Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “Dhe thuaju atyre o Muhamed: “Ju punoni, se punën tuaj do ta shohë Allahu (xh.sh), profeti i Tij dhe besimtarët, pastaj do të ktheheni te Ai që e di të panjohurën dhe të dukshmen dhe Ai do t`ju njoftojë për të gjitha çfarë keni punuar”[1]
Kush mendon se besimi është një fjalë goje, se besimi është ëndërr dhe rehati, kush mendon se për të qenë besimtar, mjafton të hysh në këtë fe dhe Zoti ta bën mbarë, ai e ka gabim. Nuk është ky ai besim, që kërkon Allahu (xh.sh).
Të parët tanë kanë thënë: “Besimi nuk është me aspirata, as me veshjen e njerëzve që duken para të tjerëve, por besim është ai që hyn në zemër dhe atë që e vërteton puna”.
Allahu na flet për atë besim që hyn në zemër dhe vërtetohet me punë.
Kush mendon se Islami është streha e njerëzve të papunë, e dembelëve, e atyre që thonë: “Ne presim rrizkun prej Zotit, s`ka kush ta marrë rrizkun tonë” dhe ulen duke pritur që rrizku t`u vijë vetë, ata ta dinë se kanë bërë zgjedhjen e gabuar, pasi Islami nuk është i tillë.
Omer ibn Hatabi (r.a) pasi mbaroi faljen e namazit, pa një grup njerëzish, që nuk u ngritën për të dalë e për të punuar, por qëndruan ulur në xhami. Omeri (r.a) i pyeti: “Po ju pse nuk dilni të punoni”? Ata iu përgjigjen me krenari: “Ne jemi ata, që i janë mbeshtetur Zotit, nuk kemi frikë për rrizkun tonë. Ai do të na vijë, kudo që të jemi”. Atëherë Omeri (r.a) ua ktheu ashpër: “Ngrihuni dhe dilni, sepse ju nuk jeni nga ata që i janë mbështetur Zotit, por jeni parazitët e Zotit në tokë. Ngrihuni dhe punoni, se qielli nuk do të lëshojë as flori dhe as argjend”. Pasi tha këto fjalë, i nxori nga xhamia.
Puna eshte produkt direkt i besimit. Të jesh besimtar do të thotë të jesh punëtor.
Zoti e ka quajtur njeriun “halifullah”, mëkëmbës i Zotit në tokë. Të jesh mëkëmbës, do të thotë ta punosh tokën, ta lërosh atë, do të thotë të mbjellësh e të korrësh. Të lodhesh në të e frutet t`i gëzojë fëmija yt. Të punojë edhe ai e t`ia lerë trashëgim fëmijës së tij e kështu me rradhë. Në fund të gjithë do të vdesim e të gjitha i trashëgon Allahu (xh.sh). Ky lloj njeriu meriton të quhet mëkëmbës i Zotit në tokë. Ai që nuk punon është parazit, i cili i bie në qafë kësaj toke.
Ata që e kanë kuptuar se besimtari është punëtor, kanë qenë profetët. Profetët e Zotit pa përjashtim nga i pari tek i fundit kanë punuar, janë lodhur e janë djersitur. Ata kanë kuptuar, se besimi nuk është një fjalë goje, por është një barrë e rëndë, të cilën e mbajnë vetëm burrat e mëdhenj, qoftë kjo punë feje apo punë dynjaje.
Asnjë profet nuk është ulur këmbëkryq, duke pritur t`i vijnë njerëzit, që pastaj t`u flasë për fenë, por ka kontaktuar me njerëzit dhe ka i ftuar ata, që të besojnë. Ka pasur prej tyre që janë sharë, janë ofenduar, jane vrarë, por përsëri nuk e kanë ndalur punën.
Zoti ka përmendur në Kuran shembullin e profetit Junus (a.s). Mos mendon dikush se është më i mirë se ai?! Mos mendon se ai ishte i pavlerë?! JO, Atë e solli Zoti në Kuran si shembull të një profeti, i cili u tërhoq nga fusha e punës, kur pa se populli po reagonte keq ndaj tij dhe Zoti i dha një mësim te madh në barkun e balenës. Pra besimtari duhet të punojë e të lodhet, kurse frutat janë në dorë të Allahut (xh.sh).
A vetëm punë për fe kanë bërë profetët? Vallahi kanë bërë dhe punë krahu, punë fizike. I pari që ka punuar tokën ka qenë Ademi (a.s). Idrizi (a.s) ka mësuar njerëzit të qepin rrobat e tyre. Ai që mesoi njerëzit të punojnë hekurin, të bëjnë tenxhere e armë për luftë, është Daudi (a.s). Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Nuk ka profet që të mos ketë punuar, madje të gjithë profetet kanë bërë punën e bariut. Edhe unë kam punuar”[2]
Ka mbi 70 ajete në Kuranin Famëlartë, ku besimi shoqërohet me punën. Nëse je besimtar, punën e ke obligim dhe puna jote le ta vërtetojë, që je besimtar.
A dini ju ndonje ditë të javës, të cilën besimtarët e kanë vetëm për adhurim dhe jo për punë?! Unë nuk di ndonjë ditë të tillë. Dita e xhuma është dita më e shenjtë, që kemi, por ajo është ditë pune si gjithë ditët e tjera, prandaj dikush e dëgjon ezanin duke qenë në dyqanin e tij, dikush tjetër e dëgjon ezanin duke punuar tokën e kështu me rradhë. Vetë Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “… pastaj dilni nëpër tokë dhe kërkoni rrizkun e Allahut (xh.sh)”[3]. Ne nuk jemi si çifutët, që kanë një ditë enkas për besim, sepse Zoti na mëson në Kuran, që duhet edhe ta adhurojmë Atë, edhe të punojmë, sepse puna tek e fundit është një nga llojet e adhurimit.
Disa dijetarë thonë, se nuk është besimtar ai njeri, që dëshmon për besimin e tij, por nuk e vërteton atë me punë.
Shembulli më i mirë i punëtorit është Muhamedi (a.s). Pasha Zotin, para se të bëhej profet ka bërë punë krahu. Në fillim ishte bari dhe kulloste delet. Pak më vonë u bë tregtar, jo për ekonomine e tij por për dikë tjetër. Pastaj u bë tregtar për veten e tij. Vazhdoi kështu deri në moshën 40 vjecare. Pastaj kur i erdhi profecia, Zoti i tha: “O Muhamed do të të zbresim ty një fjalë shumë të rëndë”. Pra puna vetëm sa u rëndua edhe me tej. Atij i duhej të mbante fenë islame dhe ta përçonte atë tek njerëzit. Profeti (a.s) e pranoi këtë fe. Gjithë energjinë e tij e vuri në shërbim të kësaj feje. Nuk la njeri pa folur me të. Nuk la shtëpi pa hyrë, nuk la fis pa i folur, nuk la vend pa shkuar. Njerëzit e tallën, e përbuzën dhe e keqtrajtuan për 13 vite në Meke, por ai nuk pushoi asnjëherë. Nuk tha: “O Zot ç`është kjo fe kaq e rëndë, kur do të pushoj unë”, por vazhdonte të punonte, megjithëse lodhej shumë. Kur shkoi në Medine u prit si mbret, por as atje nuk pushoi. Punë e pandërprerë e cila vetëm shtohej. Betejë pas beteje, luftra të imponuara nga pala tjetër.
Vlen të përmendet këtu beteja e Hendekut, ku myslimanëve iu desh të hapnin për dhjetë ditë një kanal 4 km të gjatë, 4 m të gjerë, 4 m të thellë në një tokë e gjitha shkëmb dhe me pajisje jo të përshtatshme. Njerëzit kishin ditë të tëra që s`hanin asgjë, por të gjithë punonin me në krye profetin (a.s). Të gjithë ishin të lodhur e të uritur. Secili kishte lidhur nga një gur në barkun e tij e profeti i Zotit, më i miri prej tyre, kishte lidhur dy gurë në barkun e tij.
Kur shokët e profetit (a.s) ndërronin turnet, nuk arrinin të shkonin deri në shtëpi por i zinte gjumi rrugës nga lodhja, kurse profeti (a.s), i cili kishte fuqinë e njëqind burrave është hera e parë dhe e vetme, që ka gërhitur në gjumë. Aishja (r.a) ka thënë: “Asnjëherë nuk e kam dëgjuar profetin (a.s) të gërhasë në gjumë, veçse në këtë rast”. Profeti (a.s) gërhiste nga lodhja dhe mundimi. Deri në momentin e fundit të jetës së tij, nuk dihet një kohë kur ai ka pushuar. Kush do të arrijë sukses, duhet të punojë, sepse Zoti është i drejtë dhe ia jep suksesin besimtarit dhe jobesimtarit.
Të gjithë i shohim shumë popuj dhe njerëz, që nuk janë besimtarë ose janë paganë, por ama janë punëtorë. Ata derdhin djersë dhe nuk dinë të pushojnë. Zoti është i drejtë dhe u jep atyre sukses dhe pasuri. Mund të shikosh shumë besimtarë burra apo gra. Janë shumë të mirë, por janë dembelë. Zoti atyre nuk u jep, sepse e ka bërë ligj, sipas të cilit merr vetëm ai që punon e përpiqet.
Xheneti që e duam aq shumë, nuk fitohet me fjalë por me punë. Sa herë që Zoti përmend Xhenetin në Kuran, thotë: “…ky është shpërblim për atë që punuat”[4]. Është e vërtetë se nuk do të hyjmë në Xhenet me punën tonë, por me mëshirën e Zotit, megjithatë puna është kusht për hyrjen në xhenet. Ai që nuk lodhet, të mos pretendojë për të hyrë në xhenetin e Zotit, sepse ai është vend që e ka faturën të shtrenjtë.
Profeti (a.s) ka thënë: ”Të gjithë do të hyni në xhenet, përveç atyre që nuk duan”. Shokët e tij i thanë: “E kush nuk do që të hyjë në xhennet o profet i Zotit”. Ai ua ktheu: “Kush më bindet mua do të hyjë në xhenet, kush më kundërshton mua nuk do të hyjë në xhenet”[5]
T`i bindesh profetit (a.s) nuk është fjalë goje. Do të thotë të veprosh si ai, e kjo do të thotë të lodhesh e të mos dish të pushosh asnjëherë.
I lutem Zotit që të na mundësojë të veprojmë si profeti (a.s) dhe ta fitojmë Xhenetin me pak nga punët tona dhe me shumë mëshirë nga mëshira e Allahut (xh.sh).
Vëllezër dhe motra!
Vallahi një besimtar i mirë nuk mund të jetë dembel dhe i paaftë. Nuk mund të jetë njeri që pret prej të tjerëve. Besimtari që ka besuar Zotin dhe profetin e Tij, ngrihet dhe nuk di të pushojë asnjë moment të jetës së tij. Ai e di se koha nuk kthehet asnjëherë prapa dhe e shfrytëzon atë. E di se koha është malli më i shtrenjtë, që Zoti i ka dhënë njeriut, mall që nuk kompesohet as në këtë botë as në tjetrën.
Besimtari duhet të ketë dy cilësi, të cilat edhe mund të mos i kenë të tjerët.
Përsa i përket punës, besimtari ka amanetin dhe korrektesën. Ç`rëndësi ka nëse nuk e shikon pronari apo kamerat në punë. Ç`rëndësi ka, nëse të tjerët ulen të pushojnë. Atë e shikon Zoti i gjithësisë. Ai që di se Zoti e shikon në çdo moment, ka amanet dhe nuk ka nevojë t`i vesh roje apo kamera, për të parë nëse ai punon apo jo.
Besimtari është korrekt në punën e tij. Nëse i jepet mundësia për të bërë një punë, e bën atë në formën më të mirë të mundshme.
Profeti (a.s) ka thënë: “Zoti dëshiron, që kur dikush nis të bëjë një punë, ta përsosë atë”[6]
Besimtari e përsos punën e tij dhe nuk e bën atë shkel e shko. Ai nuk rri tetë orë në punë, por për tetë orë ai punon pa ndërprerje, se e di që Zoti e do përsosjen në punë.
A e dini se sot shumë fabrika e kompani falimentojnë, për shkak se punëtorët e tyre nuk kanë amanet!? Ata janë të korruptuar, ata vjedhin në punën e tyre. Nëse nuk i shikon njeri, ata e bëjnë punën e tyre shkel e shko. Një besimtar nuk mund ta bëjë diçka të tillë.
E lus Zotin që në ato vende ku punojnë muslimanët, të ketë bereqet dhe sukses, sepse aty ka frikë ndaj Zotit, ka amanet dhe korrektesë.
Është e vërtetë se fjalët e mia bien ndesh me realitetin islam sot. Është fatkeqësi që gjendja e myslimanëve është e tillë. Vendet ku ka myslimanë, janë vendet më të prapambetura dhe me papunësi më të madhe. Myslimanët sot ta falin jo një ditë, por një vit, ndërkohë që të tjerët as një minutë nuk ta japin falas. Ky është një realitet i vërtetë, por vallahi diçka e tillë nuk është prej fesë islame. Nuk na ka mësuar feja të jemi të tillë, por jemi ne, që i kemi rënë në qafë kësaj feje.
Profeti (a.s) e nxiti punën dhe e kritikoi lypjen. Ai ka thënë: “Sikur dikush të marrë litarin e të shkojë në mal pa gomar, pa mushkë por të shkojë në këmbë e pastaj të presë dru, t`i vendosë mbi shpinë dhe të kthehet e t`i shesë ato shtëpi më shtëpi, është më mirë se të dalë e t`i lypë dikujt tjetër”[7]
A nuk është turp për një mysliman, të arrijë deri në atë gjendje, sa të kërkojë lëmoshë?! Profeti (a.s) na mëson, se ai që mban familjen e tij, po bën një punë të mirë dhe është në rrugën e Zotit.
Kur shokët e tij panë një djalë të ri me fizik shumë të fortë thanë: “Ah sikur të ishte me ne e të luftonte në rrugën e Zotit”. Profeti (a.s) tha: “Ku e dini ju, që ky nuk është në rrugën e Zotit? Nëse ky njeri punon me fizikun e tij dhe mban fëmijët dhe prindërit e tij, që nuk kanë fuqi për punë, ndihmon farefisin dhe komshinjtë e vet, atëherë ai është në rrugën e Zotit, tamam si ju”[8]
Por nëse këtë trup ai e përdor për të shitur mend, ai është në rrugën e shejtanit.
Ajo që i vë kapak të gjithave sa thamë, është fjala e Profetit (a.s), i cili ka thënë se besimtari punon deri në momentin e fundit para vdekjes, madje deri sa të bëhet Kijameti. Ai ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ka në dorë një fidan dhe ka bërë nijet të shkojë te mbjellë diku, mirëpo rrugës shikon se po bëhet Kijameti, nëse ka mundësi ta mbjellë, le ta bëjë atë”[9]
Kiamet do të thote të shpërthejnë malet, të çahen qiejt, të marrin flakë detrat, do të thote që nëna ta nxjerrë fëmijën prej barkut të saj para kohe nga frika dhe tmerri i madh i kësaj dite. Kush ka ndërmend të mbjellë fidan në këto momente! Të gjithë e dimë se ai s`do të mbijë, nuk do të çelë lule, s`do të japë fruta, pasi do të bëhet Kijameti. Asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Ai fidan çel tek Zoti dhe atje i jep frutet e tij. Ti je besimtar dhe punëtor, prandaj bëje punën tënde dhe dije, se Zoti nuk ka për të ta humbur asgjë.
E lus Zotin të na bëjë njerëz që punojnë, njerëz që besimi i çon në punë, puna i çon në sinqeritet e sinqeriteti i çon në xhenet.
E lus Zotin të na ruajë nga dembelizmi dhe përtacia, nga paaftësia dhe dobësia.
O Zot bëji muslimanët që të kenë bereqet në pasuritë e tyre dhe gjithë bota ta shohë hajrin e pasurisë së tyre.
Zoti na bëftë nga ata, që besojnë me zemër dhe e vërtetojnë me punë atë që besojnë.
Imam – hatib: Ferid Piku
[1] – Sure Teube: 105.
[2] – Buhariu.
[3] – Sure Xhumuah: 10.
[4] – Sure Zuhruf: 72.
[5] – Buhariu.
[6] – Ebu Ja’la dhe Tabaraniu.
[7] – Buhariu.
[8] – Tabaraniu.
[9] – Ahmedi.