Specifikat e muajit të Ramazanit


Ebu Hurjere (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe shejtanët prangosen”.[1]

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith profetik flet për vlerën dhe rëndësinë e muajit të Ramazanit. Këtë muaj Allahu i Lartësuar e ka vlerësuar dhe dalluar nga muajt e tjerë. Allahu i Lartësuar i ka dhënë këtij muaji disa veçori dhe specifika, që nuk e kanë muajt e tjerë, duke e nxitur njeriun që të bëjë sa më shumë vepra të mira.

Në këtë muaj të begatë hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit të Xhehenemit, sepse në këtë muaj ka shumë mirësi. Njeriu mundohet të afrohet më shumë tek Allahu, për të fituar faljen dhe kënaqësinë e tij dhe në të njëjtën kohë e keqja pakësohet. Në këtë muaj shejtanët prangosen me pranga, sepse besimtarët janë të zënë me agjërim, leximin e Kuranit, përmendjen e Allahut, veprojnë vetëm vepra të mira dhe flasin vetëm fjalë të mira. Një dijetar ka thënë: “Portat e Xhenetit hapen, që shpresa të jetë më e madhe dhe që durimtari të jetë më i përmalluar për Xhenetin. Portat e Xhehenemit mbyllen, që mëkatet të jetë sa më të minimizuara dhe që veprat e mira qëndrojnë përpara veprave të këqija si një digë e pakalueshme”.

Është e vërtetë, që shejtanët e prangosur shkaktojnë dëme dhe nxisin për keq, por e keqja e tyre është shumë herë më e pakët dhe më e zvogëluar në krahasim me muajt e tjerë. Ai i cili agjëron duke ju përmbajtur kushteve dhe rregullave të agjërimit, agjërimi i tij është i plotë dhe e ka shmangur shejtanin nga vetja e tij. Prangosja e shejtanëve nuk do të thotë se e keqja nuk ekziston dhe se njeriu nuk kryen mëkate, sepse përveç shejtanëve të cilët e nxisin njeriun për të bërë vepra të këqija, ka dhe shkaqe të tjera që ndikojnë për keq, si nefsi i njeriut që e urdhëron për keq, mjedisi i keq si dhe njerëzit e këqij.

Ndoshta, ata të cilët prangosen prej shejtanëve, janë ata më të këqijtë prej tyre. Ky mund të jetë një kuptim tjetër i prangosjes së shejtanëve. Ata të cilët ndikojnë për keq tek njerëzit, janë ata shejtanë që janë më pak të këqij. Pikërisht këto janë motivet kryesore, që e nxisin myslimanin të jetë sa më pozitiv dhe të përkushtohet sa më shumë në adhurim. Falja hyjnore dhe hyrja në Xhenet është më pranë tij. Profeti (a.s) thotë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, një muaj i shenjtë. Në këtë muaj Allahu i Lartësuar ua ka bërë obligim agjërimin. Në këtë muaj hapen portat e qiellit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen më të këqijtë e shejtanëve. Për Allahun në këtë muaj ka një natë, që është më e mirë se 1000 muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e kësaj nate ai është privuar nga çdo e mirë”.

Hapja e portave të Xhenetit dhe mbyllja e portave të Xhehenemit ndodh që natën e parë të muajit të Ramazanit. Këtë gjë e sqaron profeti (a.s), i cili ka thënë: “Në natën e parë të muajit të Ramazanit prangosen shejtanët dhe më të pabindurit prej xhindeve, mbyllen portat e Xhehenemit për mos t’u hapur asnjëra prej tyre dhe hapen portat e Xhenetit për mos t’u mbyllur asnjëra prej tyre. Dikush thërret: O ti që kërkon të mirën, veproje atë. O ti që kërkon të keqen, shmangu prej saj. Për çdo natë tek Allahu ka çlirues nga zjarri”.[2]

Këtë thirrje njerëzit nuk e dëgjojnë, por profeti (a.s) na ka njoftuar për atë, për të na treguar mëshirën dhe bujarinë e Allahut ndaj robërve të Tij. Prandaj myslimani duhet t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, duke garuar për të bërë vepra dhe punë të mira duke përfituar sa më shumë që të jetë e mundur nga ky eveniment adhurimi. Po ashtu ai duhet të ruhet, që mos të rrijë zgjuar deri vonë gjatë netëve të muajit të Ramazanit, në mënyrë që të jetë më aktiv gjatë ditës. Gdhirja e netëve në netët e zakonshme është një veprim i ndaluar, ndërsa gjatë muajit të Ramazanit, ky veprim është akoma më i ndaluar. Akoma më keq është, kur njeriu e gdhin natën duke e kaluar në gjëra për të cilën Allahu nuk është i kënaqur.

Në muajin e Ramazanit koha mund të konsiderohet prej atyre momenteve dhe çasteve, që të shfaqen vetëm një herë gjatë gjithë jetës. Prandaj i lumtur është ai, i cili e shfrytëzon kohën duke e mbushur atë me sa më shumë vepra të mira. Myslimani e shfrytëzon natën, duke falur namazin dhe duke bërë lutje. Ndërsa ditën e shfrytëzon duke agjëruar, lexuar Kuran, duke dhënë sadeka, duke ruajtur lidhjet farefisnore, duke kërkuar dijen dhe duke vepruar vepra të mira. Profeti (a.s) e ka pasur zakon, që pasi falte namazin e Sabahut, qëndronte në xhami derisa lindte dielli. Vetë profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili e fal namazin e Sabahut me xhemat, pastaj ulet dhe e përmend Allahun derisa të lindë dielli dhe më pas fal dy rekate, ka shpërblimin e një Haxhi dhe Umreje të plotë, të plotë, të plotë”.[3]

Nëse njeriu është i urdhëruar që gjatë muajit të Ramazanit të bëjë sa më pak vepra të këqija, atëherë si duhet të jetë gjendja e atyre njerëzve, që me hyrjen e muajit të Ramazani i shtojnë veprat e këqija duke u larguar sa më shumë nga Allahu?! Gjatë ditës ata flenë gjumë, ndërsa natën e gdhijnë duke bërë mëkate. Nuk ka dyshim se kjo neglizhencë totale është privim nga mëshira dhe bujaria hyjnore.

 


[1]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Transmetojnë imam Et Tirmidhi, Ibnu Maxheh dhe Ibnu Huzejme. Zinxhiri i transmetimit është hasen.

[3]  Transmeton imam Et Tirmidhi. Hadithi është Hasen.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/10/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:12 06:4412:3415:3918:1119:33

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook