Amir ibn Abdulla Temimi dhe durimi i tij

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fillojmë me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.

Falenderimet më të sinqerta i takojnë Zotit të Madhëruar, paqa dhe mëshira e Tij qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), familjen dhe shokët e tij të nderuar.

Amir ibn Abdulla Temimi, ku vumë theksin ishte një nga modelet më të mira, gjë të cilën e vërteton dhe etiketimi i tij si “Zahidi i Basras”, gjë e cila nuk mund të thuhet pa u bazuar mbi diçka.

Gjithësesi, edhe jeta e tij, përveç aspekteve pozitive, kishte të tatëpjetat, vuajtjet dhe sprovat. Në çdo shoqëri ka pasur dhe do të ketë keqbërës dhe dashakeqë, të cilët nuk i lënë njerëzit në qetësinë dhe jetën e tyre private.

Me këtë rast, më kujtohet një i ditur i cili po ashtu kishte cilësi dhe morale të larta. Por që një ditë u akuzua padrejtësisht dhe si rrjedhojë u burgos. Kur u burgos, ai u pa i gëzuar dhe i buzëqeshur. Të habitur, të pranishmit e pyetën mbi shkakun e gëzimit, ndërkohë që duhej të hidhërohej dhe dëshpërohej. Ai u përgjigj: ”Vetëm tani u sigurova që paskam të drejtë. Si mund të kesh të drejtë dhe të mos sprovohesh?!”

Njerëzit e ndershëm dhe të mirë, mund të sprovohen me lloje të ndryshme sprovash dhe fatkeqësish.  Njeriu dhe besimtari do të sprovohet, me qëllim që të vërtetohet sinqeriteti nga mossinqeriteti, besnikëria nga tradhëtia, nderi dhe korrupsioni.

Si shkak për sprovën e Amir ibn Abdullah Temimi, është një histori e çuditshme, ku ai u bë personazh i saj vullnetarisht.

Një ditë, një polic kishte kapur për këmishe një të krishter që banonte në trojet islame dhe po e tërhiqte me zor. I krishteri përpiqej t’i qëndrojë policit dhe thërriste me të madhe: ”O myslimanë! Mbrojeni besën që na ka dhënë Profeti juaj ne të krishterëve!”

Amir ibn Abdulla Temimi ishte prezent në ato çaste dhe i revoltuar iu afrua të krishterit dhe e pyeti: ”A i ke paguar taksat?”

I krishteri i tha: ”Po, i kam paguar.”

Amir ibn Abdulla Temimi tha: ”Mos ke bërë ndonjë krim?”

“Jo për Zotin!” iu përgjigj i krishteri.

Atëherë Amir ibn Abdulla Temimi iu drejtua policit që përpiqej t’a tërheqë me forcë dhe i tha: ”Çfarë krimi paska bërë ky i shkretë që të meritojë një trajtim të tillë?”

Polici i tha: ”Unë e dua për kopështin e kryepolicit, me qëllim që t’a pastrojë.”

Amir ibn Abdulla Temimi iu drejtua të krishterit dhe i tha: ”Po ti, a pranon të shkosh të pastrosh kopështin e kryepolicit?”

I krishteri i tha: ”Jo. Ai më lodh jashtë mase dhe nuk më paguan aq sa të garantoj ushqimin e ditës për fëmijët dhe familjen.”

Amir ibnu Abdulla Temimi iu drejtua policit dhe i tha: ”Lëre të shkojë!”

Polici tha: ”Nuk e lë derisa të vijë me mua.”

Amir ibn Abdulla Temimi hoqi xhyben e tij dhe duke ia hedhur krahëve të krishterit i tha: ”Për Zotin, nuk do të shkelet besa e Profetit tonë, sa të jem unë gjallë.”

Polici iu kthye dhe i tha: ”Kush je ti që ndërhyn në punën time?!”

Ndërkohë rreth tyre ishin grumbulluar shumë njerëz, që u solidarizuan me të krishterin dhe Amir ibnu Abdulla Temimim. Të gjithë e shtynë policin dhe e shpëtuan të krishterin nga një sjellje dhe trajtim i tillë.

Polici u zemërua dhe inatos nga kjo ndërhyrje e Amir ibn Abdulla Temimit. Menjëherë ai shkroi një raport gjithë shpifje, ku e akuzonte Amir ibnu Abdulla Temimi për heretizëm nga Ehli Suneti vel Xhema’a, si të pabindur ndaj urdhërave të Kalifes. Gjithashtu, në raport ai përmend dhe disa sjellje gjoja perverse të tij, pasi ai nuk ishte martuar, nuk hante mishin dhe produktet e kafshëve, refuzon të marrë pjesë në kuvendin e guvernatorëve etj…

Me këtë raport, ai dëshironte të dëmtojë figurën e këtij dijetari dhe zahidi të nderuar. Raportin ai ia dërgoi Kalifes Othman ibn Afanit.

Me t’i arritur raporti Othmanit, ai e morri dhe e lexoi, por nuk ndërmorri asnjë masë ndëshkimore kundrejt Amir ibn Abdulla Temimi. Këtë nuk e bënte, pa u sqaruar gjërat edhe me vetë të akuzuarin.

Othmani i dërgoi një letër guvernatorit të Basras, ku i kërkonte të verifikojë akuzat që i bëheshin Amir ibn Abdulla Temimit. Për këtë, ai i kërkoi që t’a ftojë vetë të akuzuarin dhe t’a pyesë. Në fund, i kërkoi që t’a informojë edhe atë për të rejat dhe vërtetësinë e akuzave.

Guvernatori e thirri Amir ibn Abdulla Temimin dhe i tregoi mbi akuzat që përmbante raporti që i ishte dërguar Kalifes Othman ibnu Afanit.

Më pas guvernatori e pyeti: ”Përse nuk martohesh?!”

Amir ibn Abdulla Temimi i tha: ”Kjo nuk ka ndodhur për shkak se kam braktisur traditën profetitike, madje jam i bindur që në islam nuk pranohet murgjëria. Por ngaqë duke menduar se kam një jetë të vetme, të cilën kam vendosur t’ia përkushtoj Zotit. Unë kisha frikë se ndoshta detyrat familjare, do më angazhonin kundrejt detyrave ndaj Zotit.”

Natyrisht diçka e tillë nuk është nga tradita e Profetit (a.s), por disa njerëz mendojnë se martesa i bën të harrojnë obligimet dhe detyrat ndaj Zotit.

Guvernatori e pyeti: ”Po mishin e kafshëve dhe nënproduktet e tyre, përse refuzon t’i hash?!”

Amir ibn Abdulla Temimi iu përgjigj: ”Mishin e haj kur më pëlqen ta ha, kur nuk më pëlqen e refuzoj.”

Guvernatori tha: ”Po qumështin dhe nënproduktet e tij, përse refuzon t’i hash?!”

Amir ibn Abdulla Temimi u përgjigj: ”Unë banoj në një zonë ku mexhusët janë shumicë dhe ata nuk konsumojnë mishin dhe nënproduktet e kafshëve që nuk na lejohen t’i hamë ne myslimanëve. Për këtë shkak, unë kam refuzuar të ushqehem me nënproduktet që ndodhen në atë zonë, duke pasur parasysh se mund të jenë prodhuar nga kafshë të ndaluara për ne muslimanët.”

Guvernatori tha: ”Po në këshillin e guvernatorëve, përse nuk merr pjesë?”

Amir ibnu Abdulla Temimi tha: ”Shpesh herë më ndodh të konstatoj turma njerëzish që qëndrojnë tek dera e guvernatorit, për të qarë hallet e tyre. Duke dashur që derën e guvernatorit t’a lë të lirë për hallexhinjtë, unë nuk marr pjesë në këto kuvende.”

Guvernatori i dërgoi një raport Kalifes, Othman ibn Afanit, ku e njoftonte se asnjë nga akuzat kundër Amir ibn Abdulla Temimit nuk qëndronte.

Reagimi i Othmanit ishte shumë i goditur. Ai nuk i morri për bazë akuzat, por hetoi mbi vërtetshmërinë e tyre. Kurse në ditët tona, përhapet shpifja dhe akuza e pabazë, pa përgjegjshmërinë më të vogël. Akuzat ndaj tjetrit sot janë bërë mëse normale. Shumë kollaj tjetri mund të akuzohet për prirje sufiste apo shi-ite, për devijime në akide, madje edhe si të pafe. Të gjithë akuzat, bëhen pa u sqaruar mendimi dhe qëndrimi i personit të akuzuar.

Është fakt dhe e vërtetë që disa nga tarikatet sufiste janë të pranueshme dhe pranë Ehlu Sunetit. Gjithashtu, disa ide Shi-ite të cilat konsistojnë dhe mjaftohen vetëm me dashurinë dhe respektin ndaj familjes së Profetit (a.s), janë të pranueshme. Madje, të gjithë ne i duam familjarët e Profetit (a.s) dhe biem në salavat për ta në çdo namaz.

Edhe pas gjithë kësaj, kryepolici nuk u mjaftua me kaq. Ai dhe vartësit e tij vazhduan të përhapin shpifje dhe akuza të paqena për Amir ibn Abdulla Temimin. Diçka të tillë nuk e duruan përkrahësit dhe nxënësit e këtij dijetari, të cilët u rebeluan dhe një konflikt ishte gati të shpërthejë.

Këtu ndërhyri Othman ibn Afani dhe i kërkoi Amir ibnu Abdulla Temimit që ta lërë Basran dhe të vendoset në Sham. Atje do të kishte kujdesin e vetë Kalifes së myslimanëve.

Amir ibn Abdulla Temimi e pranoi këtë porosi të Othmanit dhe vendosi të niset për në Sham.

Ditën që ai do të nisej për në Sham, të gjithë nxënësit, përkrahësit dhe njerëzit e dashur, dolën që ta përcillnin këtë figurë të ndritur.

Të gjithë ishin të mërzitur dhe të dëshpëruar që do të ndaheshin me një nga njerëzit e tyre më të dashur. Teksa e përcillnin, i kërkuan që të lutej me një lutje të cilën do e mbanin mend.

Amir ibn Abdulla Temimi, ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: ”O Zot! Të gjithë ata që më kanë akuzuar padrejtësisht dhe janë bërë shkak që unë të braktis vendlindjen time, unë i kam falur. O Zot! Ashtu siç i fala unë, fali dhe ti dhe përmirësoje besimin dhe përkushtimin e tyre në fenë Tënde. O Zot! Më përfshij mua dhe myslimanët nën mëshirën, faljen dhe mirësinë Tënde!”

Të gjithë njerëzit prisnin që ai ti mallkonte ata që e kishin akuzuar dhe ishin bërë shkak që të largohej nga vendlindja e tij, por ai bëri të kundërtën. Mallkimi lejohet vetëm kundër armiqve, të cilët nuk lejojnë që njerëzit të dëgjojnë mbi fenë e Zotit të Madhëruar.

Amir ibn Abdulla Temimi udhëtoi për në Sham dhe u vendos në Kuds, ku dhe vdiq.

Në sëmundjen e vdekjes, shumë nga miqtë dhe të njohurit e tij, vajtën ta vizitojnë. Sa herë që e vizitonin, e gjenin duke qarë. Të habitur ata e pyesnin mbi shkakun që qante, ndërkohë që të gjithë dëshmonin për devotshmërinë, përkushtimin dhe besimin e tij.

Ai ua kthente: ”Për Zotin! Nuk po qaj ngaqë e kam të vështirë të ndahem nga kjo botë, por qaj për shkak se udhëtimi është i gjatë dhe furnizimet janë të pakta.

Gjatë kësaj jete kam jetuar mes ngritjeve dhe rënieve dhe nuk e di nëse kam fituar Xhenetin apo Zjarrin e Xhehnemit.

Ai ndërroi jetë duke përkujtuar Zotin, pranë xhamisë Aksa.

Zoti e mëshiroftë këtë figurë të ndritur. Ai është modeli dhe shembulli më i mirë i njeriut të përkushtuar, zahid, të devotshëm dhe të ditur. Edhe pse kishte cilësitë e një banori Xheneti, ai ishte i shqetësuar mbi të ardhmen e tij në Botën tjetër.

Krahasojeni këtë dijetar, me të rinjtë dhe shumë myslimanë të ditëve tona, të cilët edhe pse jetojnë larg udhëzimit hyjnor dhe çdo çast i gjen në gjynahe, ata ndihen të sigurtë se kanë fituar Xhenetin.

Ky është dallimi mes atij brezi që u edukuan nga shokët e Profetit (a.s) dhe brezave që nuk njohin ekuilibrat e sheriatit islam.

Jeta e kësaj bote është e përkohshme, prandaj ruaje veten që të gjendesh aty ku të ka urdhëruar Zoti dhe të mos gjendesh aty ku t’a ka ndaluar.

Paqja e Zotit qoftë me ju!

Autor: Tarik Suvejdan

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *