Islami politik: emërtimi dhe dispozita

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Vitet e fundit janë shpeshtuar disa shprehje që kanë gjetur përhapje të gjerë në të folur dhe në penën e disa sekularistëve e properëndimorëve të djathtë apo të majtë, nënkuptoj ata që pasojnë ideologjinë lindore marksiste ose ideologjinë perëndimore liberale.

Prej këtyre shprehjeve është edhe artikulimi “Islami politik”, me të cilin nënkuptojnë Islamin që preokupohet me çështjet e umetit islam, me raportet të tij të brendshme dhe të jashtme, me punën për çlirimin e këtij umeti nga çdo pushtet i huaj që e monitoron atë. Nënkuptojnë  Islamin që orienton umetin islam që vullnetarisht t’i drejtojë çështjet e veta materiale dhe etike, po kështu edhe punën për çlirimin e tij nga mbeturinat kulturore, shoqërore dhe legjislative të kolonizimit perëndimor me qëllim që të rikthehet në arbitrimin me ligjin e Allahut të Lartësuar në larminë e aspekteve të jetës së tij…

Artikulimin “Islam politik” ata e lëshojnë për zmbrapsjen e njerëzve prej kontekstit të këtij artikulimi dhe prej thirrësve të sinqertë që thërrasin tek Islami gjithëpërfshirës, nën konsiderimin se ai është ideologji dhe ligj, fe dhe shtet.

A është emërtimi “Islam politik” i pranueshëm në aspektin sheriatik (ligjor islam)? A konsiderohet futja e politikës në Islam një çështje e shpikur (bidat) në fe të cilën e kanë shpikur thirrësit rinovues bashkëkohor? Apo kjo gjë konsiderohet prej fesë së afirmuar dhe gjykuar me Kuran dhe Sunet (traditë profetike)?

Dëshirojmë të na e shpjegoni këtë çështje të argumentuar nga Sheriati (ligjit islam) që të shkatërrohet me argument ai që u shkatërrua dhe të jetojë me argument ai që jeton. Allahu ju dhëntë sukses dhe ju bëftë të dobishëm!

Përgjigja nga Dr. Jusuf Abdullah el – Kardaui:  

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e shokët e tij dhe gjithkush që e ndjek atë.

Së pari: Themi se ky emërtim është i papranueshëm pasi me të realizohet plani i vendosur nga armiqtë e Islamit i cili është i atillë që synon copëzimin e Islamit dhe segmentimin e tij në klasifikime të ndryshme. Pra që Islami të mos jetë një i vetëm siç e zbriti Allahu dhe siç jemi të përkushtuar në të ne myslimanët, por të ketë “islame” të shumta dhe të ndryshme ashtu siç dëshirojnë ata.

Islami tek ata nganjëherë klasifikohet edhe në varësi të territoreve: Islam aziatik dhe Islam afrikan. Herë të tjera ata e klasifikojnë atë sipas epokës: Islam profetik, Islam i rashidinëve (të brezit të parë), Islam omejad, Islam abasit, Islam osman dhe Islam modern (bashkëkohor). E disa herë e klasifikojnë atë sipas nacionalitetit: Islam arab, Islam indian, Islam turk, Islam malaizian etj. Po ashtu e klasifikojnë atë sipas medhhebit (shkollës juridike të ndjekur): Islam sunit, Islam shi’it, pastaj sunitin dhe shi’itin mund ta klasifikojnë në disa ndarje të tjera.

Krahas klasifikimeve në fjalë ata kanë sjellë edhe klasifikime të reja: ata pretendojnë se ka një sërë artikulimesh klasifikuese të islamit: islam sepereatist, islam reaktiv, islam radikal, islam klasik, islam i djathtë, islam i majtë, islam puritan (fondamentalist) dhe islam liberal.

Së fundi prej këtyre devijuesve kanë ardhur edhe klasifikimet: islam politik, islam shpirtëror, islam sekularist (laik) dhe islam teologjik. Realisht nuk dihet se çfarë klasifikimesh të reja do të pjellë mendja e tyre në të ardhmen.

E vërteta është se këto klasifikime në këndvështrimin Islam që të gjitha janë të refuzuara. Gjendet një Islam i vetëm, i pashoq dhe nuk lejohet të pranohet tjetër Islam veç tij. Ky Islam është Islami i parë, Islami i Kuranit dhe Sunetit (traditës profetike), Islami ashtu siç e kanë kuptuar atë gjeneratat më të mira të umetit Islam, epokat më të ndritura të tij, sahabet (shokët e Profetit a.s.) dhe ata që i pasuan ata denjësisht, të cilët kanë fituar lëvdimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s).

Ky është Islami i saktë, Islami origjinal, para se të pleksen në të përzierje të huaja, të turbullohet kthjelltësia e tij me trillet dhe radikalizmat e popujve dhe kombeve, me shkarjet dhe devijimet e filozofive, me risitë e grupeve të devijuara, me pasionet dhe tekat e polemizuesve, me konspiracionin e konspiratorëve, komplikimet e artikuluesve manipulues dhe me arbitrarizmat (shkeljet) e interpretuesve injorantë.

Së dyti: Islami s’ka sesi të mos jetë politik, ai është medoemos politik, sepse Islami kontrollon dhe drejton jetën në tërësi.

Më duhet ta deklaroj qartë dhe me zë të lartë se: Islami i vërtetë siç e ka legjitimuar Allahu, nuk mund të jetë veçse politik dhe nëse ti e zhvesh Islamin nga politika, kësisoj e ke bërë atë një fe tjetër, mundet budizëm, mundet krishterizëm, mundet një tjetër fe a ide, por që të jetë paskëtaj Islam kjo nuk qëndron.

Kjo vjen si pasojë e dy shkaqeve kryesore:

I pari: Islami ka një qëndrim të qartë dhe legjitimim të kthjellët në shumë prej çështjeve të jetës që konsiderohen prej thelbit të politikës.

Islami nuk është kurrsesi një ideologji, besim apo ritual që ka të bëjë vetëm me anën teologjike dhe rituale të individit. Ajo që nënkuptoj është se Islami nuk është vetëm raport midis njeriut dhe Zotit të tij, i palidhur me strukturën e jetës dhe me orientimin e shoqërisë dhe shtetit; assesi, porse Islami është ideologji (kredo) dhe adhurim, moral dhe kod penal i kompletuar, thënë ndryshe është program i kompletuar për jetën falë parimeve që ai ka vendosur, rregullave që ka konsoliduar, ligjeve që ka legjitimuar, orientimeve që ka sqaruar të cilat kanë të bëjnë me jetën e individit, çështjet e familjes, situatat e shoqërisë, themelet e shtetit dhe raportet me botën.

Kushdo që lexon Kuranin Fisnik, Sunetin (traditën) e pastër dhe librat e fik’hut (jurisprudencës Islame) në gjithë larminë e medhhebeve (akademive juridike) të pranishme, ka për ta gjetur qartë sa në fjalë me kthjelltësinë më të madhe.

Edhe departamenti i adhurimeve të trajtuara nga fik’hu (jurisprudenca Islame), nuk është larg prej politikës, pasi do t’i gjesh myslimanët të unifikuar mbi faktin se lënësi i namazit, mosdhënësi i Zekatit, ngrënësi deklarativ që hanë pa arsye në Ramazan, neglizhuesi i obligimit të Haxhit që të gjitha këto shkelje fetare angazhojnë ndëshkim dhe penalitete për myslimanin të këtij rangu. Madje çështja mund të avancojë deri në konflikt ushtarak me të tillët, nëse këta persona shfaqin sjellje dhe mendësi të tilla problematike hapur dhe të grupuar, ashtu sikundër veproi Ebu Bekri (r.a). me anuluesit (mosdhënësit) e Zekatit.

Madje fukahatë (dijetarët e jurisprudencës islame) kanë thënë se: Nëse banorët e një visi Islam lenë disa sunete (norma fetare jo të detyrueshme) që u përkasin simboleve dhe ritualeve të Islamit, sikurse ezanin ose synetllëkun (rreth-prerjen) e meshkujve, ose namazin e dy bajrameve (festave), atëherë del si detyrë që ata të thirren në zbatimin e këtyre riteve dhe tu jepet argumenti mbi këtë. Nëse ata pas kësaj insistojnë dhe refuzojnë në këtë rast bëhet obligim konflikti ushtarak me ta me qëllim që të kthehen tek uniteti me trupin e kombit nga ku ata janë shkëputur.

Islami posedon rregulla, dispozita dhe direktiva: në politikën e arsimimit, politikën e medias, politikën e legjislativit, politikën e qeverisjes, politikën e financave dhe ekonomisë, politikën e paqes dhe armëpushimit, politikën e luftës dhe politikën e gjithë sa influencon në sferën e jetës. Islami nuk pranon kurrsesi që të jetë zero në të majtë apo të jetë shërbëtor i filozofive dhe ideologjive të tjera, porse ai insiston të jetë padroni, udhëheqësi, i pasuari dhe i asistuari.

Për më tepër Islami nuk pranon që jeta të ndahet midis tij dhe një padroni tjetër, nuk pranon t’i jap dikujt tjetër ortakëri në orientim e legjitimim dhe nuk kënaqet me frazën që atribuohet tek Mesihu (Isai) a.s.: “Pushtetarit jepi atë që i takon dhe Zotit jepi atë që i takon!”.

Filozofia Islame ngrihet mbi parimin se pushtetari dhe pushteti i tij i takojnë Allahut, Një, të Vetmit, që sundon gjithë sa ka në qiej dhe tokë, pasi gjithë sa gjendet në qiej dhe në tokë janë dominim vetëm i Tij.

Ideja e njëshmërisë apo njësimit të Zotit në Islam ngrihet mbi të vërtetën se myslimani nuk kërkon dhe dëshiron për Zot tjetërkënd veç Allahut, nuk merr për të parë dhe padron askënd veç Allahut, nuk kënaqet me ligjvënës tjetër veç Allahut, gjë e cila vjen e sqaruar qartë në suren e teuhidit-njësimit e Zotit të njohur me emrin “El-Enam”.

Ideologjia e njësimit në realitetin e vet nuk është veçse një revolucion për realizmin e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë së njerëzimit, që njerëzit të mos e marrin njëri-tjetrin për zota veç Allahut, që të asgjësohet adhurimi i njeriut për njeriun. Prandaj i dërguari fisnik (a.s). i përmbyllte mesazhet e tij drejtuar mbretërve prej ithtarëve të librit, me thënien fisnike kuranore: “Thuaju atyre (o i dërguar): ‘O ithtarë të librit (Teuratit dhe Ungjillit), ejani (të bashkohemi) në një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë veç Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin zota veç Allahut!’ E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: ‘Dëshmoni pra (o ithtarët e librit), se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)!”[1]

Këtu qëndron sekreti i pozicionimit që idhujtarëve dhe paria e Mekës mbajtën kundër thirrjes islame që ditën e parë, direkt me ngritjen e parë të flamurit “La ilahe ila Allah-Nuk meriton të adhurohet askush veç Allahut”, sepse ata e kuptonin se çfarë vinte pas saj, i kuptonin kuptimet e transformimit që ajo bart për jetën shoqërore dhe politike, në krah të transformimit fetar të ditur pa pikë dyshimi.

Personaliteti i myslimanit është një personalitet politik

Shkaku i dytë: Personaliteti i myslimanit ashtu siç e ka trajtësuar atë Islami dhe e ka përpunuar besimi, ligji, adhurimi dhe edukimi i tij nuk mund të jetë veçse politik, përpos nëse Islami kuptohet ose praktikohet gabim.

Islami i ka vendosur çdo myslimani një obligim që e ka emrin “urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, që mund të formulohet me etiketimin: Këshilla për liderët mysliman dhe masën e gjerë të tyre, që në hadithin e saktë vjen nën konsideratën se kjo përbën tërë fenë. Një tjetër formulim që mund t’i bëhet këtij obligimi është “Këshillimi në të drejtë dhe këshillimi në durim”, që janë dy kushtet themelore për të shpëtuar nga dështimi i dynjasë dhe Amshimit, siç e sqaron këtë gjë kaptina kuranore “Asër”.

Rezistenca kundër së keqes dhe padrejtësisë është xhihadi më i mirë

I dërguari i Allahut (a.s) nxit për rezistencë kundër të keqes së brendshme dhe e konsideron atë më lartë se rezistenca e okupatorit të jashtëm, gjë që kuptohet në thënien e tij kur u pyet për xhihadin (mobilizimin ushtarak) më të mirë dhe u përgjigj se: “Xhihadi (mobilizimi ushtarak) më i mirë është fjala e drejtë drejtuar qeveritarit të padrejtë (tiran)”. Këtë e thotë sepse prishja e brendshme është pikërisht ajo që shtron rrugën për agresionin e jashtëm.”

Martirizimi në rezistencën kundër të keqes brenda për brenda, konsiderohet nga klasifikimet më të arrira të martirizimit në Rrugë të Allahut, falë thënies së qartë profetike: “Shkëlqesia e dëshmorëve është Hamzai, pastaj një burrë që është ngritur të urdhëroj dhe ndalojë një lider tiran, i cili paskëtaj e ka vrarë”.

Islami mbjell në zemrën e myslimanit refuzimin e padrejtësisë dhe kryengritjen kundër tiranëve, deri aty sa myslimani në duanë e tij të Kunutit-Përdëllimit, të transmetuar nga Ibn Mes’udi që ka gjetur veprim në medhhebin hanefije dhe gjetkë, thotë: “Të falënderojmë o Allah dhe nuk të mohojmë, distancohemi dhe e braktisim kundërvënësin që të kundërvihet Ty”.

Islami stimulon myslimanin t’i bashkohet luftës për të shpëtuar njerëzit e persekutuar dhe të vobektë në tokë me shprehjet më nxitëse dhe stimuluese si: “Çfarë ka ndodhur me ju që nuk luftoni në Rrugë të Allahut dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit: nga burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët luten: ‘Zoti ynë! Nxirrna nga ky vis, banorët e të cilit janë mizorë! Jepna nga ana Jote shpëtim dhe ndihmë!”[2]

Islami kupën e zemërimit dhe refuzimin e rreptë të tij e hedh mbi ata që e pranojnë padrejtësinë dhe që pëlqejnë të qëndrojnë në një tokë në të cilën përçmohen dhe u bëhet padrejtësi, duke qenë të aftë të emigrojnë nga një territor i tillë dhe të ikin në një vis tjetër veç kësaj toke. Mbi këtë fakt Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Engjëjt që ua morën shpirtin atyre që ishin mizorë të vetvetes u thanë: ‘Në çka ishit?’ Ata thanë: ‘Ne ishim të paaftë në atë tokë!’ (Engjëjt) Ju thanë: ‘A nuk ishte e gjerë toka e Allahut dhe të emigronit në të (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit)?!’ Vendi i tyre është Xhehenemi, sa vend i keq është ai! Përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, gratë dhe fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin as mënyrë dhe as rrugë (për shpërngulje). Ata shpresohet se Allahu do t’i falë. Allahu amniston e falë shumë”[3]

Vini re sesi mbi të pamundshmit dhe të vobektët në fjalë Kurani thotë: “Shpresohet se Allahu do t’i falë”, pra çështja e tyre është e dyshimtë, në dashtë Allahu do t’i falë ata. Kjo gjë bëhet në trajtë kritike kundër pajtimit të këtyre njerëzve me nënçmimin dhe padrejtësinë, pra përderisa myslimani gjen mundësi që ta refuzojë nënçmimin dhe padrejtësinë ai duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe t’i refuzojë ato.

Artikulimi i përsëritur i Kuranit në lidhje me tiranët, diktatorët dhe zullumqarët në tokë, sikurse Faraoni, Hamani, Karuni, shpurat, asistentët dhe ushtarët e tyre është një fjalë që e mbush zemrën e myslimanit me hakmarrje kundër tyre, papranueshmëri për ecejakun e tyre, urrejtje kundrejt dhunës së tyre dhe triumf ideor dhe sensibilizues për viktimat e tyre të dhunuar dhe të vobektë.

Ndryshimi i të keqes

Artikulimi i Kuranit dhe Sunetit (traditës profetike) sa i përket heshtjes karshi të keqes dhe qëndrimit pasiv kundrejt vepruesit të saj – qofshin ata eprorë apo vartës, qeveritarë apo nënshtetas – është një artikulim që e trondit këdo që ka në zemrën e tij një thërrmijë elementare besimi.

Në lidhje me këtë Kuranin Fisnik thotë: “Ata që mohuan të vërtetën nga izraelitët, u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait të birit të Merjemes. Kështu u veprua me ta sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin të tillë që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.”[4]

I dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Kush shikon prej jush një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij, nëse nuk mundet (që ta ndryshojë me dorën e tij, le ta ndryshojë) me gjuhën e tij, nëse nuk mundet (që ta ndryshojë me dorën e tij, le ta ndryshojë) me zemrën e tij; e ky është besimi më i dobët”[5]

Mendimi se e keqja dhe mëkati janë të kufizuar tek imoraliteti, pirja e alkoolit dhe gjërat e tjera të këtyre përmasave dhe nocioneve është një konstatim i gabuar. Tallja dhe përçmimi i nderit dhe dinjitetit të kombit islam është një e keqe që ç’ke me të, pasi kjo gjë është në rangun e fshehjes së dëshmisë. Po kështu lënia e çështjes në dorën e jokompetentëve është një e keqe që ç’ke me të; vjedhja e pasurisë kolektive është një e keqe po ashtu; monopolizimi i mallit për të cilin njerëzit kanë nevojë në interes të një individi apo grup individësh është sërish një e keqe e madhe; arrestimi dhe burgosja e njerëzve pa u gjykuar nga një gjykatë e paanshme nën akuzën e pabazë se ata kanë bërë vepër penale (krim), është një e keqe e madhe; torturimi i njerëzve brenda burgjeve dhe qelive të paraburgimit është një e keqe gjithashtu; dhënia dhe marrja e ryshfetit e edhe ndërmjetësimi në të është një e keqe që ç’ke me të; lajkatimi manipulues i qeveritarëve dhe lyerja e larja para tyre është një e keqe po ashtu; miqësimi me armiqtë e Allahut e të kombit islam dhe bashkëngjitja e pasimi i tyre në kurriz të besimtarëve është një e keqe e madhe.

Kësisoj e gjejmë rrethin e të këqijave dhe mëkateve të zgjerohet dhe zgjerohet, duke përfshirë brenda vetes shumë prej asaj çfarë njerëzit e konsiderojnë prej thelbit të politikës. A e mban vendi myslimanin ambicioz në fenë e tij dhe të angazhuar për fitimin e kënaqësisë së Zotit të tij, që të qëndroj i heshtur lidhur me sa në fjalë, të tërhiqet dhe marrë arratinë nga mejdani përballë këtyre mëkateve dhe ligësive por edhe të tjerave veç tyre, nga frika apo vetëm e vetëm që atij të mos i kanoset ndonjë gjë e keqe?!

E tillë frymë, nëse përhapet në kombin tonë islam e mbyt dhe skadon misionin e tij dhe përbën për këtë komb dënim me shfarosje, pasi kësisoj kombi shndërrohet në një tjetër komb, jo në kombin islam të cilin Allahu i Lartësuar e ka cilësuar me thënien e Tij: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzimit, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun.”[6]

Pas një gjendje të këtillë nuk ka pse të çuditemi kur dëgjojmë vërejtjen profetike që profeti (a.s) e lëshon për kombin islam të rënë në frymën e pasivitetit: “Nëse e shikon kombin tim ta zërë paniku që t’i thotë tiranit (mizorit) “o tiran”, atëherë jepu atyre lamtumirën.”[7]me kuptimin që të tillët nuk janë më të denjë për të jetuar. Ndërsa në disa transmetime vjen: “Barku i tokës është më mirë për ta sesa shpina e saj”.

Myslimanit ia kërkon besimi i tij që të mos qëndroj spektator karshi të keqes e çdo kategorie qoftë ajo: politike, ekonomike, shoqërore apo kulturore. Përkundrazi myslimanit i obligohet të konfrontohet me të keqen dhe të veproj për ta ndryshuar atë me dorë, nëse mundet, përndryshe e ndryshon me gjuhë dhe deklaratë, paskëtaj, nëse është i paaftë që të sjellë ndryshimin me gjuhë, bartet tek grada e fundit dhe më e ulëta që është ndryshimi me zemër të cilin hadithi e konsideron “besimi më i dobët”.

Profeti (a.s) e ka quajtur “ndryshimin me zemër”, për t’i dhënë energji shpirtërore dhe sensibilizuese myslimanit kundër të keqes dhe vepruesve e mbrojtësve të saj. Ndryshimi me zemër nuk është pasivitet i plotë, siç mund ta imagjinojë ndokush pasi po të ishte i tillë hadithi nuk kishte për ta quajtur “ndryshim”. Përkundrazi, ndryshimi me zemër është një karikim i vazhdueshëm i shpirtit, ndjenjave dhe vetëdijeve, që medoemos një ditë do çlirohet në një punë pozitive e cila mund të jetë një revoltë masive apo një shpërthim që ka për të vendosur hegjemoninë e tij. Kjo pasi presioni i vazhdueshëm definitivisht lind shpërthimin, falë ligjit hyjnor që Zoti ka bërë të dominojë tek krijesat e Tij.

Teksa ky hadith e quan këtë pozicionim “ndryshim me zemër”, hadithi tjetër profetik e quan atë “xhihadi (beteja) i zemrës”, që është niveli i fundit i xhihadit dhe në të njëjtën kohë është grada e fundit dhe më e dobët e besimit. Për këtë gjë profeti (a.s) thotë: “Nuk ka asnjë profet të cilin e ka dërguar Allahu në një komb para meje, përveçse ai ka pasur nga kombi i tij dishepuj (pasues të denjë) dhe shokë që i janë përmbajtur rrugës së tij dhe kanë personifikuar urdhrin e tij. Pastaj, pas tyre vijnë pasues që thonë atë që nuk e bëjnë dhe bëjnë atë gjë për të cilën nuk janë të urdhëruar. Ai që i lufton ata me dorën e tij është besimtar. Kush i lufton me gjuhën e tij është besimtar dhe kush i lufton me zemrën e tij është besimtar; kjo në besim nuk përbën as një kokërr meli”[8]

Një individ i vetëm është normale që të nguroj të konfrontohet me të keqen, sidomos kur xixa e saj është përhapur, urat e saj të zjarrit janë ndezur, vepruesit e saj janë forcuar ose kur e keqja kryhet prej eprorëve që në fakt duhet të jenë të parët që duhet t’i kundërvihen asaj dhe ta luftojnë para se këtë ta bëjnë shokët, asistentët dhe mbrojtësit e tyre. Në këtë situatë të nderë çështja bëhet si në shembullin që thotë “Avokat është vetë krimineli” ose siç thotë poeti:

Bariu i deleve ka detyrë

delet prej ujqërve t’i mbroj,

Po kur vetë barinjtë janë ujqër,

Puna si do shkoj?!

Në këtë moment bashkëpunimi për ndryshimin e së keqes, s’ka dyshim se bëhet obligim, pasi ai është bashkëpunim në të mirë dhe devocion. Puna kolektive nëpërmjet organizatave, partive dhe kanaleve të tjera të poseduara, bëhet obligim të cilin e ka obliguar feja jonë dhe që gjithashtu e imponon realiteti.

Midis “të drejtës” dhe “obligimit”

Atë çfarë disa filozofi dhe struktura bashkëkohore e konsiderojnë “e drejta e njeriut për t’u shprehur, kritikuar dhe kundërshtuar”, Islami e ngre në konsideratë duke e dekretuar si një obligim të shenjtë, që nëse lihet përbën mëkatim dhe nëse neglizhohet meriton ndëshkimin e Allahut.

Siç e dimë, gjendet një dallim i madh midis “të drejtës” që hynë në sferën e “lejimit” apo “zgjedhjes” që presupozon se njeriu është i lirë të heqë dorë po deshi dhe midis “obligimit” apo “farzit-detyrimit” i cili është obligues dhe njeriu i përgjegjshëm nuk mund të heqë dorë prej tij apo ta neglizhojë pa pasur një arsye të pranueshme legjitime.

Nga çfarë e bën myslimanin një politikan të përhershëm është fakti se ai nuk jeton vetëm për vete dhe nuk mundet t’i neglizhoj problemet e të tjerëve dhe preokupimet e tyre, sidomos të njerëzve besimtar gjë të cilën atij ia dikton dispozita e vëllazërisë së besimit: “Faktikisht besimtarët janë vëllezër”[9]

Kurse në hadith qëndron: “Kush nuk interesohet për çështjen e myslimanëve nuk është prej tyre dhe kush (prej myslimanëve) nuk bëhet këshillues për Allahun, të dërguarin e Tij, liderët mysliman dhe masën e gjerë të tyre, nuk është prej tyre. Nëse një banor i zonës (prej fqinjëve) ngryset duke qenë i uritur, prej tyre (banorëve të kësaj zone) tërhiqet garancia e Allahut dhe e të dërguarit të Tij”.

Kurani ashtu siç i obligon myslimanët të ushqejnë të vobektin, po ashtu obligon të nxitin edhe të tjerët që ta ushqejnë atë, e jo të jetë gjendja si ajo e njerëzve të injorancës paraislame të cilën Kurani e kritikon me fjalët: “Jo, nuk është ashtu! Por (ju punoni edhe më zi) ju nuk përfillni bonjakun (jetimin) dhe nuk nxitni njëri-tjetrin për ta ushqyer të vobektin”[10] Kurani neglizhencën në këtë çështje e konsideron prej treguesve të përgënjeshtrimit të fesë: “A e ke parë atë që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Ai është (një person) që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun (jetimin) dhe që nuk nxit për ta ushqyer të vobektin”[11]

Këtë gjë, në aspektin e ndëshkimit të dhembshëm në Amshim që e pret këtë njeri Kurani Fisnik e krahason me mosbesimin në Allahun e Lartësuar, gjë që duket qartë në thënien e Allahut: “(Futeni në Xhehenem) Ngase ai ka qenë (një person) që nuk e besoi Allahun e madhëruar. Dhe nuk nxiste për t’i ushqyer të vobektit (të varfrit)”[12]

Sa në fjalë, në shoqëritë kapitaliste, feudale dhe të gjitha të tjerave që nëpërkëmbin dhe humbasin të drejtat e të vobektëve, të varfërve dhe të dobëtëve, konsiderohet inkurajim për revolucion dhe nxitje për t’u pozicionuar në anën e të varfërve, kundër të pasurve zullumqar.

Po kështu myslimanit i kërkohet të konfrontohet me padrejtësinë shoqërore, të luftojë padrejtësinë politike dhe çdo padrejtësi e zullum çfarëdo emërtimi dhe klasifikimi të ketë. Kurse heshtja ndaj padrejtësisë dhe neglizhenca e saj, angazhon që tërë kombi islam të lëngojë, duke përfshirë me zullumqarin edhe atë që hesht karshi zullumit, sikurse duket kjo në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët që heshtën)”[13]

Kurani i ka kritikuar ata popuj që u janë gjunjëzuar tiranëve dhunues dhe që kanë ecur me këmbët e këtyre mizorëve, si në rastin e popullit të Nuhut: “…ata shkuan pas atyre (pasanikëve), të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre vetëm ua shtuan disfatën”[14], popullin e Hudit: “Ata shkuan pas urdhrit të çdo kryelarti (tirani) kundërshtar (dhunues)”[15] dhe popullin e Faraonit: “Ai e frikësoi popullin e vet ndaj ata iu bindën, për të qenë kësisoj popull i shkatërruar”[16]

Për më tepër, thjesht mbështetjen dhe animin shpirtëror tek tiranët e padrejtë, Kurani e konsideron si angazhues për ndëshkimin e Allahut: “Dhe mos anoni kah ata që bënë zullum (padrejtësi) e për atë shkak t’ju kaplojë zjarri sepse përveç Allahut nuk keni mbrojtës, e nuk do të triumfoni”[17]

Islami i angazhon çdo myslimani përgjegjësinë politike që të jetojë në një shtet që e udhëheq një lider mysliman, i cili gjykon me librin e Allahut dhe të cilit njerëzit ia japin besën (votën) mbi të tillë gjë, përndryshe po se dha këtë besë, personi i takon injorantëve. Mbi këtë realitet hedh dritë hadithi i saktë i cili thotë: “Kush vdes duke mos pasur në qafën e tij besëlidhje të dhënë një lideri, ka vdekur injorant”[18]

Namazi dhe politika

Myslimani edhe pse mund të jetë në zemrën e namazit, mund të zhytet në detin e politikës, kur lexon nga Libri Fisnik i Allahut thëniet e tij që flasin për çështje që kanë të bëjnë me thelbin e asaj që njerëzit e quajnë “politikë”.

Realisht ka hyrë në politikë kushdo që lexon në kaptinën kuranore “Maide”, thëniet që urdhërojnë të gjykohet me Shpalljen e Allahut duke stampuar me mosbesim, padrejtësi dhe prishje atë që nuk gjykon me Shpalljen që ka zbritur Allahu: “E kush nuk gjykon (vendos) sipas asaj që zbriti Allahu, të tillët janë felëshues (kanë rënë në apostazi)… E kush nuk gjykon (vendos) sipas asaj që zbriti Allahu, të tillët janë të padrejtë (mizorë)… E kush nuk gjykon (vendos) sipas asaj që zbriti Allahu të tillët janë të prishur”[19] Ai që lexon thëniet në fjalë, ndoshta me të drejtë konsiderohet oponenti apo opozitari më i flaktë, pasi ai duke lexuar këto ajete i drejton strukturës së qeverisësit gishtin e akuzës dhe nxit kundër tij, duke e atribuuar atë me mosbesim, padrejtësi dhe prishje apo me të gjitha këto akuza së bashku.

E njëjtë është çështja me atë që lexon thëniet kuranore që kërcënojnë për miqësimin, aderimin dhe pasimin e jomyslimanëve: “O ju që besuat, mos i zini miq jobesimtarët e t’i lini mënjanë besimtarët! A doni t’i sillni Allahut argument të qartë kundër vetës!”[20] “Besimtarët të mos miqësohen me mosbesimtarët, e t’i lënë mënjanë besimtarët. E kush e bën atë gjë, ai nga feja e Allahut nuk ka asgjë, përveç nëse është për qëllim ruajtja prej të keqes së tyre. Allahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij dhe vetëm tek Allahu është përfundimi”[21] (Ali Imran:28), “O ju që besuat… mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri”[22] dhe “O ju që besuat, mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëmin tuajin, dëshirojnë për ju atë çfarë ju lëndon juve. Urrejtja kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjokset e tyre është edhe më e madhe”[23]

Në politikë hynë edhe kush bën duanë e kunutit-përdëllimit të quajtur si “lutja në rast fatkeqësish”, që gjen legjitimitet në fikh (jurisprudencën islame). Ajo është një dua që bëhet në namazet e detyrueshme, në rekatin e fundit, sidomos në namazin e zëshëm, që legjitimohet kur myslimanët i godet një fatkeqësi, sikurse okupimi armik, rënie tërmeti, vërshime, uri masive, apo ngjashëm…

Ende e kujtoj sesi imami dëshmor Hasen El-Benna këtë dispozitë fetare e vuri në funksion të karikimit të popullit egjiptian kundër anglezëve, kur shkroi në gazetën e përditshme “El-Ikhuan el-Muslimun” një artikull ku u kërkonte myslimanëve që në namazet e tyre të luteshin me duanë e kunutit të drejtuar kundër okupatorit anglez. Ai propozoi për këtë lutje një trajtë specifike, por duke mos ia angazhuar atë askujt. Gjithsesi ne e mësuam atë lutje përmendësh dhe me të bënim duanë e kunutit-përdëllimit në namazet tona. Prej kësaj lutjeje përdëlluese ishte edhe fragmenti: “O Allah, Zoti i botëve, siguruesi i të frikësuarve, poshtëruesi i kryeneçëve, thyesi i tiranëve (mizorëve)… O Allah, Ti e di se këta okupatorë anglezë, e okupuan tokën tonë, na rrëmbyen të drejtat tona, ushtruan dhunë në vatan, prishje të madhe bënë në të. O Allah, kthejua atyre mbrapsht intrigën që kanë bërë kundër nesh, breje mprehtësinë e tyre, nxirre të jashtëligjshëm shtetin e tyre, bëj që të largohet nga toka jote pushteti i tyre dhe mos u jep atyre terren mbi asnjë rob besimtar… O Allah, shkatërroji ata, ndihmuesit e tyre, bashkëpunëtorët e tyre dhe simpatizantët e tyre, më ndëshkimin Tënd që është ndëshkimi i të Lavdishmit të Gjithëmundëshmit…”

Kësisoj hynim ne në betejën politike, duke u zhytur tejpërtej teksa gjendeshim në mihrabin (direksionin) e namazit, në përdëllese dhe të frikësuar…

Kjo është natyra e Islamit, ku feja nuk izolohet prej dynjasë dhe dynjaja nuk ndahet prej fesë. Kurani, Suneti (tradita profetike) dhe historia e Islamit nuk njohin fe pa shtet dhe shtet pa fe…

Pretendimi se “nuk ka fe në politikë dhe nuk ka politikë në fe”

Personat të cilët kohë më parë kanë pretenduar se feja nuk ka lidhje me politikën por edhe ata që shpikën më pas trillin se “nuk ka fe në politikë dhe nuk ka politikë në fe”, janë vetë të parët që e përgënjeshtruan këtë gjë me fjalët dhe veprimet e tyre. Të tillët me dinakëri u strehuan tek feja që ta përdornin si mekanizëm në shërbim të politikës së tyre dhe për t’iu hakërryer rivalëve të tyre dhe po me dinakëri i përdorën disa njerëz të dobët dhe të brejtur që pretendonin se është me bagazh në fe, që të përftonin prej tyre fetva (direktiva fetare) kundër opozitarëve, që kundërshtojnë politikën e tyre, të paqenë sa i përket aspektit fetar dhe të asfiksuar për nga aspekti i dynjasë.

Ende më kujtohet dalja e fetvave, teksa ne gjendeshim në kampin e arrestit të Turit në vitin 1948 – 1949 të cilat dirigjonin se ne thirrësit tek qeverisja me Kuran dhe implementimin e Islamit, qenkemi luftues të Allahut dhe të dërguarit të Tij, që rendim të prishim rendin në tokë dhe sipas kësaj ne meritonim (sipas tyre) të vriteshim, ose të kryqëzoheshim, ose të priteshin duart dhe këmbët tona të anëve të kundërta, ose të zboheshim nga toka. Kjo skenë u përsërit më se një herë edhe pse fytyrat ishin të ndryshme.

Ende më kujtohet por edhe njerëzit e kujtojnë, sesi u kërkua nga “të kualifikuarit” që të nxirrnin fetvatë e tyre (direktiva fetare) për të legjitimuar marrëveshjen me Izraelin, në përkrahje të politikës së tyre të dështuar, pasi më parë kishte dalë fetvaja që ndalonte marrëveshjen me të. Madje ishte deklaruar se një gjë e tillë ishte tradhti ndaj Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve.

Ende qeveritarët strehohen tek klerikët që t’u imponojnë atyre nxjerrje fetvashë që u shërbejnë qëllimeve të tyre politike, e fundit prej të cilave është përpjekja e legjitimimit të interesave (kredive) bankare dhe letrave me vlerë. Kërkesat politike në fjalë, gjejnë më pas vesh të mprehtë, gjejnë përgjigje nga çdo “dru i njomë”, nga pseudo-dijetarët që vuajnë nga deficiti në fe dhe në fikh (jurisprudencë islame), teksa dijetarët e kualifikuar dhe të konsoliduar nuk vonojnë të reagojnë me vendosmëri kundër tyre: “(Ligji i Allahut ndër) Ata, të cilët i kumtojnë shpalljet e Allahut, që i frikësohen vetëm Allahut e askujt tjetër veç Allahut”[24]

A është politika çështje jo legjitime?

Sa i përket aspektit teorik, politika është një dituri që ka rëndësinë dhe pozitën e vet dhe sa i përket aspektit praktik ajo është një profesion që gëzon dinjitetin dhe dobinë e saj, pasi ajo ka të bëjë me administrimin dhe përkujdesjen për çështjen e krijesave, në formën më të mirë të mundshme.

Imam Ibnul Kajimi nga imam el Hanbeliu përçon se ai ka thënë: Politika është veprimi përmes të cilit njerëzit janë më pranë rregullimit dhe më larg prishjes, përderisa ajo (politika) nuk i kundërvihet Sheriatit (ligjit islam).

Ibnul Kajimi përmend se: Politika e drejtë nuk është në kundërshtim me atë që ka thënë Sheriati, porse ajo është në përputhje me atë që ka sjellë Sheriati, për më tepër ajo është një pjesë prej pjesëve të tij. Ndërsa ne e quajmë politikë në ndjekje të terminologjisë tuaj, kurse ajo në fakt është drejtësia e Allahut dhe të dërguari të Tij.

Dijetarët tanë të gjeneratave të mëparshme e kanë celebruar vlerën dhe meritën e politikës, aq sa imam El-Gazaliu ka thënë: “Dynjaja është plantacioni i Amshimit dhe feja nuk kompletohet përveçse me dynjanë. Dominimi dhe feja janë binjakë, feja është baza dhe pushteti është rojtari. Ajo gjë që nuk ka bazament është e destinuar të rrënohet, teksa gjëja që nuk ka rojtarë është e destinuar të humbasë”.

Ata, imamllikun (lidershipin fetar) dhe kalifatin i kanë definuar se janë: Ministria e Përgjithshme e përfaqësuar nga personaliteti ligjor – i cili është i dërguari i Allahut a.s. – që është në “mbrojtje” të fesë dhe “bërjen e politikës” së dynjasë përmes fesë

Pra, sipas tyre, kalifati është mbrojtje dhe politikë.

Profeti (a.s), ishte politikan, përbri qenies së tij transmetues, mësues dhe gjykatës. Edhe kalifët e drejtë dhe të udhëzuar pas tij ishin politikanë sipas metodologjisë dhe linjës së profetit (a.s). Ata politikën e kombit islam e bazuan dhe implementuan mbi drejtësi, paanshmëri, dinjitet dhe duke udhëhequr me dituri dhe besim.

Porse njerëzit në epokën dhe viset tona, e kanë urryer politikën për shkak të vuajtjeve të tepërta që hoqën prej politikës dhe politikanëve, sidomos në rastet kur këtë politikë e bënë kolonizatorët, bashibozukët apo qeveritarët mizor. Qenë këto politika ato që i bënë njerëzit ta marrin neveri politikën dhe çdo gjë që ka lidhje me të, sidomos pasi filozofia e Makiavelit (qëllimi e justifikon mjetin) u bë filozofia dominuese në politikë dhe në orientimin e saj, saqë në këtë kontekst tregohet për dijetarin Muhamed Abduhu se ai pasi provoi nga intriga e politikës së paskrupullt atë që provoi tha fjalën e tij të famshme: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga politika dhe nga gjithçka që ka të bëjë me politikën”.

Paskëtaj, rivalët e mendimit islam dhe të lëvizjes islame e shfrytëzuan këtë për t’u ngjallur njerëzve neveri për politikën, për t’i vënë në siklet prej saj, për t’i bërë të ndjehen ngushtë dhe të marrin arratinë prej saj, duke e etiketuar Islamin përfshirës dhe të kompletuar tek i cili thërrasin sot islamikët se ai është “Islam politik”.

Tani është bërë normale që çdo mysliman i cili spikat dhe është i përkushtuar, të etiketohet se ai është “politikan” apo “merret me politikë”, gjë kjo që është mjaft për masën e gjerë të rënë viktimë e këtyre inskenimeve, që ta kritikojnë këtë mysliman dhe të distancohen prej tij.

Disa vajza myslimane të mbuluara të një vendi prej vendeve të Arabisë perëndimore, shkuan tek një personalitet me pozitë fetare dhe politike, që t’i ankohen se disa fakultete u kushtëzojnë atyre tek kushtet e pranimit, që të heqin mbulesën islame. Ato shkuan tek ky personalitet që ai të ndërhyjë në favor të tyre me qëllim që të bëhet për to përjashtim nga ky kusht që kushtëzonte zbulimin e kokës dhe veshjen me të shkurtra, gjë e cila dihet se është e ndaluar nga Allahu dhe i dërguari i Allahut a.s. Këto vajza çudinë më të madhe e provuan kur ky person i zgjedhur prej tyre për të shërbyer si ndërmjetësues u tha këtyre studenteve të përkushtuara fetarisht: Kjo që ju doni nuk është vetëm hixhab-mbulesë, por është veshje politike. Para këtij personi që u përmend, laiku më i madh i Tunizisë ishte shprehur: Kjo veshje është një veshje sektare. Një tjetër tha për namazin e bajramit në hapësirë: E tillë gjë nuk është sunet (traditë profetike) por është namaz politik. Po kështu, të tjerë persona thanë se qëndrimi në itikef (ngujim brenda xhamisë në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit) është ngujim politik. E nuk përjashtohet mundësia që të vijë koha kur të konsiderohet namazi kolektiv në xhami se ai është namaz politik, kur leximi i luftërave në libra si ai i “Sijratu li Ibni Hisham-Jetëshkrimi Profetik me Autor Ibën Hishamin” ose përpilimi “Imteul Esme’i-Argëtuesi i Dëgjimit” ose “El Megazi-Luftërat” nga përpilimi i “Sahihul Bukhari-Autentiku i Bukhariut”, të konsiderohen lexime politike.

Ndoshta vetë leximi i Kuranit, sidomos i kaptinave të tij specifike, mund të vijë dita kur do të konsiderohet se është një lexim politik.

Nuk e kemi harruar atë kohë kur kundër të akuzuarve që mësonin përmendësh suren “Enfal”, përdorej për argument se kjo kaptinë kuranore është kaptinë e xhihadit (mobilizimit për luftë).

Allahu është më i dijshmi.

[1] – Sure Ali Imran: 64.

[2] – Sure Nisa: 75.

[3] – Sure Nisa: 97 – 99.

[4] – Sure Maide: 78 – 79.

[5] – Muslimi.

[6] – Sure Ali Imran: 110.

[7] – Ahmedi.

[8] – Muslimi.

[9] – Sure Huxhurat: 10.

[10] – Sure Fexhr: 17 – 18.

[11] – Sure Maun: 1 – 3.

[12] – Sure Hakka: 33 – 34.

[13] – Sure Enfal: 25.

[14] – Sure Nuh: 21.

[15] – Sure Hud: 59.

[16] – Sure Zuhruf: 54.

[17] – Sure Hud: 113.

[18] – Muslimi.

[19] – Sure Maide: 44 – 47.

[20] – Sure Nisa: 144.

[21] – Sure Ali Imran: 28.

[22] – Sure Mumtehine: 1.

[23] – Sure Ali Imran: 118.

[24] – Sure Ahzab: 39.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.