Nevoja, në varësi të kohëzgjatjes dhe përsëritjes së saj, klasifikohet në dy kategori: nevoja e njëhershme kalimtare dhe nevoja e përtëritshme. Ky klasifikim lidhet ngushtë me dimensionin kohor të realizimit të nevojës, qoftë ajo e kufizuar në një rast të vetëm, qoftë e përsëritur në mënyrë ciklike. Edhe pse një ndarje e tillë nuk është përmendur në mënyrë eksplicite nga dijetarët klasikë, ajo del në pah në shkrimet e tyre dhe përdoret në mënyrë të nënkuptuar. Dijetarët hanefi janë ata që e kanë përdorur dhe trajtuar më gjerësisht këtë klasifikim. Në vijim do të sqarohet kuptimi i secilës kategori, duke u shoqëruar me shembuj ilustrues.
Lloji i parë: Nevoja e njëhershme kalimtare
Kjo është ajo nevojë që lidhet me një moment ose kohë të caktuar. Kur ajo shfaqet, njeriu synon ta plotësojë; dhe sapo të plotësohet, ajo zhduket dhe kërkesa për të ndërpritet, pa pasur lidhje me kohën e ardhshme. Me termin “njëhershme kalimtare” në këtë klasifikim nuk nënkuptohet domosdoshmëria e realizimit të saj, por theksohet mungesa e vazhdimësisë. Në këtë kuptim, nevoja plotësohet në kohën kur shfaqet, pavarësisht se si do të jetë gjendja e individit në periudhat pasuese. Shembujt më tipikë të këtij lloji janë si vijon:
1 – Nevoja për t’u martuar është një nga nevojat e njëhershme kalimtare. Për këtë, Serkhasi thotë: “Martesa lidhet për një jetë, dhe nevoja për të nuk përtërihet në çdo kohë.”
2 – Nëse një person nuk e ka zakon të marrë hua, ai mund të ketë nevojë për ndihmë për shlyerjen e borxhit në rast se nuk ka mundësi ta kryejë vetë. Kjo nevojë nuk është e vazhdueshme, pasi marrja hua nuk është pjesë e zakoneve të tij dhe mund të mos përsëritet. Pasi borxhi të shlyhet, nevoja për ndihmë zhduket dhe kërkesa për të ndërpritet.
3 – Ai që sëmuret me ndonjë sëmundje që nuk kërkon një kohë të gjatë për shërim, ka nevojë për trajtim gjatë periudhës së sëmundjes. Sapo të shërohet, nevoja për ilaç apo trajtim ndërpritet, duke treguar natyrën kalimtare të kësaj nevoje.
Lloji i dytë: Nevoja e përtëritshme
Ajo është nevoja që nuk lidhet me një kohë të caktuar dhe vazhdon të shoqërojë individin, duke u përtërirë me kalimin e kohës. Kur kjo nevojë shfaqet, individi synon ta plotësojë menjëherë; nëse plotësohet gjatë kohës aktuale, shuhet vetëm pjesa që lidhet me këtë periudhë, ndërsa mbetet e pranishme për kohën e ardhshme. Disa shembuj që ilustrojnë këtë kategori janë si më poshtë:
1 – Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshëm shlyerjen (kefaretin) në rastin e “Dhiharit”[1], dhe kjo duhet të kryhet sipas mundësisë së individit. Një nga mënyrat e shlyerjes është ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve. Nëse një person ushqen një të varfër për gjashtëdhjetë ditë, kjo konsiderohet e mjaftueshme, duke u bazuar në faktin se nevoja e të varfrit është e përtërirë. Një grup dijetarësh janë shprehur se: “Edhe nëse ushqen një të varfër për gjashtëdhjetë ditë, mjafton, sepse qëllimi kryesor është të plotësohet nevoja e nevojtarit, dhe kjo nevojë përtërihet çdo ditë; ushqimi në ditën e dytë trajtohet si për një person tjetër.”
2 – Allahu i Lartësuar ka urdhëruar shpenzimin për gruan, fëmijët dhe të afërmit, me qëllim mbulimin e nevojave të tyre. Këto nevoja konsiderohen të përtëritura, pasi ato vazhdojnë dhe nuk lidhen me një kohë të caktuar. Ibn Abidini, pasi trajton disa rregulla lidhur me shpenzimet, thekson: “Përmbledhtazi, shpenzimi është i detyrueshëm për nevojën e përtërirë; dhe nëse vendoset çdo muaj, kjo e bën nevojën të përtërihet me çdo muaj të ri.”
3 – Disa individë mund të kenë nevojë të hyjnë në Qabe më shpesh, jo për haxh apo umre, por për veprimtari të tjera, si tregtia ose drejtimi i automjeteve, etj. Nevoja e këtyre individëve konsiderohet e përtërirë, pasi hyrja e tyre në Mekë është e vazhdueshme dhe nuk lidhet me një kohë të caktuar. Behuti, pasi shpjegon se hyrja në Mekë nuk lejohet pa ihram, përjashton këtë rregull në raste të caktuara duke thënë: “Përjashtim bëhet nëse hyn për luftë të lejuar… ose për frikë apo nevojë të përtërirë, siç është rasti i druvarëve e të ngjashmëve… për të shmangur vështirësinë dhe dëmin e përtëritur.”
Po ashtu, sa i përket namazit të përshëndetjes së xhamisë, rregulli është si vijon: individët me nevojë për hyrje të përsëritur në xhami nuk detyrohen të falin këtë namaz, ndërsa ata që nuk kanë nevojë të përsëritur, duhet ta kryejnë atë.
Kjo lloj nevoje mund të njihet edhe me emërtime të tjera, si:
A – nevoja e përsëritur: një emërtim të tillë ia kanë dhënë një grup dijetarësh, ku njëri prej tyre është Zejlai, i cili në çështjen e “Dhiharit” të lartpërmendur ka thënë: “…Dhe gjithçka që arrijmë të kuptojmë nga fjalët e juristëve është se me përsëritjen e nevojës përsëritet edhe gjykimi për të varfërin.”
Një emërtim të tillë ia ka dhënë edhe Baxhi siç do ta cekim pak më poshtë.
B – nevoja e vazhdueshme: këtë emër ia ka vënë Ibn Hemami, i cili e përshkroi nevojën e njeriut për shpenzimet për veten dhe për familjen e tij si një nevojë të vazhdueshme.
Këto emërtime për këtë lloj nevoje, megjithëse ndryshojnë në formë, kanë të njëjtin kuptim, sepse përtëritja, përsëritja dhe vazhdimësia kanë të njëjtin kuptim. Dëshmi për këtë janë dijetarët, të cilët e përshkruajnë një nevojë të vetme si përtëritje herë dhe si përsërtije herë tjetër, gjë që tregon unifikim të kuptimit të tyre.
Pasi sqaruam kuptimin e secilës prej këtyre dy llojeve të nevojave – asaj të përtëritshme dhe asaj jo të përtëritshme – mbetet për t’u trajtuar çështja se në ç’masë ato gjejnë zbatim në praktikë dhe sa qëndrojnë të vlefshme në përgjithësi. Megjithatë, nevoja e përtëritshme ka një rëndësi më të madhe, është më prioritare dhe më e theksuar sesa nevoja jo e përtëritshme. Kjo për arsye se vështirësitë dhe ngarkesat që lindin nga mungesa e nevojës së përtëritshme janë më të mëdha dhe më të rënda se ato që shfaqen në rastin e mungesës së nevojës jo të përtëritshme.
Për këtë arsye, disa çështje lidhen në mënyrë të veçantë me nevojën e përtëritshme. Një shembull ilustrues është rasti i hyrjes në Mekë nga ana e një personi që nuk ka për qëllim të kryejë Haxhin apo Umren. Një person i tillë lejohet të hyjë në Mekë pa qenë në gjendjen e ihramit. Kjo çështje është përmendur edhe më parë, duke u sqaruar se një pjesë e dijetarëve kanë përcaktuar se, për ata individë tek të cilët nevoja për hyrje në Mekë përsëritet shpesh, nuk është e detyrueshme që të veshin ihramin.
Ebu Velid el-Baxhi e ka trajtuar këtë çështje me shumë qartësi, duke e theksuar dallimin mes nevojës së përtëritshme dhe asaj që nuk është e përtëritshme, kur thotë: “Hyrja në Mekë bëhet për tri arsye kryesore:
1 – Rasti i parë: Personi që synon të hyjë në Mekë për të kryer Haxhin ose Umren. Për këtë kategori, hyrja nuk lejohet pa ihram. Nëse ai e kalon mikatin pa qenë në ihram dhe e vesh atë vetëm më pas, i bëhet obligim të shpagojë me therjen e një kurbani (gjak).
2 – Rasti i dytë: Personi që hyn në Mekë pa pasur për qëllim Haxhin ose Umren, por nevoja e tij për hyrje është e përsëritshme, siç është rasti i druvarëve, tregtarëve të frutave apo të ngjashëm. Për ta, lejohet hyrja pa ihram, duke qenë se kjo nevojë është e vazhdueshme dhe praktike.
3 – Rasti i tretë: Personi që hyn në Mekë për një nevojë të vetme dhe të papërsëritshme. Për këtë kategori nuk lejohet hyrja pa ihram, pasi veshja e ihramit nuk përbën ndonjë vështirësi apo dëm. Nëse ai hyn në Mekë pa ihram, sipas mendimit të medh’hebit, nuk i bëhet obligim shpagimi me gjak, megjithëse një veprim i tillë konsiderohet i gabuar.”
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Në periudhën paraislame, arabët e kishin zakon që i thonin grave të tyre: Ti je si shpina e nënës time. Kjo deklaratë nënkuptone divorcin, gjë të cilën Allahu i Lartësuar e ndaloi.



















