Urtësia e ndarjes së plaçkës së luftës


Ibnu Mes’udi thotë: “Pas betejës së Hunejnit, I Dërguari i Allahut i dha përparësi disa njerëzve në ndarjen e plaçkës së luftës. Ai (a.s.) i dha El Akra ibnu Habisit njëqind deve dhe po të njëjtën sasi ia dha edhe Ujejne ibnu Hisnit. Në ndarjen e plaçkës së luftës, ai (a.s) i dha përparësi disa prej fisnikëve të arabëve. Një person tha: “Betohem në Allah, se kjo ndarje nuk është e drejtë dhe nuk është ndarë për hir të Allahut”. Unë thashë: “Betohem në Allah se kam për ta lajmëruar Profetin (a.s.)”. Shkova tek Ai dhe e lajmërova për atë që kishte thënë. Fytyra e tij ndryshoi dhe mori ngjyrë të kuqe, pastaj tha: “Kush mund të mbajë drejtësi nëse Allahu dhe i Dërguari i tij nuk mbajnë drejtësi?! Pastaj shtoi: Allahu e mëshiroftë Musain, sepse është lënduar më tepër se kaq, e ka duruar.” Thashë: nuk ka gjë, pas kësaj nuk kam për ta lajmëruar më atë për asgjë.” [1]

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith profetik flet për një ngjarje mjaft të rëndësishme, që ka ndodhur në kohën e Profetit (a.s.). Ky hadith profetik flet për triumfin e myslimanëve në betejën e Hunejnit. Këtu na paraqitet një tablo magjepsëse, që na paraqet Profetin (a.s.) duke shpërndarë plaçkën e luftës, një mirësi që Allahu ia dha të Dërguarit të Tij në këtë betejë. Në fakt, fitorja e myslimanëve në këtë betejë nuk ishte e lehtë. Myslimanët do ta kishin humbur këtë betejë, nëse nuk do të kishin ndihmën hyjnore. Shkak i humbjes së myslimanëve në etapën e parë të kësaj beteje ishte, se disa njerëz u mashtruan kur menduan se ishin të shumtë në numër ndërsa jobesimtarët të pakët. Allahu i Lartësuar thotë: Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e Hunejnit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka iu duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur.”[2] Në këtë betejë, Profeti (a.s.) jep shembullin më të mirë të qëndrueshmërisë dhe trimërisë së tij, duke ju kthyer myslimanëve besimin e palëkundur tek Allahu dhe tek vetja e tyre. Me guximin dhe trimërinë më të madhe ai thirri: “Unë jam profeti jo i rremë. Unë jam i biri i Abdul Mutalibit.” Kjo trimëri dhe këto fjalë të Profetit (a.s.) e kthyen balancën e betejës në favor të myslimanëve, të cilët e fituan këtë betejë. Idhujtarët e humbën këtë betejë, ndërkohë që thirrja e Profetit (a.s.) vazhdon të sfidojë çdo njeri zullumqar e tiran.

Sa i durueshëm është i Dërguari i Allahut?! Por pas kësaj trimërie të pashoqe, sigurie dhe fitoreje del një njeri që dyshon në urtësinë, vizionin dhe vendimarrjen e tij, duke e akuzuar padrejtësisht?! I Dërguari i Allahut (a.s.) mundohet që t’i afrojë njerëzit sa më shumë tek besimi dhe përpiqet t’i joshë fisnikët e arabëve, të cilët akoma vazhdonin të ecnin sipas ligjeve dhe rregullave të kësaj bote. A ka lëndim më të madh se kjo akuzë e padrejtë, që i drejtohet të Dërguarit të Allahut (a.s.), për shkak se Ai (a.s.) i dha përparësi disa njerëzve në ndarjen e plaçkës së luftës. Një njeri e kundërshton veprimin e Profetit (a.s.) duke thënë “Betohem në Allah, se kjo ndarje nuk është e drejtë dhe nuk është ndarë për hir të Allahut.” Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: [Tek Allahu kërkojmë mbrojte. Ai thotë këto fjalë në lidhje me ndarjen e plaçkës së luftës nga i Dërguari i Allahut. Mirëpo dashuria për dynjanë dhe shejtani e shtyjnë njeriun drejt shkatërrimit. Allahu na ruajtë. Fjalët se Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk janë të drejtë, shprehin kufër (mosbesim).][3]

Megjithatë, Profeti (a.s.) nuk do të reagojë me të njëjtën monedhë, megjithëse ai (a.s.) nuk e fsheh faktin, se u ndje keq nga këto fjalë ofenduese, saqë fytyra e tij (a.s.) mori ngjyrën e gjakut, por megjithatë duroi. Me siguri, sinqeritet, shkurt dhe saktë u përgjigj duke thënë: “Kush mund të mbajë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i tij nuk mbajnë drejtësi?!” Në këtë stil duhet të jetë elokuenca e njeriut, për të hedhur poshtë dyshimet dhe shpifjet. Elokuenca është interpretuesja e zemrës dhe ndriçimi i mendjes. Ajo largon dyshimin dhe bën dallimin ndërmjet dilemës dhe të vërtetës. Elokuenca më e mirë është ajo që thuhet me kuptim të qartë, sepse kështu ajo depërton më lehtë në mendjet dhe zemrat e atyre që e dëgjojnë atë. Kështu pra, këto fjalë profetike të ndriçuara nga drita e besimit, e fshinë çdo dyshim dhe paqartësi. Përgjigja e pyetjes së Profetit (a.s.) është retorike: “Kush mund të mbajë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i tij nuk mbajnë drejtësi?!” që  do të thotë se aksuh nuk mund të mbajë drejtësi, nëse nuk mban drejtësi Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Në këtë hadith, përfshihen tre personazhe: Ibnu Mes’udi, personi i cili reagoi keq ndaj ndarjes së plaçkës së luftës dhe i Dërguari i Allahut (a.s.).

Ibnu Mes’udi është ai, i cili e transmeton këtë hadith. Në fillim ai flet rreth ndarjes së plaçkës së luftës pas betejës së Hunejnit nga ana e Profetit (a.s.). Ai e shpjegon në mënyrë të detajuar, se përse Profeti (a.s.) i dha përparësi disa fisnikëve arabë në ndarjen e plaçkës dhe ky veprim i Profetit (a.s.) nuk është i vështirë për t’u kuptuar. Në momentin që Ibnu Mes’udi dëgjon vrazhdësinë e fjalëve të personit që i tha ato, nuk duron por menjëherë shkon tek Profeti (a.s.) për ta lajmëruar për këtë akuzë jo të drejtë. Veprimi i Ibnu Mes’udit dëshmon për vlerën e amanetit dhe përcjelljes së lajmit, pa i shtuar ose pakësuar asgjë. Po ashtu, veprimi i tij dëshmon për domosdoshmërinë e lajmërimit të liderit, sidomos kur qarkullojnë shpifje dhe akuza krejt të pabaza që ndikojnë negativisht në mjedisin përreth tij. Duke parë skuqjen e fytyrës së Profeti (a.s.) dhe reagimin e tij, Ibnu Mes’udi pendohet për veprimin e tij dhe vendos që pas kësaj të mos e shqetësojë më Profetin (a.s.) me gjëra të tilla, që nuk e kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

Personi që reagoi keq: Reagimi i këtij njeriu ndaj veprimit të Profetit (a.s.) nuk është i drejtë. Duke u betuar në emër të Allahut, ai e mohon që ndarja e plaçkës së luftës është bërë për hir të Allahut, çka tregon se ai është dritëshkurtër dhe nuk e kupton fare urtësinë e veprimit të Profetit (a.s.). Disa dijetarë duke kërkuar rreth shkakut të  reagimit të këtij personi, thonë: “Akuza e tij tregon, se ai është i privuar nga largpamësia e dritës së kandilit të Profetit (a.s.), sepse nëse drita e udhëzimit do të depërtonte sadopak në brendësinë e zemrës së tij, atëherë zemra do t’i mbushej me mirësi. Ndërkohë që dihet, se i Dërguari i Allahut (a.s.) është doktori, i cili shëron çdo njeri mëndjelehtë dhe me urtësinë e tij heq çdo dhimbje. Atij personi që Allahu nuk i ka dhënë dritë, ai nuk e posedon atë asnjëherë.”[4]

I Dërguari i Allahut (a.s.): Ai (a.s.) dëshiron që fisnikët e arabëve të miqësohen me fenë islame dhe më pas të jenë ata, të cilët do të mbartin mbi supet e tyre përcjelljen e mesazhit hyjnor tek fiset e tyre. El Akra ibnu Habis ishte prej fisnikëve, i cili më parë i kishte luftuar myslimanët, po ashtu edhe Ujejne ibnu Hisni, i cili ishte një prej liderëve të ushtrisë së Ahzabëve në betejën e Hendekut. Pra ata ishin njerëz, të cilët kishin një pozitë të lartë në mesin e popujve të tyre dhe jo vetëm kaq, por kishin edhe ndikim të madh tek ta. Nëse ata do të bëheshin besimtarë të mirë e të devotshëm, padyshim që do të ndikonin pozitivisht tek popujt e tyre. Që ata të bëheshin besimtarë të mirë, duhej ndjekur çdo mënyrë legjitime, qoftë edhe duke iu dhuruar 100 deve.

“Allahu e mëshiroftë Musain, sepse është lënduar më tepër se kaq, e ka duruar.” [Tregues i këtij hadithi janë këto fjalë: Të Dërguarit e Allahut lëndohen, por bëjnë durim. Ky është Profeti (a.s.), të cilit i thuhen këto fjalë tetë vite pas emigrimit. Këto fjalë nuk i thuhen në fillimin e misionit të tij, por pasi Allahu ia mundësoi triumfin, pasi sinqeriteti i tij ishte provuar dhe pasi Allahu i demonstroi shenjat e Profetit (a.s.) në horizonte dhe në vetet e tyre. Pavarësisht gjithë kësaj, thuhet se kjo ndarje nuk është e drejtë dhe nuk është ndarë për hir të Allahut. Nëse këto fjalë dalin nga një person prej sahabëve të Profetit (a.s.), mos u habit kur njerëzit të shpifin ndaj ndonjë dijetari, duke thënë: “Ky dijetar ka këtë e këtë të metë”, sepse shejtani i nxit ata që shpifin ndaj dijetarëve. Duke shpifur ndaj dijetarëve, askush nuk mund t’i drejtojë njerëzit për tek Libri i Allahut. Kush mund t’i drejtojë njerëzit për tek Libri i Allahut, nëse ata nuk besojnë tek dijetarët dhe fjalët e tyre?! Shejtanët dhe partia e shejtanit do t’i udhëheqë e drejtojë. Prandaj edhe përgojimi i dijetarëve është më i rëndë se përgojimi i njerëzve të zakonshëm, sepse nëse përgojon një njeri të zakonshëm, ky përgojim është personal dhe dëmtohet vetëm personi në fjalë, ndërsa përgojimi i dijetarëve i shkakton dëm të gjithë fesë islame, sepse dijetarët mbartin flamurin e Islamit. Nëse imazhi i dijetarëve bie në sy të njerëzve, atëherë flamuri i Islamit rrëzohet dhe si rrjedhojë dëmi bie mbi umetin mysliman.

Duke qenë se mishi i njerëzve nëpërmjet përgojimit është mish i vdekur, mishi i dijetarëve është mish i një të vdekuri të helmosur, sepse dëmi është tepër i madh. Prandaj, mos u habit kur dëgjon dikë, që flet keq për dijetarët! Çfarë nuk është thënë ndaj figurës së Profetit (a.s.), por megjithatë ai ka duruar dhe e ka kërkuar shpërblimin tek Allahu i Lartësuar. Dije se fundi i mirë është për të devotshmit, prandaj përderisa njeriu vazhdon të jetë i devotshëm dhe i ndriçuar me dritën e Allahut të Lartësuar, atëherë atë e pret një fund i mirë.

Po kështu, disa njerëz kanë ndonjë mik apo të afërm që ndonjëherë gabon, e shajnë e ofendojnë për një gabim të vetëm. Personi ndaj të cilit është folur keq, duhet të durojë dhe ta dijë mirë, se edhe të Dërguarit e Allahut janë ofenduar, lënduar e përgënjeshtruar. Njerëzit kanë shpifur ndaj tyre, duke i akuzuar si të çmendur, poetë, fallxhorë e magjistarë. Allahu i Lartësuar thotë: Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndima Jonë.”[5]][6]

 

Rregulla dhe dispozita fetare:

Ky hadith profetik flet për dispozitën fetare të ndarjes së plaçkës së luftës, që është kompetencë e prijësit. Është kompetencë e prijësit, që në ndarjen e plaçkës së luftës t’i japë përparësi dikujt për një gjë që ai e shikon të arsyeshme. Kështu veproi edhe Profeti (a.s.), kur i dha përparësi disa personave, për të fituar zemrat e tyre, që ata të pranojnë Islamin. Duke u bazuar në veprimin e Profetit (a.s.), prijësit i lejohet që të bëjë të njëjtën analogji, nëse ai e shikon të arsyeshme, se kjo është në dobi të myslimanëve.

Të gjithë juristët janë të mendimit, se gjatë ndarjes së plaçkës së luftës, prijësit i lejohet që t’i japë përparësi disa luftëtarëve për një synim të caktuar, si për shembull për faktin se ata janë trima, sakrifikojnë më tepër, kanë ndikim shumë të madh, apo për të fituar zemrën e dikujt e kështu me rradhë.

Ndëshkimi i atij që lëndon Profetin (a.s.):

Imam El Kurtubi thotë: “Fjalët [“Betohem në Allah, se kjo ndarje nuk është e drejtë dhe nuk është ndarë për hir të Allahut.” janë fjalë të një njeriu injorant, shpirtkeq dhe hipokrit. Ai e meritonte të ndëshkohej, sepse me fjalët që tha, e lëndoi të Dërguarin e Allahut. E Allahu i Lartësuar ka thënë: Kurse ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut, i pret një ndëshkim i madh.”[7]][8]

Njëherë një njeri foli keq për Ebu Bekrin (r.a), kur ai ishte prijës i myslimanëve. Ebu Bekri (r.a) e fali atë, duke thënë se pas të Dërguarit të Allahut nuk i lejohet askujt që të ndëshkojë atë që lëndon prijësin e shtetit.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Çfarë ndodhi me plaçkën e luftës në betejën e Hunejnit

2 – Përfitimi i zemrave të njerëzve nëpërmjet shpërndarjes së pasurisë

3 – Nënshtrimi i plotë ndaj gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij

4 – Dhënia përparësi dobisë së fesë ndaj interesit vetiak

5 – Lëndimet që benu israilët i shkaktuan profetit Musa

6– Durimi dhe qëndrueshmëria e thirrësve në rrugë të Allahut

7– Mospërcjellja e lajmeve që shkaktojnë urrjetje dhe armiqësi

 

1 – Çfarë ndodhi me plaçkën e luftës në betejën e Hunejnit:

[Profeti (a.s.) nuk e pa të udhës ta shpërndante këtë plaçkë tek njerëzit, prandaj priti me shpresë se armiku do të kthehej i penduar dhe do të tërhiqte çdo gjë që kishte humbur. Megjithëse priti dhjetë net, askush nuk erdhi.

Kështu, ai filloi t’ua mbyllte gojët kryetarëve të fiseve dhe fisnikëve të Mekes, duke ua shpërndarë pasurinë dhe duke filluar me ata, zemrat e të cilëve duhej të qetësoheshin, prandaj atyre iu dha pjesën më të madhe.

Ebu Sufjanit iu dhanë njëqind deve dhe dyzet okë argjendi. Ai pyeti: Po për djalin tim Muauijen? Atij iu dha një sasi e njëjtë edhe për djalin e tij. Por ai, përsëri pyeti: Po për djalin tim Jezidin? Atij iu dha e njëjta sasi edhe për djalin e tij Jezidin.

Kryetarët e fiseve garuan me njëri-tjetrin, që të merrnin atë që mundnin, prandaj u përhap lajmi, se Profeti (a.s.) po shpërndante si një njeri, që nuk kishte frikë nga varfëria.

Njerëzit u grumbulluan rreth tij, duke kërkuar më shumë pasuri dhe beduinët u hodhën dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut, ndaje plaçkën tonë midis nesh”.

Ata e mbështetën atë tek një pemë dhe ia morën xhyben. Profeti (a.s.) u tha: “O njerëz, ma ktheni xhyben time. Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të kisha për ju gjedhë sa pemët e Tihamas, do t’ju kisha ndarë dhe më pas nuk do t’ju dukesha koprac, frikacak, apo gjënjeshtar”!

Ata zgurdulluan sytë duke ndjekur fitimet e kësaj bote! Këta beduinë, njerëz të liruar dhe kryetarë fisesh nuk e mbështetën Islamin në ditët e tij të hershme dhe të vështira. Në fakt, ata ishin pengesa serioze në rrugën e tij, derisa u bënë pluhur nën kazmat e besimtarëve të vërtetë, të cilët dëshironin shpërblimin e Botës Tjetër dhe preferuan atë që Allahu kishte ruajtur për ta. Sot, pasi kishin lajmëruar kthimin në Islam, ata po kërkonin që Profeti (a.s.) të hapte për ta thesaret e tokës, megjithëse ai u betua, që nuk po mbante asgjë për vete. Sikur ai ta kishte në zotërim atë luginë plot me thesare, do t’ua kishte ndarë atyre të gjithën.

E vërteta është, se Profeti (a.s.) me bujarinë e tij, e pastroi rrugën nga lakmia dhe pakujdesia, që ato të mos shfaqeshin në zemrat e atyre, të cilët ai po përpiqej që t’i ftonte në Islam. Nëse, në vend të kësaj, ai do t’i kishte ndëshkuar ata për frikën që treguan në Hunejn, atëherë do të kishte qenë një histori tjetër.

Është për t’u çuditur, se ata që u larguan në kohën e frikës ishin po ata, që u kthyen në turma në kohë lakmie. Megjithatë, Profeti (a.s.) donte të tregohej zemërmirë me ta dhe të harronte të shkuarën e tyre, me qëllim që t’i fitonte. Prandaj çfarë bëri ai?! Në botë ka shumë njerëz, që udhëhiqen për tek e vërteta nga barku i tyre dhe jo nga intelekti. Ashtu si kafshët udhëhiqen në shtegun e tyr nga një tufë kashtë, drejt të cilës ato zgjasin gojët e tyre vazhdimisht, derisa mbërrijnë të sigurta në stallën e tyre, kështu edhe këta njerëz kanë nevojë për të gjitha llojet e gjërave, që të udhëhiqen në besim.

 

Urtësia e shpërndarjes

Ky rregull me vizion të largët nuk u kuptua që në fillim dhe u kritikua nga disa. Kishte besimtarë, që menduan se ata po ofendoheshin nga ky privim dhe se familjet e tyre po liheshin pas dore. Buhariu transmeton mbi autoritetin e Amr ibn Teglibit: “I Dërguari i Allahut i dha një grupi njerëzish dhe mbajti nga të tjerët. Ndoshta ata e kritikuan atë për këtë gjë, prandaj ai tha: Unë u dhashë disa njerëzve, sepse iu frikësova padurimit dhe shqetësimit të tyre, kurse të tjerët i lashë tek mirësia dhe pasuria, që Allahu kishte vendosur në zemrat e tyre, midis tyre edhe Amr ibn Teglib.

Duke vazhduar Amri thotë: “Nuk do të doja t’i ndërroja këto fjalë të Profetit (a.s.) për të gjitha thesaret në botë”. Prandaj kjo dëshmi, e cila e bëri këtë burrë kaq të kënaqur, ishte më me vlera se dhuratat më të çmueshme.

Shumica e atyre që e ndjenë barrën e këtij rregulli ishin ensarët. Ata të gjithë u privuan nga plaçka e luftës së Hunejnit, pavarësisht faktit se ishin pikërisht ata, që u thirrën në kohë nevoje dhe luftuan përkrah Profetit (a.s.), derisa ikja e tyre u kthye në fitore. Tani ja ku ishin, duke parë të arratisurit, teksa ktheheshin me duart e tyre plot, kurse atyre nuk iu dha asgjë.

Ebu Said El Khudri raporton: “Kur Profeti (a.s.) e mblodhi plaçkën e luftës pas Hunejnit, ua shpërndau atë të konvertuarve të rinj kurejshë dhe të gjithë arabëve përveç ensarëve, të cilët nuk morën as edhe një gjë të vetme. Grupi i ensarve u ndje kaq i irrituar saqë njëri prj tyre tha: Pasha Allahun, I Dërguari i Allahut u ribashkua me njerëzit e tij”.

Më pas Sa’d ibn Ubade shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, grupi i ensarëve është mërzitur me ty”. Kur ai (a.s) pyeti se për ç’arsye, Sa’di u përgjigj: “Sepse ti ua shpërndave plaçkën e luftës njerëzve të tu dhe pjesës tjetër të arabëve, por atyre nuk u dhe asgjë”. Profeti (a.s.) pyeti: Po çfarë qëndrimi mban ti për këtë çështje? Sa’di i tha: “Edhe unë jam si ata, sepse u përkas atyre”. Atëherë Profeti (a.s.) i tha: “M’i mblidh njerëzit e tu në këtë dhomë dhe kur të jenë grumbulluar, më vër në dijeni”.

Sa’di u largua dhe thirri njerëzit e tij, të cilët i grumbulloi në atë dhomë. Kur ishin mbledhur të gjithë ensarët, ai vajti për të njoftuar Profetin (a.s.). Profeti (a.s.) erdhi dhe pasi lavdëroi Allahun, tha: O ensarë! A nuk erdha unë tek ju, kur ju ishit jashtë rruge dhe më pas Allahu ju udhëzoi; kur ju ishit në nevojë dhe më pas Allahu ju pasuroi?! Ju ishit armiqtë e njëri-tjetrit e më pas Allahu i bashkoi zemrat tuaja”. Ata të gjithë thirrën: “Po!” Profeti (a.s.) u tha: “A nuk do të përgjigjeni o ensarë”? Ata thanë: “E çfarë mund të themi ne? Çfarë përgjigje duhet të japim, o i Dërguar i Allahut? Mirësia është e Allahut dhe të Dërguarit të Tij”. Ai (a.s) u tha: “Pasha Allahun, nëse do të kishit dashur, ju do të kishit thënë të vërtetën; se ti erdhe tek ne si një i arratisur dhe ne të dhamë strehë; erdhe si një njeri në nevojë dhe ne të ndihmuam; erdhe si njeri me frikë dhe ne të dhamë siguri, erdhe si njeri i dëbuar dhe ne të ndihmuam”. Ata thanë: “Nderi është i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij”. Ai (a.s) u tha: A ishit ju të zemëruar për vogëlsirat e kësaj bote, të cilat unë u dhashë myslimanëve të rinj, me qëllim që të fitoja zemrat e tyre, ndërsa juve ju lashë pjesën që Allahu ju dha nga Islami? A nuk jeni të kënaqur, që njerëzit të largohen me kafshët, delet dhe devetë e tyre, kurse ju të ktheheni me të Dërguarin e Allahut? Pasha Atë në duart e të Cili është shpirti im, nëse njerëzit ecin në një rrugë dhe ensarët në një tjetër, unë do të shkoja në rrugën e ensarëve. Nëse nuk do të kishte hixhret, do të kisha qenë njëri prej ensarëve. O Allah ki mëshirë për ensarët, për fëmijët e ensarëve dhe për fëmijët e fëmijëve të ensarëve”.

Kur dëgjuan këtë, të gjithë të mbledhurit qanë, derisa mjekrat e tyre u bënë qull nga lotët dhe thanë: “Ne jemi të kënaqur me Allahun si Zot dhe të Dërguarin e Tij si pjesë e jona. Ai u largua dhe ata u shpërndanë.][9]

2 – Përfitimi i zemrave të njerëzve nëpërmjet shpërndarjes së pasurisë:

Përfitimi i zemrave të njerëzve nëpërmjet shpërndarjes së pasurisë konsiderohet prej çështjeve të rëndësishme të ftesës në rrugë të Allahut. Shpërndarja e pasurisë mund të jetë shkak, që një person të bëhet mysliman. Një gjë të tillë e dëshmon edhe ky hadith, i cili tregon se nëpërmjet shpërndarjes së plaçkës së luftës Profeti (a.s.) dëshiroi të fitonte zemrat e atyre, të cilëve sapo e kishin pranuar Islamin.

Duke qenë se përfitimi i zemrave nëpërmjet shpërndarjes së pasurisë zë një rol të rëndësishëm, shikojmë se Allahu i Lartësuar e ka bërë atë një prej tetë kategorive, të cilave i duhet dhënë zekati. Allahu i Lartsuar thotë: Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfërit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata që u fitohet zemra, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për luftëtarët në rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithdijshëm dhe i Urtë.”[10] Dijetari i shquar Ibnul Xheuzi duke komentuar thënien kuranore “për ata që u fitohet zemra” thotë: [Profeti (a.s.) ua fitoi zemrat disa njerëzve, që ata ta donin Islamin nëpërmjet asaj çka u jepte e këta njerëz ishin fisnikë. Këta njerëz ishin dy lloje: myslimanë dhe jobesimtarë. Myslimanët ishin dy llojesh; grupi i parë vazhdonte të ishte i dobët në lidhjen me Islamin. Profeti (a.s.) ua fitoi zemrat, që lidhja e tyre me Islamin të forcohej. Prej këtyre ishte El Ekra dhe Ujejne ibnu Hisnin. Ndërsa grupi i dytë i kishte të mira lidhjet me fenë islame, por përsëri Profeti (a.s.) u dha atyre, që ata t’ua shpërndanin familjeve të tyre, që ishin ende idhujtarë. Një prej këtij grupi ishte Adij ibnu Hatem.

Ndërsa përsa i përket idhujtarëve edhe ata ishin dy grupe: lloji i parë të cilët i lëndonin myslimanët, e Profeti (a.s.) u dha atyre që ata mos t’i lëndonin më ata. Një prej tyre ishte Amir ibnut Tufejl. Ndërsa lloji i dytë ishin ata të cilët anonin për tek islami. Profeti (a.s.) u dha atyre që të përqafonin Islamin. Një prej këtij lloji ishte Safuan ibnu Umeje.][11]

Në betejën e Hunejnit, Safuani ishte ende idhujtar. Profeti (a.s.) i dha aq shumë, saqë ai tha: “Vërtet, i Dërguari i Allahut më dha e më dha, ndërkohë që ai ishte personi, që e urreja më tepër. Ai vazhdoi të më jepte, derisa u bë njeri më i dashur për mua.”[12] Nuk ka dyshim se nëse ai ftues i cili jep, bëhet i dashur tek njerëzit, kjo do të thotë se fjala i dëgjohet, respektohet dhe zbatohet.

Një prej grupeve që Profeti (a.s.) ua fitoi zemrat, ishin ata njerëz, të cilët lidhjet me fenë islame i kishin të dobëta. Sa’d ibnu Ebi Uekas tregon: “Njëherë i Dërguari i Allahut (a.s.) i ndau diçka një grupi njerëzish, ndërsa unë isha ulur diku atje. Unë kur pashë se i Dërguari i Allahut la pa pjesë një burrë, të cilin unë e mendoja më të mirin, kështu që i thashë: O i Dërguari i Allahut! Ç’ke me filanin (që nuk i jep pjesë nga zekati)? Për Allah, unë mendoj se ai është besimtar i mirë! Ndërsa Profeti (a.s.) vërejti: apo thjesht mysliman?Unë heshta pak, por nuk munda të duroj dhe e përsërita pyetjen, për shkak të asaj që unë dija për të: O i Dërguari i Allahut! Ç’ke me filanin (që nuk i jep pjesë nga zekati)? Për Allah, unë mendoj se ai është besimtar i mirë! Ndërsa Profeti (a.s.) më tha përsëri: apo thjesht mysliman? (Pasi heshta) nuk munda të duroj dhe e përsërita pyetjen për herë të tretë, ndërsa i Dërguari i Allahut m’u përgjigj njëlloj. Pastaj më tha: “O Sa’d! Padyshim që unë i jap një njeriu, ndonëse tjetërkush është më i dashur për mua se ai, nga frika se atë mund ta përplasë Allahu me fytyrë në zjarr.”[13]

Duke komentuar këtë hadith, Imam ibnu Haxheri thotë: “Fjala e Sa’dit “Ç’ke me filanin” është një pyetje drejtuar Profetit (a.s.), për të ditur shkakun, se përse ai po i jepte të tjerëve dhe jo atij? Profeti (a.s.) i dha shumë nga plaçka e luftës kujtdo që u shfaq si mysliman, me qëllim që të fitonte zemrat e tyre. Kur ai u dha disa njerëzve për t’ua fituar zemrat dhe la të tjerë pa u dhënë, Sa’di ndërhyri, sepse ai e shikonte më të arsyeshme që t’i jepej një njeriu më të mirë se atyre që Profeti (a.s.) po u jepte. Prandaj ai e përsëriti pyetjen disa herë. Mirëpo Profeti (a.s.) i dha drejtim pyetjes së tij në dy këndvështime: Këndvështrimi i parë: duke ia bërë të ditur urtësinë e dhënies së plaçkës së luftës këtyre njerëzve, sepse nëse nuk do t’u jepte atyre, nuk ishte i sigurtë për besimin e tyre dhe nëse ata do ta braktisnin fenë, do të ishin prej banorëve të Zjarrit. Këndvështrimi i dytë: e ndaloi atë (Sa’din) nga lavdërimi i atij njeriu”.[14]

Përsa i përket atyre personave, që ishin myslimanë të mirë, mirëpo Profeti (a.s.) u dha për shkak se familjet e tyre ishin ende idhujtarë, kjo argumentohet me hadithin, të cilin e transmeton Enesi: “Një burrë i kërkoi Profetit (a.s.) delet që ishin mes dy maleve (në luginë) e ai ia dha. Ai (burrë) shkoi tek populli i tij dhe u tha: O popull bëhuni myslimanë! Pasha Allahun, vërtet, Muhamedi jep aq shumë, saqë nuk ka frikë.”[15] Shikoni tek ky njeri, të cilit profeti (a.s) i dha këtë pasuri kaq të madhe! Ai u kthye tek populli i tij me nijetin që t’i ftonte ata për të hyrë në Islam.

Imam el Kasimi sqaron: “Dispozita fetare në lidhje me përfitimin e zemrave të njerëzve është e vazhdueshme, sepse Profeti (a.s.) i dha myslimanëve dhe idhujtarëve për të përfituar zemrat e tyre. Këtyre ju jepet, kur nevoja e kërkon një gjë të tillë. Ndërsa Omeri, Othmani dhe Aliu nuk u kanë dhënë njerëzve për të përfituar zemrat e tyre, për shkak se nevoja nuk e diktonte një gjë të tillë, e jo se ata nuk e meritonin”.[16]

3 – Nënshtrimi i plotë ndaj gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij:

Profeti (a.s.) thotë: “Kush mund të mbajë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i tij nuk mbajnë drejtësi?! Këto fjalë të Profetit (a.s.) nënkuptojnë, se njeriu duhet t’i nënshtrohet plotësisht gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e kupton apo nuk e kupton urtësinë, sepse gjykimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij është gjithmonë i drejtë dhe gjithmonë ka mirësi në të.

Në fakt, myslimani duhet t’i nështrohet dhe t’i bindet urdhëresave të Allahut edhe pa e ditur urtësinë dhe domethënien e tyre, megjithëse ato në shumicën e rasteve janë të njohura. Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin thotë: “Duhet ta dimë, se ka urtësi në atë që na ka urdhëruar dhe na ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, prandaj ne e kemi për detyrë të bindemi. Nëse dikush na pyet rreth urtësisë së një çështjeje, themi se urtësinë e urdhëresës apo të ndalesës e di Allahu dhe i Dërguari i Tij. Argument për këtë ashtë ajeti kuranor: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të (vërtetë) që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në çështjen e tyre.”[17] Kur e kanë pyetur Aishen (Allahu qoftë e kënaqur me të) : Si është e mundur që gruaja me menstruacione e ka për detyrë t’i agjërojë ditët që i ka lënë mangut (pa agjëruar), ndërsa namazet që nuk i ka falur, nuk ka detyrë t`i falë? Ajo është përgjigjur: Një gjë e tillë na ka ndodhur, u urdhëruam që të agjëronim ditët që nuk i kishim agjëruar, por nuk u urdhëruam që falnim namazet e lëna mangut”. [18] Fjalët e Aishes (Allahu qoftë e kënaqur me të) nuk e shpjegojnë shkakun e këtij gjykimi. Në të vërtetë, ky është nënshtrimi dhe adhurimi i vërtetë. Myslimani duhet t’i nënshtrohet urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e di apo nuk e di shkakun e atij urdhri. Nëse njeriu beson vetëm se pasi të dijë shkakun, atëherë themi se ky njeri ndjek egon e tij, sepse ai e zbaton urdhrin, vetëm kur zbatimi i urdhrit i duket për mirë”.[19]

Megjithatë, kjo që thamë më sipër, nuk do të thotë se nuk na lejohet të kërkojmë rreth urtësisë dhe domethënies së adhurimit. Madje, Allahu i Lartësuar në disa ajete ka thënë: Që ju të mendoni.” “Që të jeni prej të shpëtuarve.” “Që të jeni të devotshëm.”

 

4 – Dhënia përparësi dobisë së fesë ndaj interesit vetiak:

Rrënjosja e besimit në zemrat e njerëzve dhe ftesa në rrugë të Allahut janë qëllimi final për çdo thirrës në rrugë të Allahut, i cili duhet të dijë të bëjë vlerësimin e duhur ndërmjet dobive dhe dëmeve. Thirrësi në rrugë të Allahut duhet të përpiqet e të sakrifikojë që t’ia arrijë këtij qëllimi, edhe nëse i duhet që të bëjë durim nga dëmet që mund t’i shkaktojnë njerëzit. Këtë gjë bëri edhe Profeti (a.s)  me hipokritët, të cilët e lënduan mjaft dhe ai asnjëherë nuk e mori hakun e tij ndaj tyre. Imam El Kurtubi thotë: [Ndëshkimi i atij që lëndon Profetin (a.s.) në këtë botë është vrasja, megjithëse Profeti (a.s.) nuk e vrau këtë hipokrit, i cili e shfaqi shpirtligësinë me fjalët që tha. Profeti (a.s.) nuk ka vrarë askënd, duke thënë: “Nuk dua që njerëzit të thonë se Muhamedi vret shokët e tij.”[20] Pikërisht, për këtë arsye Profeti (a.s.) nuk vrau asnjë prej hipokritëve.][21]

Imam En Neueui duke komentuar hadithin “Nuk dua që njerëzit të thonë se Muhamedi vret shokët e tij”, thotë: [Ky hadith tregon për durimin e Profetit (a.s.) si dhe përmbajtjen e tij nga kryerja e disa veprimeve. Të bësh durim ndaj një dëmi më të vogël është më mirë sesa të shkaktosh një dëm më të madh. Profeti (a.s.) shoqërohej me njerëzit dhe duronte ndaj ashpërsisë së arabëve, hipokritëve dhe të tjerëve, me qëllim që myslimanët të forcoheshin, ftesa islame të përhapej e që besimi të rrënjosej në zemrat e atyre që sapo e kishin pranuar atë. Për këtë asryse, ai u jepte atyre këtë pasuri të madhe dhe nuk i vrau hipokritët, si e si që Islami të triumfonte. Ai i gjykoi njerëzit në varësi të asaj që ata dukeshin, ndërsa çfarë ata mbartnin në zemrat e tyre ishte kompetencë e Allahut të Lartësuar. Përveç kësaj, numri i tyre ishte i pakët në mesin e shokëve të tij, të cilët luftonin për dynjanë apo për nder të fisit të tyre.][22]

Pikërisht, kjo gjë është ajo që kërkohet prej thirrësit në rrugë të Allahut për të realizuar qëllimin final. Allahu i Lartësuar na ka treguar për historinë e Musait (a.s.), i cili kur u rrit dhe arriti pjekurinë e duhur, i pa me sytë e tij dhunën që egjiptianët ushtronin ndaj beni israilëve. Musai (a.s.) ishte një djalë i ri, që Allahu po e përgatiste për mbartjen e mesazhit hyjnor, ishte shumë i ndjeshëm, e urrente padrejtësinë dhe reagonte kundrejt saj. Njëherë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë. Pastaj tha: Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur! O Zoti im! Njëmend, unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal! Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirploti. Musai tha: O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve ! Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur! Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: O Musa a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje? Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi.”[23]

Padrejtësia është një krim, që duhet të çrrënjoset. Misioni i Musait (a.s.) ishte që t’i shpëtonte beni israilët nga situata e rënduar në të cilën jetonin. Mirëpo, a ndoqi Musai (a.s.) rrugën e duhur me veprimin që kreu për ta larguar të keqen? Çfarë do të përfitonin beni israilët nga vrasja e një egjyptiani? Pastaj a zhduk padrejtësia?

Egjyptiani, ndoshta deri diku kishte të drejtë që po e godiste atë njeri që ishte nga benu israilët. Ose edhe nëse nuk kishte ndonjë shkak të arsyeshëm, sipas ligjeve të Faraonit ata kishin të drejtë mbi benu israilët që të vepronin kështu. Nëse me të vërtetë duhet ta shërojmë këtë plagë të shoqërisë, kjo nuk bëhet nëpërmjet rasteve sporadike, por nëpërmjet një organizimi të mbarë shoqërisë për ta çrrënjosur këtë tirani e padrejtësi të vendosur nga pushteti zullumqar i Faraonit. Ndërsa, vrasja e një njeriu apo disa të tjerëve do të thotë, që akoma nuk është hedhur hapi i parë drejt përmirësimit. Musai (a.s.) e ndjeu, që një veprim i tillë ishte prej shejtanit të mallkuar.

Përveç kësaj, shërimi i plagëve të shoqërisë nuk mund të bëhet nëpërmjet këtyre rasteve sporadike, sepse për pasojë thirrësit në rrugë të Allahut i kanoset një rrezik i madh nga forca e pushtetit tiran dhe si përfundim nuk realizohet qëllimi i vërtetë i misionit të tij.

Duke analizuar jetën e Profetit (a.s.), vërejmë se zemra e tij u forcua, duke dëgjuar këto histori. Kështu që, ai (a.s.) nuk u nxitua që të shëronte plagët e shoqërisë në mënyrë individuale. Madje, ai (a.s.) natën falej në Qabe, e cila ishte mbushur plot me idhuj. Asnjëherë nuk e ngriti dorën kundra tyre, megjithëse askush  nuk do ta shikonte, nëse do ta kishte bërë këtë. Por cili do të ishte rezultati? Arabët do t’i zëvendësonin idhujt me të tjerë dhe ndoshta më të mirë. Për shkak të misionit të tij, arabët e lënduan shumë Profetin (a.s.), por ai e dinte, se shërimi i plagëve të shoqërisë ishte krejt ndryshe. Ai (a.s.) qëndroi i palëkundur, nuk e ndërpreu për asnjë çast misionin që kishte nisur, rrënjosi besimin e pastër tek njerëzit dhe grumbulloi rreth vetes së tij shumë përkrahës. Kur erdhi dita, të cilën ia pati premtuar Allahu i Lartësuar, ai (a.s) e drejtoi shkopin nga idhujt duke thënë: Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua.”[24]

Ne e dimë shumë mirë, se myslimanët e parë shpeshherë kërkonin nga Profeti (a.s.) që të rroknin armët dhe t’i kundërpërgjigjeshin armiqve të fesë. Mirëpo, Profeti (a.s.) i qetësonte dhe kërkonte prej tyre që të prisnin. Profeti (a.s.) nuk u ngut siç nguteshin këta djelmosha të rinj dhe as që e dëgjoi thirrjen e tyre. Ajo që kërkonte prej tyre, ishte që të falnin namazin e të jepnin zekatin derisa frytet të piqeshin.

 

5 – Lëndimet që benu israilët i shkaktuan profetit Musa:

Në këtë hadith lexojmë fjalët e Profetit (a.s.): “Allahu e mëshiroftë Musain, sepse është lënduar më tepër se kaq, e ka duruar.” Këto fjalë të Profetit (a.s.) janë dëshmi e qartë, se populli i Benu Israilëve e ka lënduar së tepërmi profetin Musa (a.s.), i cili ka duruar shumë. Në suren El Ahzab, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët: O besimtarë, mos u bëni si ata, që e lënduan Musain.”[25] Imam Esh Sha’raui, duke komentuar këtë ajet, thotë: “Profeti Musa (a.s.) në përmbushjen e misionit të tij ka pasë dy kontakte: kontakt me Faraonin dhe Benu Irailët. Profeti Musa (a.s.) nuk u dërgua tek Faraoni, por tek Benu Israilët. Prandaj Musai (a.s.) dhe Haruni (a.s.) i thanë Faraonit: Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo.”[26] Qëllimi i misionit të tij ishte shpëtimi i Benu Israilëve nga tirania e Faraonit.

Ndërsa përsa i përket thirrjes që Musai (a.s.) i bëri Faraonit për të besuar, duke e dëshmuar me mrekulli profetësinë e tij, erdhi si rrjedhojë e misionit të Musait (a.s.) që kishte me Benu Israilët. Megjithatë, Musai (a.s.) nuk shpëtoi nga lëndimi i Faraonit, i cili shpifi ndaj tij duke thënë: “magjistar, gënjeshtar”  “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur.” “Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi arrin të shprehet?” Është mëse normale, që Musai (a.s.) të lëndohet nga Faraoni, sepse ai e hodhi poshtë hyjnitetin e pretenduar nga Faraoni. Por si është e mundur që të lëndohet nga Benu Israilët, të cilët i shpëtoi nga tirania e Faraonit”?![27]

Kjo është vërtet mjaft e habitshme. Lëndimet që Benu Israilët i shkaktuan Musait (a.s.) ishin të shumta, saqë është e vështirë të numërohen. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

1 -  Pasi Allahu i Lartësuar i shpëtoi nga armiku më i rrezikshëm Faraoni, duke e parë me sytë e tyre mrekullinë e çarjes së detit më dysh, menjëherë sa dolën nga deti, ata panë një popull që adhuronte idhujt. Ata kërkuan prej Musait (a.s.), që t’u krijonte një zot të ngjashëm, që ta shikonin për çdo ditë.

2 – Rrugës nga shkretëtira Sina për në tokën e premtuar të Palestinës, ata u ngritën në revoltë kundër Musait (a.s.) dhe vëllait të tij Harunit (a.s.), duke u ankuar se më mirë ishin të qëndronin në Egjipt, sesa të vdisnin nga etja në shkretëtirë. Atëherë Musai (a.s.) nëpërmjet shkopit shpërtheu 12 –të burime për secilin prej fiseve. Jo vetëm kaq, por Allahu i furnizoi për çdo ditë me manën[28] dhe mishin e thëllëzës.

3 – Kur Profeti Musa (a.s.) shkoi në kodrën Tur dhe qëndroi atje për 40-të ditë, Benu Israilët me në krye Samirijun adhuruan viçin, duke mos i dëgjuar fjalët e Harunit (a.s.). Kur Musai (a.s.) u kthye nga kodra Tur, i hodhi pllakat ku ishte shkruajtur Tevrati dhe urdhëroi që viçi ta shkrinin.

4 -  Profeti Musa (a.s.) përzgjodhi 70-të persona nga populli i tij për të shkuar për tek Zoti, mirëpo ata kërkuan me kryeneçësinë më të madhe, që si kusht të besimit të tyre duhet të shikonin Allahun. Për këtë mosbesim të tyre  i goditi rrufeja.

5 – Allahu i Lartësuar e urdhëroi Musain (a.s.), që t’i merrte besën Benu Israilëve që të zbatonin Tevratin, por ata refuzuan që ta jepnin besën. Atëherë, Allahu i Lartësuar i kërcënoi duke ua ngritur sipër tyre kodrën Tur dhe kështu ata nga frika e madhe që i kaploi, e dhanë besën.

6 – Kur mbërritën në portat e qytetit të Palestinës, Benu Israilët refuzuan që të luftonin për hir të Allahut, megjithëse Allahu u pati premtuar fitoren. Me fjalët që shprehin mosbesim të hapur, ata i thanë Musait (a.s.): “Ne, kurrë nuk do të hyjmë në të përderisa aty ka njerëz. Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, ndërsa ne do të presim këtu”. Për këto fjalë mosbesuese, Allahu i ndëshkoi për 40 vjet, që të mos e shkelnin tokën e premtuar.

7 – Njëherë, Benu Israilët shkuan tek Musai (a.s) dhe i kërkuan,  që nëpërmjet shpalljes t’iu tregonte se kush e kishte vrarë filan person. Allahu i Lartësuar e urdhëron Musain (a.s.), që Benu Israilët të thernin një lopë. Benu Israilët e zvarritën aq shumë zbatimin e këtij urdhri, madje edhe e akuzuan Musain (a.s.) se ai po tallej me ta, saqë për pak nuk do ta kishin zbatuar këtë urdhër.

Këto janë disa prej lëndimeve, që Benu Israilët i shkaktuan Profetit të nderuar, Musait (a.s.). Siç shihet qartë, e kemi mjaft të vështirë që të bëjmë dallimin, se cila prej tyre ka qenë më e lehtë. Padyshim se secila prej këtyre lëndimeve ka qenë më e rëndë se tjeta. Të gjitha këto lëndime shprehin mosbesimin, frymën e idhujtarisë që ishte rrënjosur në zemrat e tyre, mosrespektin që kishin ndaj Profetit të Allahut, moszbatimin e urdhëresave të Allahut e shumë e shumë gjëra të tjera. 

Po ashtu, shihet qartë edhe durimi mjaft i madh i Profetit Musa (a.s.) ndaj këtij populli arrogant, kryeneç, mendjemadh e mohues i ligjeve të Allahut. Nëse do të kishim qenë ne, nuk do të kishim duruar as edhe lëndimin më të vogël e jo më ato gjëra që Benu Israilët bënë me Profetin Musa (a.s.). Allahu e mëshiroftë Musain (a.s.) për durimin e tij të madh, prandaj ai është edhe prej pesë profetëve më të vendosur.

 

6– Durimi dhe qëndrueshmëria e thirrësve në rrugë të Allahut: 

Të Dërguarit e Allahut kanë hasur shumë pengesa e barriera në përcjelljen e mesazhit hyjnor tek njerëzit. Ata janë lënduar, madje edhe janë kërcënuar me vdekje nga popujt e tyre. Kura më e mirë që ata gjetën, ishte durimi dhe qëndrueshmëria. Allahu i Lartësuar thotë: Edhe para teje (o Muhamed), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për atë të dërguar.”[29] Këtë gjë e aprovon edhe Profeti (a.s.) me fjalët: “Allahu e mëshiroftë Musain, sepse është lënduar më tepër se kaq, e ka duruar.”

Shembulli dhe modeli më i mirë i durimit dhe qëndrueshmërisë është i Dërguari i Allahut (a.s.). Njëherë, Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të) e pyet Profetin (a.s.): A ke përjetuar ndonjëherë ditë më të vështirë se dita e betejës së Uhudit? Ai u përgjigj: “Kam përjetuar nga populli yt ato që kam përjetuar. Por, dita që e kam përjetuar më keq, ka qenë në ditën e Akabes, kur iu prezantova Ibnu Abdujalil ibnu Abdukilalit, i cili më refuzoi. U ndava shpirtërisht i thyer dhe nuk jam qetësuar, derisa kam arritur në Karni Thealib. Atëherë, e ngrita kokën dhe vërejta se retë më bënin hije. Në to pashë Xhibrilin, i cili më thirri duke më thënë: Me të vërtetë, Allahu i ka dëgjuar fjalët e popullit tënd duke të refuzuar. Alahu të ka dërguar ëngjëjt e maleve dhe urdhëroji me çfarë të duash! Pastaj ëngjëlli i maleve më thirri, më përshëndeti dhe më tha: O Muhamed, kjo është ajo që deshe, po qe se dëshiron, unë mbi ta do t’i bashkoj të dy malet. Jo -  i tha Profeti (a.s.) por unë shpresoj se Allahu do të nxjerrë prej tyre njerëz, të cilët do ta adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk do t’i shoqërojnë askënd në adhurim.”[30]

Gjëja për të cilën më së shumti, Allahu i Lartësuar i ka këshilluar të Dërguarit të Tij është durimi. Mirëpo ky, durim kurrsesi nuk do të thotë poshtërim, dembelizën e përtaci. Domethënia e durimit në këtë rast, ka të bëjë me:

1 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet t’i kapërdijë ofendimet, lëndimet dhe refuzimin që i bëjnë njerëzit. Ai asnjëherë nuk duhet të zemërohet për veten e tij. Ai duhet të durojë dhe çdo vështirësi që has rrugës, duhet ta përballojë me bindje e kënaqësi. Ai duhet ta falenderojë Allahun e Lartësuar për çdo situatë të krijuar e t’i kërkoje falje Allahut për këta të mjerë, të cilët nuk e dinë të vërtetën.

2 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet t’i paraprijë asaj që sjell koha. Koha mund të sjellë të papritura dhe okazione, të cilat njeriu nuk i di. Mund të krijohen rrethanat të atilla, saqë barrierat të jenë shumë të lehta apo të mos ekzistojnë fare. Thirrësi në rrugë të Allahut duhet që ta shfrytëzojë këtë kohë në favor të thirrjes së tij. Këto ditë duhet t’i japin më tepër energji për ditët që do të pasojnë.

3 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet të zgjedhë një shteg tjetër, larg pengesave dhe barrierave që i dalin rrugës. Detyra e tij është që të vazhdojë t’i thërrasë njerëzit, duke i ndihmuar, duke iu sjellë dobi e duke iu shërbyer atyre. Ai përballet me degjenerimin e shfrenuar, prej të cilit nuk ka dobi askush, prandaj detyra e tij është që t’i largojë njerëzit prej tij.

Kështu pra, nëpërmjet durimit, thirrësi në rrugë të Allahut e arrin synimin e tij.

 

7– Mospërcjellja e lajmeve që shkaktojnë urrjetje dhe armiqësi:

Ibnu Mes’udi shkon për ta lajmëruar Profetin (a.s.) rreth fjalëve që tha ai njeri i pafytyrë. Mirëpo, kur Ibnu Mes’udi vuri re, se Profeti (a.s.) u lëndua nga fjalët e tij, tha: “nuk ka gjë, pas kësaj nuk kam për ta lajmëruar atë për asgjë.” Këto fjalë të Ibnu Mes’udit tregojnë për edukatën e lartë të tij. Myslimani duhet që jetë tepër i kujdesshëm në përcjelljen e lajmeve tek njerëzit, sepse përcjellja e tyre mund të shkaktojë urrejtje dhe armiqësi. Një veprim i tillë është prej moraleve të larta të Islamit. Një rast i mirë, tregohet kur hipokritët e akuzuan padrejtësisht Aishen, se kishte kryer imoralitet me njërin prej sahabëve. Qëlloi që ajo u sëmur për një kohë të gjatë. Gjatë kohës së sëmundjes, në mbarë Medinën u përhapën fjalë të këqia rreth dlirësisë së Aishes. E bukura e gjithë kësaj historie është, se prindërit e Aishes dhe po ashtu edhe Profeti (a.s.) nuk i tregojnë asaj rreth kësaj shprifje. Vetëm pasi u shërua, e mori vesh akuzën e padrejtë të hipokritëve. Le të imagjinojmë së bashku, se çfarë do të kishte ndodhur me Aishen, nëse do ta merrte vesh shpifjen qysh kur kishte zënë shtratin. Padyshim që ajo do të ligështohej dhe sëmundja do t’i përkeqësohej akoma më tepër. Këtu shikojmë moralin e lartë të Profetit (a.s.) dhe prindërve të saj, që nuk ia përcollën këtë lajm, që ndoshta mund të ishte fatal për të.

I tillë duhet të jetë thirrësi në rrugë të Allahut. Ai duhet të marrë shembull nga jeta e Profetit (a.s.), sahabëve dhe njerëzve të mirë. Ai asnjëherë dhe për asnjë çast nuk duhet t’i përcjellë tek njerëzit ato lajme, që shkaktojnë urrejtje dhe armiqësi, sepse uniteti dhe stabiliteti i shoqërisë është tepër i rëndësishëm, gjë për të cilën feja jonë islame na ka rekomanduar në shumë raste.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 - Urtësia e Profetit (a.s.) për të përfituar zemrat e njerëzve.

2 - Bujaria e madhe e Profetit (a.s.)

3 - Prijësi mysliman ka të drejtë, që t’i japë dikujt më tepër se të tjerët, nëse kjo është në dobi të fesë islame. Askujt nuk i lejohet që në këtë rast të kundërshtojë vendimin e tij. Ai i cili e kundërshton vendimin e tij në kësi rastesh i ka bërë zullum vetes së tij.

4 - Këshilla është për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe për besimtarët.

5 - Profeti (a.s.) është njeri me ndjenja, që gëzohet dhe zemërohet.

6 - Profeti (a.s.) asnjëherë nuk është zemëruar për veten e tij, por është zemëruar vetëm për hir të Allahut.

7 - Në çdo periudhë ka pasur armiq të Profetëve, të cilët kanë folur keq rreth imazhit të tyre.

8 - Profeti (a.s.) i mëson popullit të tij durimin dhe qëndrueshmërinë në raste krizash, sado të lehta apo të vështira që të jenë ato.

9 - Myslimanët duhet të marrin për shembull Profetin Muhamed (a.s) dhe të gjithë Profetët e tjerë në qëndrueshmërinë dhe durimin ndaj lëndimve dhe ofendimeve drejtuar kundrejt tyre.

10 - Njerëzit më të drejtë e më të devotshëm kanë qenë Profetët e Allahut.

11  - Profeti (a.s.) ka marrë shembull nga vëllezërit e tij profetë.

12  - Është e preferueshme, që të mos ia vemë veshin fjalëve të injorantëve.

13  - Falja është virtyt dhe moral i profetëve.

14  - Të folurit e sahabëve me edukatë në prani të Profetit (a.s).

15 – Mospërcjellja e lajmeve që shkaktojnë urrejtje dhe armiqësi.


[1] Transmetojnë imam Buhariu, nr:3150 dhe imam Muslimi, nr: 1062.

[2] Sure Et Teube: 25.

[3] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadis Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/255.

[4] Marrë nga libri “Delilul Falihin” i Ibnu Alanit, fq: 1/220.

[5] Sure El En’am: 34.

[6] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/257.

[7] Sure Et Teube: 61.

[8] Marrë nga libri “El Mufhim lima eshkele min telhisi kitabi muslim” i imam El Kurtubiut, fq: 3/107.

[9] Marrë nga libri “Fikhu sira” i Muhamed Gazalit bazuar tek përkthimi i Marenglen Maçka, fq; 481-487.

[10] Sure Et Teube: 60.

[11] Marrë nga libri “Zadul Mesir fi ilmit tefsir” i Ibnul Xheuzit, fq: 3/457.

[12] Transmeton imam Muslimi, nr: 2212.

[13] Transmeton imam Buhariu, nr: 27.

[14] Marrë nga libri “Fet’hul Bari” i imam Ibnu Haxherit. fq: 1/151.

[15] Transmeton imam Muslimi, nr: 2312.

[16] Mehasinut te’uil: 5/244.

[17] Sure El Ahzab: 36.

[18] Transmeton imam Buhariu, nr: 221.

[19] Marrë nga libri “Sher’hul mumti ala zadil mustekni” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 4/165.

[20] Transmeton imam Buhariu, nr: 3518 dhe imam Muslimi, nr: 2584.

[21] Marrë nga libri “El Mufhim lima eshkele min telhisi kitabi muslim” i imam El Kurtubiut, fq: 3/107.

 

[22] Marrë nga libri “Sherhu sahihi Muslim” i imam Neueuiut, fq: 16/209.

[23] Sure El Kasas 15-19.

[24] Sure El Isra: 81.

[25] Sure El Ahzab: 68.

[26] Sure Taha: 47.

[27] Marrë nga libri “Meditimet e mia rreth tefsirit” i imam Esh Sha’rauit, fq: 20/14-15.

[28] Nuk bëhet fjalë për frutin e manës të cilët e njohim ne në Shqipëri, por për një lloj rrëshire si mjalti.

[29] Sure El En’an: 34.

[30] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 3231 dhe imam Muslimi, nr: 1795.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

23/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5506:3211:3414:0116:2317:49

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook