Qyteti i Salvadorit është kryeqyteti i shtetit të Bahias dhe konsiderohet qyteti i tretë më i madh në Brazil për nga numri i banorëve, pas qyteteve Sao Paulo dhe Rio de Zhaneiro. Popullsia e tij arrin në 2 714 119 banorë. Ai është qyteti më i madh dhe më i pasur në Brazilin verilindor.
Salvadori njihet si “Qyteti i Lumturisë”, për shkak të numrit të pafund të festivaleve që organizohen në rrugët e tij. Ai ka qenë kryeqyteti i dikurshëm i Brazilit dhe një nga rajonet e para ku u vendosën evropianët në kontinentin amerikan. Qyteti dallohet për kulturën dhe gatimet e tij vendase. Ndikimi kulturor i brazilianëve me origjinë afrikane është shumë i dukshëm, ndaj ai konsiderohet kryeqyteti i brazilianëve me prejardhje afrikane. Bukuria e tij është mahnitëse dhe peizazhet e tij të rrëmbejnë shikimin.
Ky shtet, i cili shtrihet përgjatë 200 kilometrave të bregdetit të Atlantikut, sipas disa rrëfimeve, e ka emrin “Bahia” me prejardhje arabe, të marrë nga fjalët që shprehin shkëlqimin dhe madhështinë. Dikur, myslimanët përbënin gjysmën e popullsisë së tij.
Qyteti u njoh me Islamin që në kohë të hershme, kur portugezët sollën skllevër afrikanë për të punuar në përmirësimin dhe shfrytëzimin e atyre hapësirave të gjera të tokës braziliane. Aty u zhvilluan betejat më të mëdha ndërmjet ushtarëve të Mbretërisë së Brazilit dhe skllevërve myslimanë, të cilët organizuan një kryengritje të përgjithshme për të fituar lirinë e tyre dhe për të themeluar një shtet islam, kryengritje kjo që u quajt “Kryengritja e Skllevërve”. Megjithatë, ajo dështoi. Myslimanët bënë sakrifica të shumta dhe humbën shumë nga parimet themelore të fesë së tyre.
Myslimanët kishin shpresa të mëdha te kryengritja e tyre e vitit 1835, duke besuar se ajo do t’i jepte fund skllavërisë dhe do të shënonte fillimin e një mbretërie islame. Por ëndrrat e tyre u shuan përballë pamëshirshmërisë së shpatave portugeze dhe pushkëve të ushtarëve të mbretërisë, të cilët nuk treguan mëshirë ndaj tyre. Këta ushtarë u thirrën nga shtetet e tjera të Brazilit për të shtypur këtë lëvizje.
Në vitin 1867, shejh Abdurrahman el-Bagdadi vizitoi atë qytet, u takua me myslimanët që kishin mbetur gjallë dhe u përpoq të ndreqte gjendjen e keqe që ishte përhapur ndër ta. Ai tha:
“Gjendja e myslimanëve në Abaja: në këtë qytet ka më shumë myslimanë sesa në qytetin e parë, por dëshira e tyre për arsimim është më e vogël. Sa i përket paditurisë, gjendja e tyre është e ngjashme me atë të banorëve të qytetit të parë. Megjithatë, ata kanë edhe një veçori tjetër: kur një burrë dëshiron të martohet me ta, zgjedh ndër vajzat e ngjashme me të atë që i pëlqen, e merr pranë vetes dhe vazhdon të jetojë me të për një periudhë të gjatë, derisa ajo të lindë fëmijë. Nëse më pas vëren se ajo e ruan sekretin e tij, kujdeset për punët e tij dhe tregon dashuri ndaj tij, ai lidh me të martesë të rregullt dhe e quan bashkëshorten e tij. Por, nëse sheh se ajo nuk sillet në këtë mënyrë dhe nuk i pëlqen, ai e dërgon atë, së bashku me fëmijët që ka prej saj, te i ati. Ata nuk e konsiderojnë këtë gjë as të shëmtuar, as të urryer.
Gjëja e parë me të cilën u mora në këtë qytet ishte zhdukja e kësaj gjendjeje të keqe. Fillova t’i thërrisja njerëzit tek unë, pak nga pak. Burrat pendoheshin për marrëdhëniet me gratë me të cilat jetonin dhe unë lidhja martesë të rregullt mes tyre, duke caktuar edhe mehrin. Gjithashtu, u shpjegova se në fenë islame lejohet divorci dhe, aq sa kisha mundësi, u mësova mënyrën e ndarjes kur ajo bëhej e nevojshme.
Në këtë vend agjërova muajin e Ramazanit. Myslimanët treguan dëshirë për faljen e namazit të teravive dhe unë ua fala dhjetë rekate, me qëllim që t’ua lehtësoja. Gratë e tyre ishin si gratë e evropianëve, pa u mbuluar. Kur u vdiste dikush i dashur për to, si bashkëshorti, babai apo vëllai, shkonin në kishë dhe u jepnin lëmoshë murgjve, me qëllim që ata të lexonin Ungjillin dhe t’ia dhuronin sevapin të vdekurit të tyre.
Këtë gjendje e ndryshova duke organizuar një tubim ku mblodha gratë dhe u solla me to me butësi e urtësi. Shumica e fëmijëve të myslimanëve në këtë qytet bëhen të krishterë, sepse, sapo fillojnë të kuptojnë jetën dhe shohin ceremonitë e të krishterëve në kisha, numrin e madh të peshkopëve e priftërinjve, tingujt e muzikës dhe bukurinë e lëvizjeve gjatë riteve, vërejnë se babai i tyre vepron krejt ndryshe nga kjo mënyrë. Atëherë fëmija beson se babai i tij është në të gabuar dhe bashkohet me shumicën, duke ndjekur rrugën e shthurjes dhe të imoralitetit.
U këshillova disa myslimanëve që merreshin me muzikë t’i mbanin fëmijët e tyre pranë vetes derisa të arrinin pjekurinë dhe t’i edukonin. Disa prej tyre e zbatuan këtë këshillë. Qëndrova në këtë qytet rreth një vit dhe nuk pata asnjë angazhim tjetër përveç mësimit të myslimanëve dhe përmirësimit të moralit të tyre, aq sa ma lejonin mundësitë.”
Me kalimin e kohës, gjurmët e këtyre afrikanëve u zhdukën dhe nuk mbetën veçse kujtimet që flasin për dijen, kulturën, virtytet dhe ndikimin e tyre në ndërtimin e qytetërimit brazilian në fusha të ndryshme.
Populli brazilian në këtë qytet vazhdon të jetë i ndikuar nga shumë zakone dhe tradita islame. Disa myslimanë më kanë treguar se veshja e rrobave të bardha ishte një zakon të cilit banorët e Salvadorit i kushtonin rëndësi ditën e xhuma. Po kështu, gratë vazhdojnë të veshin rroba të bardha e të gjera, ndërsa burrat mbajnë çallma në disa raste. Këto veshje rikrijojnë një pamje të së kaluarës jo shumë të largët, kur ato ishin të përhapura dhe shprehnin një trashëgimi të thellë islame, të sjellë nga skllevërit myslimanë të Afrikës.
Gjithashtu, në këtë qytet do të shohësh shumë fjalë arabe të shkruara nëpër vende të ndryshme ose do të dëgjosh njerëz që i shqiptojnë ato. Gjuha portugeze është ndërthurur me shumë terma arabë, si pasojë e ndikimit që patën portugezët nga bashkëjetesa me myslimanët në Gadishullin Iberik dhe më pas nga ardhja e afrikanëve në mesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Këta të fundit dinin të lexonin dhe të shkruanin në gjuhën arabe, ndërkohë që portugezët që i kishin skllavëruar përshkruheshin si analfabetë. Dihet se fjalori i gjuhës portugeze përmban më shumë se 3 000 fjalë me prejardhje arabe. Kësaj i shtohen edhe gatimet e njohura dhe erëzat me origjinë afrikano-islame.
Ndër vendet e këtij qyteti që meritojnë vëmendje të veçantë është një kopsht i quajtur “Xheneti i Allahut”, i cili ndodhet buzë Oqeanit Atlantik. Thuhet se skllevërit myslimanë mblidheshin në këtë kopsht.
Një tjetër pamje që tërheq vëmendjen është sinagoga “La Bella”, të cilën skllevërve myslimanë u ishte kërkuar ta ndërtonin. Ajo ishte një kryevepër artistike nga brenda, e zbukuruar me ornamente islame. Edhe minberi përbënte një pjesë thelbësore të strukturës së saj, pa përmendur muret e zbukuruara me fjalë arabe. Të gjitha këto dëshmojnë se ndërtuesit e saj ishin njerëz me dije dhe qytetërim.
Myslimanët e rinj në këtë qytet janë kryesisht njerëz që e kanë përqafuar Islamin kohët e fundit. Ata mblidhen rreth Qendrës Kulturore Islame në qytetin e Salvadorit. Kjo qendër është një shtëpi që Organizata Bamirëse Islame Ndërkombëtare e bleu në vitin 1992. Më pas, Lidhja e Botës Islame dërgoi si përfaqësues të saj shejh Abdu’l-Hamid Ahmedin, me origjinë nigeriane, për të shërbyer si imam i qendrës. Ai po bën një punë të lavdërueshme në thirrjen e njerëzve drejt Allahut në këtë qytet, ku dikur myslimanët përbënin gjysmën e popullsisë.
Numri i njerëzve që kanë përqafuar Islamin nëpërmjet shejh Abdu’l-Hamidit ka arritur në dyqind. Ndërsa sot, numri i myslimanëve në shtetin e Bahias arrin në 500, shumica e të cilëve e kanë përqafuar Islamin kohët e fundit.
Qyteti i Salvadorit është ndër qytetet më të rëndësishme turistike të Brazilit dhe ka shumë universitete. Ai ruan kujtime të shumta islame që shtrihen përgjatë historisë. Salvadori ishte një nga qytetet pritëse të ndeshjeve të Kupës së Botës 2014. Për këtë arsye, qyteti ka pasë nevojë për një qendër të madhe që të përfshijë një xhami, një hapësirë për falje dhe një muze, në mënyrë që të shërbejë si një fener udhëzimi dhe të ndihmojë në rikthimin e shumë njerëzve me prejardhje islame. Një alternativë tjetër do të ishte restaurimi i asaj që ekziston tashmë, në mënyrë që të përgatitet për të pritur myslimanët që vijnë nga vendet islame, si dhe brazilianët e etur për ta njohur Islamin.
Dr. Hasan bin Ahmed en-Nuami, në një artikull të tij për myslimanët në shtetin e Bahias, me titullin “Nuk kam as xhami ku të të pëshpëris lutjet e mia”, thotë: “Në këtë shtet të madh, me një histori të lashtë islame, nuk ka asnjë xhami ku myslimanët të kryejnë adhurimet e tyre. Këtij fakti i është referuar edhe poeti i madh Muhamed Abdul Ganij Hasan, i cili çdo vit vizitonte fëmijët e tij të shpërngulur në Brazil. Një herë, atë e zuri një gjumë i thellë mbi një kodër që mbikëqyrte Oqeanin Atlantik, në portin e qytetit të Salvadorit. Duke shprehur trishtimin dhe pikëllimin e tij, ai tha:
Atje, mbi kodrën e lartë, humbën ngushëlluesit dhe ata që më lehtësonin dhimbjen.
O Zoti im, më fal, sepse nuk kam asnjë xhami ku të të pëshpëris lutjet e mia, as ndonjë faltore të vogël.
Burimi: dawa.center
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















