Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja dhe bekimi qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, të sinqertin dhe të besueshmin.
Problemi i parë që vuajnë prindërit në këtë kohë është edukimi i fëmijëve
Mos harroni, o vëllezër, se Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuranin e Shenjtë: “ Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj…”[1] Të gjithë e dini se “plotësimi” lidhet me anën sasiore, ndërsa “përsosmëria” me anën cilësore. Pra, kur Allahu i Madhëruar thekson se kjo fe është e plotë dhe e përsosur, kjo do të thotë se është një sistem i plotë jetese.
Një pjesë e jetës së njeriut janë fëmijët e tij… prandaj patjetër që në metodologjinë e Allahut qoftë në librin (Kuranin), që është burimi i parë, apo në Sunetin (traditën profetike), që është burimi i dytë dhe shpjegim i të parit duhet të gjejmë detaje, udhëzime dhe orientime për edukimin e fëmijëve.
Dhe nuk e teproj nëse them se problemi i parë… i pari… që vuajnë prindërit, sidomos në kohë të vështira dhe me prishje morale, është edukimi i fëmijëve.
Sikur myslimanët ta zbatonin metodologjinë e Allahut të Madhëruar, do të ishin në një gjendje tjetër nga kjo që janë sot:
Nëse pyet një baba për djalin e tij, ai do të flasë me dhimbje të madhe dhe do të thotë: “Ah… djali im nuk është ashtu siç dua unë”, për shkak të shumë pengesave, shumë vështirësive, tundimeve të shumta, prishjes së madhe morale dhe sprovave të vazhdueshme.
Ka dëshira të ndezura, ka shokë të këqij të shumtë, ka vepra artistike të ulëta dhe të degjeneruara. Çdo gjë të thërret drejt kësaj bote (dynjasë), çdo gjë në kohët e fundit të nxit drejt mëkatit, drejt zbukurimeve të kësaj bote dhe largimit nga Allahu i Madhëruar.
Prandaj nuk e teproj nëse them se problemi më i madh që vuajnë prindërit sot është edukimi i fëmijëve të tyre. Shpesh harrohet se në libër (Kuran) dhe në Sunet ka udhëzime, të cilat, nëse do t’i zbatonin prindërit, fëmijët e tyre do të ishin kënaqësi për sytë e tyre.
Natyrisht, e them këtë pa e përgjithësuar, sepse ka raste të veçanta.
Për shembull, djali i profetit Nuh (a.s) nuk ishte ashtu siç dëshironte ai. Ky është një rast i veçantë, dhe raste të tilla nuk merren si rregull i përgjithshëm.
Parimi është se ekziston një metodë në fenë e Allahut të Madhëruar, në Librin e Tij dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij, e cila nëse do të zbatohej, myslimanët do të ishin në një gjendje tjetër nga kjo që janë sot.
Vepra më e madhe në përgjithësi është rritja e fëmijëve me edukim imanor:
Por problemi është se babai besimtar ndonjëherë lidhet me Allahun në moshën dyzetvjeçare. Kjo do të thotë se ai ka neglizhuar edukimin e fëmijëve të tij më herët. Vuajtja që përjeton tani nuk është sepse kjo metodë nuk është e plotë, por sepse ai e ka njohur atë vonë.
Mund të ndodhë edhe që ta njohë metodën e Allahut në moshë të re, por të jetë i zënë me punët dhe aktivitetet jashtë shtëpisë dhe nëse i neglizhon fëmijët e tij, ata bëhen barrë për të.
Vëllezër të nderuar… siç thashë në ligjëratën e kaluar, dhe betohem se nuk e teproj nuk shoh asnjë vepër më të madhe, më fisnike, më të dobishme dhe më të lumtur sesa që një baba t’i përkushtohet edukimit të fëmijëve të tij me besim. Sepse kur ata rriten, bëhen gëzim për sytë e tij.
Nuk ka gjë që më gëzon më shumë sesa të shoh një baba në moshë të thyer, i rrethuar nga fëmijët e tij, që e respektojnë, e nderojnë, nxitojnë t’i zbatojnë urdhrat e tij dhe bëjnë gjithçka për ta lumturuar. Kjo është një nga lumturitë e jetës në këtë botë: të plakesh dhe të kesh pranë vetes fëmijë që i ke rritur me edukim të mirë besimtar.
E gjithë lodhja që bën gjatë rritjes së fëmijëve, pasha Zotin e merr shumëfish në pleqëri.
Por ka edhe fëmijë që janë sprovë e rëndë. Ka raste kur një baba thotë se, nëse i biri do të vdiste, ai do të festonte nga lehtësimi një shprehje që tregon sa e rëndë mund të bëhet gjendja.
Sot ka shumë raste të tilla ku fëmija bëhet burim mërzie për prindërit, përpiqet t’i zemërojë ata në mënyra të ndryshme duke shpërdoruar energji pa dobi, duke konsumuar pa arsye, duke sjellë shokë të këqij në shtëpi, ose përmes sjelljes së keqe, mungesës së respektit dhe zakoneve të këqija, pa u shqetësuar fare.
Mjerë babai nëse flet një fjalë djali mund t’i kthehet me ashpërsi, sikur rolet të jenë përmbysur: sikur babai të jetë fëmijë dhe fëmija baba.
Xhamia është vend për edukimin e fëmijëve, për formimin e thirrësve dhe për faljen e namazeve:
O vëllezër të nderuar… kjo xhami është shtëpia e Allahut. Dhe gjëja më minimale që bëhet në këtë xhami është falja, ndërsa pjesa më e madhe është dija. Sepse ti mund të falesh kudo në rrugë, në park apo në shtëpi por shtëpia e Allahut është mbi të gjitha një burim dijeje, ose le të themi një “universitet”.
Xhamia ka një mision që sot është neglizhuar dhe ne jemi rritur me idenë se xhamia është vetëm për falje, por ajo ka një rol shumë më të gjerë. Lexoni libra mbi edukimin islam, lexoni për rolin e xhamisë në Islam…
Ajo është: vend për edukimin e fëmijëve, vend për formimin e thirrësve, vend për kryerjen e namazeve, vend për të kuptuar Librin e Allahut, vend për zgjidhjen e çështjeve të myslimanëve, vend për gjykim dhe konsultim.
Kjo është shtëpia e Allahut… prandaj duhet të përfshijë dhe të trajtojë të gjitha problemet e besimtarëve. Ku dhe fëmija yt është një çështje që duhet ta trajtojmë.
Institucionet e mësimit të Kuranit dhe vendet që u janë bashkangjitur ekzistojnë pikërisht që fëmija të lidhet me shtëpinë e Allahut. Prandaj i lutem Allahut që këto ligjërata të shndërrohen në praktika që i jetoni në shtëpitë tuaja.
Fëmija i mirë (i devotshëm) nuk krahasohet me asgjë në këtë botë… ai është vazhdim i ekzistencës tënde.
Atësia është një përgjegjësi e madhe dhe kush ka humbur diçka, le ta kompensojë tek fëmijët e tij:
Sidoqoftë, ka shumë ligjërata rreth kësaj teme, por ndër më kryesoret është: të edukosh djalin tënd me edukim besimtar. Edukimi besimtar është një pjesë; ka edhe edukim moral, intelektual, shoqëror, fizik dhe shkencor.
Atësia është përgjegjësi por a mjafton vetëm të martohemi dhe të kemi fëmijë?! Jo! Atësia është një përgjegjësi shumë e madhe. Nëse njeriut i ka shpëtuar diçka në jetën e tij, ai duhet ta plotësojë këtë tek fëmijët e tij.
Çdo njeri do të dëshironte t’i zbatonte përvojat e tij të grumbulluara në fillim të jetës… por kjo është e pamundur. Këto përvoja që janë ndërtuar gjatë 40 apo 50 viteve, çdo baba do të donte t’i kishte ditur që në rininë e tij. Nëse kjo nuk ka ndodhur, le t’ia japë ato djalit të tij sepse djali është vazhdim i ekzistencës së babait.
Njoh një shok që jeton në Egjipt dhe punon në një kompani të madhe. Pronari i kësaj kompanie është mysliman dhe ka fëmijë. Një herë djali i pronarit erdhi në Egjipt dhe e pyeti shokun tim: “Ku është varri i Muhamedit?”
Një inxhinier i madh, i arsimuar në Evropë, me diploma të larta, në Kajro, mysliman, djalë myslimani dhe i një nëne myslimane dhe pyet: “Ku është varri i Muhamedit?” Shoku im i tha: “Cilit Muhamed?” Ai tha: “Profetit!” Ndërkohë që varri i Profetit është në Medinë, jo në Kajro dhe ai e bënte pyetjen seriozisht.
Ndonjëherë prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre gjithçka… përveç njohjes së Allahut. I mësojnë rregullat e sjelljes në tryezë nëse ftohen diku, i kushtojnë vëmendje veshjes së tij dhe e kritikojnë për mospërshtatje…
Por nëse ai lë namazin, kjo nuk shihet si problem. Ndërsa nëse bën një gabim në çështje dytësore të jetës moderne, reagojnë ashpër ndaj tij.
Përkufizimi i edukimit imanor:
O vëllezër të nderuar… me edukim imanor nënkuptojmë: ta lidhësh fëmijën tënd me bazat dhe degët e fesë, dhe t’ia mësosh atij të vërtetat e besimit.
Pra: besimin në Allahun si Krijues, Edukues dhe Drejtues, besimin se Allahu ekziston, është Një dhe i përsosur, besimin në të gjithë emrat e Tij të bukur, besimin në profetët dhe të dërguarit e Tij, besimin në librat e shpallur, besimin në kaderin (caktimin hyjnor),të mirën apo të keqen nga Allahu i Madhëruar.
Prandaj kjo kërkon përpjekje, kohë, vëmendje, mësim, këshillë dhe udhëzim.
Babai duhet të kujdeset për edukimin islam të fëmijës së tij: duhet ta mësojë, ta mbikëqyrë, ta kërkojë dhe ta ndjekë në kryerjen e namazit, agjërimit, haxhit dhe zekatit kur ai të jetë në gjendje dhe në moshën kur këto bëhen detyrim.
Të gjithë e dini se kjo fe përbëhet nga: besimi, adhurimet, morali, marrëdhëniet (sjelljet shoqërore).
Prandaj babai duhet të kujdeset për fëmijën e tij në këto katër shtylla kryesore mbi të cilat ndërtohet Islami.
Mosha më delikate për përvetësimin e zakoneve, parimeve dhe vlerave është arsimi fillor:
Dikush mund të thotë: kjo është thjesht fjalë dhe ku është argumenti? Çdo njeri, sado i lartë të jetë, çfarë vlere ka fjala e tij nëse nuk sjell argument nga Kurani apo nga hadithi?
Është transmetuar nga Ibn Abbasi (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “Fjalën e parë që duhet t’ua mësoni fëmijëve tuaj është: “La ilahe il-la Allah” (Nuk ka Zot të adhuruar tjetër përveç Allahut).”
Që në momentin që lind fëmija, fillo me këtë fjalë. Dhe sa më shumë përparon shkenca, aq më shumë zbulohet se mosha në të cilën fëmija mëson parimet e fesë po ulet pra, edukimi fillon gjithnjë e më herët.
Madje kam hasur në një libër psikologjie të shkruar nga një mik i imi (dhe nuk dyshoj në seriozitetin e tij), ku thuhej diçka befasuese: se nëna që lexon Kuranin, fëmija i saj lind i lidhur me Kuranin që në barkun e saj.
Tema është e gjatë dhe e ndërlikuar, por ideja është kjo:
Nëse nëna e mban fëmijën me kënaqësi dhe qetësi, lëvizjet e tij në bark janë të buta dhe të këndshme.
Nëse ajo e mban me mospëlqim dhe dëshiron ta humbasë, kjo gjendje reflektohet te fëmija me lëvizje shqetësuese.
Leximi i Librit të Allahut (Kuranit) ndikon tek ai. Dikur nuk e besoja që edukimi i fëmijës fillon që në bark, por autori i librit e mbështet këtë me studime të huaja dhe këto studime nuk janë bërë nga myslimanë.
Gjithsesi, ajo që kam ditur nga studimet e mia në edukim është se: mosha më e ndjeshme për formimin e zakoneve, traditave, parimeve dhe vlerave është arsimi fillor, madje edhe periudha e kopshtit (parashkollor).
Kush i zbaton mësimet e Profetit, e fal namazin dhe lexon Kuranin, e bën shtëpinë e tij një xhenet në këtë botë:
Një nga vëllezërit tanë thirrës na tregoi se kishte një djalë në një kopsht fëmijësh me orientim të mirë islam. Një herë ata u zgjuan vonë dhe nuk kishin kohë për të ngrënë mëngjes. Ai i përgatiti një sanduiç dhe i tha: “Biri im, hajde dhe haje rrugës.”
Djali e shikoi dhe i tha: “O baba, ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Të hash në rrugë është sjellje e ulët.”[2] Ky fëmijë katërvjeçar i dha babait të tij një mësim të paharrueshëm.
Vëre: kur fëmijëve u mëson gjëra, ata i përmbahen asaj që mësojnë. Për shembull, rregullat e pastërtisë, larja e dhëmbëve, heqja dhe palosja e rrobave, varja e tyre në vendin e duhur dhe nëse prindërit i mësojnë këto gjëra bazë me kujdes, atëherë do të jetojnë të qetë fëmijët dhe prindërit.
Por kur prindërit janë të pakujdesshëm në mësimin e këtyre gjërave elementare, shtëpia mbushet me kaos të pafund dhe problemet vazhdojnë gjatë gjithë jetës një gjendje e paimagjinueshme, rrëmuje.
Nëse prindërit kujdesen për edukimin e fëmijëve, u mësojnë zakone të sakta dhe artin e jetës, kjo është shumë e dobishme dhe e qetë. Islami është vetë jeta në realitet.
Disa mendojnë se Islami është vetëm për jetën pas vdekjes, por jo xheneti fillon që në këtë botë. Kam thënë gjithmonë: në këtë botë ekziston një xhenet; kush nuk e hyn atë, nuk do ta hyjë as xhenetin e botës tjetër.
Besimtari ka shtëpinë e tij si xhenet edhe nëse është e vogël, edhe nëse ushqimi është i thjeshtë dhe mobiljet të thjeshta, dhe hapësira e ngushtë — me besim, me zbatimin e mësimeve të Profetit, me faljen e namazit dhe leximin e Kuranit, shtëpia bëhet xhenet në këtë botë.
Prindërit duhet t’ia mësojnë fëmijës parimet e fesë që në moshë të vogël:
Profeti (a.s) na ka urdhëruar që fjalën e parë që t’ua mësojmë fëmijëve tanë të jetë: “La ilahe il-la Allah”.
Ndonjëherë disa prindër i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte me orientim islam; fëmija kthehet dhe të reciton një sure, si p.sh. “Amme jetesaaelun”, madje edhe me gjeste shprehëse. E sheh që merr iniciativë për të lexuar dhe për t’u falur, dhe zemrat e prindërve mbushen me gëzim.
Nëse kjo edukatë vazhdon, në mënyrë që fëmija të rritet në atmosferën e Kuranit, në traditën e Profetit dhe në dashurinë për të, kjo është diçka e jashtëzakonshme. Nuk besoj se ka diçka që i lumturon më shumë prindërit sesa të shohin fëmijët e tyre në rrugën që kënaq Allahun e Madhëruar.
Gjithashtu, mos harroni se Profeti (a.s) e këndonte ezanin në veshin e djathtë të të porsalindurit dhe ikametin në veshin e majtë sikur t’i mësonte këtij fëmije që sapo ka lindur parimet e fesë.
Fëmija ka prirje më shumë për imitimin sesa për arsyetimin. Në vendet e Afrikës Veriore (Marokut), një nga bazat e edukimit është që fëmija duhet ta mësojë përmendësh Kuranin në vitet e para të jetës. Kur rritet, fillon të kuptojë kuptimet e tij.
Memorizimi i Kuranit e rregullon gjuhën e tij dhe i jep etikë. Në mësimin e gjuhës arabe duhet të përdoren shumë tekste leximi, analiza dhe shpjegimi i tyre sepse gjuha forcohet përmes teksteve. A ka tekst më të lartë se Libri i Allahut?!
Kështu jemi mësuar në universitet: fjala më e lartë në gjuhën arabe është fjala e Allahut, pastaj vjen hadithi i të Dërguarit të Tij.
Kur një fëmijë mëson përmendësh rreth 600 faqe nga Libri i Allahut, ai dhe kur flet përdor një gjuhë të ndikuar nga Kurani pa e kuptuar vetë.
I mençuri është ai që e edukon dhe e mëson fëmijën pa ashpërsi:
Kur njeriu lexon shumë Kuran, në bisedat e përditshme mund të përdorë shprehje kuranore, si p.sh: “derisa lufta të lërë armët e saj” “Na mjafton Allahu dhe Ai është mbrojtësi më i mirë”
Nëse vëzhgon një njeri që lexon rregullisht Kuran, do të vësh re se një pjesë e madhe e fjalëve të tij janë të ndikuara nga Kurani. Dhe a ka gjuhë më të bukur se fjala e Allahut?
Gjithashtu, prindërit duhet t’ia mësojnë fëmijës dallimin mes hallallit dhe haramit: t’i thonë “kjo është e lejuar” dhe “kjo është e ndaluar”, “kjo është gënjeshtër”, “kjo është mashtrim”.
Çështja e hallallit dhe haramit në fjalë dhe në sjellje është shumë e rëndësishme në edukimin e fëmijës:
Prindërit duhet të jenë vazhdimisht vigjilentë. Nëse fëmija thotë një fjalë të papërshtatshme, duhet ta udhëzojnë me butësi. Nëse e përsërit, ta udhëzojnë përsëri; dhe nëse ndodh për herë të tretë, atëherë duhet të ketë një lloj disiplinimi.
Pra: hera e parë: këshillë, hera e dytë: këshillë me qortim, hera e tretë: disiplinim.
Kur prindi i kushton vëmendje këtyre gjërave, fëmija rritet pa përdorur fjalë të pahijshme.
Një herë isha në një shkollë të mesme dhe dëgjova disa të rinj që punonin aty të flisnin me fjalë shumë të ulëta, gjëra të papranueshme. Kur i riu nuk është i edukuar dhe lihet i lirë në të folur, arrin në një nivel që edhe guri do të turpërohej nga ato fjalë.
Ndërsa kur fëmija është i edukuar si duhet, tek ai sheh turp (modesti), edukatë dhe ndjeshmëri edhe kur është me shokët e tij.
Prandaj, çështja e hallallit dhe haramit në të folur dhe në sjellje është shumë e rëndësishme. Ka raste kur një ulje (sjellje në shoqëri) është e pahijshme, dhe raste kur është e edukuar. Edhe mënyra e veshjes mund të jetë me edukatë ose jo.
Për shembull, disa mënyra veshjeje apo qëndrimi mund të shprehin mendjemadhësi, ose sjellje të papërshtatshme. Nëse vëren gjëra të tilla, duhet të ketë: vëzhgim, ndjekje, pyetje dhe përgjigje, mësim dhe udhëzim.
Kështu ka mësuar Profeti (a.s) dhe kështu jemi udhëzuar: të dallojmë mes asaj që është në përputhje me traditën (sunetin) dhe asaj që është në kundërshtim me të.
Autor: Ratib Nabulsi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Maide: 3.
[2] – Tabaraniu.



















