By: Mr. Nuridin AHMETI

ULEMATË DHE KRYENGRITJET


Roli i ulemave në kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 në vilajetin e Kosovës.

Historia Kombëtare Shqiptare është e mbushur me ngjarje të ndryshme, data e personalitete, që natyrisht kanë lënë gjurmë në periudha të veçanta kohe. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me historinë tonë, sepse kjo është një dukuri e përgjithshme për mbarë rruzullin.

Po identifikimi i tyre është punë e vështirë, për këtë veprim kërkohen njohuri të gjithanshme, me një fjalë, nuk është e lehtë që në morinë e njerëzve, që jetojnë në këtë botë, të veçohen personalitetet të cilët, me punën dhe me veprën e tyre, kanë lënë gjurmë orientuese për brezat. Për të tillët kërkohet që të jenë në vendin dhe në kohën e duhur dhe që, me veprimet a mosveprimet e tyre, të ndikojnë në fatet e njerëzimit, duke lënë pas emrin e tyre në ngjarjet historike.

Historia me plot të drejtë mund të thuhet se është një skenë e madhe, në të cilën shfaqen fatet e ndryshme të popujve, ndodhin luftëra të ndryshme, fitore ose dhe humbje tragjike. Edhe tragjedi të ndryshme të përsëritura në mënyrë kronike e herë-herë edhe kronologjike.

Në këtë skenë hyjnë dhe luajnë pjesën e tyre, në varësi nga rrethanat e kohës aktorë të mëdhenj, që vazhdojnë të rrezatojnë edhe sot e kësaj dite nga thellësitë e kohëve, po edhe aktorë të harruar, aktorë dytësorë në dukje, pa të cilët nuk realizohet drama historike.

E, ndoshta ndonjëherë këta të fundit, ashtu modestë siç hyjnë, ashtu edhe dalin, dhe do të duhej diçka e veçantë, një fakt i vogël për të zbuluar një moment tjetër të pathënë lidhur me ta.

Pothuajse si në çdo vend të botës, njësoj ka ndodhur edhe në historinë tonë kombëtare, në përgjithësi, dhe në ngjarje të caktuara gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare në veçanti.

Ishin një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, të cilët ndikuan që historia e shqiptarëve të krijonte data të caktuara. Në morinë e këtyre faktorëve nuk duhet injoruar faktori njeri dhe brenda tij individët me emra të përveçëm.

Historia ka përmendur, ka studiuar dhe ka përkujtuar me shumë nderim shumë nga figurat historike, të cilat qëndruan të patundur në shumë ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si bie fjala në Kryengritjet e viteve 1908-1912. Në këto ngjarje ndoshta ekzistonte edhe ndonjë moment shpirtëror, i cili lidhej me figurat e ulemave a priftërinjve të kohës. Ishin edhe ata që ditën të qëndronin pranë shumë figurave të mëdha intelektuale dhe luftëtarëve të kohës.

Pati shumë figura të ulemave shqiptarë të asaj kohe, që, për një arsye a një tjetër, pothuaj ishin fshirë krejtësisht nga faqet e historisë, pavarësisht se mungesa e një copëze në mozaikun e madh të historisë sonë kombëtare e bën ngjarjen historike të paplotë. Janë këto aspekte, ndoshta të vogla në dukje, po që mund të bashkohen për të ndihmuar që pamja të qartësohet më shumë.

Por cili ishte roli i ulemave shqiptarë në vlugun e këtyre ngjarjeve tragjike për popullin tonë? Pa mëdyshje, ajo që shohim në dokumentet e kohës dhe në literaturën e shfletuar deri më tani, nuk është e njëjtë me atë që na është prezantuar në literaturë deri më sot , sepse ulemaja në përgjithësi patën të njëjtin fat me popullin, në viset ku jetonin e vepronin dhe u bënë krahu i djathtë i prijësve të kryengritjeve, sikur ishin Idriz Seferi e Isa Boletini. Nga të tjerë, të tillë qenë: Mulla Sinan Maxhera , Halim Ahmeti (Mulla Halimi) , Mulla Idrizi , Rrystem ef. Shporta , Mulla Rasim Zapodi , Hoxhë Mehmeti , Musa Sheh Zade , Sheh Hasani i Prizrenit , hafiz Ymer Guta , Hasan ef. Shllaku etj. Po japim në vazhdim të dhëna për disa nga këto personalitete që u përmendën.

Mulla Sinan Maxhera 

Ishte nga luftëtarët më besnikë të Idriz Seferit deri më 1910, kur edhe do ta varnin xhonturqit në Kaçanik. Ndonëse i takonte radhës së ulemave, ai do të binte herët në kontakt me patriotët shqiptarë, për t’u ushqyer e rritur me ndjenja patriotike. Ishte shumë i afërt me Idriz Seferin, saqë thuhej se ishte edhe njëri nga sekretarët personalë jozyrtarë të tij.

Mulla Sinan Maxhera lindi në fshatin Maxherë të Karadakut të Preshevës në vitin 1863, nga e ëma Ajetja dhe nga babai Bilalli. Rridhte nga një familje me tradita patriotike. Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit, ndërsa medresenë e mesme e mbaroi në Shkup, për ta vazhduar më vonë Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Si ushtar i Perandorisë Osmane, mori pjesë në luftë kundër ushtrisë greke, ku qe plagosur. Ka punuar si hoxhë, në fshatrat Caravajkë, Pogragjë e Dobërçan, dhe aty, nxënësve, përveç lëndëve fetare, u mbante edhe ligjërata me karakter kombëtar.

Meqë gëzonte autoritet në popull, mulla Sinani luajti një rol të rëndësishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe në zhdukjen e hakmarrjes. Mori pjesë në luftën e prillit të vitit 1910, përkrah Idriz Seferit. Për trimërinë e treguar në këtë kryengritje, populli i thuri edhe këngë:

Ky Kostarni veç po dridhet
Hoxhë Sinani nuk po lidhet,
Sinan hoxha len Kuranin
Ka marr pushkën dhe xhamadanin .

Pas shuarjes së kryengritjes, pushteti xhonturk do të organizonte ekspedita ndëshkuese kundër kryengritësve shqiptarë, kështu që mulla Sinani do të arrestohej e të burgosej në Kaçanik. Gjykata ushtarake xhonturke, së bashku me 6 të tjerë, do ta dënonte me vdekje. Mulla Sinani u var në Kaçanik më 7 korrik 1910 dhe u varros në varrezat e vjetra të këtij qyteti. Katër muaj pas vdekjes së mulla Sinanit, gruas së tij i lindi një djalë, të cilit i dhanë emrin Sinan.

Halim Ahmeti (Mulla Halimi) 

U lind në fshatin Cërnicë. Rridhte nga një familje me tradita fetare e kombëtare. Babai i tij, mulla Ahmeti, dhe axha i tij, Mulla Memishi, ishin njerëz përparimtarë të asaj ane.

Ndonëse hoxhë dhe i biri i hoxhës, mulla Halimi ishte njëri nga luftëtarët më besnikë të Idriz Seferit, dhe pati dhënë prova si një kundërshtar i vendosur i pushtetit turk, si në predikime, ashtu edhe në fushën e betejës.
Ai, së bashku me disa të afërm të tij, do të merrte pjesë në Kryengritjen e Kaçanikut të vitit 1910.

Disa ditë pas betejës, ishte zënë e burgosur dhe, si kundërshtar i zëshëm i pushtetit xhonturk, ishte dënuar me tetë vjet burg. Në burg thuhet se u ishte nënshtruar torturave të mëdha. Në ato anë ishte i njohur si Mulla Halimi dhe ishte mik shtëpie i njërit prej patriotëve më të mëdhenj të asaj ane, Islam Pirës. Vdiq më 1942.

Mulla Halimi, me ndjenja fetare e kombëtare ushqeu jo vetëm vetveten, po këtë ndjenjë e përcolli edhe tek pasardhësit e tij. Kështu, pasardhësit e tij, duke i ruajtur me fanatizëm këshillat dhe urtësitë e mulla Halimit, qëndruan një shekull nëpër burgjet e pushtuesve të Shqipërisë etnike, pa u pajtuar asnjëherë me robërinë.

Mulla Idrizi 

Lindi në fshatin Caravajkë, jo larg Preshevës. Rridhte nga një familje patriotike. Babai i tij, Aliu, qysh herët edukoi të birin në frymën kombëtare, një edukatë që mulla Idrizi do ta thellonte edhe më shumë duke u munduar që edukatën e fituar nga prindërit t’ua përcillte edhe brezave të tjerë dhe ta përhapte në një rreth sa më të gjerë. Njihet si njëri nga sekretarët e Idriz Seferit.

Mulla Idrizi, jo vetën në kryengritjen e viti 1910 të Kaçanikut, ku mori pjesë, por ai edhe në vitin 1915-1916, qëndroi pranë Idriz Seferit, kur, gjatë sundimit bullgar ishte kryetar komune në Zhegër, dhe ishte prej atyre burrave që ndezi luftën kundër ushtarëve bullgarë në ndërtesën e komunës dhe luftoi kundër tyre. Më vonë, duke iu shmangur ndjekjes së regjimit, qe shpërngulur në fshatin Llopatë dhe prej aty, së bashku me familjen, më vonë do të shkonin në Turqi.

Musa Shehzade (1870-1946) 

Musa Shehzade u lind në Gjakovë në viti 1870. Ishte i biri i sheh Hysenit. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, në Prizren, e më vonë edhe në Stamboll.

Babai i tij kishte lindur në Shkodër dhe, pas mbarimit të studimeve në Stamboll, në Gjakovë kishte ndërtuar Teqenë e Madhe, kurse në Prizren Teqenë Marash-Hisar.

Kjo teqe luajti gjithnjë një rol konstruktiv karshi çështjes sonë kombëtare, në teqenë e Prizrenit ishin mbajtur edhe shumë takime nga krerë të ndryshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, delegatët e Shkodrës, por edhe të Malësisë, ishin pritur e përcjellë nga kryesuesi i kësaj teqeje sheh Hyseni.

Në ngjarje të mëdha për popullin shqiptar, si Lidhja e Prizrenit, në këto skena të mikpritjes dhe të përcjelljes së nacionalistëve nga paraardhësit e tij, do të rritej e edukohej edhe Musa Shehzade, natyrisht se skenat e tilla si, dëgjimi i fjalëve me peshë për çështjen tonë kombëtare nga burrat që po hynin dhe po dilnin në odën e tyre, lanë mbresa të thella te ky personalitet, i cili në vijim të jetës së tij nuk do të largohej asnjëherë nga këto parime. Rrethanat dhe vendi ku u rrit Musa Shehzade, i mundësuan qysh herët të pajisej me një kulturë kombëtare dhe fetare.

Ishte një burrë me një kulturë të gjerë dhe, si njohës i mirë i parimeve islame që ishte, ai, edhe pse i ri, do të emërohej nakib (zëvendës i shehut).

Mësimet fetare dhe kombëtare që kishte marrë nga paraardhësit, asnjëherë nuk do t’i harronte, përkundrazi ai do t’i kultivonte edhe më tutje duke zhvilluar një veprimtari të shumanshme: fetare, shoqërore-humanitare dhe përreth 40 vjet do të zhvillonte aktivitete të ndryshme politike, në dobi të çështjes kombëtare, duke u bërë edhe njëri nga personalitetet më në zë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë gjysmës së parë të shek. XX .
Ishte deputet në Parlamentin e fundit osman dhe shumë aktiv në mbrojtjen e interesave kombëtare, ishte edhe njëri nga përkrahësit e alfabetit latin të gjuhës shqipe. Ishte shumë aktiv edhe gjatë vitit 1912; nuk pushoi asnjëherë së bashku me shokët e tij, duke u dërguar letra konsujve perëndimorë, që ushtronin misionet e tyre nëpër qendra të ndryshme të vilajeteve shqiptare.

Më marrjen hov të kryengritjeve nëpër Kosovë në vitin 1912 dhe për të marrë informacione sa më të plota për rrjedhjen e kryengritjes, Ismail Qemali do të dërgonte në Kosovë sekretarin e tij personal, të njohur me emrin Sali Hida , bashkë me dy burra të tjerë, Niman Sylën e Zeqir Halitin, të cilët do të shëtisnin anembanë Kosovën dhe, në vitin 1912, ai do t’i dërgonte një letër Ismail Qemalit, në të cilën kishte dhënë një përshkrim të gjendjes që mbizotëronte në Kosovë dhe në rajonet e tjera shqiptare. Në mes të tjerash, do të shkruante:
“…Kudo gëzonim një mirëpritje, por ishte edhe një favor që më bëhej mua si hoxha i Ismail Qemal beut … Të nesërmen doli kushtrimi, i cili u fillua në mëngjes mbas një lutje fetare (dua N.A.) që e këndova në oborrin e shtëpisë së Sadik Ramës , ku patëm bujtë mbrëmë…., Në shtëpinë ku bujtëm ne, pati edhe katër hoxhë. Erdhi koha e të falunit. E më zgjodhën mua për imam. Në mbarim myezini nuk tha el-fatiha, por me të thënë vel-hamdulilahi rabilalemin, ai s’u ndal?O pu, pu, ç’më gjeti. Më duhej të këndoj një pjesë (ashere N.A.) nga Kurani. Shyqyr që mbaja mend nja dy tre versete (ashere N.A.).E ndava mendjen dhe i këndova. Një ditë përpara kishin ardhur nga Prizreni në konakun e Qerim Zymerit dhe ish-deputeti Jahja aga e Halim efendi Gostivari, që kishin vënë kandidaturën për deputetë në Gjakovë. Imami i Prizrenit, Haki efendiu, i internuari disa herë, dhe Musa efendiu…”

Në vitin 1912, së bashku me Musa Shehzaden dhe Jahja Dodën, do t’i prinin grupit të kryengritësve të Prizrenit prej 400 vetash, që së bashku edhe me kryengritësit e viseve të tjera shqiptare, do t’ia mësynin Shkupit.
Pas kapitullimit të ushtrisë jugosllave, në prillin e vitit 1941, dy prijësit kombëtarë dhe shpirtërorë të njohur në Prizren e rrethinë, po dhe më gjerë, së bashku edhe me shumë burra të tjerë të asaj ane, do ta merrnin pushtetin e Prizrenit.

Me kapitullimin e Italisë fashiste, në shtator të vitit 1943, dhe me inicimin e disa figurave të njohura nacionaliste si Xhafer Deva, Musa Sehzade etj. Dhe, për shkak të gjendjes së pafavorshme të krijuar në atë kohë për popullin shqiptar, në Prizren në shtator të vitit 1943 do të formohej Komiteti organizativ, i cili do të shqyrtonte gjendjen e përgjithshme të krijuar në vend, dhe masat që duheshin marrë në të ardhmen.

Më 16 shtator do t’i hapte punimet Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe aty Musa Shehzade do të mbante fjalën e hapjes, dhe po ai do ta zëvendësonte Rexhep Mitrovicën, si udhëheqës i Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga 26 shtatori 1943 deri në tetor të vitit 1943, detyrë që do ta kryente me sukses dhe përgjegjësi të plotë, dhe, kur udhëheqës i Lidhjes do të caktohej njëzëri Xhafer Deva, Musa Shehzade do të kryente detyrën e anëtarit të këtij komiteti dhe ishte njëri nga pjesëtarët më aktivë në këtë Komitet.

Me riokupimin e Kosovës nga komunistët, kur edhe do të fillonte përndjekja e egër e nacionalistëve shqiptarë, në mesin e atyre që ishin përfshirë në listën e zezë të komunistëve, ishte edhe Musa Shehzade. Edhe pse një numër i madh i nacionalistëve nga Prizreni dhe rrethina do të largoheshin për në Greqi, siç ishte grupi i nacionalistit të njohur Muharrem Bajraktari nga Luma, këtë gjë nuk pati mundësi ta bënte edhe Musa Shehzade dhe, kjo për të vetmen arsye, sepse ishte i shtyrë në moshë dhe nuk mund të përballonte një udhëtim aq të gjatë.

Megjithëkëtë, ai do të kalonte në ilegalitet në Prizren e rrethinë, ku do të strehohej nëpër miq e dashamirës. Për tetë muaj rresht kishte qëndruar në shtëpinë e Selman Bobajt në Kabash të Prizrenit, por në fillim të vitit 1946, komunistët do t’i binin në gjurmë vendqëndrimit të Musa Shehzades, dhe ai do të arrestohej e do të likuidohej. Ai u ekzekutua në moshën 76-vjeçare, pa vendim të gjyqit, në grykën e Lumbardhit të Prizrenit. As sot e kësaj dite, me gjithë përpjekjet e shumanshme të pasardhësve të tij, varri i këtij patrioti nuk dihet.

Gjykata e Qarkut e Prizrenit, me vendimin R-nr.55/ 46, datë 04.02.1946, konfiskoi tërë pasurinë e tij me “arsyetimin”, siç thuhej se ishte e “armikut të Popullit” Musa Shehzade.

Puna e tij, trimëria, bujaria etj., bënë që edhe sot kësaj dite në trevën e Prizrenit të kujtohet për të mirë nga banorët e kësaj treve.

Puna e tij e palodhshme, kushtuar çështjes kombëtare, në veçanti në rajonin e Prizrenit, bëri që strukturat komunale të Prizrenit, pas Luftës Çlirimtare të vitit 1999, një rruge në Prizren i kanë dhënë emrin e Musa Shehzades.

Mulla Rasim Zapodi (1867-1924) 

Rasim Selman Krasniqi – Zapodi lindi në vitin 1867 në fshatin Zapod të krahinës së Lumës. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike. U rrit dhe u edukua në një rreth të gjerë patriotësh e luftëtarësh. Periudha kur u lind dhe u edukua Selam Zapodi, ishte shumë e rënduar dhe me lëvizje të ndryshme e trazira të mëdha që po ndodhnin asokohe, jo vetëm në krahinat e Lumës, Opojës e Gorës etj., por në Kosovë e më gjerë. Perandoria Osmane, për t’i arritur qëllimet e veta, përqendroi forca të mëdha në krahinat e Lumës e të Gorës. Gjatë viteve 1862-1864 Perandoria ndërmori një fushatë për mbledhjen e taksave në këto anë, por nuk ia arriti qëllimit dhe hasi edhe në rezistencë nga popullata e këtyre krahinave. Në këto krahina, malësorët bënë një rezistencë të fuqishme përballë forcave të Perandorisë, duke e kundërshtuar me vendosmëri mbledhjen e taksave dhe kryerjen e shërbimit ushtarak jashtë vilajetit të Kosovës, që i kërkonte sulltan Abdyl Hamiti II.

Në ato rrethana tejet të tendosura për rajonin e Gorës dhe për popullin shqiptar, lindi, u edukua dhe u burrërua Mulla Rasim Zapodi.

Fillimet e mësimit fetar islam i mori në Medresenë e Prizrenit, e njohur për edukimin që u ofronte brezave të rinj, në frymën fetare e kombëtare, sepse aty ligjëronte edhe një prej figurave më në zë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, intelektuali e patrioti myderriz Ymer Prizreni.

Gjatë viteve sa qëndroi në Prizren, Rasim Zapodi u njoh edhe me shumë shokë të tjerë që po përgatiteshin për hoxhallarë, që me kontributin e tyre lanë emër, sidomos në kujtesën popullore të kësaj ane. Të tillë ishin: Hoxhë Hallaçi, Hoxhë Morina, Hoxhë Xheladini nga Dukagjini etj.

Kur Rasim Zapodi doli në vitin e dytë të mejtepit, në Prizren ndodhi një ngjarje tragjike, filloi lufta serbo-turke, në të cilën kishin marrë pjesë edhe shumë bajraqe nga Luma, me të cilët qenë inkuadruar edhe bajraqe nga Gora, nën udhëheqjen e Mulla Arif Krushës, personalitet i dëgjuar i kësaj ane. Këto luftëra do të ishin edhe një ngjarje tjetër tragjike për popullin shqiptar në përgjithësi, dhe për popullin e saj anë, në veçanti. Kjo tek Rasim Zapodi do të linte gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij.

Një ngjarje tjetër me rëndësi ishte edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Këtë ngjarje mulla Rasimi do ta përjetonte nga afër, sepse mu në lokalet ku po merrte dije fetare islame në Prizren, po i zhvillonte punimet Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878, dhe aty jo vetëm do të njihej me shumë figura të dëshmuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe do të dëgjonte fjalimet e tyre, të cilat asnjëherë nuk do t’i harronte deri në vdekje.

Me mbarimin e studimeve në Medresenë e Prizrenit, do të kthehej në fshatin e lindjes në Zapod, ku, pas pushimeve, do të nisen për në Kavallë të Greqisë, për studime të mëtutjeshme, së bashku me Hoxhë Mehmetin dhe me shokë të tjerë, të cilët kishin përfunduar Medresenë e Prizrenit. Me t’u vendosur në Kavallë, ku kishte disa të afërm të tij, tek të cilët do të gjente edhe mbështetjen materiale, Rasim Zapodi do t’u rrekej mësimeve-studimeve fetare, që do t’i përfundonte me sukses,së bashku me Hoxhë Mehmetin.

Pas përfundimit të studimeve të larta në Kavallë, do të kthehejnë Lumë dhe në vitin 1890 në fshatin Lojme të Lumës, do të hapte mejtepin dhe pas shërbimit dyvjeçar në atë fshat, do të kthehej në Zapod, në fshatin e tij të lindjes, ku do të hapte mejtepin dhe, puna tjetër me rëndësi e tij, do të ishte vënia e kontakteve me personalitete të shquara kombëtare shqiptarët të Lumës, sikur ishin: Ramadan Zaskoci, Islam Spahiu, Hoxhë Bruti etj., dhe atyre, që nga ajo kohë nuk do t’u ndahet asnjëherë në aksionet e ndryshme të armatosura që do t’i ndërmerrnin ato figura të përmendura në Lumë.
Kryengritja në të cilën do të dëshmohej Rasim Zapodi me shokë, do të ishte ajo e vitit 1912 në Lumë. Rasim Zapodi, i vetëdijshëm se edhe në këtë formë mund të kontribuonte, kushtrimit që do të jepej nga krerët e saj ane, do t’i përgjigjej duke marrë pjesë përkrah Islam Spahisë, Ramadan Zaskocit, Sheh Hasanit e të tjerëve.

Qendrat komanduese të luftës u vendosën: 1. Në Llapushnik (Brezne) të Opojës, me Qazim Likën në krye; 2. Në Krumë të Hasit, me Rexhë Ali Bajraktarin në krye; 3. Ndërsa Këshilli Qendror i Luftës me Ramadan Zaskocin në krye, u vendos në Qafë të Kolesjanit, në majën e quajtur Tabe, prej ku shihej qartë Rrafshi i Lumës. Për të mos lejuar kalimin e trupave serbe matanë lumit, përgjatë Drinit të Bardhë, këshilli i luftës organizoi me kohë prita në fshatrat: Shalqin, Domaj, Gjinaj, Brut, Ura e Vezirit… Prita të tilla u ngritën edhe në brigjet perëndimore të Drinit të Zi, si në Kolsh, Mamëz, Surroj, Tejdrinë.

Në këto pozicione ishin forcat mbrojtëse shqiptare, kur më 9 e 10 nëntor 1912, filluan operacionet e Armatës III serbe në drejtim të Lumës. Beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në Qafën e Zhurit dhe vijoi deri në grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe mjaft armë. Pas këtij dështimi, ushtria serbe, në shenjë hakmarrjeje, në fshatin Zhur mori peng 37 shqiptarë, të cilët më pas i dërgoi në Prizren, me qëllim që të ushtrohej presion në popull, për të mos e përkrahur edhe më tutje qëndresën e tyre.

Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli Komandues i Luftës, i cili përbëhej nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Çeku, Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj., sipas vendimeve të marra në një mbledhje më 17 nëntor 1912, nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës.

Malësorët lumjanë, të ngujuar nëpër kullat e fshatrave Nangë, Gostil, Shtiqën, Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës e Koretnikut (Pikllimës) si dhe në brigjet e të dy Drinave (të Ziut e të Bardhit), e të ngazëllyer nga fitorja e bujshme e Qafës së Kolesjanit, i sulmuan nga të dy krahët (lindje-perëndim) forcat e armikut dhe ato i ndoqën këmba-këmbës. Repartet ushtarake serbe u përpoqën të rigrupoheshin e të pozicionoheshin sërish në Kodrën e Galipës e në Zbor të Nangëve, por këto përpjekje gjithashtu dështuan keq. Repartet shpartalluese serbe, pasi humbën edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse Shtiqën-Drini i Zi.

Luftimet përfundimtare u zhvilluan në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë – Drini i Zi, ndërsa ato më të përgjakshmet në Kullë Lumë. Këtu iu dha grushti përfundimtar forcave pushtuese serbe, të cilat, pas kapitullimit, u tërhoqën nga Luma në drejtim të Prizrenit. Sipas disa burimeve arkivore dhe këngëve popullore, dëshmohet se në Betejën e përgjakshme të Lumës (14-18 nëntor 1912) patën lënë eshtrat 12 mijë ushtarë serbë, ndonëse flitet edhe për më tepër, 16-18 mijë.

Ndonëse në mëngjesin e 18 nëntorit 1912 mori fund beteja e Lumës, ku forcat shqiptare triumfuan kundër Armatës III serbe, në Manastir zhvillohej një betejë tjetër ndërmjet forcave shqiptare dhe reparteve të armatës I serbe, që në histori njihet si Beteja e Manastirit. Në këtë kuadër vlerësojmë se Beteja e Lumës, Beteja e Manastirit, si dhe qëndresa shqiptare në veri (Shkodër) dhe në jug (Janinë), kanë rëndësi të madhe historike për faktin se, në një mënyrë a në një tjetër, mundësuan mbajtjen e Kuvendit Kombëtar më 28 nëntor 1912 në Vlorë, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.

Pas këtyre ngjarjeve Rasim Zapodi do të kalonte në ilegalitet, dhe do të vendosej në Stamboll, por në vitin 1916 do të kthehej sërish nga Stambolli në vendlindje, ku do të gjente gjithçka të shkatërruar nga pasuria e tij, të cilën e kishte lënë para disa vitesh.

Edhe pse në kushte tejet të vështira, Rasim Zapodi do ta vazhdonte jetën, do të shërbente si hoxhë i fshatit, kurse po atë vit, më 1916, do të zgjidhej edhe kryemyfti për të gjitha fshatrat e Gorës, detyrë të cilën do ta kryente deri në vdekje, më 1924.

Rasim Zapodin, këtë personalitet lumjan, për bëmat e tij, populli i Lumës edhe sot e kësaj dite e kujton me respekt e pietet të lartë.

Ai, pavarësisht nga katrahurat nëpër të cilat kaloi, asnjëherë nuk u përkul para pushtuesve, po gjithmonë qëndroi i fortë dhe i palëkundur në parimet e tij fetare e kombëtare.

Mësimet që i mori në Medresenë e Prizrenit te myderrizi i njohur Ymer Prizreni, dhe ngjarjet e ndryshme politike që u zhvilluan në atë kohë, pa dyshim, kishin lënë gjurmë në jetën e këtij atdhetari shembullor.

Hoxhë Mehmeti (1867-1927) 

Mehmet Mustafë Isufi, ose siç njihet në atë anë – Hoxhë Mehmeti, lindi në vitin 1876 në një familje patriotike dhe bujare të lagjes së shehlerëve në fshatin Shtiqën të krahinës së Lumës. Kjo familje ndër breza kishte dhënë njerëz që ishin të edukuar në frymën fetare e kombëtare. Periudha kur lindi Hoxhë Mehmeti, ishte koha kur Perandoria Osmane kishte filluar të zbatonte reformat e Tanzimatit, të cilat jo vetëm që do ta sillnin fundin e Perandorisë Osmane, por njëkohësisht do të kundërshtoheshin nga popullata e Lumës, do të shënohen edhe kryengritje e aksione të armatosura në këtë anë, vetëm për t’i kundërshtuar reformat që e kishin sjellë popullin në një gjendje të mjerë sociale e ekonomike.

Më një fjalë, fati i Hoxhë Mehmeti pothuajse ishte i njëjtë me atë të mulla Rasim Zapodit, me të cilin ishin shokë gjenerate në Medresenë e Prizrenit, ishin nga e njëjta krahinë dhe pothuajse kishin ideale të përbashkëta, “vatanin dhe imanin”, prandaj tërë jetën e tyre do t’ua kushtonin këtyre dy fushave.

Ngjarjet që po zhvilloheshin në atë kohë në rajonin e Lumës, po dhe në viset e tjera të Kosovës e më gjerë, si: reformat e Tanzimatit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet e ndryshme që ndodhën brenda asaj periudhe, pa mëdyshje do të ndikonin në botëkuptimin e tij kombëtar. Këto ngjarje ai nuk do t’i shlyente nga kujtesa e tij asnjëherë, por gjithnjë do t’i ruante me fanatizmin më të madh dhe do t’i transmetonte te gjeneratat e tjera.

Hoxhë Mehmeti ishte i interesuar për ta vazhduar shkollimin, sa kohë që edhe prindërit e tij kishin një dëshirë të flaktë për shkollimin e të birit, por ishin kushtet jo të mira ekonomike qe zotëronin në familjen e tij ato që e pengonin. Megjithatë, djalin e tyre do ta dërgonin për shkollim në Prizren, në Medresenë e Prizrenit, ku, për fatin e tij të mirë, familja e tij kishte shumë miq në Prizren, të cilët e morën përsipër shkollimin e Hoxhë Mehmetit.
Gjatë shkollimit të tij në Prizren, përveçse do të njihej me shumë shokë në medrese, ky personalitet pati fatin ta jetonte dhe ta përjetonte njërën prej ngjarjeve kulmore në historiografinë shqiptare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kuvendi i së cilës u mbajt në qytetin ku studionte Hoxhë Mehmeti, madje në kohën sa ishte ai në studime. Kuvendi u mbajt mu në vendin ku për çdo ditë i ndiqte mësimet Hoxhë Mehmeti, në lokalet e Medresesë së Mehmet Pashës, kurse prej atyre që mbajtën peshën kryesore të këtij tubimi, ishin pedagogët e tij të nderuar. Pa mëdyshje, të gjithë këta indikatorë, po dhe shumë të tjerë, ishin shtytja dhe treguesi më i mirë për formimin e personalitetit të tij prej fetari dhe kombëtari të dalluar, jo vetëm në rajonin e Lumës, po edhe më gjerë.

Kjo ngjarje me rëndësi i dha mundësi Hoxhë Mehmetit që të takonte edhe delegatë të ndryshëm nga të gjitha vilajetet shqiptare, të cilët merrnin pjesë në këtë Kuvend. Prej tyre takoi edhe Ramadan Zaskocin, me të cilin që nga ajo kohë nuk do t’i ndërpriste kontaktet.

Pas mbarimit të medresesë në Prizren, si njeri i etur për dije, ai, pas disa muajsh pushimi në vendlindjen e tij, në Shtiqën, së bashku me Rasim Zapodin, do të shkonin në Kavallë të Greqisë, ku do të regjistroheshin për studime të mëtutjeshme në dijen islame. Zelli i tyre i madh për dije do të kurorëzohej në vitin 1889, kur do të diplomonte me sukses të shkëlqyeshëm. Pas mbarimit të studimeve në Kavallë të Greqisë, aty nga viti 1890, do të kthehej në fshatin e tij të lindjes, në Shtiqën, ku do të shërbente si imam, detyrë që do ta kryente me ndërgjegjen më të lartë. Ai, krahas shërbimit si imam, do të hapte edhe mejtepin në Shtiqën, ku do të mësonin lexim- shkrim një numër i madh i të rinjve nga kjo anë. Thuhet se mësues i parë i këtij mejtepi ishte mulla Musa Zapodi, i cili në vitin 1912, gjatë një operacioni që forcat serbe do ta merrnin në Lumë, do të vritej në mënyrën më mizore, ndërsa mejtepit do t’i vinin flakën.

Hoxhë Mehmeti më vonë do të emërohej myfti i rajonit të Lumës.
Edhe pse në poste të ndryshme fetare si imam e myfti, sa herë që ishte rasti që të përdorej edhe pushka, ai u tregua i papërtueshëm. Kjo u dëshmua më së miri në luftërat e lumjanëve kundër Sali pashës në vitin 1893, pastaj kundër Shemsi pashës në vitin 1904, të cilin Porta e Lartë e kishte dërguar për të vënë rend e qetësi në Lumë, po, në vend që të vinte qetësi, të cilën e kishte menduar Shemsi pasha, ai do të haste në një rezistencë të armatosur nga lumjanët, me Ramadan Zaskocin në krye. Pjesëmarrës në këto beteja ishte edhe Hoxhë Mehmeti.

Po namin më të madh Hoxhë Mehmeti e mori në luftimet që bëri bashkë me luftëtarët e tjerë lumjanë në rajonin e Lumës. Në muajin maj 1909, kryengritësit lumjanë, të udhëhequr nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia e Hoxhë Mehmeti, me forca të shumta sulmuan nënprefekturën osmane të Lumës.

Kur Xhavit pasha kishte mësyrë Lumën, në qershor 1909, kishte shpresuar se do ta rregullonte shumë shpejt punën me lumjanët, sepse e kishte ndarë ushtrinë në pikëpamje strategjike: një pjesë e kishte nisur për Gjakovë dhe pjesën tjetër në Lumë, mirëpo rezistenca e organizuar mirë nga ana e lumjanëve do të bënte që, me gjithë humbjet, të zmbrapsnin forcat e Xhavit pashës. Gjithashtu, lumjanët në çdo kryengritje që do të zhvillohej në truallin e tyre e më gjerë, do të ishin aktivë me pushkë në dorë, e këtë do ta dëshmonin edhe në kryengritjen e vitit 1911 kundër forcave të Shefqet Turgut pashës.

Një ballafaqim tjetër i armatosur i lumjanëve ishte ai i vitit 1912 me forcat serbe, kur kryengritësit lumjanë, posa ishin kthyer nga Shkupi, ku kishin marrë pjesë në çlirimin e tij së bashku me forcat e tjera kryengritëse të vilajetit të Kosovës. Njëri prej atyre që kontribuuan në betejën e zhvilluar në Lumë, ishte edhe Hoxhë Mehmeti. Kjo mund të konstatohet më së miri edhe në bazë të literaturës historiografike që është shkruar për atë kohë për Lumën .

Kur më 9 e 10 nëntor 1912 filluan operacionet e Armatës III serbe në drejtim të Lumës, beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në “Qafën e Zhurit” për të vazhduar deri në grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi një goditje të fortë, duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe mjaft armë. Pas këtij dështimi, ushtria serbe, në shenjë hakmarrje, në fshatin Zhur mori peng 37 shqiptarë, të cilët më pastaj i dërguan në Prizren me qëllim që të ushtrohej presion në popull, për të mos e përkrahur edhe më tutje qëndresën e tyre.
Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli Komandues i Luftës, që përbëhej nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Ceku, Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj., sipas vendimeve të marra në një mbledhje, më 17 nëntor 1912,nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës.

Për të mbajtur të gjallë emrin e tij dhe për shkak të kontributit të vyeshëm fetar e kombëtar të Hoxhë Memetit, lumjanët i kanë kënduar dhe këngën:

“Ushton Korretniku dhe Gjallica
Po lufton Luma me sakica,
Asht Hoxhë Mehmeti me lumjanë,
Po lufton me serbët për vatan.”

Veprimtaria luftarake e Hoxhë Mehmetit nuk do të pushonte asnjëherë deri në vdekje. Kjo dëshmohet edhe për faktin se ai, pas përleshjes me forcat serbe në vitin 1912 në Lumë, përsëri do të përballej me forcat serbe në Zhur në mars të vitit 1914.

Në dhjetor të vitit 1923, Hoxhë Mehmeti, së bashku me shumë veprimtarë të tjerë të kësaj ane, do të votonin në favor të Avni Rrustemit, për t’i përfaqësuar interesat e tyre, sa kohë që ai ishte edhe njëri prej shoqëruesve të Bajram Currit, kur e vizitoi Lumën, më 5 maj 1924.

Shoqërimi i Hoxhë Mehmetit me Avni Rrustemin dhe Bajram Currin, do t’i kushtonte me jetën, sepse në qershor të vitit 1927, kur kishte dalë në ballkonin e shtëpisë së tij, do të qëllohej për vdekje nga plumbat që kishin ardhur jo larg nga shtëpia e tij. Pa dyshim që vrasja tinëzare e Hoxhë Mehmetit shkaktoi hidhërim të thellë te popullata që e kishte çmuar pa masë, dhe vrasja e tij u përjetua rëndë sidomos nga bashkëluftëtarët e tij, me të cilët ishte bashkë edhe në ditët më të vështira për këtë rajon.

Përfundim 

Për kontributin e ulemave në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, do të sjellim konstatimin e njërit prej studiuesve me të njohur të kohës së tij, Sadulla Brestovcit, i cili, në bazë të hulumtimeve të tij për rolin e ulemave në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në mes të tjerash, konstatonte: “Materialet apo burimet e ndryshme arkivore dhe tregimtare, që hedhin dritë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të Kosovës, në përgjithësi, na japin një mbështetje të fortë të konstatojmë se ulemaja shqiptare dhe kleri katolik, përgjithësisht nuk qe kundër lëvizjes. Një konstatim i tillë vlen kryesisht për periudhën e fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX, sidomos lidhur me periudhën e kryengritjeve e të aksioneve të armatosura. Si prej klerit mysliman ashtu edhe atij katolik, pati të atillë që e kuptuan Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe rolin e saj pozitiv, që e simpatizuan atë, e ndihmuan atë dhe morën pjesë aktive në të. Sidomos në kazanë e Gjilanit, një numër i ulemave u angazhuan edhe drejtpërdrejt në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë aktive në aksione.” Jemi të bindur se numri i ulemave që u angazhuan në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ishte edhe më i madh sesa u diskutua në këtë punim, po këto që u thanë këtu, janë rezultate nga hulumtimet e gjertanishme lidhur me kontributin e ulemave në lëvizjet e mëdha kombëtare në të kaluarën.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/08/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:05 05:4812:5216:3819:4221:14

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook