Mëshira e Profetit (a.s) nuk kufizohej vetëm te ata myslimanë që jetuan në kohën e tij, por ai ishte gjithmonë i preokupuar me gjithë umetin e tij, në thellësi të kohës dhe hapësirës, madje deri në Ditën e Kiametit. Nuk ka dyshim se mëshira e të Dërguarit (a.s) ndaj shokëve të tij u kthye në mirësi për gjithë umetin, sepse veprat dhe fjalët e tij me ta nuk ishin të veçanta vetëm për ata, por ishin legjislacion i qëndrueshëm që do të vazhdojë të zbatohet deri në Ditën e Kiametit.
Në këtë artikull – në dashtë Zoti – do të trajtojmë një pjesë të mëshirës së Profetit (a.s) ndaj myslimanëve që do të vijnë pas kohës së tij. Ai nuk ishte si udhëheqësit e kësaj bote që merren vetëm me gjendjen e popullit të tyre në kohën e tyre dhe nuk shqetësohen për atë që vjen pas, as nuk planifikojnë për të.
I Dërguari i Allahut (a.s) ishte gjithmonë i angazhuar me umetin e tij në të gjitha kohët dhe gjithmonë mendonte për ta, gjë që shfaqet në shumë fjalë dhe ngjarje të ndryshme.
Mëshira e Profetit (a.s) ndaj umetit të tij
Mëshira e të Dërguarit të Allahut (a.s) ndaj umetit të tij arriti një nivel që mendja nuk mund ta përfytyrojë, deri në atë pikë sa ai frikësohej për ta edhe nga shtimi i adhurimeve! Edhe pse afrimi tek Allahu dhe përkushtimi ndaj Tij është diçka e lavdëruar dhe e urdhëruar, Profeti (a.s) frikësohej se mos umeti i tij e tepronte dhe kështu humbte ekuilibrin në jetën e tij, ose do të binte në mërzi e përtaci, apo do të lodhej përtej fuqisë njerëzore.
Për këtë arsye ai shpesh largohej nga disa vepra që i donte dhe i kishte të dashura për zemrën e tij, jo për ndonjë arsye tjetër, por vetëm nga frika se mos bëheshin obligim për umetin dhe do t’u vështirësoheshin.
Metoda e lehtësimit për umetin
Nëna e besimtarëve Aisheja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) linte një vepër edhe pse e donte ta bënte, nga frika se njerëzit do ta bënin obligim për veten e tyre.” Në një transmetim tjetër thuhet se: “I Dërguari i Allahut (a.s) e donte atë që ishte më e lehta për njerëzit nga obligimet.”
Prandaj ai (a.s) shpesh thoshte: “Sikur të mos kisha frikë se do t’ua vështirësoja umetit tim…”, duke treguar se ai e donte atë vepër, por frikësohej nga vështirësia për umetin.
Kështu ai (a.s) nuk dilte në çdo betejë, që njerëzit të mos ndiheshin të detyruar ta bënin gjithmonë, dhe nuk e vononte namazin e jacisë deri në mesnatë, dhe nuk doli të falte namazin e natës në Ramazan me xhemat nga frika se mos bëhej obligim për myslimanët. Po ashtu, kur u pyet për përsëritjen e haxhit çdo vit, ai u përmbajt nga përgjigja e detajuar nga frika se mos bëhej obligim.
Po ashtu ai ka thënë: “Sikur të mos kisha frikë se do t’ua vështirësoja umetit tim, do t’i urdhëroja të përdornin misvakun në çdo abdes”, dhe gjithashtu: “…dhe do ta vonoja namazin e jacisë deri në një të tretën e natës.”
Pra metoda e tij ishte e qartë dhe e vazhdueshme: lehtësimi dhe mëshira ndaj umetit.
Mëshira ndaj të varfërve të umetit
Nga mëshira e tij (a.s) ishte edhe kujdesi i madh për të varfrit e umetit, jo vetëm për ata që jetonin në kohën e tij, por për të gjithë brezat deri në Ditën e Kiametit.
Ai i nxiste të pasurit të shpenzojnë për të varfrit dhe i paralajmëronte nga neglizhimi i tyre. Në një hadith transmetohet se ai (a.s) ka thënë: “Nuk vjen asnjë ditë që njerëzit zgjohen, veçse zbresin dy melekë… njëri thotë: “O Allah, jepi atij që shpenzon zëvendësim”, dhe tjetri:” O Allah, jepi shkatërrim atij që nuk shpenzon.” Po ashtu ka thënë: “Shpenzo dhe mos llogarit me saktësi të tepërt, që edhe Allahu të mos të llogarisë ty.”
Ai (a.s) kujdesej edhe për ndjenjat e të varfërve dhe nuk donte që ata të ndiheshin inferiorë. Nga kjo është edhe praktika e tij kur bënte kurban: ai therte një kafshë për veten dhe një tjetër për gjithë umetin, duke thënë: “O Allah, kjo është për umetin tim…”
Zgjerimi i konceptit të sadakasë
Profeti (a.s) e zgjeroi konceptin e sadakasë duke e bërë atë shumë më të gjerë se thjesht paraja. Ai (a.s) tha: “Buzëqeshja jote ndaj vëllait tënd është sadaka, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është sadaka, udhëzimi i një njeriu në rrugë të gabuar është sadaka, heqja e pengesës nga rruga është sadaka…”
Madje edhe ndihma e të tjerëve, përshëndetja, marrëdhëniet bashkëshortore, mbjellja e pemëve dhe çdo vepër e dobishme për njerëzit dhe krijesat përfshihet në sadaka.
Në disa transmetime shtohet: “Të ndihmosh atë që ka nevojë të madhe”, “t’i japësh selam atij që takon”, dhe “edhe marrëdhënia me bashkëshorten është sadaka”.
Madje ai e zgjeron edhe më tej duke përfshirë kafshët dhe shpendët: çdo gjë që hahet nga ajo që mbjell njeriu është sadaka për të…
Frika e të Dërguarit (a.s) për umetin e tij nga shkaqet e shkatërrimit të popujve
I Dërguari i Allahut (a.s) kishte frikë për umetin e tij nga shkaqet që çojnë në shkatërrim, humbje dhe rrëzim, prandaj ai vazhdimisht e paralajmëronte umetin për shumë çështje.
Paralajmërimi nga mëkatet
Profeti (a.s) e paralajmëroi umetin nga mëkatet dhe ua shpjegonte rrezikun e tyre për ekzistencën dhe forcën e tyre, pavarësisht se sa të vogla mund të duken në sytë e myslimanit.
Ai (a.s) ka thënë: “Ruajuni nga mëkatet e vogla (të nënvlerësuara), si një grup njerëzish që zbritën në një luginë… derisa i grumbulluan dhe u bë zjarri i tyre i pjekjes. Dhe mëkatet e vogla, kur merret njeriu në llogari për to, e shkatërrojnë atë.”
Paralajmërimi nga kamata
Profeti (a.s) paralajmëroi nga kamata, duke thënë: “Mos e shisni dinarin me dy dinarë, as dirhemin me dy dirhemë, as një masë me dy masa, sepse unë kam frikë për ju nga ‘err-rrema’ dhe err-rrema është ribaja.”
Paralajmërimi nga syefaqësia
Ai (a.s) kishte frikë për umetin nga syfaqësia (bërja e veprave për t’u dukur para njerëzve), duke thënë: “Ajo që kam më shumë frikë për ju është shirku i vogël.” U pyet: “Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Syfaqësia. Allahu do t’u thotë njerëzve në Ditën e Kiametit: shkoni tek ata për të cilët bënit veprat në dynja dhe shikoni nëse gjeni shpërblim tek ata?”
Paralajmërimi nga prijësit devijues
Profeti (a.s) paralajmëroi gjithashtu për prijësit që devijojnë dhe devijojnë të tjerët. Ai (a.s) ka thënë: “Ajo që kam më shumë frikë për ju janë prijësit devijues.”
Paralajmërimi nga përçarja dhe armiqësia
I Dërguari i Allahut (a.s) e paralajmëroi umetin shumë nga përçarja, urrejtja dhe konfliktet. Në fjalët e tij ndihet trishtim i thellë dhe frikë e sinqertë për umetin, sikur ai po paralajmëronte një realitet që do të ndodhte patjetër.
Ai (a.s) ka thënë: “Pasha Allahun, nuk kam frikë për ju nga varfëria, por kam frikë që dynjaja të shtrihet para jush siç iu shtri atyre para jush, e të garoni për të siç garuan ata dhe t’ju shkatërrojë siç i shkatërroi ata.” Dhe gjithashtu ka paralajmëruar me dashuri dhe mëshirë: “Mos u ktheni pas meje si mohues, duke vrarë njëri-tjetrin.”
Profeti i mëshirës
Kjo ishte mënyra e vazhdueshme e të Dërguarit (a.s), e cila pasqyron një ndjenjë të fortë dashurie ndaj umetit të tij, një vetëdije të lartë për përgjegjësinë edhe pas vdekjes, dhe një dëshirë të sinqertë për ta udhëzuar umetin mbi atë që mund t’i ndodhë në të ardhmen.
Janë këshilla që burojnë nga një zemër e mëshirshme, më e mëshirshme për myslimanët sesa vetë prindërit e tyre, madje më e mëshirshme për ta se sa vetvetja e tyre.
Prandaj i Dërguari i Allahut (a.s) e përshkroi për myslimanët të ardhmen e tyre dhe sprovat që do të kalojnë, në mënyrë që ata të mund t’i përballojnë vështirësitë dhe të dalin të shpëtuar nga fitnet. Ndonjëherë ai e përshkruante këtë me shumë saktësi, deri në detajet më të imta.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk do të vijë Ora (Kiameti) derisa të luftojnë dy grupe mes vete dhe të ndodhë mes tyre një vrasje e madhe, ndërsa thirrja e tyre është e njëjtë. Dhe nuk do të vijë Ora derisa të shfaqen rreth tridhjetë mashtrues, gënjeshtarë, secili prej tyre duke pretenduar se është i dërguar i Allahut.” Dhe gjithashtu ka thënë: “Nuk do të vijë Ora derisa të luftoni hebrenjtë, derisa guri pas të cilit fshihet një hebre të thotë: “O mysliman, ky është një hebre pas meje, eja dhe vrite!”
Shembuj të tillë të haditheve që përshkruajnë të ardhmen e umetit janë të shumtë; ato sqarojnë situata të ndryshme që do të kalojë umeti dhe mënyrën e shpëtimit prej tyre, në mënyrë që të realizohet fjala e të Dërguarit (a.s): “Ju kam lënë në një rrugë të qartë, nata e saj është si dita; nuk devijon prej saj pas meje askush veçse i shkatërruar.”
I Dërguari i Allahut (a.s) kishte frikë për umetin që do të vinte pas tij, e mëshironte atë dhe i dëshironte shpëtim e siguri, deri në atë pikë sa dëshironte t’i shihte me sytë e tij nga mallëngjimi i madh për ta.
Ai (a.s) ka thënë: “Do të doja të kishim parë vëllezërit tanë.” I thanë: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit tanë janë ata që nuk kanë ardhur ende.” Ata thanë: “Si do t’i njohësh ata që nuk kanë ardhur ende nga umeti yt?” Ai tha: “Sikur një njeri të kishte kuaj me shenja të bardha mes kuajve të zinj, a nuk do t’i njihte kuajt e tij?” Ata thanë: “Po.” Ai tha: “Ata do të vijnë me shenja nga abdesi, dhe unë do t’i pres në haud. Por disa njerëz do të largohen prej meje siç largohet deveja e humbur; unë do t’i thërras: “Ejani!”, por do të më thuhet: “Ata kanë ndryshuar pas teje.” Atëherë unë do të them: “Larg qofshin, larg qofshin!”
Dhe sa bukur përfundojmë me një ngjarje që tregon sa shumë ishte i preokupuar i Dërguari i Allahut (a.s) me umetin e tij dhe sa e madhe ishte mëshira e tij, si dhe vlerësimi i Allahut të Lartësuar për këtë mëshirë.
Abdulla ibn Amër ibn el-As (r.a) tregon se Profeti (a.s) lexoi fjalën e Allahut për Ibrahimin dhe Isain (paqja qoftë mbi ta), pastaj ngriti duart dhe tha: “O Allah, umeti im, umeti im!” dhe qau. Allahu i Madhëruar tha: “O Xhibril, shko te Muhamedi – dhe Zoti yt e di më mirë – pyete çfarë po e bën të qajë.” Xhibrili erdhi dhe e pyeti, dhe i Dërguari i Allahut (a.s) i tregoi. Atëherë Allahu tha: “O Xhibril, shko te Muhamedi dhe thuaji: Ne do të të kënaqim në lidhje me umetin tënd dhe nuk do të të hidhërojmë.”
A ka mëshirë më të madhe se kjo?!
Dhe me të vërtetë, o Zoti ynë, ke thënë të vërtetën kur e ka përshkruar të Dashurin tonë (a.s) me fjalën Tij: “Ne nuk të kemi dërguar ty veçse mëshirë për botët.”
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















