By: Dr. Muhamed El-mehdij

Të sëmurët mendorë, mes psikiatrit dhe yshtarit 1


Gjatë diagnostikimit të sëmurëve tanë, ata ose të afërmit e tyre na drejtohen me pyetje tashmë tepër familjare për ne:”A është patologji, është pushtuar nga xhindet apo i është bërë magji?”

Me këto pyetje, ata duan të sigurohen se mundi dhe paratë e tyre nuk do të shkojnë kot. Të sëmurët kanë mbetur mes psikiatrit dhe yshtarit. Psikiatri, nga ana e tij është tepër i sigurt se rasti i të sëmurit kurohet nëpërmjet ilaçeve dhe trajtimit. Sakaq, yshtari i tij, bën be e rrufe se kemi të bëjmë me pushtim xhindesh dhe se dermani i vetëm është leximi i Kuranit, nxjerrja e xhindeve dhe mbajtja e hajmalive çudibërëse. Psikiatri ndihet në siklet, pasi ai i mohon gjëra të tilla. Atij i duhet të përplaset me ato që beson vetë i sëmuri dhe familjarët e tij. E nëse i pranon, ai pranon një model të menduarit magjik, në bodrumet e të cilit shuhet realiteti mjekësor dhe ai fetar së bashku. Në shumë raste, psikiatri nuk ka as kohën e duhur për t’u shpjeguar dhe shtjelluar në detaje sesi qëndron puna. E si mund të bëhet kjo me çdo të sëmurë dhe familjarët e tij?!

Nga një studim, është zbuluar se 70-80 % e të sëmurëve mendorë në Egjipt, frekuentojnë yshtarët. Sipas raportit të qendrës kombëtare për studime të vitit 2003, në Egjipt ekzistonin mbi një milionë banorë të cilët besojnë se janë pushtuar nga xhinde. Po sipas këtij raporti, numri i yshtarëve që ushtrojnë profesionin e ekzorcizmit, është mbi treqind mijë syresh. Të gjithë ata preferojnë të quhej terapistë, hoxhallarë ose shehlerë.

Por ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm tek shtresat e ulëta dhe të varfra, pasi është shtrirë edhe tek shtresat e arsimuara, gjer tek profesorë universitarë. Situata rëndohet më shumë kur këto terapi popullore, maskohen me rite fetare, gjë që bëhet për të shtuar kredibilitetin dhe mënjanuar kritikat.

Lindja është e mbytur me ekzagjerime lidhur me botën e xhindeve, magjisë dhe hasetit. Këto gjëra vishen me imagjinata, iluzione dhe mite nga më të ndryshmet. Një pjese të madhe të popullsisë i janë tiposur besëtytni nga më të ndryshmet dhe të çuditshmet. Ata i atribuojnë xhindeve cilësi që nuk i kanë. Për shkak se numri i personave që vuajnë nga probleme psikike dhe i yshtarëve është rritur në mënyrë të frikshme, do të mundohemi që këtë çështja ta pastrojmë nga iluzionet dhe fantazitë e shthurura.

Xhindet janë një realitet i shpërfytyruar nga yshtarët

Bota në të cilën jetojmë, përbëhet nga krijesa, forca dhe gjëra të perceptueshme nga shqisat tona, por edhe të paperceptueshme. Ne duhet ta dimë se mes ekzistencës së diçkaje dhe perceptimit të saj ka diferencë. Kohë më parë, e kishim të pamundur të perceptojnë ekzistencën e mikrobeve dhe viruseve. E megjithatë, ato ekzistonin dhe influenconin jetën tonë, herë duke na rritur temperaturën dhe herë të tjera duke na sëmurë rëndë. Kjo ishte për qeniet që shihen vetëm me mikroskop. Kurse për ato që shihen vetëm me anë të teleskopit, më parë nuk dinim asgjë për shumë yje dhe planetë, pasi nuk i posedonim mjetet për ti parë. Pasi i shpikëm këto mjete, pamë dhe perceptuam aq sa na lejonin këto mjete, duke na bërë të besojmë se përveç nesh, ekzistojnë dhe botë të tjera të paperceptueshme aktualisht për ne.

Nëse të gjitha fetë flasin për botën e xhindeve, engjëjve, Arshin, Kursijin, xhenetin dhe zjarrin, nuk na shkon për shtat që ti mohojmë gjëra të tilla me pretekstin se nuk i perceptojmë dot. Ishte vullneti i Zotit që disa gjëra ti perceptojmë dhe ti shfrytëzojmë në dobinë tonë. Sakaq, ka krijesa dhe qenie të tjera, të cilat nuk i perceptojmë dot dhe kjo për një qëllim dhe urtësi, që nuk e di kush tjetër përveç Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjethe nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En’am, 59)

Prandaj, ne besojmë se ekzistojnë forca pozitive siç janë engjëjt, të cilët kanë ndikim në jetën tonë, pavarësisht nëse i perceptojmë apo jo. Ashtu siç besojmë se ekzistojnë forca negative, të mishëruara tek shejtanët dhe xhindet rebelë. Në Kuran, kemi një sure të plotë e cila flet për xhindet, natyrën e tyre, nga se janë krijuar, funksionet dhe ligjet që rregullojnë jetën e tyre. Një ndër këto ligje, është se ata na shohin, ndërkohë që ne e kemi të pamundur ti shohim. “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (Araf, 29)

Kjo, përveç aftësisë së tyre për të lëvizur dhe për të ushtruar ndikim. Që këtu, lindi frika e njeriut nga kjo forcë e fshehtë, e cila paska fuqi të ndikojë në jetën e tij (vetvetiu prej xhindeve apo të shtyrë nga njerëzit e ligj) pa e parë dhe pa pasur asnjë mjet për ta hequr qafe. Një frikë e tillë, e ka veshur temën e xhindeve me shumë mite dhe fantazi.

Këtë frikë, e kanë shfrytëzuar në maksimum yshtarë e magjistarë, duke e ekzagjeruar dhe fryrë në mendjet e njerëzve. Mbi këtë bazë, ata kanë ngritur një pirg besëtytnish dhe praktikash mitologjike, të cilat u kanë dhënë pushtet tek shtresat dhe shoqëritë e prapambetura. Me qëllim që pushteti dhe privilegjet e tyre të mos cenohen, besëtytnive të tyre u shtojnë disa ngjyrime fetare, pasi kështu e forcojnë ndikimin që kanë tek njerëzit. Për fat të keq, ndikimi i tyre nuk ka qenë i kufizuar vetëm tek shtresat ulëta të shoqërisë. Falë dredhive dhe mashtrimeve, si dhe përdorimit të simboleve fetare, ata kanë arritur të pushtojnë dhe mendjet e disa intelektualëve dhe të arsimuarve. Kështu, frekuentuesit e tyre, një pjesë jo e vogël, mbajnë dhe diploma të larta.

Nga ana tjetër, zbulimet mjekësore në rrafshin e sëmundjeve psikike, i ka qartësuar shumë gjëra enigmatike deri dje. Rastet që deri dje interpretoheshin se pushtim të xhindeve, tashmë shpjegohen nëpërmjet pavetëdijes, e cila është një sistem mekanizmash mbrojtës. Patologjia më e përhapur dhe më e debatueshme është histeria, e cila është (keq)përdorur nga yshtarët për të manifestuar aftësitë dhe pushtetin e tyre. Zakonisht, anormalitete të tilla prekin personat e papjekur emocionalisht dhe që sugjestionohen shpejt. Përballë presioneve të caktuara në jetë, paaftësi e studentit, mungesë dëshire për të përfunduar studimet, mos familjarizimi i gruas në jetën bashkëshortore etj..., mund të shkaktojnë defekte në vetëdije. Kjo shkakton humbje të ndjenjave, skizofreni, histeri, personi sillet sikur është dikush tjetër për të shprehur ato që nuk i shpreh dot në gjendje normale, ndonjëherë i ndryshon dhe zëri, vepron gjëra që tërheqin vëmendjen e njerëzve etj... Të gjendur përballë këtij problemi, familjarët u drejtohen yshtarëve popullorë, të cilët i sugjestionojnë, madje mund dhe ti lëndojnë duke i qëlluar. Kjo, e bën të sëmurin të vijë në vete, të zgjohet nga ajo gjendje histerike. Pasojat i mrekullojnë njerëzit e pashkolluar dhe ua shtojnë besimin tek ky yshtar. Por sindromat i kthehen sërish gjatë presionit më të vogël social, pasi yshtari nuk u mor aspak me shkaqet, por thjesht trajtoi sindromin. Madje, për shkak të atyre që ka dëgjuar rreth xhindeve dhe magjive, i sëmuri fillon dhe e thellon hendekun me realitetin, duke i kompleksuar gjërat, për tu kthyer sërish tek yshtari që nxjerr shpirtrat e këqij. Kohët e fundit janë përhapur frikshëm shumë kaseta të cilat kanë tmerruar këdo që i ka dëgjuar. Unë kam dëgjuar disa syresh prej tyre dhe nga përshkrimi, kam parë se të gjithë rastet janë histerike.

Thotë shejh Sharavi:”Zoti i lartësuar na e largon frikën dhe ankthin nga dëmet që mund të na shkaktohen nga këto krijesa të cilët na shohin dhe nuk i shohim. Ai na qetëson, na ruan dhe kujdeset për ne. Ai nuk fle kurrë, nuk shkujdeset dhe as dremit. Gjithçka është nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e Tij të rreptë. “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!” (Bekare, 255)

Mandej, Zoti na qetëson dhe më shumë, duke konfirmuar se Ai është Krijuesi i qiejve dhe tokës dhe se askush nuk mund të dalë kundër dhe jashtë vullnetit të Tij. Të gjithë krijesat i janë nënshtruar totalisht ligjeve të vendosura nga Krijuesi. Është e paimagjinueshme që ata të rebelohen ndaj këtyre ligjeve. Me qëllim që as mos mos e çojmë ndërmend se ndonjë nga këto krijesa mund të rebelohet ndaj Krijuesit, Ai na thotë:” Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.”  (Bekare, 255)”

Për shkak të praktikave, fatkeqësisht të gabuara në këtë fushë, shumica e mjekëve i kanë dënuar ashpër, duke përfshirë dhe realitete të konfirmuara qartë në Kuran dhe traditën profetike. Kjo ka ardhur për faj të shkeljeve dhe tejkalimeve nga ana e yshtarëve.

Xhindet mund të ndikojnë tek njeriu në mënyra që ne nuk e dimë formën, gjë e cila nuk është e kufizuar vetëm për xhindet. Sa gjëra mund të ndikojnë dhe ndikohen nga njëra-tjetra në këtë univers? Thotë Zoti në Kuran:” Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet” (Bekare, 275)

Thotë Ibnu Kethir në interpretimin e këtij ajeti:”Ata do të ngrihen nga varret e tyre, njëlloj siç hidhet përpjetë epileptiku kur mbërthehet nga sëmundja, nga cytjet e shejtanit.” Kurse Ibnu Abasi, duke interpretuar këtë ajet thotë:”Ai që përdor kamatën, Ditën e Kiametit do të ringjallet si një i çmendur që po mbytet.” Në një hadith të transmetuar nga imam Buhari dhe Muslim, Profeti a.s thotë:”Shejtani qarkullon në trupin e njeriut me qarkullimin e gjakut.”

Këto tekste, flasin mbi mundësinë e ndikimit të shejtanëve tek njeriu, duke i ndryshuar normalitetin e përditshëm në sjellje dhe lëvizje.

Ajo që ka ndodhur është se ata që pretendojnë se dinë gjithçka rreth xhindeve, e kanë ekzagjeruar me gjëra të tilla, duke thënë se të gjitha sëmundjet janë pushtim prej xhindeve, ose kanë burim magjinë. Kështu, këta kanë joshur hallexhinjtë e sëmurë, sidomos ata me sëmundje kronike të cilët e kërkojnë shërimin vend e pa vend dhe me çdo mënyrë. Kjo ka çuar në rritje të ndjeshme të yshtarëve mashtrues, fallxhorëve dhe magjistarëve, të cilët fshihen pas ajeteve të Kuranit.

Nga ana tjetër, kemi doktorë dhe profesionistë të fushës, të cilët kanë mohuar çdo ndikim të xhindeve, magjisë dhe hasetit, duke u bazuar vetëm në zbulimet shkencore. Shumë prej tyre besojnë se tashmë nuk kanë mbetur shumë gjëra që mund të studiohen dhe eksperimentohen.

E vërteta është se për shumë sëmundje mendore, teoritë kanë ndryshuar nga një kohë në një tjetër dhe se shumë gjëra janë akoma enigmë dhe të pashpjegueshme. Po, shumë sëmundje diagnostikohen, por për shkaktarët e tyre lipsen studime të thella. Me këto që them, nuk dua të justifikoj ata që flasin ditë e natë për ndikimin e xhindeve, duke lënë mënjanë studimet serioze rreth shkaktarëve që mund të trajtohen me mjetet moderne. Unë uroj që të dy palët kontradiktore të heqin dorë nga  qëndrimet e tyre ekstreme.

Çdo sëmundje ka ilaç

Në koleksionin e Buhariut dhe të Muslimit, Profeti a.s thotë:”Për çdo sëmundje, Zoti ka caktuar dhe një ilaç.”

Transmeton imam Muslimi se Ebu Zubejr ka dëgjuar Xhabir ibnu Abdila, se Profeti a.s ka thënë:”Çdo sëmundje ka një ilaç. Nëse ilaçi i përshtatet sëmundjes, shërohet me lejen e Zotit.”

Në këtë hadith, Profeti a.s e kushtëzon shërimin me përshtatjen e ilaçit me sëmundjen. Çdo krijesë ka të kundërtën e saj, gjë të cilën e vërteton ideja e ilaçeve të ndryshme për sëmundje të ndryshme. Jo të gjitha sëmundjet, trajtohen me të njëjtën mënyrë, siç ndodh rëndom me mjekët popullorë, të cilët u japin të sëmurëve të njëjtin bar për shumë lloje sëmundjesh. Ky është një përgjithësim që e kundërshton dhe Profeti a.s në hadithet e lartpërmendura.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Ju jeni më të informuar lidhur me çështjet e jetës.” Ky është një rekomandim profetik, që secilit ti besohet fusha në të cilën është specializuar dhe mbi të cilën ka fituar përvojë.

Transmeton Ebu Khuza’a:”I thashë të dërguarit të Zotit:”Çfarë mendon për këndimin (rukja), për ndonjë ilaç me të cilin mjekohemi dhe për ndonjë kujdes që bëjmë? A thua se e ndryshojnë caktimin (kaderin) e Zotit?” Profeti a.s mu përgjigj:”Ato janë prej kaderit (caktimit) të Zotit.”

Këto hadithe konfirmojnë lidhjet shkak-pasojë.

Thotë Ibnul Kajjim në librin e tij “Mjekësia profetike”:Në hadithe të sakta, Profeti a.s urdhëron të trajtohemi me ilaçe, gjë e cila nuk bie aspak ndesh me mbështetjen (tek Zoti), ashtu siç nuk bie ndesh thyerja e urisë, etjes, vapës dhe të ftohtit me të kundërtat e tyre. Madje, thelbi i teuhidit, nuk përmbushet veçse duke përmbushur shkaqet të cilat janë pjesë e kaderit të Zotit dhe injorimi i shkaqeve, cenon thelbin e mbështetjes.”

Hadithi se “Çdo sëmundje ka një ilaç” i jep forcë të sëmurit por edhe vetë doktorit, të cilin e nxit të kërkojë ilaçin e duhur. Nëse i sëmuri ndërgjegjësohet se sëmundja e tij e ka një ilaç, zemra e tij i pulson plot rixha, e dëbon demoralizimin dhe hap portën e shpresës.

Vazhdon...

Submitting your vote...
Rating: 4.5 of 5. 4 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/05/2012
ImsakuSabahuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
3:153:455:1212:4416:4020:0421:48

Thënia e ditës

Duke lexuar autorët

që shkruajnë mirë,

mësohesh të flasësh mirë.

Volter

Video e re

Flash is required!

Sondazh

Sondazh
Sa libra lexoni në vit?
1 - 3 libra
4 - 6 libra
7 - 10 libra
Mbi 10 libra ne vit
Lexoj vetem tekste shkollore
Nuk lexoj fare

 

Poll results

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Multimedia

Flash is required!

Facebook

Abonohu

Enter your email address:

Flash is required!