By: Doktor Ahmed Ismail Abdul Kerim

Sure Ihlas


Surja Ihlas është nga ato sure, të cilat i janë shpallur të Dërguarit të Allahut (a.s) për të rrënjosur besimin. Ajo flet për njësimin e Allahut dhe për atë që askush nuk është i ngjashëm me Të. Ajo hedh poshtë besimin e gabuar të hebrenjve, të krishterëve dhe të feve të tjera. Kjo sure është shumë e shkurtër, por është e mrekullueshme.

           

Tematika e sures:

Kjo sure flet shumë qartë dhe në mënyrë mjaft konçize rreth njësimit të Allahut. Allahu është Një, i Vetëm në emrat dhe cilësitë e Tij, Ai nuk ka shok, ortak e askënd që të jetë i barabartë me Të. Për këtë njëshmëri, Ai e urdhëron të Dërguarin e Tij(a.s.), që të lajmërojë, se: “Thuaj Allahu është Një”[1]. Kjo është besimi i ndërgjegjes, shpjegimi i ekzistencës dhe programi i jetës. Kjo sure përcakton në vija të përgjithshme të vërtetën e fesë islame. Kjo e vërtetë nuk është ashtu siç besojnë të krishterët në trinitet, siç besojnë idhujtarët në shumë zota e as siç besojnë hebrenjtë apo shumë rryma që kanë humbur rrugën e drejtë. Në librin Tes’hil lexojmë: “Dije se përshkrimi që Allahu është Një, ka tre kuptime dhe secili prej tyre është i vërtetë:

Kuptimi i parë: Ai është Një, nuk ka dy apo më shumë. Ky kuptim mohon zotat e shumtë.

Kuptimi i dytë: Ai është Një, nuk ka të ngjashëm e as ortak.

Kuptimi i tretë: Ai është Një dhe nuk mund të ndahet në pjesë”

Qëllimi kryesor i sures është mohimi se Allahu ka ortakë, si kundërpërgjigje ndaj thënieve të idhujtarëve.

Allahu i Lartësuar ka sjellë shumë argumente në Kuranin fisnik për të vërtetuar se Ai është Një. Prej këtyre argumenteve të shumta, katër janë më të qarta:

Argumenti i parë: Allahu i Lartësuar thotë: “A është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?!”[2] Ky është argumenti i krijimit dhe nënkupton, se Allahu është Ai, i Cili ka krijuar gjithçka që ndodhet në këtë univers, ndërkohë që askush prej krijesave nuk ka krijuar asgjë.

Argumenti i dytë: Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë përveç Allahut, si qiejt ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin”[3]. Ky është argumenti i saktësisë dhe përsosmërisë.

Argumenti i tretë: Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për të arritur tek Zoti i Arshit”[4]. Ky është argumenti i nënshtrimit dhe mbizotërimit.

Argumenti i katërt: Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ka zgjedhur për vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin mbi njëri-tjetrin”[5]. Ky është argumenti i grindjeve dhe konflikteve, se kush prej zotave do të sundojë mbi të tjerët.

“Allahu është Ai, të Cilit çdo krijesë i drejtohet për çdo nevojë”[6], çka do të thotë, se të gjitha krijesat vazhdimisht kanë nevojë dhe i drejtohen Allahut të Lartësuar për çdo gjë, sepse Ai është i Pasur dhe nuk ka nevojë për askënd prej krijesave të Tij. Ky ajet kuranor tërheq vëmendjen për diçka shumë të rëndësishme: njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm në veprimet e tyre në lidhje me adhurimin e duhet të meditojnë rreth argumenteve të Allahut në univers.

“As ka lindur dikë”[7]. Ky ajet kuranor vjen si kundërpërgjigje ndaj të gjithë atyre njerëzve, të cilët pretendojnë se Allahu ka fëmijë. Allahu i Lartësuar është larg të metave e askush nuk i ngjan Atij. Ai nuk është si krijesat që të ketë pasardhës. Komentuesit e Kuranit kanë thënë: “Ajeti hedh poshtë besimin e të gjithë atyre, që pretendojnë se Allahu ka fëmijë. Ajeti hedh poshtë fjalën e hebrenjve, të cilët thanë: “Uzejri është biri i Allahut”[8], hedh poshtë fjalën e të krishterëve të cilët thanë: “Mesihu është biri i Allahut”[9]. Po ashtu hedh poshtë pretendimin e arabëve, të cilët thanë se engjëjt janë bijat e Allahut. Kështu pra në këtë ajet, Allahu hedh poshtë pretendimin se Ai ka fëmijë, sepse në përgjithësi fëmija i ngjan babait. Allahu është i Përjetshëm dhe askush nuk i ngjan Atij. Që fëmija të lindë, duhet medoemos prezenca e burrit dhe gruas tek të cilët mbizotërojnë pasionet dhe epshet. Allahu i Lartësuar thotë një ajet tjetër: “Ai (Allahu) është, që krijoi (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe Tokën, e si do të ketë ai fëmijë kur nuk ka bashkëshorte”[10]?! Nuk ka dyshim se kush ka bashkëshorte nuk dallon nga krijesat e tjera. I Lartësuar është Allahu nga ajo që i përshkruajnë.

“E as është i lindur”[11]. Kjo shprehje tregon qartë, se Allahun nuk e ka lindur askush. Kjo shprehje hedh poshtë besimin e të krishterëve, të cilët thonë se Jezusi është zot, sepse duke qenë se Jezusi është i lindur, ai ka nevojë për dikë, por ai që ka nevojë për dikë tjetër, nuk mund të quhet zot.

“Dhe askush nuk është i barabartë me Atë”[12]. Kjo do të thotë, se askush nuk është i barabartë me Të, i krahasueshëm me Atë në vetë Qënien Hyjnore, në cilësitë dhe veprat e Tij. Imam Ibn Kethiri thotë: “Ai (Allahu) është Sunduesi dhe Krijuesi i gjithëçkaje. Si është e mundur që Ai të ketë krijesa të ngjashme me Të, që mund t’i përafrohen?! I Lartësuar është Ai nga kjo gjë. Allahu i Lartësuar thotë në një hadith kudsij: “Biri i Ademit më ka përgënjeshtruar e kjo nuk i takon atij që ta bëjë. Biri i Ademit më ka ofenduar e kjo nuk i takon atij që ta bëjë. Më ka përgënjeshtruar kur ka thënë Ai nuk do të më ringjallë, ashtu siç më krijoi në fillim", ndërkohë që ringjallja është më  e lehtë për Mua, sesa krijimi i parë. Ai (njeriu) më ka ofenduar, kur ka thënë se Allahu ka fëmijë, kurse Unë jam Një i vetëm, ndërsa të gjitha krijesat kanë nevojë për Mua, Nuk kam lindur askënd dhe as nuk jam i lindur dhe askush nuk është i ngjashëm me Mua”.

Duke komentuar këtë ajet kuranor, Sejid Kutubi thotë: “Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e ngjashme dhe e barabartë me Atë në Qënien e Tij, veprat dhe cilësitë e Tij. Gjithashtu, ky ajet kuranor vërteton se Ai është Një i Vetëm”.

Kjo sure me të vërtetë është e shkurtër, por në vetvete mbart një mrekulli. Ajo flet me qartësi për cilësitë perfekte të Allahut, duke e lartësuar (pastruar) Atë nga cilësitë e mangëta. Të gjitha ajetet e kësaj sureje janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe të gjitha dëshmojnë fuqimisht, se Allahu është Një i vetëm e i Pashok. Kështu pra, kjo sure rrënjos besimin e shëndoshë tek njerëzit, se Allahu është Një dhe i Vetëm, duke mohuar të gjitha pretendimet e gabuara të jobesimtarëve.

 


[1] - Sure El Ihlas: 1.

[2] - Sure En Nahl: 17

[3] - Sure El Enbija: 22.

[4] - Sure El Isra: 42.

[5] - Sure El Mu’minun: 91.

[6] - Sure El Ihlas: 2.

[7] - Sure El Ihlas: 3.

[8] - Sure Et Teube: 30.

[9] - Sure Et Teube: 3.

[10] - Sure El En’am: 101.

[11] - Sure El Ihlas: 3.

[12] - Sure El Ihlas: 4.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook