk e ka problem që t’i mohojë e të ndjekë epshin e vet. Dihet se mohimi i kushteve të besimit është shturrja më e madhe.

Munafiku shfaqet si musliman duke e fshehur përbrenda urrejtjen që ka për muslimanët apo ngase dëshiron të përfitojë përfitime materiale nëse ai rri bashkë me muslimanët e sinqertë. Ajo që e ndihmon atë në qëllimin e tij është pikërisht gënjeshtra. Prandaj edhe munafiku është në gradën më të ulët të Zjarrit të Xhehenemit, sepse hipokrizia është ndër shthurrjet më të mëdha.

Njeriu i cili vazhdimisht gënjen arrin të realizojë qëllimet e tij, por ai i hyn në hak njerëzve. Ai i cili i mashtron dhe i gënjen njerëzit që të pasurohet apo të ngrihet në pozitë..etj, gënjeshtra i duket e ëmbël. Ai tashmë ka gjetur një rrugë shumë të thjeshtë pa u lodhur dhe pa u munduar. Ai vazhdon të gënjejë derisa gënjeshtra i kthehet në ves nga i cili nuk mund shkëputet dot, ashtu sikurse alkolisti apo drogaxhiu që janë të varur. Kështu ai vazhdon të gënjejë përgjatë gjithë jetës së tij derisa shkruhet dhe registrohet tek Allahu si gënjeshtar.

Por kjo vazhdimsi është e përkoshme me një përfundim tepër të hidhur që është ndëshkimi në Zjarrin e Xhehenemit.

            5 – Inkurajimi dhe paralajmërimi

Edhe në këtë hadith si në shumë hadithe të tjera Profeti (a.s.) i inkurajon muslimanët që të jenë të sinqertë, sepse përfundimi i sinqeritetit është hyrja në Xhenet. Po ashtu, Profeti (a.s.) na paralajmëron për pasojat e rënda të gënjeshtrës, sepse ajo e shpie gënjeshtarin në Zjarr të Xhehenemit. Allahu na ruajtë prej tij.

Metoda e inkurajimit dhe paralajmërimit është prej metodave më efikase të thirrjes islame, sepse ajo lë gjurmë shumë të thellë dhe është më e pranueshme tek njerëzit. Inkurajimi për shpërblimin hyjnor dhe paralajmërimi për ndëshkimin hyjnor e shtyjnë njeriun që të veprojë atë gjë të cilën e ka urdhëruar Allahu i Lartësuar për ta vepruar dhe që mos të mëkatojë. Inkurajimi e shton vullnetin e njeriut për të bërë sa më shumë vepra të mira, kurse paralajmërimi tërheq vërejten dhe e frikëson njeriun nëse ai nuk i bindet urdhrit apo e refuzon të vërtetën. Prandaj, detyrë e thirrësit në rrugë të Allahut është që të inkurajojë dhe paralajmërojë njerëzit dhe mos ta braktisë atë asnjëherë në thirrjen e tij.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Vlera dhe pozita e lartë e sinqeritetit.

2- Muslimani duhet të jetë i sinqertë me Allahun duke vepruar ato gjëra për të cilat Allahu ka urdhëruar dhe të largohet nga mëkatet. Po ashtu ai duhet të jetë i sinqertë në fjalë, vepra dhe marrdhëniet me njerëzit.

3 - Sinqeriteti është rruga për në Xhenet, sepse sinqeriteti udhëzon për në mirësi dhe mirësia për në Xhenet.

4 - Sinqeriteti është një vepër e mirë që sjell një vepër  më të mirë që është “Mirësia”. Sinqeriteti e ngjit besimtarin në grada të larta derisa ai ngjitet në “Ilijun”.[34]

5 – Feja Islame është e ndërtuar mbi bazë të sinqeritetit dhe kthjelltësisë

6 – Mirësia përfshin të gjitha veprat e mira, ndër të cilat është edhe sinqeriteti.

7 – Ai i cili vazhdimisht është i sinqertë arrin në gradën e njerëzve të sinqertë.

8 – Gënjeshtra konsiderohet prej mëkateve të mëdha.

9 – Gënjeshtra është nëna e të gjithë të këqijave dhe është prej cilësive të munafikëve.

10 – Shturrja është një emër që përfshin të gjithë të këqijat, ndër të cilat është edhe gënjeshtra.

11 – Gënjeshtra është rruga për në Zjarr të Xhehenemit.

12 – Inkurajimi dhe paralajmërimi është një metodë efikase e thirrjes në rrugë të Allahut.

13 – Njeriu shpërblehet ose ndëshkohet në varësi të punës së mirë apo të keqe.

14 – Kush tregohet gjithmonë i sinqertë atëherë sinqeriteti bëhet pjesë e karakterit të tij dhe kush gënjen gjithmonë, gënjeshtra bëhet pjesë e karakterit të tij.

15 – Ai cili njihet me një cilësi e meriton të përshkruhet si i tillë.

Epilog:

Tregohet për një njeri i cili vendosi që mos të kryente më mëkate. Për këtë ai shkoi tek një dijetar që të konsultohej. Dijetari e urdhëroi duke i thënë që të thoshte gjithmonë të vërtetën dhe asnjëherë mos të gënjente. Për këtë i mori besën.

Pas disa ditësh, njeriu shkoi në pazar dhe bleu një shishe verë. Kur shkoi në shtëpi mbushi një gotë verë dhe kur e vendosi atë në buzë tha me vete: Nëse dijetari më pyet se nëse kam pirë verë, unë nuk mund ta gënjej. Prandaj ai e largoi gotën nga buza dhe po ashtu edhe shishen me verë nga tavolina. Një ditë tjetër, vendosi që të kryente një mëkat tjetër por iu kujtua besa që i kishte dhënë dijetarit. Kështu pra, sa herë që dëshironte të kryente një mëkat i kujtohej besa që i kishte dhënë dijetarit dhe nuk mëkatonte derisa erdhi dita kur ai e kishte harruar shijen e mëkatit.

 

 


[1] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 6094 dhe imam Muslimi, nr: 2607.

[2] Transmeton imam Ahmedi, nr: 22250. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith sahih.

[3] Sure En Nisa: 69.

[4] Sure El Maide: 75.

[5] Marrë nga “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibn Salih El Uthejminit, fq: 1/294-295.

[6] Sure Hud: 88.

[7] Sure Et Teube: 119.

[8] Sure El Ahzab: 24.

[9] Sure El Maide: 119.

[10] Transmetojnë  imam Buhariu, nr: 3256 dhe imam Muslimi, nr: 2834.

[11] Transmeton imam Muslimi, nr: 1905.

[12] Sure Hud: 15-16.

[13] Transmeton imam Ebu Daudi, nr: 4800. Imam Albani ka thënë se ky hadith është Hasen.

[14] Transmetojnë imam Et Tirmidhi, nr: 2950 dhe imam Ahmedi, nr: 2069. Hadithi është i dobët.

[15] Transmeton imam Buhariu, nr: 107

[16]Transmetojnë imam Buhariu, nr: 2082 dhe imam Muslimi, nr: 1532.

[17] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 2653 dhe imam Muslimi, nr: 89.

[18] Sure El Uaki’a: 37.

[19] Sure El Isra: 80.

[20] Sure El Ahzab: 23.

[21] Sure Kaf: 5.

[22] Sure El Bekare: 10.

[23] Sure El Uakia: 1-2.

[24] Sure El Munafikun: 1.

[25] Ky artikull është marrë nga:  kosovapress.com/sq/arkiva/g235njeshtrat-shpeshher235-shkaktare-luft235rash-dhe-sfid235-popujsh-n235p235r-bot235-157806/?oldç1

[26] Sure Es Saf: 7.

[27] Sure En Nahl: 116-117.

[28] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 108 dhe imam Muslimi, nr: 3.

[29] Sure El Haxh:30.

[30] Sure El Furkan: 72.

[31] Transmeton imam Buhariu, nr: 2358.

[32] Transmetojnë Buhariu, nr: 2358 dhe Muslimi, nr: 109.

[33] Marrë shkurtimisht nga “Përmirësimi i zemrave” fq: 86-88

[34] ashtu sikurse thotë Allahu: “Libri i punëmirëve me siguri do të jetë në Il lijun. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Il lijun? Është një libër i shkruar! Atë e dëshmojnë të afërmit e Allahut.” Sure El Mutaffifin: 18-21.

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

23/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5506:3211:3414:0116:2317:49

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook