Objektivat e familjes në Kuran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani Fisnik i kushton shumë rëndësi familjes dhe e konsideron atë si një prej shenjave të mëdha të Zotit, me të cilën Ai i ka begatuar robërit e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nga shenjat e Tij është që Ai krijoi për ju nga vetja juaj bashkëshorte, që të gjeni qetësi te ato, dhe Ai vendosi ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë”[1]Kurani shpjegon në detaje rregullat dhe ligjet që rregullojnë familjen, rregulla dhe ligje të cilat nuk i gjejmë në asnjë sistem, organizatë apo institucion tjetër. Këto rregulla lidhen me besimin dhe dispozitat dhe jo vetëm kaq, por ato janë objektiv dhe qëllim në vetvete.

Edhe pse termi “familje” nuk përmendet drejtpërdrejt në Kuran, ai është zëvendësuar me terma si “al” dhe “ahl”, të cilat tregojnë grupin e afërt të një njeriu dhe fisin e tij. Nga këto terma kuptohet që familja formohet përmes martesës midis një burri dhe një gruaje, e cila sjell në jetë fëmijë dhe pasardhës.

Objektivat e familjes janë qëllimet dhe synimet që Kurani sjell për të strukturuar marrëdhëniet familjare. Dijetarët kanë përdorur terma të ndryshme për të shprehur këto objektiva. Disa kanë përdorur termin “ruajtja e pasardhësve”, të tjerë “ruajtja e lidhjeve familjare“, dhe disa kanë përdorur terma të tjerë si “ruajtja e nderit”..etj. Këto terma tregojnë fleksibilitetin që kanë pasur dijetarët në trajtimin e këtyre koncepteve dhe se ato shpesh lidhen me njëra-tjetrën.

Gjithashtu, ka pasur mendime të ndryshme midis juristëve, sidomos atyre bashkëkohorë, për të përcaktuar se cila nga këto objektiva është thelbësor për ruajtjen e familjes dhe cila është më pak e rëndësishme. Disa juristë, si Ibn Ashuri, Raisuni dhe Zuhaili, kanë konsideruar “ruajtjen e pasardhësve” si një objektiv thelbësor, ndërsa ruajtjen e lidhjeve familjare dhe të nderit si qëllime plotësuese. Ndërsa juristëtë tjerë, si Nurudin al-Khadimi, i kanë konsideruar të tre këto objektiva si pjesë e një objektivi të vetëm thelbësor.

Klasifikimi i objektivave të familjes sipas Kuranit

Diversiteti në klasifikim ka sjellë një shumëllojshmëri të madhe të objektivave të përcaktuara nga dijetarët. Profesor Muhamed Sheikh ka folur rreth objektivave të familjes sipas dijetarëve dhe ka gjetur njëzet syresh; disa prej të cilave lidhen me objektivat e përgjithshme kuranore, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me objektivat e legjislacionit islam. Këto objektiva mund t’i klasifikojmë si më poshtë:

1 – Ruajta e llojit (njerëzimit): Ky është objektivi i parë i sheriatit, i cili përfshin tre lloje:

A – Ruajta e llojit dhe të pasardhësve: duke siguruar ekzistencën dhe riprodhimin.

B – Ruajtja e përkatësisë biologjike: përmes lidhjeve familjare dhe trashëgimisë.

C – Ruajta e vlerave morale: përmes “pastrimit” fizik dhe shpirtëror.

Kurani Fisnik ka folur për secilën  prej këtyre objektivave të lartpërmendura:

Në llojin e parë që është  “Ruajtja e llojit dhe të pasardhësve, Kurani përcakton që martesa është mënyra e vetme për të ruajtur llojin. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, që ju krijoi prej një shpirti të vetëm dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij, dhe prej tyre u shpërndanë shumë burra dhe gra.”[2] Pikërisht kjo është arsyeja se përse Islami nuk e miraton murgërinë dhe ndalon vrasjen e fëmijës qysh në embrion, sepse që të dyja këto raste janë shkak i humbjes së vazhdimsisë së jetës në tokë.

Një nga manifestimet e llojit të dytë që është Ruajtja e përkatësisë biologjike”  që ka të bëjë me lidhjet e gjakut (të familjes) është që ajo të mos cënohet në asnjë rast. Kështu që për realizimin e këtij objektivi janë përcaktuar një sërë rregullash e dispozitash fetare si për shembull Islami ka ndaluar imoralitetin, adoptimin, ka folur për rregullat e gjidhënies, rregullat e periudhës së pritjes pas divorcit apo vdekjes së burrit, ka ndaluar fshehjen e asaj që gjendet në mitër si dhe çfarë e pohon apo mohon përkatësinë e prejardhjes. Të gjitha këto masa nënkuptojnë ruajtjen dhe mbrojten e prejardhjes së njeriut me qëllim që mos të ngatërohet dhe pështjellohet çështja e lidhjeve të gjakut.

Sa i përket llojit të tretë, që lidhet me “ruajtjen e vlerave dhe moralit”, i shprehur përmes përmirësimit moral ose edukimit, kjo është diçka unike me të cilën njeriu bën dallim nga të gjitha krijesat e tjera.  Kafsha jeton pa moral që të drejtojë dhe të kontrollojë sjelljen e saj, ndërsa njeriu nuk mundet të jetojë pa të. Nuk ka institucion që mund ta bëjë këtë përveç familjes, e cila luan rolin më të madh në këtë drejtim. Për këtë arsye, feja ka vendosur shumë rregulla dhe ligje si ato për shpenzimin ndaj familjes, kujdestarinë, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe gjithçka tjetër që lidhet me edukimin dhe përkujdesjen për fëmijët.

2 – Ruajtja e virtyteve të larta të moralit:

Fjala arabe “ihsan” që në shqip përkthehet virtytet e larta të moralit ka ardhur me disa kuptime në Kuran dhe në shumicën e rasteve kjo fjalë ka lidhje të drejtpërdrejtë me gratë.

Kuptimi i parë: Martesë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ju ndalohet martesa edhe me gratë që gjenden në kurorë, përveç atyre që i zini robëresha.”[3]

Kuptimi i dytë: Dlirësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet ata që akuzojnë gratë e ndershme[4]

Kuptimi i tretë: Liri. Allahu i Madhëruar thotë: “Ju ndalohet martesa edhe me gratë (e lira) që gjenden në kurorë, përveç atyre që i zini robëresha.”[5]

Të gjitha këto kuptime të fjalës “ihsan” nënkuptojnë njëra – tjetrën. Dlirësia rrjedh nga martesa dhe në të kaluarën gratë e lira e kishin për turp të kryenin imoralitet. Prandaj edhe ato janë emërtuar me emrin “ihsan”

Për realizimin e këtij objektivi sheriati islam ka ardhur me një sërë ligjesh e rregullash si motivimi për të t’u martuar, frenimin nga marrëdhëniet ilegale, vendosjen e hixhabit, etj.

3 – Qetësia dhe prehja:

Edhe kjo është një objektivave themelorë të cilën e ka cekur Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik duke thënë: “Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm, prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij që të gjente qetësi tek ajo.”[6]

Që qetësia shpirtërore të arrihet, Allahu i Madhëruar krijoi të dy gjinitë nga një shpirt i vetëm, pasi kjo është më e përshtatshme për afrimin e tyre dhe më larg nga antipatia. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar ka legjitimituar martesën që të jetë e përhershme dhe jo që të jetë e përkohshme. Duke u nisur nga ky fakt, Islami e konsideron të pavlefshme çdo formë martese të caktuar paraprakisht me një kohëzgjatje të caktuar, siç është martesa e përkohshme dhe të tjera të ngjashme. Po për këtë arsye, janë ligjësuar rregulla dhe sjellje për një bashkëjetesë të mirë ndërmjet bashkëshortëve të cilën Allahu i Madhëruar e përshkruan atë si një veprim të mirë. I Lartmadhëruari thotë: “Dhe bashkëjetoni me to në mënyrë të mirë. Nëse i urreni ato, ndoshta ju urreni diçka, ndërsa Allahu mund të sjellë shumë të mira në të”[7] që do të thotë se çdo gjë përtej sjelljes së mirë është e keqe ose mëkat.

4 – Mëshira:

Familjet krijohen dhe shoqëritë zhvillohen mbi bazë të lidhjeve të gjakut. Lidhja e gjakut është përcaktuesi biologjik mbi të cilin themelohet familja, ndërsa mëshira është përcaktuesi vleror mbi të cilin themelohet familja në aspektin e moralit dhe shpirtëror. Ajo (mëshira) është garancia për vazhdimin e kryerjes së detyrave të saj familjare dhe shoqërore. Sipas sheriatit, lidhja e gjakut  nuk është thjesht një proces biologjik, por përfshin tërësinë e marrëdhënieve dhe ligjeve që lindin nga martesa, si marrëdhëniet e bashkëshortëve me njëri-tjetrin, marrëdhëniet e prindërve me fëmijët, lidhjet e krushqisë, rregullat e gjidhënies, trashëgimia..etj.

Mëshira është një objektiv kuranor e cekur në shumë ajete kuranore, si në ajetin: “Dhe ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër nga ç’e pati si Mëshirë prej Nesh dhe Përkujtues për ata që janë të brymosur me mendje të shëndoshë.”[8] Apo në ajetin tjetër: “Dhe nga treguesit e Tij është se Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) në mesin tuaj, që ju të mund të gjeni prehje tek ato dhe Ai vendosi mes jush dhembshuri e mëshirë. Vërtet që në të ka tregues të qartë për popullin që e vret mendjen.”[9]

Mëshira shfaqet në të gjitha komponentët dhe elementët e familjes si në rastin e bashkëshortëve me njëri-tjetrin, midis prindërve dhe fëmijëve, midis vëllezërve dhe motrave me njëri-tjetrin. Kështu pra mëshira midis individëve të familjes konfirmon se Islami synon mbrojten e unitetit të familjes.

5 – Kohezioni social:

Doktor Abdulmexhid Nexhar thotë se kohezioni social është një prej objektivave themelore të krijimit të familjes. Këtë mendim të tijin ai e mbështet në faktin se sheriati e ka konsideruar familjen si një çështje sociale dhe jo si privatësi midis bashkëshortëve, pasi i ka ngarkuar asaj një pjesë të përgjegjësive. Pikërisht për këtë arsye ligjërimi kuranor në lidhje me krijimin e lidhjeve familjare është përdorur në shumës. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe martoni ata nga mesi juaj që janë të pamartuar, martoni edhe robërit e robëreshat tuaja, që janë të ndershëm e të ndershme!”[10] “Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre dërgoni një gjykues të drejtë nga familja e tij dhe nga familja e saj.”[11] Kështu pra këto ajete kuranore janë tregues i qartë se problemet e ndryshme familjare janë çëshjte të cilat kanë lidhje me shoqërinë.

Kushdo që hedh vështrimin rreth dispozitave fetare që kanë lidhje me çështjet e familjes do të vërejë – qartësisht – se synojnë forcimin e marrëdhënieve shoqërore midis individëve të shoqërisë dhe shmangies së shkaqeve që të shpien në urrejtje dhe antipati.

Shkurtimisht themi se Kurani Fisnik ka folur gjerë e gjatë rreth objektivave të familjes dhe nuk është mjaftuar thjesht me përligjjen e disa dispozitave fetare që synojnë rregullimin e marrëdhënieve midis anëtarëve të familjes.

Përktheu: Elton Harxhi

 

 

 

 

[1] – Sure Rum: 21

[2] – Sure Nisa: 1.

[3] – Sure Nisa: 24.

[4] – Sure Nur: 23.

[5] – Sure Nisa: 24.

[6] – Sure A’raf: 189.

[7] – Sure Nisa: 19.

[8] – Sure Sad: 43.

[9] – Sure Rum: 21.

[10] – Sure Nur: 32.

[11] – Sure Nisa: 35.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *