By: Tarik Suvejdan

Statusi i tokës së bekuar në Islam


Që nga historia e largët, toka e bekuar e Palestinës është konsideruar si tokë e shenjtë. Tekstet e Kuranit dhe të sunetit – traditës profetike – janë të bollshme për ta vërtetuar këtë fakt. Kjo mirësi i referohet historisë së lashtë dhe të lavdishme të saj. Ajo është toka, ku kanë lindur, janë rritur dhe kanë vdekur shumë profetë të Zotit. Ajo ka dëshmuar shpalljen hyjnore të shumë profetëve. Aty janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme në historinë e largët. Në rreshtat në vazhdim, do të sjellim disa tekste dhe pasazhe, të cilat vërtetojnë shenjtërinë e kësaj toke, si në kohët e lashta ashtu dhe në ato moderne.

Së pari:  Kurani fisnik:

Jo rrallë herë, Kurani fisnik i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë kësaj toke të shenjtë dhe vlerave të saj.

1 - “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë”. (Isra, 1) Vetë Kurani fisnik pohon, se xhamia Aksa është e bekuar, ashtu siç janë të tilla rrethinat e saj.

2 - Me gjuhën e profetit Musa (a.s), që u drejtohet njerëzve të tij, në Kuran thuhet: ”O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë, që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” (Maide, 21)

Padyshim që toka e shenjtë në këtë ajet është Palestina dhe Kudsi (Jeruzalemi), të cilën vetë Kurani fisnik e ka konsideruar të shenjtë. Në këtë rast, shenjtëria përfshin bekimin e këtij vendi, madhështinë e tij, pastërtinë dhe kujdesin që duhet treguar për të. Ajeti i mësipërm flet për popullin e Musait (a.s), të cilët u urdhëruan po nga Musai (a.s) për të hyrë në Kuds (Jeruzalem), për shkak se ajo është një tokë e bekuar dhe plot vlera. Profeti Musa (a.s) u kishte thënë: ”Ajo është toka, që ua ka premtuar babai i juaj Izraeli (Jakubi a.s). Ajo do u trashëgohet atyre që besojnë prej jush”.

Veç kësaj, Musai (a.s) i urdhëroi, që të mos tregoheshin të dobët në luftën për ta marrë atë qytet. Sakaq, çifutët kërkuan ndjesë duke thënë: ”Ky qytet për të cilin kërkon të luftojmë, është i mbushur me banorë shtatlartë dhe të fuqishëm. Ne e kemi të pamundur të përballemi me ta, prandaj nuk mund të hyjmë në qytet përderisa mbrohet nga njerëz të tillë. Ne mund të hyjmë në të, vetëm nëse ata do të dalin nga qyteti”.

Kjo ndodhi, flet mbi rëndësinë e veçantë të Kudsit, statusin e tij tek Allahu i lartësuar dhe tek vetë njerëzit që në lashtësi. Në kohët e hershme, Kudsi (Jeruzalemi) njihej me emrin Ilia, që do të thotë “Toka e Zotit”.

3 – Në një ajet tjetër, flitet për emigrimin e Ibrahimit (a.s) nga toka e keldëve në Irak drejt Shamit. Zoti thotë në Kuran: ”Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit”. (Enbija, 71)

Ky ajet flet mbi periudhën pas ndodhisë së zjarrit, në të cilën Ibrahimi (a.s) shpëtoi pa u djegur me një mrekulli hyjnore. Pas kësaj ngjarjeje, Ibrahimi (a.s) e lë vendlindjen e tij Irakun dhe niset drejt Palestinës, tokës së bekuar. Katade tregon: ”Ai (Ibrahimi a.s) jetonte në Irak. Pasi e shpëtoi Zoti, ai u vendos në Sham”.

Shpeshherë thuhet, se Shami është toka e Ringjalljes dhe grupimit të njerëzimit. Atje do të zbresë Isai (a.s), i cili do i japë fund sprovës së Dexhalit.

Dijetarët theksojnë, se toka e bekuar e cituar në ajet, është toka e Shamit, kryesisht ajo e Palestinës. Ajo u përzgjodh nga Zoti si vend i migrimit të profetit Ibrahim (a.s), për shkak se është e bekuar dhe e privilegjuar nga vetë Allahu fuqiplotë.

4 – Zoti thotë në Kuran: ”Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë”., (Enbija, 81) Interpretuesit e Kuranit thonë, se toka për të cilën bën fjalë ajeti, është toka e Shamit.

Historianët myslimanë kanë mendime të ndryshme lidhur me kufijtë origjinalë të vendeve, që përfshin termi Sham. Sipas disave, Shami përfshin skajin më të largët të Sirisë së sotme. Që andej zbret në tokat e Gadishullit Arabik për të përfshirë edhe Irakun. Sakaq, disa të tjerë e kanë ngushtuar, duke e kufizuar vetëm me Palestinën dhe rrethinat e saj. Sido që të jetë, Kudsi (Jeruzalemi) është qytet, që bën pjesë në Sham, sipas mendimit të gjithë historianëve dhe dijetarëve myslimanë edhe për vetë faktin se të gjithë tekstet e shenjta i referohen pikërisht këtij qyteti.

5 – Sinjali i Kuranit lidhur me ndryshimin e Kibles nga Kudsi. Zoti thotë në Kuran: ”Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga Kibla, që të kënaq ty. Prandaj ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë!” (Bekare, 144)

Xhamia Aksa ka shërbyer si Kible e myslimanëve, por që më vonë u ndryshua, gjë të cilën e konfirmojnë edhe shumë thënie të profetit Muhamed (a.s).

I dërguari i Zotit ishte urdhëruar fillimisht, që gjatë faljeve të drejtohej nga Kudsi. Gjatë kohës që jetonte në Mekë, Profeti (a.s) falej në drejtim të Kudsit edhe pse Qaben e kishte përballë. Kështu, ai bashkonte mes drejtimit për nga Kudsi edhe drejtimin për nga Qabja. Por kur u vendos në Medinë, diçka e tillë ishte e pamundur, prandaj Zoti e urdhëroi të drejtohej nga Qabja. Ky është mendimi i Abdullah ibnu Abasit (r.a) dhe shumicës së dijetarëve.  Pra, ndryshimi erdhi pas hixhretit të Profetit (a.s) në Medinë. Ai lutej dhe i përgjërohej Zotit, që t’ia ndryshojë Kiblen drejt Qabes, e cila kishte shërbyer si Kible edhe e profetit Ibrahimi (a.s). Një vit e ca më vonë, Zoti ia pranoi këtë lutje dhe e urdhëroi të drejtohej nga Qabeja në Mekë, duke e lënë përfundimisht drejtimin nga xhamia Aksa. Profeti (a.s) ua komunikoi të gjithë myslimanëve këtë ndryshim të kibles. Namazi i parë, që u fal drejt Qabes, ishte ai i iqindisë, gjë e cila ceket si tek Buhariu dhe Muslimi. Më shumë se një interpretues Kurani thotë, se ajeti i ndryshimit të Qabes iu shpall Profetit (a.s), ndërkohë që ai po falte dy rekatet e fundit të namazit të drekës në xhaminë e Benu Seleme, e cila më vonë morri emrin “Kibletejn” (dy kiblet). Sakaq, banorëve të Kubasë u arriti lajmi i ndryshimit të kibles vetëm pas namazit të sabahut të ditës tjetër. Kjo ceket qartë në një hadith të transmetuar nga Buhari dhe Muslimi, ku Ibnu Umer (r.a) thotë: ”Ndërkohë që njerëzit po falnin sabahun në xhaminë Kuba, vjen dikush dhe thotë: ”Të dërguarit të Zotit (a.s) i janë shpallur ajete, në të cilat urdhërohet të drejtohet nga Qabeja, prandaj kthehuni drejt saj!” Gjer atëherë, ata po faleshin nga Kudsi dhe menjëherë u kthyen nga Qabeja”.

6 – Shumë ajete të Kuranit flasin mbi vlerat e tokës së shenjtë dhe rrethinave të saj. Ndër këto ajete, mund të përmendim: ”I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë”. (Isra, 1)

Zoti thotë në Kuran: ”Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë”. (Enbija, 81)

”O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë, që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” (Maide, 21)

Pasazhet mbi vlerat e kësaj toke janë të shumta në Kuranin fisnik. Vetë fakti që Profeti (a.s) ishte urdhëruar të drejtohej nga xhamia Aksa fillimisht, tregon mbi statusin dhe shenjtërinë e saj të madhe.

 

Së dyti: Tradita profetike

1 – Në traditën profetike (sunet) ekzistojnë shumë tekste, të cilat sinjalizojnë vlerat e tokës së shenjtë. Profeti Muhamed (a.s) thotë: ”Nuk ndërmerren udhëtime (me qëllim adhurimi) veçse drejt tre xhamive: Qabja, xhamia ime (në Medine) dhe xhamia Aksa”. (Buhariu dhe Muslimi)

Lidhur me udhëtimin për qëllim adhurimi, i gjithë umeti mysliman ka mendim unanim, se është e pëlqyeshme vizita e xhamisë Aksa për rituale të ligjshme si: namazi, lutja, dhikri, leximi i Kuranit, itikakfi dhe agjërimi. Në një hadith thuhet, se shpërblimi i adhurimit në këto tre xhami, shtohet sipas vlerave që ka secila prej tyre. Kështu, namazi në Qabe është ekuivalent me njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera. Namazi në xhaminë e Profetit (a.s) është ekuivalent me një mijë namaze, kurse namazi në xhaminë Aksa, është ekuivalent me pesëqind namaze. Kështu, shohim që xhamia Aksa vjen direkt pas Qabes dhe xhamisë së Profetit (a.s).

2 – Xhamia Aksa është faltorja e dytë, që është ndërtuar mbi faqen e tokës. Ajo është ndërtuar menjëherë pas Qabes së shenjtë. Tregon Ebu Dherri, Zoti qoftë i kënaqur me të: ”E pyeta të dërguarin e Zotit mbi xhaminë e parë, që është ndërtuar mbi tokë dhe ai mu përgjigj: ”Është xhamia e shenjtë, Qabja”. Unë e pyeta: ”Po pas saj?” Ai mu përgjigj: ”Xhamia Aksa”. Unë e pyeta: ” Pas sa vitesh është ndërtuar ajo?” Ai tha: ”Pas dyzet vitesh. Por mos harro se e gjithë toka është xhami për myslimanin. Prandaj, kudo që të të zërë namazi, falu”. (Buhari dhe Muslim)

3 – Transmeton Zejd ibnu Thabit (r.a),  se e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë: ”Lum si Shami! Lum si Shami!” Ne e pyetëm: ”O i dërguar i  Allahut! Përse e lëvdon atë tokë?!” Ai u përgjigj: ”Melekët i kanë shtrirë krahët e tyre mbi Sham”. (Tirmidhij dhe Ahmed)

4 – Xhamia Aksa ishte Kibla e parë e myslimanëve, para se ata të drejtoheshin më vonë nga Qabja. Transmeton imam Buhari dhe Muslim nga Berra ibnu Azib, se ka thënë: ”Jemi falur me të dërguarin e Zotit drejt xhamisë Aksa për gjashtëmbëdhjetë muaj ose për shtatëmbëdhjetë muaj. Pastaj e kthyem drejtimin nga Qabja”.

5 – Xhamia Aksa është toka, ku profeti Muhamed (a.s) realizoi udhëtimin e Israsë dhe prej andej u ngjit në qiell, gjatë udhëtimit të Miraxhit. Transmeton imam Muslim nga Enes ibnu Malik (r.a), se i dërguari i Allahut ka thënë: ”Udhëtova me Burak-un, i cili është një kafshë e bardhë dhe e gjatë, më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka. Çdo hap e hidhte në horizont. Unë udhëtova me të, derisa mbërrita në Kuds. Pastaj e lidha tek hallka e përdorur nga profetët dhe shkova e fala dy rekate në xhaminë Aksa. Pasi dola, më erdhi Xhibrili (a.s) me dy tasa, njëri kishte alkool kurse tjetri qumësht. Unë zgjodha qumështin. Xhibrili (a.s) më tha: ”Ke zgjedhur të natyrshmen! Pastaj udhëtuam drejt qiellit”.

6 – Profeti Musa (a.s) është lutur për xhaminë  Aksa. Pak para se të vdesë, ai i kërkoi Zotit të lartësuar, që ta afrojë sa më shumë me këtë vend të bekuar dhe të varroset sa më pranë saj. Imam Buhariu transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: ”Musai (a.s) i kërkoi Zotit, ta afrojë me tokën e bekuar, aq sa mund të hidhet një gur. Nëse do të ishim atje, do ua tregoja varrin e tij, anash rrugës, poshtë dunës së kuqe”.

7 – Në shumë hadithe, profeti Muhamed (a.s) i lutet Zotit për më shumë bereqet dhe begati për Shamin. Transmeton imam Buhari, nga Abdullah ibnu Umer, Zoti qoftë i kënaqur me ta, se i dërguari i Zotit ka thënë: ”O Zot! Bekoje Shamin dhe Jemenin tonë!”

Dijetarët thonë, se Profeti (a.s) e ka cituar Shamin para Jemenit, për shkak se ai është më i mirë dhe me më shumë bereqet.

8 – Nga imam Ahmed dhe Tirmidhij, transmetohet, se Salim ibnu Abdullah, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë se e ka dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: ”Në Ditën e Fundit do të shfaqet një zjarr nga Hadramaut, i cili i tubon njerëzit”. Ne e pyetëm: ”Çfarë na këshillon të bëjmë o i dërguar i Allahut?!” Ai u përgjigj: ”Kërkoni strehim në Sham!”

9 – Shumë interpretues të Kuranit dhe dijetarë si: Kurtubij, Ibnu Maxheh, Ibnul Xheuzij etj... thonë se interpretimi i ajetit: “Dhe vëri veshin thërritësit që thërret prej një vendi të afërt” (Kaf, 41) është i tillë: ”Israfili do të qëndrojë mbi Shkëmbin tek xhamia Aksa dhe do të thërrasë njerëzit, që të bëhen gati për Llogarinë e madhe. Kështu, Mahsheri (tubimi i madh) do të fillojë që atje.

Imam Ahmedi transmeton nga Mejmune bintu Sad, se e ka pyetur Profetin (a.s): ”O i dërguar i Allahut! Na trego diçka për xhaminë Aksa!” Profeti (a.s) është përgjigjur: ”Ajo është toka e tubimit (mahsher) dhe shpërndarjes (mensher)”.

Disa myslimanë e teprojnë me shenjtërimin e shkëmbit. Sakaq Ibnu Tejmije thekson, se shenjtërimi i këtij shkëmbi konsiderohet si bidat, risi, pasi nuk ekziston asnjë tekst për këtë. Madje, disa prej tyre mendojnë dhe  besojnë, se ky shkëmb qëndron në ajër, gjë e cila nuk është e vërtetë. Ata e bazojnë këtë pretendim në faktin, se poshtë shkëmbit gjendet një shpellë. Kur hyn brenda saj, të duket se shkëmbi është në ajër.

10 – Një numër i madh nga shokët e Profetit (a.s), dijetarë dhe njerëz të mirë, e kanë vizituar xhaminë Aksa ndër shekuj. Ata kanë falur namaz në hapësirat e saj, si përgjigje e lutjes së Profetit (a.s). Nga sahabët që e kanë vizituar xhaminë Aksa, është hazreti Umeri, Ebu Ubejde, Amir ibnl  Xherrah, nëna e besimtarëve Safije bintu Hujej (gruaja e Profetit a.s), Muadh ibnu Xhebel, Abdullah ibnu Umer, Halid ibnu Velid, Ebu Dherr Elgafarij, Ebu Derda, Selman Elfarisij, Amr ibnul As, Seid ibnu Zejd, Ebu Hurejre, Abdullah ibnu Amr ibnul As (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata) dhe shumë të tjerë.

Hadithet dhe tekstet e mësipërme janë të bollshme, për të shuar kureshtjen e besimtarit, lidhur me statusin dhe vlerat e xhamisë Aksa dhe të Palestinës së bekuar. Ato janë argument i fuqishëm për shenjtërinë e kësaj toke dhe të xhamisë Aksa në veçanti, për të gjithë myslimanët anembanë botës. Asnjërit prej tyre nuk i lejohet të heshtë dhe ta injorojë çështjen e tokës së shenjtë në Palestinë.

 

 

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

16/07/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:15 05:1612:5416:5020:1822:06

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook