By: Nga: Ali Tantavi

SUNDIMTARI DINJITOZ


Jemi me një tjetër jetëshkrim madhështor, për të cilin besoj se nuk keni dëgjuar. E në fakt gjigantët e Islamit për të cilët ne nuk kemi dëgjuar janë vërtetë të shumtë...

Po bëjmë fjalë për një mbret, jetëshkrimi dhe veprat e të cilit shërbejnë si një model i denjë mbi të cilin lypset të jetë sundimtari musliman. Në vazhdën e strategëve Ebu Bekër, Umer, Uthman, Ali, Umer ibn Abdulaziz, Salahudin, etj, vjen dhe ky mbret i urtë, i quajtur Mudhafir ibn Mahmud. Ai është një prej mbretërve të Ahmedabadit të Indisë.

Ahmedabadi përbënte civilizimin e Indisë dhe kryeqytetin e qyteteve të saj. Ajo avancoi kundrejt viseve të tjera me kopshtet dhe parqet e saj të strukturuara në një mënyrë perfekte, ndërtimtarinë e saj madhështore, sigurinë dhe qetësinë e saj, sistemin e integruar të drejtësisë, dijetarët dhe hadithologët e saj, si dhe me banorët e saj dinjitozë.

Personazhi ynë u lind ditën e enjte, më 20 Shevel të vitit 785 hixhri (hënor) në El Kexhrat. Ai u rrit si një dijetar dhe musliman i përkushtuar, në një familje mbretërore shumica e mbretërve të së cilës kanë qenë njerëz me vlera dhe të përkushtuar fetarisht.

Studioi librat shkencor më me zë dhe sidomos spikati në lëmin e shkencës së hadithit (thënieve profetike), leksionet e së cilës i mori nga Xhemaludin el Mubareku el Humejriu el Hadramiu dhe Mexhdudin el Ijxhi. Ai u integrua në të gjitha shkencat dhe artet, prej të cilave përmendim edhe në artin e muzikës dhe kaligrafisë, madje mund të themi, se ai ishte një kaligrafist i aftë në teknikën e shkrimit, kopjimit dhe më gjerë… Që në rininë e tij e mësoi Kuranin përmendësh … U ushtrua në teknikat luftarake të shpatës, heshtës, harkut, kalërimit dhe dyluftimit dhe i perfeksionoi të tëra këto arte luftarake. Panorama e rritjes së tij ngjan me atë të Urnek Zejbit, ose më saktë, ky i fundit i ngjan atij, duke qenë se erdhi në jetë një shekull e gjysmë më pas…

Kësisoj, në Indinë muslimane, historinë e të cilës nuk e dini ashtu siç edhe unë nuk e dija derisa e vizitova, gjejmë mbretër të veshur me petkun e fukahave (dijetarëve të jurisprudencës isalme) dhe hadithologëve (dijetarëve që studiojnë traditën e profetit Muhamed a.s); burra të cilët bashkuan midis dynjasë, fesë, diturisë dhe punës… Të gjithë paraardhësit e Mudhafirit rridhnin nga familje mbretërore, por ai përparoi edhe më shumë se ata...

Hipi në fron me 3 Ramadan të vitit 917 hixhri (hënor) në moshën dyzetedy vjeçare dhe qeverisi derisa vdiq me 2 Xhumadal Ule të vitit 932 hixhri... Koha e pushtetit të tij ishte pesëmbëdhjetë vjet, të cilat njerëzit i kaluan si të ishin pesëmbëdhjetë ditë, falë drejtësisë, bujarisë, rigorozitetit dhe devocionit që gjetën prej tij...

Ai e ndiqte Sunetin (Traditën Profetike) dhe i aplikonte hadithet e sakta, që kishte memorizuar në çështjet e vogla dhe të mëdha, personale, familjare dhe qytetare... Ishte gjithmonë pranë dijetarëve, të cilët i shoqëroi, i nderoi dhe i motivoi në vazhdimësi...

Sa i përket teknikës luftarake, ai ishte një komandant gjenial edhe pse nuk e kishte përzemër zhytjen në luftëra. Kur sulltan Mahmud el Khalxhiu iu drejtua atij për ndihmë dhe i kërkoi ta mbronte nga mexhusët, të cilët e kishin sfiduar në territoret e tij dhe i kishin pushtuar kryeqytetin e tij, ku gjendeshin familjarët dhe katandia e tij, ai doli ta shpëtonte me një ushtri gjigante. Kur arriti në kalanë e pushtuar, armiku i tij i bëri kurth, ashtu që hyri me të në negociata për t’ia dorëzuar kalanë, teksa si objektiv të vërtetë kishte që të fitonte kohë, derisa të vinte komandante indian i shquar (Ranka Sanka). Ardhja e këtij të fundit e futi ushtrinë e Mudhafirit midis dy gurëve të mullirit. Armiku tanimë e kishte rrethuar nga të dy anët. Por ai me një taktikë të paparë, të guximshme dhe të rrallë, arriti ta çlironte kalanë dhe t’i lërë me gisht në gojë të dy këto ushtri armike. Në këtë betejë Mudhafir korri një fitore të qartë... Kur arriti tek porta, ai nuk hyri në të, por u kthye nga sulltan El Khalxhiu, ia uroi atij çlirimin dhe tha: “Bismilah, hyni në të të sigurt”. Sakaq e lakoi frerin e kalit për t’u kthyer. Por El Khalxhiu nuk e la të ikte dhe këmbënguli që ta mirëpriste në kryeqytet. Për ta nderuar, para Mudhafirit u paraqitën fëmijët e El Khalxhiu-t, të cilët sapo kishin shpëtuar nga robëria. Më pas El Khalxhiu i tregoi atij reliktet e të parëve të tij si dhe vendet më të spikatura të atdheut të tij. Më tej El Khalxhiu thirri elitën e mbretërisë dhe komandantët e ushtrisë së tij dhe nga podiumi, në sytë e të gjithëve, i tha Sulltan Mudhafirit: “Elhamdu li Lahi-Falënderoj Allahun që më bëri të dëshmoj tek angazhimi yt atë që shpresoja. Tanimë unë nuk kam merak për mbretërinë, ajo të takon ty më shumë se ç’më takon mua”. Mudhafiri iu përgjigj: “Qysh hapin e parë që hodha për në këtë krahinë, e hodha për kënaqësi të Allahut dhe jo për sundim. Allahu të dhëntë bereqet në sundimin tënd, që të gjykosh në të me Sheriatin (Ligjin) e Allahut dhe Allahu na bëftë të jemi si një trup i vetëm në çdo çështje”... El Khalxhiu tha: “Mbretëria ime ka vakum, sa i përket faktorit burrëror dhe unë nuk kam ushtri që ta mbrojë atë. Përveç kësaj unë nuk kam asnjë garanci, se armiku nuk do të kthehet sërish”... Mudhafiri i tha: “Kjo është e vërtetë”. Ai ia la El Khalxhiut komandantin e tij Esif Khanin me dymbëdhjetë mijë ushtarë, të cilëve u tha: “Po ua lë në dorë situatën e këtij vendi. Rrogat dhe shpenzimet tuaja që të gjitha ua marr unë përsipër, si më parë. Mos u mburrni e të merrni gjë nga El Khalxhiu”... Gjithashtu urdhëroi, që El Khalxhiut t’i dedikohej një depozitë financiare... Kur Mudhafiri bëri të ikte, personeli shtetëror i tij i kërkoi që kalanë ta kalonte në dominimin e tij dhe ta aneksonte. Kjo e bëri Mudhafirin që t’i kthehej El Khalxhiut dhe t’i thoshte: “Ruaje derën e kalasë me njerëzit e tu dhe pas ikjes sime mos lër askënd të hyjë në të, edhe në qofshin njerëzit apo fëmijët e mi. Para se të ndahej, El Khalxhiu e mori Mudhafirin në një rezidencë private dhe me t’u hapur dera e saj, një numër i zgjedhur robëreshash, të bukura sa s’ka, i hodhën atij lule dhe xhevahire tek këmbët... Mudhafiri i mbylli sytë dhe u bëri atyre me shenjë që të mbulohen, pasi shikimi tek gratë e huaja është i ndaluar... El Khalxhiu tha: “Ato janë të tëra në sundimin tim dhe mua me gjithë robër dhe katandi konsideromë pronë tënden”... Mudhafiri u lut për El Khalxhiun dhe u largua, duke mos lakmuar asnjërën prej tyre...

Ajo që është vërtet për t’u habitur në këtë histori të mbushur me çudira, është se El Khalxhiu në fjalë dhe etërit e tij ishin treguar armiqësor me shtetin e Mudhafirit, El Kexhratin, madje kishin qenë prej armiqve më të egër të tij. Madje edhe më i habitshme se kjo, është fakti tjetër, se direkt babai i këtij El Khalxhiu, i quajtur Gajathu Din el Khalxhiu, ishte ai që e kishte mësyer El Kexhratin, duke qëndruar në anën e jobesimtarëve të Indisë, kundër mbretërve indian muslimanë.

*****

Të nderuarit e mi! Ky ishte ecejaku i mbretërve muslimanë... Këta mbretër krahas interesimit dhe reformimit të territoreve të tyre, interesoheshin edhe për territorin mëmë të çdo muslimani, për dy viset e shenjta (Meken dhe Medinen)... Për to dedikonin vakëfe dhe dërgonin furnizime...

Furnizimet, që Mudhafiri ua dërgonte banorëve të dy viseve të shenjta në fjalë, ishin të pandërprera. Ai kishte ndërtuar një anije, të cilën e kish ngarkuar me copëra nga më të shtrenjtat dhe këtë anije me gjithë ngarkesën e saj ai e dërgoi peshqesh në brigjet e Xhiddes. Në Meke ai ndërtoi një kompleks, i cili përmbante një shkollë, një kamp për nevojtarët dhe banesa. Për këtë kompleks ai kishte dedikuar një vakëf të konsiderueshëm. Lidhjet e tij ishin shumë të konsoliduara dhe ai dërgonte furnizime në çdo sezon...

*****

Historia e vdekjes së tij ishte një histori mbresëlënëse, që tregon për fundin e mirë të tij dhe se ai, me lejen e Allahut, është prej banorëve të Xhenetit.

Po ua përcjell këtë informacion ashtu siç vjen në përpilimin “Nuzhatul Khauatir” të dijetarit të famshëm të Indisë, njëkohësisht mjek profesionist dhe historian, El Mesle Abdul Haj el Husni, që është dhe babai i mikut të nderuar Ebul Hasen en Nedeuijut. Ai e sjell këtë histori të bartur nga El Esafi, i cili thotë:

“Në vitin 931, sulltani (Mudhafir) doli për në namazgjanë e kremtimeve, që të falnim namazin për rënie shiu. Ai dha sadaka dhe u interesua për hallet e shtresave në nevojë, të cilëve u kërkoi të bënin dua (për situatën e thatësirës). Pastaj erdhi të falej dhe fundi i duasë (lutjes) që ai bëri ishte: ‘O Allahu ynë! Unë Ty të adhuroj dhe për vete gjë nuk (pretendoj se) sundoj. Nëse mëkatet e mia e kanë ndaluar shiun, unë ballin tim para Teje po e dorëzoj. Na zbrit shi e na shpëto o më mëshiruesi i mëshiruesve!’ E tha këtë dhe e vendosi ballin e tij përdhe duke përsëritur: ‘O më mëshiruesi i mëshiruesve!’ Akoma pa e ngritur kokën, erërat filluan të trazohen, një re u krijua, rrufeja shkreptiu dhe shiu filloi të binte. Pas kësaj ai i bëri sexhde falënderimi Allahut të Lartësuar. Njerëzit filluan të bëjnë lutje për të, ndërsa ai me dorën e tij shpërndante sadaka sa djathtas-majtas. Pak pas këtij namazi për rënie shiu, ai u prek nga një plogështim. Më pas ndjeu dobësi në stomak. Në këtë rrethanë organizoi një kuvend në praninë e dendur të personaliteteve të kombit islam dhe dijetarëve të fesë islame, ku bisedat u vërtitën rreth gjërave që i bëjnë dobi njeriut në Amshim”.

- Transmetuesi vijon: “Në ditët e tij të fundit, konkretisht ditën e xhuma (e premte), në pallatin mbretëror, ai u mbështet deri në zenitin e diellit... Kërkoi t’i sillnin ujë, mori abdes dhe fali dy rekat namaz të abdesit. Pastaj doli ca kohë dhe kërkoi t’i vinte Raxhih Muhamed Husejni, që thirrej “Eshxheul Melik”. E afroj atë pranë vetes dhe i tha: Dua që të jesh i pranishëm gjatë vdekjes sime, të më lash me duart e tua dhe të më këndosh (gjatë agonisë) suren Jasin... Dëgjoi ezanin dhe tha: A po thirret në kohë? I thanë: Është ezani i tubimit për faljen e xhumasë (ezani i parë i xhumasë që bëhej pak para kohës). Tha: Kohën e drekës (mesditës) do e fal me ju, ndërsa në kohën e mbasdites (ikindisë) in she Allahu jam në Xhenet, tek Zoti im... Pastaj u apeloi të pranishmëve të niseshin për xhuma dhe iu avit faltores, ku u fal dhe e luti Allahun e Lavdishëm me fytyrën dhe zemrën kah Ai... Lutja e fundit që ai bëri ishte: ‘O Zoti im! Më dhe sundim dhe ma mësove interpretimin e haditheve, Ti je Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je Padroni im në dynja dhe Amshim, ma merr jetën si musliman dhe më bashko me të devotshmit!’... U ngrit nga faltorja e tij duke u thënë të pranishmëve: ‘U lë në garancinë e Allahut!’... U mbështet në shtratin e vet, u drejtua nga kibla (Qabja) dhe tha: ‘La ilahe il Allah, Muhamedun resulu Llah-Nuk ka hyjni (të meritueshëm të adhurohet) veç Allahut, Muhamedi është i dërguari i Allahut’... Kësisoj, shpirti i tij shkoi tek Krijuesi i tij...”.

 

 Perktheu: Altin  Torba

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/05/2012
ImsakuSabahuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
3:153:455:1212:4416:4020:0421:48

Thënia e ditës

Duke lexuar autorët

që shkruajnë mirë,

mësohesh të flasësh mirë.

Volter

Video e re

Flash is required!

Sondazh

Sondazh
Sa libra lexoni në vit?
1 - 3 libra
4 - 6 libra
7 - 10 libra
Mbi 10 libra ne vit
Lexoj vetem tekste shkollore
Nuk lexoj fare

 

Poll results

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Multimedia

Flash is required!

Facebook

Abonohu

Enter your email address:

Flash is required!