Kur krehri ra nga dora

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Momenti kur krehri ra nga dora ishte një çast vendimtar dhe i paracaktuar në jetën e asaj gruaje besimtare. Ajo ishte një shërbyese e thjeshtë, që krihte flokët e vajzës së tiranit më të pamëshirshëm që historia ka njohur ndonjëherë. Në natyrshmërinë e saj, ajo shqiptoi emrin e Allahut dhe nuk u tërhoq nga besimi i saj, edhe pse kjo ndodhi krejt papritur. Ky akt guximi i kushtoi shumë shtrenjtë: jetën e saj dhe të pesë fëmijëve të saj, të cilët tirani i hodhi në vaj të valuar para syve të saj.

Ajo ishte e dobët trupërisht, e varfër materialisht dhe pa pozitë të lartë shoqërore, thjesht një shërbyese e rëndomtë në pallatin mbretëror. Por si mundi të guxonte të përballej me atë sundimtar të fuqishëm, që dihej se nuk hezitonte të vriste qindra fëmijë me një gjest të gishtit të tij?!

Ai e pyeti, i habitur dhe i indinjuar: “A ke ti një zot tjetër përveç meje?”

Ajo iu përgjigj me qetësi dhe vendosmëri, pa hezituar: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.”

Çfarë është kjo? A është vetëvrasje? Ku është mençuria dhe maturia? A është e lejueshme që ajo të hidhej drejt shkatërrimit me duart e saj, ku shumë mirë mund të kishte zgjedhur ta fshihte besimin e saj, ashtu si shumë të tjerë që zgjodhën të qëndronin të sigurtë duke e fshehur besimin e tyre?

Çfarë faji kishin ata fëmijë të vegjël që të ndëshkoheshin për shkak të nënës së tyre të guximshme dhe plot energji, duke u shkrirë në vaj të valuar deri sa mishi u nda nga kockat?

A nuk është ky një veprim i pamatur dhe një përballje e pabarabartë, me pasoja të parashikuara? Kush e autorizoi atë që të flijonte fëmijët e saj për kauzën e saj?

A nuk e dinte tirani zullumqar se ata fëmijë të vegjël nuk kishin ndonjë ideologji, as nuk mbanin mendimet e nënës së tyre dhe nuk kishin kryer asnjë shkelje për t’u dënuar. Megjithatë, ai deshi ta përdorte fatin e tyre për ta shantazhuar nënën e tyre, për ta detyruar atë të nënshtrohej!

Nga ana tjetër, krenaria e tij ishte thyer, autoriteti i tij ishte poshtëruar dhe ai mendoi se hakmarrja më e mirë do të ishte që t’i shkaktonte asaj dhimbjen më të madhe, duke e detyruar të shihte fëmijët e saj duke u shkrirë në zjarr.

Por Allahu e bëri foshnjën e saj të fliste nga djepi për ta inkurajuar atë të duronte, të pranonte sprovën, dhe të kalonte pragun e një vuajtjeje të përkohshme për të fituar më pas lumturinë e përjetshme. Kjo mrekulli ishte një dëshmi hyjnore për drejtësinë e qëndrimit të saj dhe saktësinë e përpjekjes së saj për t’i rezistuar tiranit, duke treguar se mbështetja e së vërtetës ka një çmim që duhet paguar.

Ky moment nuk përfundoi vetëm në atë skenë tokësore. Ai u ngrit më lart, duke arritur te dëshmitarët më të lartë të Allahut, profetët e Tij. Gjatë ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit, Profeti Muhamed (a.s) ndjeu aromën e saj të këndshme që tejkalonte të gjitha shekujt dhe epokat. Kur ai (a.s) pyeti për atë aromë të mrekullueshme, Xhibrili iu përgjigj: “Kjo është aroma e parukjeres së vajzës së Faraonit.”

Kjo grua e thjeshtë u ngrit në pozita të larta përmes një veprimi të vogël,rënia e krehrit nga dora. Allahu e ngriti gradën e saj dhe e përkujtoi historinë e saj në natën më të shenjtë, pranë krijesës më fisnike të Tij. Historia e saj mbetet një shembull i përjetshëm i sakrificës dhe qëndrueshmërisë deri në Ditën e Gjykimit.

Ajo nuk ishte as predikuese, as studiuese e dijes, as luftëtare e trajnuar në armë ose artet e luftës. Ishte vetëm një “parukiere” e vajzës së mbretit. Por me besimin e saj të palëkundur në Allahun dhe fenë e Tij, dhe me bindjen e saj të patundur, ajo arriti gradat më të larta të dëshmorëve duke thënë një fjalë të drejtë para tiranit më të pamëshirshëm.

Tregimet për ata që na kanë paraprirë dhe qëndrueshmëria e tyre na e ngrejnë moralin, na ndihmojnë për të qenë më të qëndrueshëm dhe na tregojnë se Umeti i teuhidit është një Umet i vetëm dhe i begatë. Umeti i Muhamedit (a.s) është vazhdim i Umetit të Islamit, me të cilin janë dërguar të gjithë profetët dhe të dërguarit.

Historia e Umetit ka dëshmuar se herë pas here janë shfaqur gra si parukjeria e vajzës së Faraonit, që kanë bërë atë që bëri ajo, që kanë treguar qëndrueshmëri si ajo dhe kanë sakrifikuar si ajo. Padyshim që aroma e tyre ka mahnitur edhe melekët, ashtu sikurse aroma e parukjeres së vajzës së Faraonit e mahniti Profetin (a.s) dhe Xhibrilin.

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.