By: Idris Teufik

Të bëhemi myslimanë më të mirë


E premte, 29 Tetor 2010 14:28 Përditësimi E mërkurë, 24 Nëntor 2010 13:50 nga Erzen Pashaj

Të bëhemi myslimanë më të mirë (Pjesa 1)

Si të arrijmë shkallën e përsosmërisë (ihsanin)

NGA IDRIS TAWFIQ

Kur të kemi arritur shkallën e “Ihsanit” si myslimanë, atëherë kemi arritur shkallën ku Allahu dëshiron që ne të jemi.

Kur rritemi nuk e kemi më atë thjeshtësinë që kemi pasur kur ishin fëmijë. Islami është shumë i thjeshtë; por si të rritur ne e bëjmë atë të duket shumë i ndërlikuar. Mesazhi i Islamit ka ekzistuar që në fillim të jetës në tokë dhe ai është për të gjithë njerëzit. Mesazhi i Islamit mund të përmblidhet si vijon: ka vetëm një Zot; dhe Zoti komunikon me Krijimin e Tij. Gjithçka tjetër e plotëson këtë mesazh.

 

Një mesazh i tillë i thjeshtë u drejtohet zemrave të gjithë njerëzve. Kujtoni minatorët në Kili, të cilët mbetën nëntokë për shumë javë. Të gjithë ata, qofshin besimtarë ose jo, mund të jenë lutur për shpëtimin e tyre. Nëse njerëzit e pranojnë apo jo faktin se Zoti ekziston, shqetësimet dhe tragjeditë shpesh u tregojnë se Ai është i pari, të cilit duhet t’i drejtohen.

Islami i përgjigjet kësaj nevoje të burrave dhe grave në një mënyrë shumë të thjeshtë. Pa pasur nevojën për papën apo për priftërinjtë që të ndërmjetësojnë në emër të tyre, Islami na mëson se mund të gjunjëzohemi para Krijuesit tonë dhe të flasim drejtpërdrejt me Të. Si myslimanë, ne nuk duhet ta harrojmë asnjëherë këtë thjeshtësi të Islamit.

Në jetë vjen një pikë që ne kemi nevojë ta thellojmë besimin tonë. Ata që janë të ri në Islam duan ta rrisin besimin e tyre. Ata duan të përmirësohen çdo ditë dhe të bëhen më të mirë. Është relativisht e lehtë të thuash shehadetin (pra, të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij), por duhet një jetë që të zbatosh dhe të jetosh sipas urdhrave të Allahut. Nëse ne nuk përmirësohemi që nga dita e parë që e kemi pranuar Islamin, atëherë kjo do të thotë se ne nuk kemi bërë përparime që të bëhemi myslimanë më të mirë, apo jo? Kjo ka të bëjë me njohuritë tona dhe me mënyrën se si sillemi.

Mendoni për mësimin e gjuhës frënge. Nëse njohuritë tona për këtë gjuhë mbeten në të njëjtin nivel si më parë kur ne ishin shtatë vjeç, atëherë kjo do të thotë se ne kemi njohuri sa një fëmijë për këtë gjuhë. E njëjta gjë ndodh edhe me Islamin. Nëse njohuritë tona për fenë islame mbeten të njëjta si ditën e parë kur mësuam për të, atëherë kjo do të thotë se njohuritë tona nuk janë thelluar aspak.

Pra, për t’u bërë myslimanë më të mirë ne duhet të bëjmë përmirësime. Kjo u drejtohet edhe atyre, të cilët e kanë pranuar Islamin në moshën 70-vjeçare, edhe atyre të cilët kanë lindur myslimanë. Myslimanët e rinj shpesh ndihen të hutuar nga të gjitha hollësitë që duhet të mësojmë për Islamin. Rreziku në këtë rast është se të gjitha këto hollësi mund të kthehen në fakte që duhet të mësohen dhe jo në rrugë për të na ndihmuar që të përmirësohemi.

Mësimi i fakteve është shumë i dobishëm, por kjo nuk do të na çojë në parajsë! Por si të bëhemi myslimanë të mirë? Si të përmirësohemi?

Nuk është gjithmonë e dobishme të përdorim fjalët arabe për t’u shpjeguar gjërat atyre, të cilët sapo e kanë pranuar Islamin, por ekziston një fjalë në arabisht që është shumë e rëndësishme, të cilën duhet ta kuptojmë. Ajo është fjala “ihsan”.

Përkthimi i saj në shqip është i vështirë. Mjafton të themi se kur kemi arritur shkallën e “ihsanit” si myslimanë, kjo do të thotë se kemi arritur shkallën ku Allahu dëshiron që ne të jemi. Kur e kuptojmë fjalën “ihsan”, kjo nënkupton se kemi arritur të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh mysliman. Fjala “ihsan” ka shumë kuptime, si: të veprosh drejt; të përmirësohesh; të jesh në një gjendje të mirë ose të përshtatshme; të zbukurosh ose të stolisësh; dhe të trajtosh me dashamirësi. Fjala “ihsan” ka gjithashtu edhe kuptimin “përsosmëri/përkryerje në bërjen e diçkaje”. Në arabisht, ai që e praktikon “ihsanin” quhet “muhsin”. Shumësi i fjalës “muhsin” është “muhsinin”. Ne e dimë se Allahu i do “muhsininët”, sepse Ai thotë këtë në Kuran: “Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës (muhsin), ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten” (El-Bekare 2:112).

Ndonjëherë ata që e kanë pranuar Islamin arrijnë në një fazë kur mendojnë se kanë bërë dhe kanë arritur gjithçka, që është e nevojshme për të qenë myslimanë të vërtetë. Por, të jesh mysliman do të thotë më shumë sesa të dish të marrësh avdes në formën më të mirë, ose të kryesh me saktësi veprimet gjatë faljes së namazit. Myslimanët e rinj duhet të jenë të vetëdijshëm për progresin që mund të vazhdojnë të bëjnë në udhëtimin shpirtëror brenda Islamit. Kjo është shumë entuziazmuese, të dish se mund të vazhdosh të përjetosh atë që ke përjetuar në fillim kur ke deklaruar “shehadetin”. Ata do ta kuptojnë se kjo është një rrugë që kërkon kohë dhe si rrjedhim durim, dije dhe praktikë, çdo ditë, ndërkohë që besimi rritet nga njëra fazë në tjetrën. Ata do të mësojnë se është e mundur që ne çdo ditë, të bëhemi myslimanë më të mirë.

Ihsani” përfshin sinqeritetin gjatë faljes së namazeve dhe të qenët mirënjohës ndaj prindërve, familjes dhe ndaj Allahut.

Idris Taufiq është shkrimtar britanik, i cili e pranoi Islamin pesë vjet më parë. Për shumë vite, ai ka qenë kryetar i edukimit fetar në shkolla të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar. Para se të pranonte Islamin ai ishte prift katolik romak. Ai tani jeton në Egjipt.

 

Sugjerime për të arritur shkallën e përsosmërisë

Prej të gjitha fjalëve që përdoren për të përkthyer fjalën “ihsan”, unë preferoj fjalën “mirësi”. Teknikisht, kjo mund të mos jetë e saktë, por përmbledh për ne, atë që ne po përpiqemi të arrijmë që të bëhemi myslimanë më të mirë. Në fakt, ne po përpiqemi të bëhemi njerëz më të mirë, njerëz, të cilët mendojnë për Allahun dhe sillen mirë me të tjerët gjithmonë.

 

Kur ne e arrijmë “ihsanin”, shkallën e mirësisë së vërtetë në jetët tona, e bëjmë gjithçka për hir të Allahut – dhe njerëzit do ta vënë re këtë! Ka njerëz, të cilët kanë një ndikim të madh te ne, sepse ata janë njerëz shumë të mirë. Duke qenë myslimanë, ne përpiqemi çdo ditë të bëhemi si ata njerëz.

Sa e mrekullueshme do të ishte, nëse njerëzit në Britani, SHBA, ose Australi të tregonin një mysliman në rrugë dhe të thoshin se ai/ajo është mysliman, për shkak të mirësisë që i karakterizon. Një person i tillë nuk do të ishte vetëm dikush që fal namazin dhe i gatshëm të bëjë gjithçka që ka bërë profeti (a.s.), por do të ishte një bashkëshort dhe baba i mirë. Ai do të ishte një mik besnik dhe i besueshëm, një punëtor i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm, një person i sjellshëm dhe bujar. Duke ia atribuuar gjithçka në jetë Zotit, ky person është bërë “muhsin”, pra ka arritur shkallën e “ihsanit”.

Në Kuran, “ihsani” dhe ata që e praktikojnë atë, përmenden në shumë vargje. Zoti thotë: “Allahu i do ata që bëjnë mirë” (El-Maideh, 5:13). Gjithashtu Allahu thotë: “Dhe jepni për në rrugë të All-llahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit” El-Bekare, 2:195). “..pse ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim Allahu nuk humb shpërblimin e punëmirëve” (Jusuf, 12:90).

Çështja është si ta arrijmë këtë shkallë mirësie. Si të bëhemi njerëz të mirë? Si të bëhemi me të vërtetë myslimanë të mirë, mirësia e të cilëve të jetë e dukshme nga të gjithë?

Sigurisht, një mirësi e tillë nuk i jepet gjithkujt. Edhe ai, i cili është i devotshëm dhe i zellshëm në faljen e pesë namazeve në kohët e caktuara, nuk është gjithmonë bujar dhe i dashur. Edhe ai, i cili mund të na tregojë gjithçka për Islamin dhe të mbajë ligjërata para shumë njerëzve, nuk është gjithmonë i butë dhe i dashur.

Ka njerëz, të cilët çdo ditë kënaqen teksa dëgjojnë zogjtë që cicërojnë nëpër pemë, ndërsa ka njerëz të tjerë, të cilët dëgjojnë vetëm një zhurmë në sfond. Ka njerëz, zemrat e të cilëve preken nga vuajtja e të varfërve, të cilët ndodhen në mesin e tyre, ndërsa për disa të tjerë lypësit janë njerëz të bezdisshëm.

Pra, si myslimanë, çarë duhet të bëjnë që të arrijmë shkallën e “ihsanit”?

Ne mund të japim vetëm disa sugjerime, por gjithçka varet nga mëshira e Allahut. Vetëm Ai mund të na japë mirësi. Një kombinim i të gjitha këtyre gjërave do të na ndihmojë të përmirësohemi gjatë udhëtimit tonë.

1-      Ai, i cili do që të jetë një mysliman më i mirë, pikë së pari, duhet të ketë shumë dije për Islamin. Profeti Muhamed (a.s.), na ka nxitur që të kërkojmë dije. Ai ka thënë: “Kërkoni dijen dhe sikur te ishte ne Kine”. Ne duhet të mësojmë më shumë për mesazhin e Islamit, i cili ka prekur zemrat e miliarda njerëzve gjatë historisë.

2-      Që të jemi të mirë, duhet të bëjmë vepra të mira. Falja pesë herë në ditë na e ndryshon jetën tonë. Ndihma për të varfrit dhe ata që kanë nevojë na i zbut zemrat.

3-      Ne duhet të mendojmë me shumë kujdes se kush janë miqtë tanë. Nëse rrethohemi me njerëz të ligj, ose me njerëz, jetët e të cilëve janë të shkatërruar nga materializmi dhe dhuna, sjelljet e tyre do të ndikojnë edhe te jeta jonë gjithashtu. Nëse miqtë tanë janë të sjellshëm dhe të dashur, pa dyshim, mirësia e tyre do të ndikojë edhe te ne?

4-      Filozofi grek, Sokrati ka thënë: “Jeta e pakontrolluar nuk ia vlen të jetohet”. Me fjalë të tjera, duhet ta pyesim veten vazhdimisht se cilat janë motivet tona, cilat janë shpresat dhe aspiratat dhe përse duam të bëhemi myslimanë të mirë. Duke ia bërë vetes këto pyetje vazhdimisht, ne shmangim rrezikun e vetëkënaqësisë dhe të të bërit të gjërave thjesht sepse i kemi bërë gjithmonë. Për shembull, ne duhet ta pyesim veten përse i bëjmë gjërat që bëjmë si myslimanë? Përse marrin abdes? Përse e veshin hixhabin? Përse falemi? Sigurisht, ne i bëjmë këto sepse Zoti na ka urdhëruar. Por jeta jonë si myslimanë mund të pasurohet pa masë, nëse i konsiderojmë këto gjëra si dhurata, jo vetëm si detyra.

5-       Është e rëndësishme që ne të ndalemi dhe të meditojmë. Nëse është e rëndësishme në një lojë futbolli që lojtarët të pushojnë dhe të diskutojmë për strategjinë e tyre për ta fituar lojën, sa e rëndësishme është për ne, si myslimanë, të ndalojmë dhe të mendojmë për strategjinë tonë në jetë. Përveç kohëve të faljes, ne, herë pas here, duhet të ulemi mënjanë për disa çaste, që të mendojmë se ku jemi në udhëtimin tonë shpirtëror. Gjatë këtyre çasteve ne mund të falënderojmë Zotin për të gjitha të mirat që kemi në jetë. Sa herë i marrim të mirëqenë gjërat, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne. Ne vetëm qajmë kur i humbasim ato. Duke falënderuar Zotin për mirësinë e Tij, ne bëhemi njerëz më të mirë.

6-       Nëse kemi nevojë për një pikë referimi, një shkallë për të matur se sa po bëjmë përpara si myslimanë, ne mund të shohim mënyrën se si i trajtojmë njerëzit e tjerë. A jemi të sjellshëm dhe dashamirës me ata që i takojmë? A i përshëndesim të tjerët në mënyrën më të mirë?

7-      Si përfundim, megjithëse ka një hendek të madh ndërmjet dëshirës dhe realitetit tonë, ne mund të pyesim veten se ku jemi ne në krahasim me Profetin Muhamed (a.s.). sigurisht, ne mund të falemi pesë herë në ditë, por sa të ngjashëm jemi ne me njeriun më të mirë, që ka jetuar ndonjëherë. Nëse përpiqemi të jemi si ai, ne vetëm do të përmirësohemi. Ne mund të mos e arrijmë asnjëherë qëllimin tonë, por të paktën do të bëjmë përpara ditë pas dite.

Allahu thotë: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve” (29:69). Udhëtimi ynë në kërkim të mirësisë, jo vetëm që do të na bëjë njerëz më të mirë dhe myslimanë më të mirë, por do të na udhëzojë drejt parajsës.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

25/10/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:26 06:5812:3215:2417:5319:15

Kujtesë

Ju kujtojmë që

Dt. 25 Tetor

është dita e parë

e muajit Muharrem,

Viti i ri  Hixhri 1436

sipas kalendarit Hënor.

 

--------------------------

 

Ju kujtojmë që

ditën e Dielë

dt. 26 Tetor 2014

pritet të bëhet 

ndryshimi i orës 60' prapa.

Kjo do të ndikojë

në ndryshimin e orareve

të faljes.

 

Urtësi

Kur ia bën dikujt me gisht,

mos harro se vetes

po i drejton tre gishta.

Proverb anglez

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook