Vakëfi


Vakëfi

 

Ø Historik i shkurtër i vakëfit para Islamit

Ø Vakëfi në epokën islame

Ø Llojet e vakëfeve

 

Historik i shkurtër i vakëfit para Islamit

 

Njerëzia ka njohur disa forma të vakëfit, që kur ka filluar jeta shoqërore në tokë. Shërbimet publike, për të cilat kanë nevojë të gjithë njerëzit, kanë qenë element përbërës i çdo shoqërie. Janë zbuluar vende të përbashkëta adhurimi te shoqëri të zhytura thellë në antikitet. Siç janë gjetur puse, burime, rrugë dhe vende publike për mbledhje dhe tubime, amfiteatre si dhe toka e ndërtesa të posaçme për dobi të shumëllojshme ndaj njerëzve. Këto objekte nuk ishin pronë e ndonjë individi të veçantë. Po kështu edhe shfrytëzimi i tyre nuk bëhej nga persona të veçantë përveç personit të autorizuar për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre si kujdestarët e tempujve dhe amfiteatrove.

 

Në të shumtën e rasteve ishin mbretërit, pasanikët dhe autoritetet e ndryshme ata, që i ngrinin këto objekte dhe i përshtatnin për përdorime të ndryshme dhe po ata caktonin personat e duhur, për të administruar dhe mirëmbajtur ato.

 

Natyrshëm pranohet fakti, se çështja e pronësisë nuk ka qenë e qartë dhe e specifikuar si në ditët e sotme. Kjo do të thotë, se vakëfet kanë qenë të përziera me pronat e tjera publike dhe të pandara prej tyre. Mbretërit dhe autoritetet e ndryshme në shumë raste i fusnin këto objekte në pronat e tyre private, duke i pushtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ata vetë, apo duke ua dhënë atyre që donin dhe i fusnin në pronat publike e i trajtonin në të njëjtën formë me to. Megjithatë për gjatë gjithë kohërave kanë ekzistuar disa objekte të veçanta për shfrytëzim të përbashkët jashtë kuadrit të pronave publike apo private.

 

Nga objektet më të rëndësishme të vakëfit kanë qenë tempujt dhe vendet e adhurimit. Kjo do të thotë, se forma e parë e vakëfeve që ka njohur njerëzia, u paraqit te vakëfi fetar. Këto vakëfe konsistonin te tokat, ndërtesat dhe vendet e adhurimit dhe riteve, ku njerëzit demostronin besimin e tyre.

 

Në shoqëri të caktuara koncepti i vakëfit ka qenë më i përparuar. Egjiptianët e lashtë, gjatë epokave faraonike, kanë njohur një lloj të ri vakëfi, që nuk ekzistonte më përpara. Ky lloj vakëfi konsiston në toka bujqësore të dhëna nga disa autoritete dhe pasanikë për tu shfrytëzuar nga ana e templarëve për nevojat e tyre, për shpenzimet e tempujve dhe vendeve të adhurimit, apo për t’ua shpërndarë vetë templarëve, fukarenjve dhe nevojtarëve. Ky është një lloj vakëfi fetar, sepse përdoret nga autoritetet fetare por ndryshon nga vakëfi që përdoret për praktikimin e riteve fetare. Kështu që filluan të lindin format e para të një lloji të ri vakëfi që mund ta quajmë  “Vakëf investues (riprodhues )”. Ky lloj vakëfi konsiston në prona të patundshme, që shfrytëzohen dhe investohen në forma të ndryshme dhe fitimi i marrë prej tyre shfrytëzohet në ato fusha, për të cilat janë lënë vakëf. Pra, tokat për tu mbjellur me kultura të ndryshme bujqësore, puset për shitjen e ujit, urat dhe trapet për të kaluar, e gjitha kjo kundrejt një page të caktuar e cila shpenzohet për qëllimet e vakëfit. Enciklopedia ndërkombëtare “ Grolier “ shënon, se grekët ashtu si dhe romakët e kanë njohur këtë lloj vakëfi. (1)

 

Enciklopedia “ Amricana” konfirmon se shumë prej vakëfeve të grekëve dhe romakëve shpenzoheshin për bibliotekat e përgjithshme, për arsimin dhe për amfiteatrot, përveç atyre fetare. (2)

 

Vakëfi në epokën islame

 

Kurani fisnik na përmend, se Qabja e madhnueshme ka qenë: “Shtëpia e parë që është ndërtuar për njerëzit” (Ali Imran: 96)

 

Në bazë të mendimit se Qabja është ndërtuar nga Ademi (a.s) del në pah, se

 “Shtëpia e madhnueshme” të jetë vakëfi i parë fetar që ka njohur historia. Ndërsa në bazë të mendimit se Ibrahimi (a.s) është i pari që e ka ndërtuar, përfitohet se Qabja është vakëfi i parë i lënë në Islam, apo vakëfi i parë fetar monoteist.

 

Vakëfi në epokën islame ka filluar me ditët e para të historisë profetike në qytetin e Medines, që konsiston në ndërtimin e xhamisë “Kuba”, për të qenë kështu vakëfi i parë fetar i epokës islame pas ardhjes së profetit Muhamed (a.s). Kjo gjë ndodhi menjëherë pas hixhretit dhe para kalimit të Profetit (a.s) te vendbanimet e dajave të tij “Beni Nexharit”. Xhamia “Kuba“ u pasua me ndërtimin e xhamisë së Profetit

(a.s) në Medine, në tokën e disa jetimëve prej fisit “Beni Nexhar” të cilën Profeti (a.s) e bleu 800 dërhem, duke e lënë vakëf për vendadhurim. ( 3 ) Referencat e jetëshkrimit të Profetit (a.s) na flasin për vakëfin e pusit të “Rumah”, vakëf i lënë nga Othmani (r.a). Këtë pus, para se ta blinte Othmani (r.a), e kishte në pronësi dikush, që abuzonte me çmimin e ujit, duke shfrytëzuar nevojën që kishin muslimanët për të. Profeti Muhamed (a.s) i ftoi dhe i nxiti muslimanët për ta blerë: “Kush e blen pusin e “Rumah“ Allahu ia fal mëkatet” ( 4 ). Othmani (r.a) e bleu dhe e la vakëf, duke kushtëzuar që pjesa e tij të ishte e barabartë me muslimanët e tjerë”. ( 5 )

 

Pas çlirimit të “ Hajberit “- krahinë në veri të gadishullit arabik- një prej atyre që patën pjesë në këtë tokë ishte edhe Umer ibnu Hattabi (r.a). Kjo tokë ishte nga pasuritë më të dashura të tij për prodhimtarinë e madhe të saj. Ai e pyeti Profetin (a.s) se si të vepronte, sepse kishte ndërmend ta linte vakëf për hir të Allahut. Profeti i rekomandoi qa ta bënte këtë tokë të panegociueshme dhe të patrashëgueshme (Habs), ndërsa të ardhurat e saj t’u jepeshin fukarenjve dhe të vobektëve. ( 6 ) Është e qartë se kjo ka ndodhur pas çlirimit të Hajberit në vitin e 7-të të hixhrit. Umeri (r.a) e dokumentoi këtë vakëf , e nënshkroi me dëshmitar dhe e deklaroi ndër njerëz gjatë kohës së hilafetit të tij. Pas këtij veprimi të tij nuk mbeti familje sahabiu pa lënë vakëf  tokë apo pasuri të patundshme. Pati edhe prej atyre, që bënë pjesëtarë, pra përfitues në vakëfet e lëna edhe pasardhësit e tyre. Kështu që lindi vakëfi familjar apo fisnor.

 

Siç e pohon edhe enciklopedia “Americana“ 11/646 vakëfi familjar apo fisnor është një risi islame, të cilën ligjet perëndimore e kanë njohur vetëm pas gjysmës së dytë të shekullit të 19-të. Ndërsa vakëfi bamirës, për nevojat e fukarenjve dhe nevojtarëve, i lënë nga Umeri (r.a) qe fryt i revelatës apo shpalljes hyjnore, sepse qe udhëzim profetik dhe jo duke iu referuar përvojave të mëparshme egjiptiane, greke apo bizante.

 

Pra duke u nisur nga fakti, se burimet historike nuk tregojnë për ekzistencën e vakëfeve me karakter bamirës, publik te arabët e paraislamit, si dhe duke u nisur nga fakti se kontakti i Profetit (a.s) me detajet e jetës së popujive të tjerë ka qenë shumë i paktë, duam të themi se shtrirja e idesë së vakëfit nga institucioni fetar tek dimensioni shoqëror qe risi islame e sjellë nga Profeti Muhamed (a.s) të paktën për mjedisin arab, ashtu siç ndodhi edhe me vakëfin familjar apo fisnor në më pak se 10 vjet pas vdekjes së tij (a.s).

 

Llojet e vakëfeve

 

Zgjerimi i madh në ngritjen e vazhdueshme të vakëfeve islame si dhe ruajtja e vakëfeve të mëparshme përgjatë epokave të njëpasnjëshme të historisë, ka çuar në grumbullimin e një sasie të madhe e të shumëllojshme të vakëfeve islame, si në aspektin e llojit të pasurive të lëna vakëf në aspektin e qëllimiveve për të cilën është lënë, në aspektin e formës ligjore, në aspektin e përmbajtjes ekonomiko-financiare, në aspektin e llojeve te vakëflënëseve dhe në aspektin e administrimit.

 

Llojet e vakëfeve në bazë të mënyrës së administrimit.

 

1.-Vakëf  i administruar nga vete vakëflënësi apo njëri nga trashëgimtarët e tij.

 

2- Vakëf i administruar nga vetë përfituesi i vakëfit.

 

3- Vakëf me administrator të caktuar nga gjyakata. Ky lloj administrimi lindi, pasi me kalimin e kohës disa vakëfeve u humbën dekumentacionet përkatëse e si pasojë edhe forma e administrimit u bë e pa njohur.

 

4-Administrimi qeveritar. Ky lloj lindi në kohët e fundit veçanërisht pas miratimit të ligjit për formimin e ministrisë së vakëfeve në perandorinë osmane në mesin e shek. të 19.

 

 Llojet e vakëfeve në bazë të gjendjes së vakëflënësve

 

1. Vakëfet e lëna nga pasanikët. Pjesa më e madhe e vakëfeve islame kanë qenë të lëna nga pasanikët, veçanërisht tokat dhe fermat.

 

2. Vakëfet nga pasuritë e shtetit. Në epokën e hilafetit abbasit qeveritarët ngritën shumë shkolla dhe universitete, si dhe caktuan shumë toka dhe ferma për vakëf. Pjesa më e madhe e këtyre pasurive ishin prej pronave të shtetit dhe jo pronë personale e ndonjë pushtetari apo civili.

Veçonarisht në epokën ejupite , memlukase dhe osmane ky lloi vakëfi u zgjerua shumë. U ngritën shumë shkolla, universitete, biblioteka të përgjithshme dhe për mbulimin e shpenzimeve të këtyre institucioneve u lanë shumë toka dhe ferma.

 

3. Vakëfi i testamentit: vakëfi i një të tretës së pasurisë që muslimani ka të drejtë ta lejë me testament për kë të dojë. Ky lloj vakëfi hyn në fuqi pas vdekjes së vakëflënësit.

 

 Lloji i vakëfeve në bazë të përmbajtjes financiaro-ekonomike.

 

1.- Vakëfet me përfitim të drejtpërdrejtë. Janë ato vakëfe që i japin përfitim të drejtpërdrejtë anës, për të cilën është lënë. E tillë është xhamia, që i mundëson myslimanëve faljen, shkolla për nxënësit apo spitali.

 

2.- Vakëf me qëllim investimi. Ky lloj vakëfi- në ndryshim me të parim- nuk e ka përfitimin apo dobinë e drejtpërdrejtë, por nëpërmjet të ardhurave të marra nga investimet që bëhen në fushat e ndryshme si ajo e bujqësisë, tregtisë, industrisë etj. Në këtë rast prodhimet e ketyre vakëfeve, tokë bujqësore apo fabrikë,,, etj., shiten dhe këto të ardhura përdoren në interes të qëllimit, për të cilin është lënë vakëfi,

 

Ndryshimi mes vakëfit me përfitimin të drejtpërdrejtë dhe këtij të fundit konsiston në mënyrën e menaxhimit dhe të mirëmbajtjes. Në rastin e të parit burimet e mirëmbajtjes  duhet të sigurohen nga jashtë tij, për faktin se nuk është riprodhues. Në rastin e të dytit nevojat për mirëmbajtjen e tij sigurohen nga një pjesë e të ardhurave të marra nga investimi i këtij vakëfi.

 

Llojet e vakëfeve në bazë të formës ligjore

 

1. Vakëfi i përgjithshëm. Ky vakëf përfshin të gjithë ato, që i bashkon cilësia e përcaktuar nga vakëflënësi. P.sh. vakëfi i fukarenjve i përfshin të gjihtë fukarenjtë. Vakëfi i dijetarëve, i përfshin të gjithë dijetarët etj.

 

2. Vakëfi familjar apo fisnor. Ky lloj vakëfi përcaktohet për një apo më shumë persona të caktuar, që mund të kenë edhe lidhje farefisnore me vakëflënsin.

 

3. Vakëfi i përbashkët. Kemi të bëjmë me këtë vakëf, atëherë kur vakëflënësi e lë një pjesë të vakëfit për pasardhësit e tij. Pjesën tjetër për dobi të nevojtarëve të tjerë, apo thënë ndryshe, për bamirësi.

 

 Llojet e vakëfit në bazë të gjatësisë së kohës.

 

1-Vakëfi i përhershëm apo i përjetshëm, gjë që kristalizohet realisht te vakëfet e tokave. Ndërsa pasuritë e tjera, siç janë ndërtesat, nuk mund të jenë të tilla, me përjashtim të rastit kur një pjesë e të ardhurave të vakëfit përdoret për mirëmbajtjen e objektit apo zëvendësimin e tij në rast nevoje. Në rast të kundërt nuk mund të kemi vakëf të përjetshëm përveç vakëfeve të tokave.

 

2-Vakëf i përkohshëm.Kjo ndodh ose per shkak të natyrës së pasurisë së lënë vakëf, ose nga dëshira e vakëflënësit.

 

 Llojet e vakëfeve sipas qëllimeve dhe objektivave të tij.

 

Kjo kategori vakëfesh është dominantja në historinë e vakëfit islam. Muslimanët u bënë mjeshtra të shpikjes së motiveve të ndryshme pozitive të vakëfeve. Qëllime që jo lehtë i shkojnë ndërmend njeriut duke përfshirë kështu qëllimet e afërta e të mëdha dhe për tu shtrirë deri tek synime shumë të rralla specifike bamirësie. Kjo gjë që e shndërroi vakëfin islam në një institucion shoqëror të madh, që i kursente shtetit ndërhyrjen për të realizuar shumë prej interesave të përgjithshme njerëzore në qytete, fshatra e në situata të ndryshme.

 

1-Sigurimi i ujit të pijshëm për njerëzit ka qenë nga objektivat e para të vakëfit islam. Kjo gjë që u kristalizua së pari te pusi “Rumah”, vakëfi i Othmanit, derisa u përhapën vakëfet e ujit të pijshëm në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendeve islame. Kjo mundësoi eleminimin e fenomenit të shitjes së ujit të pijshëm në vendet islame, për tu shfaqur përsëri në epokën moderne me shitjen e ujit me shishe.

 

2-Vakëfet e puseve dhe të burimeve përgjatë rrugëve të haxhit dhe karvanëve tregtare. Të tilla janë puset e Zubejdes, gruas së Harun Rashidit, nga Iraku në Hixhaz.

 

3-Vakefet e haneve per të pushuar udhëtarët dhe kafshët e tyre.

4-Vakëfet e rrugëve, urave, barkave dhe trapeve.

5-Vakëfet e kandilave për ndriçimin e rrugëve.

6-Vakëfet e hamameve dhe vendeve të pastrimit.

7-Vakëfet e ndryshme për ndihmën e te vobektëve.

8-Vakëfet e nxënësve të dijes.

9-Vakëfet e jetimëve.

10-Vakëfet e dijetarëve.

11-Vakëfet e grave të veja.

12-Vakëfet e pleqve.

13-Vakëfet e foshnjave.

14-Vakëfi i enëve të thyera. Në rastin kur një shërbëtor thyente një enë të zotëriut të vet, e ndërronte me një të re tek ky lloj vakëfi.

15-Vakëfet e të sëmurëve. Këtu vlen të përmendet vakëfi i terapisë së të sëmurëve psiqikë. Dy persona afroheshin tek i sëmuri dhe duke u fshehur nga ai, i pari e pyeste të dytin: Si është filani? I dyti: Shumë shpejt do shërohet.

16- Vakëfet e bibliotekave.

17-Vakëfet e shkollave dhe universiteteve.

18-Vakëfet e konvikteve.

19-Vakëfet e zogjve dhe pëllumbave.

20-Vakëfet e kafshëve shtëpiake, të qenve e të maceve.

21-Vakëfet e kafshëve të humbura, të vjetra apo të çmendura.

22-Vakëfet e mirëmbajtjes së objekteve të kultit.

23-Vakëfet e mbrojtjes nga armiqtë.

 

Vakëfet sipas llojit të pasurive

 

Historia e zhvillimit të vakëfit islam tregon, se vakëfi ka përfshirë të gjithë llojet e pasurive të lejueshme, të tundshme e të patundshme.

-Tokat bujqësore e jobujqësore

-Ndërtesat për shkolla, për xhami e qëllime të tjera.

-Pasuritë e patundshme si mjetet bujqësore, kafshët, librat, mus’hafet, sexhadet, tapetet … etj.

-Vakëfi i parave. Dinarët, florinjtë dhe dërhemët e argjendtë liheshin vakëf për njerin nga këto dy qëllime: për t’ia dhënë borxh atij që ka nevojë, për t’i kthyer përsëri që t’i jepen dikujt tjetër në nevojë, si dhe për qëllim investimi. Një pjesë e caktuar parash vakëfi i jepen dikujt të bëjë tregti me ta, një pjesë të fitimit e mban për vete e tjetrën për nevojtarët. Ky lloj vakëfi mendohet të ketë filluar që në kohën e sahabeve dhe tabiinëve, siç transmeton imam Buhariu.

 

1-      Enciklopedia “ Grolier“. Vll.8. Fjala Fondation

2-      Enciklopedia “ Americana “. Vll. 9. Fjala Fondation

3-      Sireh Ibnu Hisham. Tema e hixhretit

4-      Transmeton imam Nesaiu.

5-      Hatem En-nebijjine Muhamed Ebu Zehre

6-      Transmeton Buhariu dhe Muslimi

 

Materiali është marrë nga libri me titull: “Al-wakf el-islami tetauruhu, idaretuhu, tenmijetuhu” i Dr. Mundhir Ilarf

 

 Mr. Sabahudin Jashari

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

05/03/2021
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:34 06:0511:5915:0717:4119:02

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook