By: ardhmeriaonline

Vdekja e tyre përbën një humbje për umetin


Abdullah ibnu Amër (r.a) transmeton se profeti (a.s) ka thënë: Allahu nuk ua heq diturinë njerëzve në mënyrë të menjëhershme, por ua heq atë me heqjen e dijetarëve. Atëherë kur të mos ketë ngelur asnjë dijetar, njerëzit do të marrin për të parë injorantët. Kur të pyeten, do të japin përgjigje pa kurrfarë dije. Ata kanë humbur vetvetet dhe po ashtu do t’i çojnë të tjerët në humbje”.

 

Kuptimi i disa shprehjeve:

Në mënyrë të menjëhershme: duke e fshirë nga zemrat e dijetarëve.

Heqjen e dijetarëve: me vdekjen e tyre.

 

Dritë mbi kuptimin e hadithit:

Sa e lartë është pozita e dijetarëve të devotshëm! Ata janë ndriçuesit e errësirës dhe trashëguesit e profetëve. Allahu i ka ngritur ata në grada të larta. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që kanë besuar, Allahu i ngre në grada, ndërsa atyre që iu është dhënë dije, ngihen në grada më të larta”. (El Muxhadele: 11)

Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: A krahasohen ata, që dinë me ata që nuk dinë? Me të vërtetë vetëm ata që kanë logjikë përkujtojnë”. (Ez Zumer: 9)

Dijetarët e sinqertë janë njerëzit, që e kanë më shumë frikë Zotin se kushdo tjetër e janë më të përkushtuar, Ata bëjnë vepra të mira në sajë të dijes që mbartin, e cila ua rrënjos besimin në zemra. Allahu i ka përshkruar dijetarët duke thënë: “Ata që e kanë frikë Allahun nga robërit e tij janë dijetarët”. (El Fatir: 28)

Kjo frikë e rrënjosur në zemrat e tyre i bën ata, që të konkurojnë për të fituar kënaqësinë e Allahut, të sakrifikojnë për të thirrur të tjerët në fenë e Allahut, të mësojnë, të udhëzojnë e të këshillojnë njerëzit dhe digjen përbrenda, kur shikojnë që të tjerët mëkatojnë. Dijetarët janë ata, të cilët largohen nga kërkesat e kësaj bote të përkohshme.

Allahu i Lartësuar ka garantuar ruajtjen e dijes në zemrat e dijetarëve dhe se nuk për ta hequr atë menjëherë, përderisa ata e meritojnë një gjë të tillë. Ky është një nder i madh, ngritje e pozitës së tyre, nxitje për të marrë shembull dhe për t’u shoqëruar me ta, si dhe për të përfituar prej tyre. Kur të vdesin këta dijetarë të sinqertë dhe bijtë e umetit musliman të neglizhojnë për të kërkuar dijen e për të përfituar nga moralet e saj, atëherë u jepet rasti të paditurve dhe atyre që duan degjenerimin, për të qenë të parët. Këta njerëz do t’i mësojnë të tjerët, do t’u përgjigjen njerëzve sipas mendimeve dhe dëshirave të tyre dhe do të rrëmbejnë këtë pozitë të lartë, për të realizuar qëllimet e kësaj bote. Ata kanë humbur në një humbje të madhe dhe në të njëjtën kohë e kanë çuar edhe umetin në humbje me injorancën dhe shthurjen e tyre.

Kur të vijë kjo kohë, do të thotë se dita e Gjykimit është afër dhe kjo është prej shenjave të saj, ashtu siç ka thënë profeti (a.s): Prej shenjave të ditës së Gjykimit është largimi i dijes dhe shtimi i injorancës”. Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Për këtë arsye profeti (a.s) e ka këshilluar popullin e tij, që të ruhet nga kjo fatkeqësi rrënuese. Prej këshillave që u dha shokëve të tij në haxhin e lamtumirës ishte edhe rëndësia, që duhet t’i kushtonin kërkimit të dijes, përpara se ajo të hiqet. Ebu Umameh ka thënë: Në haxhin e lamtumirës profeti (a.s) ka thënë: Merreni dijen, përpara se ajo të hiqet e të ngrihet. Si do të ngrihet?-pyeti një i pranishëm. Dija do të largohet me largimin e mbartësve të tij. (këtë e përsëriti tre herë) Transmetojnë imam Ahmedi dhe imam Tabaraniu.

Kur Ebu Dardai ka qenë mësues në qytetin e Damaskut, i ka këshilluar njerëzit për kërkimin e dijes duke u thënë: “Mësoni përpara se të largohet dija. Largimi i dijes vjen si rezultat i vdekjes së dijetarëve. Dijetari dhe i shkolluari e kanë shpërblimin të njëllojtë”. Në një transmetim tjetër thuhet: “O banorë të Damaskut, ju jeni vëllezër në fe, komshinj, përkrahës të njëri-tjetrit kundër armikut.. Po pse unë po shikoj, që dijetarët tuaj po ikin dhe të paditurit nuk e marrin mundimin që të mësojnë?! Mësoni dhe ua mësoni të tjerëve dijen që keni mësuar, sepse dijetari dhe i shkolluari kanë shpërblim të njëllojtë. Pas tyre tek njerëzit nuk ka më asnjë të mirë”.

Abdullah ibnu Mes’udi (r.a) ka thënë: “E keni për detyrë që të merrni dije, përpara se ajo të hiqet. Heqja e saj bëhet nëpërmjet vdekjes së përcjellësve të saj”.

Hasan El Basriu ka thënë: “Njerëzit kanë thënë: vdekja e dijetarit krijon një të çarë në Islam. Askush nuk e mbulon atë”.

Nuk ka dyshim se vdekja e një dijetari përbën një humbje të madhe për popullin musliman. Zëvendësimi i saj arrihet nëpërmjet dhënies rëndësi kërkimit të dijes, nga ana e të rinjve, përfitimit nga dijetarët e devotshëm, sa janë gjallë dhe përzgjedhjen e ajkës së të rinjve të umetit, për të qenë të disponueshëm që të mbajnë mbi supe amanetin e dijes fetare e të specializohen në të me sinqeritet e me nijet të pastër.

Të rinjtë duhet të kenë shumë kujdes, që të mos mashtrohen nga titujt shkencorë që marrin, duke menduar se kanë arritur majat dhe kanë arritur në nivelin e dijetarëve. Shikon ndonjërin prej tyre, që drejton një mexhlis duke qenë fodull me dijen që ka e duke u treguar mendjemadh ndaj vëllezërve të tij të mëparshëm. Kur pyetet për ndonjë çështje, të cilën nuk e di, jep përgjigje pa kurrfarë dije, nga frika se mos zbulohet nga njerëzit se ai nuk është i dijshëm. Madje e shikon atë që të debatojë në çështjet e dijes, në mënyrë që të njihet si dijetar.

Imam Ibnu Rexhep El Hanbeli ka folur rreth kësaj gjëje, duke thënë: “Prej kësaj, shumë prej bashkëkohësve janë magjepsur. Ata kujtojnë, se ata që flasin shumë dhe debatojnë në çështjet e fesë, janë më të dijshëm se të tjerët. Kjo është një injorancë e plotë, sepse nuk quhet dije kur ka shumë fjalë. Ajo është dritë, që hidhet në zemër, nëpërmjet të cilës njeriu kupton të vërtetën dhe dallon të vërtetën nga e shtrembërta”.

Është detyrë e të rinjve, që t’i japin rëndësi kërkimit të dijes, duke kërkuar me sinqeritet kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. T’i luten Allahut, që t’u japë sukses dhe të kenë kujdes nga ngacmimet e shejtanit dhe sëmundjet e shpirtit, të cilat të urdhërojnë për keq. Ta madhërojnë dijen, që u ka dhënë Allahu e mos ta përlyejnë atë me ndonjë gjë lakmitare të kësaj bote.

Një poet thotë:

Nëse dijetarët do ta ruanin dijen, ajo do t’i ruante ata.

Nëse do ta madhëronin në shpirtra, do të madhëroheshin.

Por ata e kanë përbuzur, për këtë janë përbuzur dhe e kanë përlyer jetën e tyre me gjëra lakmitare, derisa janë ngrysur në fytyra.

 

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1-Dijetarët e sinqertë janë ndriçuesit e errësirës dhe udhëzuesit e njerëzimit. Ata ndërtojnë popuj dhe ripërtërijnë vendosmëritë.

2-Vdekja e dijetarëve është një humbje dhe fatkeqësi e madhe.

3-Motivimi për kërkimin e dijes teologjike, përpara heqjes së dijes me vdekjen e dijetarëve.

4-Kujdesi që duhet patur nga dhënia e përgjigjeve pa kurrfarë dije.

5- Prej shenjave të ditës së gjykimit është ngritja e dijes dhe përhapja e injorancës në çështjet e fesë.

6- Rreziku i kokave të injorantëve, që shfaqen si të dijshëm, është i madh për umetin musliman.

 

 

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Rating: 4.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/09/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:4106:1512:4316:1218:5920:22

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook